S`fundmi | Policia

Nuk po raportohen rastet e krimit ndëretnik

Nga - 06.10.2016

Raporti i ri rekomandon procese të përmirësuara institucionale.

Dje (e mërkure, 5 tetor) raporti “Incidentet Potencialisht Etnikisht të Motivuara: Sfidat në Përkufizim” u prezantua në një konferencë në Hotel Afa, Prishtinë, ku morrën pjesë përfaqësues të institucioneve qeveritare, OJQ-ve dhe grupeve të komunitetit. Raporti u prodhua nga Qendra Evropiane për Çështje Minoritare (ECMI) si pjesë e përfshirjes së kësaj të fundit në Koalicionin Të Drejta të Barabarta për të Gjithë, rrjet i OJQ-ve që punon për mbrojtjen e të drejtave të grupeve të prekshme dhe të margjinalizuara.

Ky rrjet është i projektuar për të identifikuar probleme në lidhje me raportimin e krimeve në mes të komuniteteve shqiptare e serbe në Kosovë, dhe ofron rekomandime për adresimin e pengesave të procesimit të saktë dhe transparent.

Në një shoqëri multietnike me histori si të Kosovës, incidentet potencialisht të motivuara nga etnia (IPME) kanë tendencë të politizohen dhe prandaj paraqesin rrezik të veçantë ndaj sigurisë dhe stabilitetit politik nëse nuk trajtohen si duhet. Numrat e autorizuar për hetim – vetëm 35 në 2011, e 16 në 2015 – janë shumë të ulët kur krahasohen me ato në shtete tjera dhe nuk pasqyrojnë perceptimin e komuniteteve brenda Kosovës, aspekt ky që aludon se ka probleme të cilat duhet adresuar.

Raporti i referohet incidenteve me më shumë se një faktor motivues – për shembull vjedhja mund të jetë kryesisht e motivuar nga përfitimi material edhe nëse është i pranishëm një element i paragjykimit etnik – për ta shpjeguar numrin e ulët të incidenteve të motivuara nga etnia. Këto vështirësi rëndohen nga mungesa e politikave të klasifikimit dhe regjistrimit të përbashkët nga tri institucionet relevante qeveritare – Policia e Kosovës (KP), Prokurori i Shtetit dhe gjykatat.

Për më tepër, struktura ligjore që lejon ndjekjen penale të incidenteve të tilla nuk është zbatuar plotësisht: pjesa e Kodit Penal që lejon konsiderimin e paragjykimit etnik në një vendim gjyqësor nuk është përdorur asnjëherë. Në rekomandimet e raportit përfshihen procedura më të hollësishme të raportimit dhe ndjekjes penale, për të lejuar përfshirjen e incidenteve me elemente potenciale të paragjykimeve etnike në të dhëna.

Raporti gjithashtu diskuton rolin e politikanëve dhe mediave në shkaktimin e eskalimit të tensioneve pas incidenteve të izoluara.

Mungesë e definicionit

Raportin e prezantoi dje Adrian Zeqiri, drejtori ekzekutiv i ECMI Kosovo. Ai theksoi qëllimin e tij duke thënë se nuk është për të vlerësuar situatën aktuale në mes të komuniteteve shqiptare dhe serbe, por se është për të vlerësuar raportimin dhe procesimin e krimeve.

Problemet identifikohen në klasifikimin e IPME që mund të transmetohen në shifra të pasakta. Për shembull, Policia e Kosovës (PK) aktualisht klasifikon krimet ndëretnike ku përfshihet një akuzë “më e rëndë” si sulm, nën kategorinë më serioze, dhe jo si IPME. Raporti gjeti se raportet e policisë ndonjëherë minimizojnë elementet etnike për t’iu shmangur eskalimit.

Në bisedë me K2.0, Helena Nilsson, bashkautore e këti raporti, tha se ajo gjeti që zyrtarët ndonjëherë fokusohen më shumë në reduktimin e numrave të incidenteve të regjistruara se sa në raportim të saktë, ndoshta për shkak të vëmendjes ndërkombëtare: Kjo temë është pjesë e rregullt e raportit tremujor të Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK). Megjithatë, shifrat e ulëta nuk janë përmirësim, thotë ajo, “sepse prap se prap ato krime po kryhen”.

Ngjashëm edhe gjykatat i regjistrojnë vetëm rastet që janë të motivuara krejtësisht nga paragjykimi etnik, aspekt që është shumë i vështirë për t’u dëshmuar.  Pas disa incidenteve të vjedhjes dhe sulmeve kundër të kthyerve serb në komunën e Klinës, tre shqiptarë u shpallën fajtorë për vjedhje, por vendimi nuk përmendi paragjykim etnik. Përfitimi material mund të mos ketë qenë i vetmi faktor motivues, por pa të dhëna gjithëpërfshirëse të regjistrimit, është vështirë të dihet.

fikret-ahmeti-reports-on-ethnic-incidets2

U gjet gjithashtu se neni specifik në Kodin Penal të Kosovës që lejon konsiderimin e paragjykimit etnik në vendime të gjykatës përkrah faktorëve tjerë – Neni 74 2.12 – asnjëherë nuk është përdorur në ndjekje penale të ndonjë rastit. Nilsson e quajti këtë “shumë befasuese” dhe tha se institucionet “duhet të punojnë për strategji që përfshijnë këtë në procedurat e tyre të punës”.

Gjithashtu, prej vitit 2016, PK nuk regjistron më të dhëna për IPME. Është emëruar një koordinator nga Prokurori i Shtetit për t’i kombinuar statistikat nga dy institucionet. Edhe pse kjo sipërfaqësisht duket si qasje më e koordinuar, praktikat e raportimit nga institucionet nuk janë të njëtrajtshme, dhe rastet të cilat u klasifikuan fillimisht nga PK si potencialisht të motivuara nga etnia por më vonë u klasifikuan përsëri nga Prokurori i Shtetit dhe u ndoqën penalisht ndryshe, në fund mund të mbesin të paregjistruara. Nilsson e quajti këtë “hap në drejtim të gabuar”, duke aluduar se shkrirja e të dhënave mund t’i turbullojë edhe më shumë motivet e mundshme etnike.

Për t’i adresuar këto probleme, raporti rekomandon një mekanizëm të etiketimit për të identifikuar paragjykime të mundshme etnike, më shumë fokus në përfshirjen e paragjykimit etnik në vendime gjyqësore, dhe trajnim të përbashkët në klasifikimin e krimeve përgjatë tri institucioneve, për të garantuar praktika të afërta të punës, dhe kështu baza e ndarë e të dhënave që aktualisht është në zhvillim e sipër mund të përdoret me efekt maksimal.

Në konferencën e djeshme, një përfaqësues nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) e lëvdoi raportin gjithëpërfshirës dhe theksoi rëndësinë e përfshirjes së motivit paragjykues në raportet fillestare policore për ndjekje korrekte penale, si dhe shtoi se “nuk duhet t’i mbetet OSBE-së e EULEX-it” regjistrimi i rasteve.

Si reagim, Naim Rexha, Zëvendës Drejtori i Përgjithshëm i PK, tha se raportuesit në terren të organizatave ndërkombëtare kanë arritur që të identifikojnë më shumë incidente vetëm për shkak se ata mund të regjistrojnë raste që nuk raportohen në polici.

Shifrat e OSBE janë në përgjithësi shumë më të larta, por definicioni i tyre për IPME gjithashtu konsideron ndikimin e mundshëm të një incidenti, dhe mbulon raste që mund të shihen nga popullsia e përgjithshme si të motivuara nga etnia – edhe nëse nuk del të jetë ashtu pasi shqyrtohet nga PK. Arsyetimi i tyre për një definicion kaq të zgjeruar është se këto incidente mund të shkaktojnë eskalimin e tensioneve, ose dyshime në lidhje me siguri.

Pikëpamje tjera

Raporti thotë se ngjarjet e izoluara mund të shkaktojnë tension më të gjërë si rezultat i komenteve të politikanëve: Edhe pse politikanët e serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës zakonisht i shmangen retorikës nxitëse, ka shembuj të theksimit të paragjykimit të mundshëm etnik nga politikanët në Serbi.

Një paragjykim i tillë etnik rëndohet nga tendenca e mediave të shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës për të përdorur burime ekskluzivisht nga komunitetet e tyre përkatëse, duke prodhuar kështu një efekt të ashtuquajtur të dhomës së jehonës (në media të lajmeve dhoma e jehonës është përshkrim metaforik i një situatë në të cilën informatat, idetë, ose besimet amplifikohen ose përforcohen nga transmetimi dhe përsëritja në një sistem “të mbyllur”, ku pikëpamjet e ndryshme ose të kundërta censurohen, nuk lejohen, ose nuk përfaqësohen sa duhet), thotë raporti; raportimi i njëanshëm nga mediat për një incident kontribuoi në trazirat e marsit të vitit 2004, bashkë me frustrimin e lidhur me vështirësitë socio-ekonomike.

Ekziston edhe një mundësi e raportimit të pamjaftueshëm për shkak të mungesës së besimit në institucione qeveritare; edhe pse një studim i vitit 2015, i cituar në raport, gjeti se besimi në PK po rritet gradualisht, shumë grupe minoritare ndihen të injoruar ende, e ky argument u përmend edhe në diskutimin e djeshëm, në lansimin e raportit.

fikret-ahmeti-reports-on-ethnic-incidets3

Milica Andric nga OJQ Activ, e bazuar në Mitrovicën e Veriut, tha se këto komente nga përfaqësuesit, që i minimizuan pasaktësitë në raportime, ishin “kujtesë e dhimbshme për atë se pse ne [serbët e Kosovës] ndihemi të rrezikuar nga komuniteti mazhoritar… shqetësimet tona nuk pranohen”. Tjerët përmendën incidente që ata i konsideruan si të motivuara nga etnia, dhe treguan se si u regjistruan ndryshen nga PK.

Në vitin 2012, Këshillet Komunale për Siguri në Bashkësi (KKSB) u themeluan si forum për përfaqësues nga të gjitha komunitetet për të diskutuar dhe ngritur çështje të sigurisë, në bashkëpunim me autoritetet komunale. Megjithatë, u gjetën si “jo mjaft të dukshëm” brenda komunitetit, duke rezultuar në angazhim të kufizuar publik. Diskutimi në konferencë pasqyroi gjetjet e raportit sa i përket ndarjes në perceptim në mes të institucioneve dhe komuniteteve.

Kur u pyet për mundësinë e zbatimit të rekomandimeve, Nilsson tha se është “proces i ngadalshëm”, pasi që ndryshimet e fundit në mbledhje të të dhënave e kanë keqësuar situatën.

Megjithatë, baza e unifikuar e të dhënave me gjasë do të jetë zhvillim pozitiv, tha ajo, dhe trajnimi i përbashkët e përdorimi efektiv i strukturave ekzistuese ligjore dhe nismave komunitare mund të jenë hapa të rëndësishëm për të garantuar që IPME regjistrohen dhe ndiqen penalisht si duhet.

Zëvendës Ministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, e mirëpriti raportin në konferencë dje, duke thënë se ai mund të “garantojë që do ta marrin parasysh seriozisht”.

Fotografitë: Fikret Ahmeti / K2.0.