Pikëpamje | Drejtësi Tranzicionale

Reparacioni si mënyrë e ballafaqimit me të kaluarën është i nevojshëm – dhe i ndërlikuar

Nga - 11.12.2017

Për t’i përmbushur nevojat, ‘reparacionet’ për dëme të shkaktuara në kohë të luftës duhet pikësëpari të kuptohen.

Krime serioze dhe të vazhdueshme shtetërore u kryen gjatë luftërave që shpërthyen pas shpërbëries së Jugosllavisë. Bosnja dhe Hercegovina dhe rajoni fqinj e përjetuan luftën më shkatërrimtare (1992-95), por Libër Kujtimi i Kosovës dokumenton më shumë se 13,000 vrasje dhe më shumë se 590,000 persona të zhvendosur gjatë luftës në Kosovë, e cila zgjati prej shkurtit të vitit 1998 deri në qershor të vitit 1999.

Bashkësia ndërkombëtare është munduar ta bëjë të vetën duke krijuar e duke financuar agjenci dhe gjykata ndërkombëtare për të ndihmuar me dokumentimin dhe përballjen me këto krime të luftës. Sidoqoftë, pavarësisht faktit se janë krijuar gjykata të ndryshme  dhe janë themeluar tribunale për t’i ndjekur penalisht krimet e kryera, shumë më pak është bërë deri më tani në të gjitha nivelet – në atë ndërkombëtar, rajonal e lokal – për ta vlerësuar dëmin e shkaktuar nga krimet shtetërore dhe për të kuptuar më shumë për reparacionet e nevojshme për viktimat të cilat u dëmtuan nga lufta.

Tashmë dihet që edhe njerëzit e lidhur me Tribunalin Ndërkombëtar për Krime Lufte në ish-Jugosllavi kanë bërë thirrje për zbatim të masave të tjera përveç “shpalljes së aktgjykimeve”.

Pra, reparacionet shihen si pjesë e qasjes së drejtësisë restauruese.

Pavarësisht faktit se reparacioni është përmendur  si koncept, ai shpeshherë është përdorur në mënyrë të paqartë. Ende nuk ka përcaktim të pranuar për reparacionin apo për koncepte që lidhen me të si restaurimi, korrigjimi, kthimi ne gjendjen e meparshme, ndëshkimi, kompensimi, rehabilitimi dhe pajtimi. Nuk ka as konsensus për marrëdhëniet ndërmjet tyre në debatet e veçanta, por edhe pjesërisht të përziera, për drejtësinë vendore, drejtësinë penale ndërkombëtare dhe drejtësinë tranzicionale.

Brenda konteksteve vendore, restaurimi dhe drejtësia restauruese janë bërë shprehjet dominuese dhe kanë prodhuar programe të shumta anembanë botës, kryesisht me përmbajtje të ndërmjetësimit për viktimat dhe kundërvajtësit dhe këshillim familjar për kundërvajtës të rinj, ndërsa masat e tjera si kompensimi dhe shërbimi për komunitetin mund të përfshijnë edhe elemente restauruese. Qëllimi kryesor i tyre, sipas njërit prej kriminologëve më të njohur, John Braithwaite, është “korrigjimi i dëmit nëpërmjet bisedave me ata të cilët janë lënduar dhe ata të cilët e kanë shkaktuar dëmin”. Pra, reparacionet shihen si pjesë e qasjes së drejtësisë restauruese.

Konceptimi vendor i drejtësisë restauruese përzihet me drejtësinë penale ndërkombëtare dhe drejtësinë tranzicionale. Sipas akademikëve Kathleen Daly dhe Gitana Proietti-Scifoni, së pari “të gjitha këto e identifikojnë nevojën për mekanizma të drejtësisë për viktimat, jo vetëm për kundërvajtësit”. Së dyti, “të gjitha këto i njohin kufijtë e metodave konvencionale të ndjekjes penale dhe gjykimit”. Së treti, “të gjitha këto përqendrohen në një proces më joformal dhe më bashkëbisedor, por gjithsesi të kufizuar nga ligji… dhe i lidhin dënimet me shkeljet në mënyrë kuptimplotë”.

Kuptimi i reparacionit

Në ligjin ndërkombëtar dhe fushën e drejtësisë tranzicionale janë qartësuar deri diku konceptet e ndryshme me miratimin e Rezolutës së vitit 2006 të OKB-së. E titulluar “Parimet dhe Direktivat Themelore për të Drejtën për Kompensim dhe Reparacion për Viktimat e Shkeljeve të Mëdha të Ligjit Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut dhe Shkeljet Serioze të Ligjit Ndërkombëtar Humanitar”, kjo Rezolutë e OKB-së njeh tri të drejta të mëdha për viktimat e shkeljeve të të drejtave ndërkombëtare të njeriut dhe të drejtës humanitare: “qasja në kompensim efektiv gjyqësor”, “reparacion adekuat” dhe “qasja në informim”.

Ky konceptim bën dallime të qarta ndërmjet reparacioneve nga proceset vendore apo ndërkombëtare të drejtësisë penale: gjykimi, dënimi dhe ndëshkimi.

Parimet dhe direktivat domosdoshmërisht trajtojnë një çështje më të ndërlikuar se drejtësia vendore restauruese, meqë janë ndërtuar duke marrë parasysh kontekste të veçanta të drejtësisë (shkeljet e të drejtave të njeriut gjatë luftës, konfliktet e brendshme dhe regjimet shtypëse politike). Ndryshe nga drejtësia vendore restauruese, reparacionet dhe restaurimi nuk trajtojnë vetëm individët, por edhe kolektivitetet, ndryshmet në regjim dhe ndërtimin e shteteve.

Për më tepër, Rezoluta e OKB-së e e analizon kuptimin e reparacionit duke i identifikuar pesë format kryesore të tij: kthimi ne gjendjen e meparshme, kompensimi, rehabilitimi, shlyerja dhe garantimi i mospërsëritjes.

Shumë shpesh reparacionet përmenden gjerësisht si entitet që përfshinë kërkimin e faljes dhe kompensim monetar. Por dallimi i shprehur ndërmjet formave të ndryshme të reparacionit është shumë i rëndësishëm.

Pesë format kryesore të reparacionit janë shumë të rëndësishme për hapin e tretë të ballafaqimit me të kaluarën, për të cilën kam shkruar më parë: vlerësimi i nevojave të viktimave dhe lidhja e drejtpërdrejtë me reparacionin. (Dy hapat e parë duhet të jenë shtytja e masave efektive gjyqësore dhe krijimi i një organi kompetent për gjetjen e së vërtetës për të kaluarën dhe kuptimin e nevojave të viktimave).

Shumë shpesh reparacionet përmenden gjerësisht si entitet që përfshin kërkimin e faljes dhe kompensim monetar. Por dallimi i shprehur ndërmjet formave të ndryshme të reparacionit është shumë i rëndësishëm.

Për shembull, sipas Rezolutës së OKB-së, kur përmendim ‘kthimi ne gjendjen e meparshme’ flet për mundësinë e restaurimit të lirisë, gëzimin e të drejtave të njeriut, identitetit, jetës familjare dhe qytetarisë, kthimin në vendbanim, restaurimin e punësimit dhe kthimin e pronës.

Në anën tjetër, ‘kompensimi’ duhet të ofrohet për çfarëdo dëmesh të vlerësuara ekonomike, në përputhje me përshtatshmërinë dhe proporcionalitetin e shkeljeve dhe rrethanave të secilit rast. Megjithatë, kompensimi kolektiv monetar për viktimat ende është koncept shumë i paqartë dhe ky element i kompensimit nuk shpjegohet mirë nga direktivat e OKB-së.

‘Rehabilitimi’ i viktimave i referohet kujdesit mjekësor dhe psikologjik si dhe shërbimeve ligjore dhe sociale.

‘Permbushja’ mbetet një prej koncepteve më të keqkuptuara. Direktivat e OKB-së thonë se ‘përmbushja’ do të thotë: kërkim publik i faljes, verifikim i fakteve dhe zbulim i plotë dhe publik i së vërtetës, kërkim i vendndodhjes së personave të zhdukur, dënime gjyqësore dhe administrative për personat përgjegjës për shkelje, përkujtim dhe nderim për viktima etj.

Dhe e fundit, “garantimi i mospërsëritjes’, fillimisht mund të tingëllojë si shumë i drejtpërdrejtë. Megjithatë ai përfshin një mori masash si garantimi i kontrollimit efektiv civil të ushtrisë dhe forcave të sigurisë dhe mbrojtjen e profesionistëve juridikë, mjekësorë, shëndetësorë, të mediave si dhe të mbrojtësve të të drejtave të njeriut. Gjithashtu ai përfshin fuqizimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe promovimin e respektimit të kodeve të sjelljes dhe normave etike – veçanërisht standardeve ndërkombëtare – nga ana e shërbyesve publikë, duke përfshirë zbatuesit e ligjit, shërbimet korrektuese, mediale, mjekësore, psikologjike dhe sociale, si dhe personelin ushtarak dhe ndërmarrjet ekonomike.

Viktimat e ndryshme kanë nevoja të ndryshme

Në Kosovë disa ligje e njohin kompensimin për dëme materiale si të drejtë, por nuk ofrojnë financim për të. Deri vonë nuk është paraparë kompensimi për dëme jomateriale. Në shkurt të vitit 2016, pas nismës civile që mblodhi 13,000 nënshkrime, kompensimi për të ashtuquajtura “dëme emocionale” dhe joekonomike u shtua në Ligjin për Menaximin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë – të paktën në shkrim.

Muajin e kaluar, për herë të parë u krijua një buxhet special – në vlerë 200,000 euro – brenda buxhetit të Kosovës si kompensim për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës.

Lajm i mirë është që më në fund këto viktima po njihen në një farë mënyre, por vendimmarrja për nevojat e tyre pa konsultim paraprak me ta është e gabuar në nivele të ndryshme.

Së pari, është e rëndësishme të ceket dhe të dokumentohet numri i viktimave të dhunës seksuale të kohës së luftës. Ende nuk kemi të dhëna të sakta për këtë, dhe ndonëse nuk do ta dimë kurrë numrin e saktë të viktimave, duhet të ndërmerret një proces gjithëpërfshirës për t’i dhënë sa më shumë mundësi viktimave që ta ngrisin zërin. Pa e ditur numrin e viktimave të identifikuara nuk mund të dimë sa para duhet të japim për viktimat.

Jetike është ta kuptojmë se çështja e përballjes me të kaluarën është diçka që kërkon qasje në mënyrë sistematike, hap pas hapi.

Së dyti, dhe më me rëndësi, duhet t’i përmbushim nevojat e viktimave. Si mund të jemi kaq të sigurtë që këto viktima kanë nevojë për kompensim monetar? Siç e cekëm më lart, ka forma të ndryshme të reparacionit të cilat u përgjigjen nevojave të ndryshme të viktimave.

E vërtetë është se sektori i shoqërisë civile po mundohet t’i mbushë shumë prej këtyre boshllëqeve duke kontribuuar me ndihmë për viktimat. Organizata të ndryshme po bëjnë punë të ndryshme në aspekte të ndryshme të ballafaqimit me të kaluarën. Sidoqoftë, këto OJQ kanë tendencë të kryejnë punë në mënyrë shumë lokale. Tani është momenti i fundit për një nismë të koordinuar nga shteti që të bëhen bashkë të gjitha këto kontribute.

Tani është gjithashtu momenti i fundit për t’u përqendruar në reparacione dhe për t’u ofruar lehtësira njerëzve në nevojë. Por para se ta bëjmë këtë, shumë e rëndësishme është ta kuptojmë një gjë: Viktimat e ndryshme kanë nevoja të ndryshme. Nuk ia vlen të veprojmë sa për sy e faqe, dhe të ofrojmë reparacione të cilat ne mendojmë se janë të përshtatshme për viktimat. Është shumë e rëndësishme të sigurohemi që po i vlerësojmë nevojat e tyre në mënyrën e duhur dhe pastaj ta zhvillojmë një strategji të reparacioneve e cila është në përputhje me nevojat e viktimave.

Deri më sot nuk është bërë një gjë e tillë. Është jetike të kuptojmë se çështja e ballafaqimit me të kaluarën është diçka që kërkon qasje sistematike, hap pas hapi. E rëndësishme është të mos endemi lart e poshtë deri sa ta gjejmë mënyrën e duhur. E rëndësishme është ta gjejmë mënyrën e duhur dhe ta ndjekim atë.

Duke u mbështetur në strukturën e reparacioneve të krijuar mbi parimet dhe direktivat e OKB-së, shteti i Kosovës duhet ta zhvillojë një strategji operative e cila parimisht i dokumenton saktësisht ngjarjet dhe viktimat, dhe pastaj i përmbush nevojat e viktimave – kjo do të na çojë drejtpërdrejt te forma adekuate e reparacionit.

Vetëm atëherë do të mund të konsiderojme se kemi arritur t’i trajtojmë si duhet ngjarjet e luftës dhe të kontribuojmë në mënyrë adekuate, në një farë mënyre, për t’i shëruar plagët.K

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0. (Grafiti nga QART.)

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO