Pikëpamje | Kosova X | Religjioni

“Shekullarizmin” e Kosovës po e ngatërrojnë – sidomos ata që po përpiqen ta mbrojnë

Nga - 16.02.2018

Marrëdhënia e shtetit me fenë është e paqartë.

Një shtyllë themelore e shtetit të Kosovës që kur shpalli pavarësinë në vitin 2008 shpesh është thënë të jetë ajo e ‘shekullarizmit’. Kjo periudhë kohore është mjaft e kufizuar për të diskutuar mbi manifestimin e këtij koncepti, meqë marrëdhënia ndërmjet shekullarizmit dhe religjiozitetit ka pasur shtrirje për një periudhë shumë më të gjatë. Por në 10 vitet e fundit, shumë zyrtarë publikë dhe komentues duket të kenë qenë në vijën e frontit të mbrojtjes së ‘shekullarizmit’.

Shumë shpesh, argumenti në favor të ‘shekullarizmit’ është shtruar në mënyrë jo fort të qartë, kundrejt shenjuesve të vetëzhvilluar dhe shpeshherë të plotkuptimshme siç është ‘shamia’, ‘terrorizmi’, ‘radikalizmi’ dhe koncepte të ngjashme që rëndom lidhen me islamin dhe me muslimanët.

Dhe ndërsa ndarja ndërmjet çështjeve fetare dhe atyre shtetërore shpesh është paraqitur si ajo që po mbrohet, diskutimet në të vërtetë janë prirë të kenë shumë më shumë lidhje me marrëdhënien ndërmjet ‘shekullares’ dhe ‘fetares’ në sferën publike. Andaj, ajo që pandehet të mbrohet (ndarja e shtetit nga feja), dhe ajo që vërtet mbrohet (pastërtia shekullare e sferës publike) janë në të vërtetë dy fusha të ndara të diskutimit për ‘shekullarizmin’.

Përveç se ekziston paqartësia lidhur me atë që pretendojnë mbrojtësit e ‘shekullarizmit’ (qëllimisht janë përdorur thonjëzat në krejt tekstin) kur diskutojnë për këtë çështje, ajo gjithashtu mbetet e paqartë ligjërisht e institucionalisht.

Hutia nis me Kushtetutën. Megjithëse nëse lexohen ndarazi versionet gjuhësore të Kushtetutës janë mjaft të qarta, versioni shqip flet për ‘laicitetin’ e shtetit, derisa versioni anglisht flet për ‘shekullarizmin’ e shtetit.

Është pikërisht dykuptimësia e qëndrimit të politikëbërësve ajo që e bënë ata tejet të rëndësishme, sidomos kur flasim për pasojat praktike të dykuptimësisë.

Kjo paqartësi gjithashtu duket sheshit kur zyrtarët publikë rëndom i përdorin këto dy koncepte me dykuptimësi.

Për shembull, në ligjëratën e saj në Universitetin Georgetown në vitin 2016, ish-Presidentja Atifete Jahjaga deklaroi se njëri prej zotimeve të Kosovës mbetet “se do ta rindërtojmë Kosovën si shtet laik, ta ndajmë qartazi shtetin nga çështjet fetare”. Por kur foli për muslimanët në po këtë ligjëratë, ajo la të kuptohet se shumica e muslimanëve në Kosovë janë ‘shekullarë’. Andaj, ‘laiciteti’ këtu duhet të jetë për shtetin, derisa ‘shekullarizmi’ për shoqërinë.

Dykuptimësia ishte edhe më e theksuar kur ish-zëvendësministri i punëve të jashtme, Petrit Selimi, u orvat t’i qartësonte disa prej debateve përkitazi me religjionin në shpjegimin e tij nëntëpikësh, më 2012. Pika e tij e parë nisi me “Kosova është shtet sekular” për të vazhduar me pikën e dytë “… shteti i Kosovës është laik” (theksi i shtuar).

Edhe më e hatashme është letra e kohëve të fundit e PDK-së, ku, ndër pikat e tjera, ata sugjerojnë se janë të përkushtuar t’i japin prioritet “… diversitetit etnik dhe shtetit [edhe] laik [edhe] sekular” (theksi i shtuar).

Këto mund të mos merren parasysh e të konsiderohen veç çështje semantike gjuhësore. Por është pikërisht dykuptimësia e qëndrimit të politikëbërësve ajo që e bënë ata tejet të rëndësishme, sidomos kur flasim për pasojat praktike të dykuptimësisë. Sepse kjo ka ngjallur reagime, sidomos të pjesëtarëve të bashkësisë së besimtarëve, qarqeve të politikëbërësve, apo të të dy grupeve.

Në njërin prej shkrimeve të tij, Amir Ahmeti, anëtar i Partisë së Drejtësisë — e cila drejtohet nga një platformë shoqërore-konservatore, të nxitur nga “besimi në Zot dhe përkushtimi për Kombin” — bën thirrje për qartësim. Sipas tij, ‘laiciteti’ nënkupton heqjen e ndikimit të ‘kishës’ nga shteti, derisa ‘shekullarizmi’ nënkupton ndarjen e shtetit nga religjioni, dhe rrjedhimisht e mbron bashkësinë e besimtarëve nga përndjekja shtetërore. Nga këndvështrimi i Ahmetit, këto thelbësisht paraqesin dy sisteme të ndryshme për sa u takon marrëdhënieve shtet-shoqëri, si në aspektin konceptual ashtu edhe në atë të pasojave.

Pavarësisht asaj që thuhet në debatet akademike për një ndarje të tillë, është me rëndësi të vihet në pah se si bashkësitë e ndikuara i perceptojnë këto veçime. Derisa njerëzit si Ahmeti dhe të tjerët së paku kanë qenë mjaft të drejtpërdrejtë sa i përket mënyrës se si ata e shohin dallimin ndërmjet ‘laicitetit’ dhe ‘shekullarizmit’, dhe për pasojat që ato mbartin, shteti këtë gjë nuk e ka bërë deri më sot.

Ç’do të thotë të jesh modern

Pjesa e diskursit të dykuptimshëm të shtetit (të përfaqësuar nga zyrtarët e tij) qartësohet (në mendjen e besimtarëve) vetëm kur ai mban qëndrim për çështjet kundërthënëse të cilat kanë qenë në bërthamë të tensioneve jo vetëm në Kosovë por edhe gjetiu, siç është ndalimi që vajzat të bartin shami në shkollat publike.

Deri në çastin kur shteti nuk mban qëndrim për çështjet e tilla, nuk ka reagime publike, dhe kjo është e logjikshme meqë nuk ka qartësi. Por në momenin që shteti merr qëndrim, qoftë përmes nje politike të qartë apo nëpërmjet deklaratave publike, reagimet dalin në pah. Kjo ndodh meqë pikërisht atëherë pozicioni i shtetit bëhet i qartë.

Për shembull, kur në vitin 2013 nocioni i ish-Presidentes Jahjaga për ‘shekullaren” dhe ‘laiken’ në një moment u përkthye në arsyetimin e saj përse shamia duhet ndaluar në shkolla publike, Bashkësia Islame e Kosovës nxitoi të reagonte në mbrojtje të Kushtetutës ‘shekullare’ të shtetit. Duke e kritikuar komentin e Jahjagës si ‘antikushtetues’, BIK-u shkoi edhe më larg duke thënë se deklarata e Presidentes së atëhershme për shaminë kishte “frymë antieuropiane”.

Shamia në Kosovë dhe ‘europianizmi‘ i shtetit vinë në shprehje shpesh nëpër debate mbi ‘shekullaren’ në të cilat kundërthëniet sa i përket nocioit të ‘europianizmit‘ dhe modernitetit thellohen. Derisa BIK-u e vendos të ardhmen europiane të Kosovës në përputhje me lirinë e grave për të bartur shaminë në shkolla publike (apo tjetërkund), disa zyrtarë shtetërorë duket se kanë mendime krejtësisht të kundërta rreth asaj se ku qëndron shamia në ‘europianizmin‘ e Kosovës.

Hoxhaj e hiperbolizon jo vetëm lidhjen ndërmjet shamisë dhe 'radikalizmit fetar', por shkon edhe një hap më tej kur ndërton lidhjen ndërmjet shamisë dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në luftëra të huaja.

Në verën e vitit 2014, kur Policia e Kosovës arrestoi më shumë se 40 persona të dyshuar për pjesëmarrje në luftë në Siri dhe Irak, deklarata e ministrit të atëhershëm i punëve të jashtme, Enver Hoxhaj, ishte magjepsëse. Ai deklaroi, krejt brenda një fjalie, se e poziciononte veten ‘qartë’ përballë çështjes së (i) ‘radikalizmit fetar’, sidomos kur, si ish-ministër i arsimit, ai kishte (ii) ‘ndaluar shamia në shkolla’, si dhe në përpjekjet e tij të fundit për ta shtyrë përpara një ligj i cili (iii) ‘sanksionon pjesëmarrjen në luftëra të huaja’. Ai menjëherë vazhdoi duke deklaruar se ai ‘i palëkundur në përkushtimin [e tij] për shtetin europian dhe laik të Kosovës‘.

Duke marrë parasysh se Hoxhaj — në atë kohë në cilësinë e ministrit, dhe tash si zëvendëskryesministër — përfaqëson shtetin ‘shekullar’, është me rëndësi t’i kushtohet rëndësi e veçantë deklaratës së tij.  Duke i marrë parasysh kufizimet në gjatësinë e këtij shkrimi, do të përqendrohem vetëm në dy pika.

Pikësëpari, shikoni se si Hoxhaj e hiperbolizon jo vetëm lidhjen ndërmjet shamisë dhe ‘radikalizmit fetar’, por shkon edhe një hap më tej kur ndërton lidhjen ndërmjet shamisë dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në luftëra të huaja. Kjo tregon se si ideja e një përfaqësuesi shtetëror përkitazi me atë se ç’do të thotë të jesh ‘shekullar’ është krejt e kundërt me atë që bashkësia fetare —  e cila përfaqëson një pjesë të rëndësishme të shoqërisë civile në raport me shtetin — mendon për ‘shekullaren’; shteti bënë ndërlidhjen e shamisë me ‘sirianën’, ndërkaq fetarja bënë ndërlidhjen e shamisë me ‘europianën’.

Kjo na çon te pika ime e dytë për deklaratën e Hoxhajt. Kur ai thotë se ai mbetet ‘i palëkundur’ në përkushtimin e tij për një ‘shtet europian dhe laik’, Hoxhaj e homogjenizon jo vetëm ‘shtetin europian’ por edhe marrëdhënien e ‘shtetit europian’ me laicitetin.

Në Kosovë, shteti 'shekullar' më shumë ka luajtur rolin e sjelljes disiplinuese sesa një rol neutral në raport me çështjet fetare.

Nëse, për hir të argumentit, pajtohemi me Hoxhajn se mungesa e shamisë është shenjues i laicitetit, dhe se shamia është shenjues i ‘radikalizmit fetar’, atëherë gati çdo shtet europian — ku shamia duket të jetë shumë më e pranishme se në Kosovë (po e lëmë Francën anash për një çast) — do të ishte shumë më shumë radikal se Kosova, derisa Kosova do të ishte shumë më shumë përvetësuese e laicitetit! Kjo paraqet problem, sepse diskutimi po humbet në përkthim kur shamia përdoret si shenjues jo vetëm i ‘joshekullares’ por edhe i ‘radikales’.

Mbështetja në deklaratat e tilla publike është e rëndësishme, sepse kjo na ndihmon të shohim se cila është pozita e shtetit ‘shekullar’ karshi religjioziteteve të grupeve apo të individëve.

Në Kosovë, shteti ‘shekullar’ më shumë ka luajtur rolin e sjelljes disiplinuese sesa një rol neutral në raport me çështjet fetare. Duke e pasur monopolin mbi përdorimin legjitim të dhunës, definicioni i shtetit se kush vesh çka dhe në cilën moshë, në këtë rast shndërrohet në makinerinë e cila i disiplinon gratë; shteti ia jep vetes të drejtën t’i marrë gratë e një moshe të caktuar nga prindërit ‘religjiozë’ për t’i ‘shekullarizuar’ ato deri në një moshë të caktuar. Apo, sipas idesë së Enver Hoxhajt, kjo do të thoshte se shteti i ‘deradikalizon’ ato!

Hoxhaj nuk është i vetmi që tërheq vija diskutabile lidhur me këtë çështje. Kur e përshkruan Kosovën si ‘kushtetutshmërisht shekullare’, Stephen Schwartz — vrojtues aktiv dhe autor i temave të ngjashme në Ballkan — na sjell te ish-Presidentja Jahjaga dhe te gratë e tjera në Kosovë, dhe vë në pah se përveç faktit që ato mbajnë poste politike, ato gjithashtu “vishen sipas modës perëndimore”. Edhe nëse e mbyllim një sy ndaj zakonit që burrat dashkan të komentojnë se çka (duhet të veshin) gratë, deklarata e tij perthekon komentues të rëndomtë kur ata e vënë (jo)shaminë përballë (jo)modernitetit.  

Ky pozicion është problematik, sepse ai është në kundërshtim me studimet më të fundit shkencore në fushën e sociologjisë, të cilat nuk tregojnë kurrfarë ndërlidhje të drejtë ndërmjet rritjes së modernitetit dhe zvogëlimit të religjiozitetit. Në rastin e Islamit, për shembull, sociologët si Ozan Aksoy e Diego Gambetta, në studimin e tyre të vitit 2016 ku u analizuan më shumë se 25 vende muslimane, gjetën se “në mesin e grave tejet religjioze, forcat modernizuese — arsimi, profesioni dhe të ardhurat e larta, jeta urbane dhe kontaktet me jomuslimanët — rrisin mbajtjen e shamisë”.

Trajtimi i pabarabartë

Vrojtimi im i fundit sa i përket ‘shekullarizmit’ të Kosovës është se shteti ka pasur më pak probleme për ta shkëputur veten nga religjioni sesa anasjelltas — përkundër alarmimit të shtuar në diskursin publik, drejtimi i ndikimit në të vërtetë është i kundërti në masë të madhe.

Në vitin 2017, shteti ‘shekullar’ ka ndarë afër 1 milion euro të parave të tatimpaguesve për të ndërtuar kisha: një kishë ortodokse (lokacioni nuk dihet) dhe një kishë katolike në Ferizaj. Ashtu siç ka ndarë më shumë se 80,000 euro për ‘ceremonitë’ dhe ‘ritualet’ fetare për Komunën e Graçanicës në vitin 2015.

Rastet e gërshetimit të simboleve fetare brenda institucioneve shtetërore dhe shkollave ndodhin nganjëherë. Për shembull, shkollat që mbajnë emrat e priftërinjve katolikë shqiptarë të cilët ishin pjesë e lëvizjes së rezistencës kombëtare gjatë fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX, kanë edhe buste brenda shkollave jo me simbole kombëtare apo shtetërore, por edhe me ato fetare. Një shembull mund të gjendet në shkollën fillore Gjergj Fishta në Prishtinë, kur statuja e Gjergj Fishtës si simbol kombëtar nuk bart asnjë simbol kombëtar, por një kryq. Simboli i vetëm i cili ruhet në Zyrën ‘shekullare’ të Presidencës, është portreti i Papës.

Por duket se në këto raste, duket se shtetit “shekullar” pra nuk i pengon religjiozja — përderisa nuk kemi të bëjmë me shaminë. Duket se çështja e shamisë në shkolla s’ka pasur të bëjë aq shumë me ndarjen e shtetit nga feja sa ka pasur të bëjë me obsesionin e shtetit me veshjet e disa grave muslimane.

Politikat e shtetit karshi fesë duhet të zbatohen në mënyrë të barabartë ndaj të gjitha feve, e jo vetëm ndaj disave.

Shteti shekullar nuk duhet kuptuar vetëm si ndarje e shtetit nga një fe e caktuar (në këtë rast nga Islami dhe simbolet e tij), por edhe nga fetë e tjera. Financimi i kishave dhe i aktiviteteve të një feje të caktuar, duke qenë i obsesionuar njëkohësisht me ndarjen nga feja tjetër, e dëmton edhe më shumë një aspekt të rëndësishëm të shekullarizmit, e që është neutraliteti i shtetit ndaj feve.

Bashkësitë fetare gjithmonë do të kërkojnë më shumë liri fetare nga shteti shekullar. Nga këndvështrimi i ‘shekullarizmit’, kjo nuk duhet të jetë problem, sepse kërkesa për liri dhe të drejta fetare nuk është kërkesa për heqjen e shtetit shekullar.  Është pikërisht mënyra se si shteti ndërvepron me kërkesat e tilla ajo që mund të luajë një rol të rëndësishëm në karakterin e ‘shekullarizmit’ të cilin e gërsheton shteti.

Është pikërisht ky aspekt i cili ka qenë më problematik në rastin e shekullarizmit të Kosovës. Politikat e shtetit karshi fesë duhet të zbatohen në mënyrë të barabartë ndaj të gjitha feve, e jo vetëm ndaj disave — e ky është rasti se si Kosova ka zgjedhur ta ndërtojë karakterin e vet ‘shekullar’ të shtetit, ku neutraliteti nuk mirëmbahet si duhet.

Andaj, kur flasim për ‘shekullarizmin’ e Kosovës, ka më shumë kuptim të flasim për shekullarizm(at); siç thekson Jean Baubéro, sociolog francez i religjioneve, shekullarizmi mund (mbase gjithmonë) të manifestohet në forma të ndryshme brenda një rrethane të vetme shoqërore dhe brenda një kornize të vetme kohore.

Por, duhet shtuar se Kosova duhet të ndërtojë karakter shekullar i cili vazhdimisht përpiqet ta ruajë neutralitetin e vet (dhe jo armiqësinë e vet), për të mos i rritur antagonizmat ndërmjet shtetit dhe njërit apo më shumë grupeve fetare pa qenë nevoja.

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.

Kthehu prapa tek Monografia Kosovo X

KOMENTET

2
SHIKO KOMENTET
  • 19 Feb 2018 - 20:10 Atdhe: Me duhet te reagoj tek pjesa ku Qeveria e Kosovës ka ndarë fonde (para) per rregullimin e dy kishave dhe parate e dhena per komunen e Graqanices. Ngase ne pjesen tjeter Organizata te ndryshme nga Turqia kane rregulluar xhamia te shumta si ne: komunen e Kacanikut, Vitisë, Ferizajit etj... prandaj nuk besoj se ka qenë i nevojshem ndarja e fondeve per Bashkesinë Islame ose Rregullimin e Xhamive. Madje ne disa fshatra ka shumë më shumë xhami, se sa numri i personave qe e perdorin atë ne fshat (politika Turke). Dhe duke parë radikalizmin sikur fenomen global, besoj qe masat te cilat jane nderrmarrë per fenë islame (radikalizmin) ka qenë të domosdoshme. Sa i përket debateve te cilat janë bere ne parlament te gjithë arrijmë te kuptojme se sa disa nga deputet tanë, ne parlament njohin ligjet per te drejtat e njeriut. Pikerisht keto te drejta, ishin shkak ku nuk arritën qe te futet si ligj apo amandament ne parlamentin e Kosoves: ku grave te fesë islame i ndalet perdorimi i shamisë ne institucione te caktuara etj...
  • 17 Feb 2018 - 14:28 Blerta: Shkrim me kokallë! Ne,ende kapërthehemi pas asaj nevojes per tu ngjit mbas nje drejtimi,dmth jemi dele qe ndjekim bariun-duke e lartesuar ate.Kete qasje e perçon Prishtina-qe eshte gjithçka por ne te njejten kohe,kurgjo. Duhet te na ngulitet ne mendje se keto rryma fetare si dhe mendesi te aneve te kunderta e shtojn veçantin tonë duke na mundesuar qe te kemi nje fushepamje te gjere.Aq shume eshte politizu jeta me politike ditore sa qe ka humb arsyeja per nje politike jetesore.Kete dashurin ndaj katolicizmit e kane shkepe keta far lariçkanave,qe nuk e kuptojn se ky mjedis jetesor (liria fetare,seksuale,feminizmi) i sotem nuk perputhet ne ploteni me asnjeren prej feve.Por siç duket bota ne pergjithesi eshte lepi mbas skajshmerive.
KOMENTO

KOMENTO