Në thelb | Pavarësia

Si të mbijetojmë në lagje

Nga - 17.02.2017

Doracak për nëntëvjeçarët.

Urime. Më n’fund ja dole deri këtu. Të rritesh në një lagje problematike dhe të jesh fëmijë i ri në lagje nuk ishte lehte, s’ka fije dyshimi. S’janë këto gjë tjetër pos dhimbjeve të rritjes së një republike të re. Si shenjë konsiderate për këmbëngulësinë, fleksibilitetin, dhe optimizmin tënd të palëkundur (nganjëherë rrezikshmërisht të palëkundur), të lutem prano këtë doracak si dhuratë nga unë.

Vetëm pse tani je rritur dhe mund të dalësh vetë në këtë lagje, nuk do të thotë se mund të bësh ç’të teket. Gjithashtu, duhet të marrësh përsipër më shumë përgjegjësi, dhe këtu po flas për sende përtej pastrimit të dhomës, hedhjes së mbeturinave, apo kositjes së barit. Mbaje mend, lagjia është vend i rrezikshëm për një 9-vjeçar, por ka, gjithashtu, shumë kënaqësi. Shpresoj që ky doracak do të të mësojë gjëra dhe truqe të dobishme për rrugëtimin dhe aventurat tua të reja.

Luaj mirë me të tjerët

A të kujtohen ato vitet e hershme, kur ishe vocërrak? A nuk ishte e mrekullueshme që krijove aq shumë miq për një kohë aq të shkurtë? Çka ndodhi me atë loçkën e vogël karizmatike e cila i rrëmbente zemrat e njerëzve veç me një buzëqeshje e vështrim të çiltër syve të tyre? O, sa shumë miq ke pas bërë. Çfarë periudhë e lavdishme ka qenë. Më shumë se 110 është goxha numër për një vogëlush. Por çka ndodhi? Pse e ngadalësove hapin? E di, e di, sa më shumë që rritesh, aq më vështirë bëhet të krijosh miqësi të reja. Por, pse nuk e shikon veç si një sfidë zbavitëse që duhet ta tejkalosh?

Çka ndodhi me atë klub të lezetshëm ndërkombëtar në të cilin dëshiroje të hyje? E ke parasysh? E kam fjalën për atë far UNESCO-n, me gjithë ata artistë e shkencëtarë? Mendova se krejt fëmijët tjerë dëshironin që t’i të antarsoheshe. Çka ndodhi, pse nuk u bë?

O, mos, mos! Nuk mund ta fajësosh gjithmonë komshiun ngucakeq për gjithçka. Duhet të marrësh disa përgjegjësi për veprimet tua. Po, gjithsesi, ai po të cënon në çdo hap, por hej, kështu e ka jeta. Gjithmonë dikush do të provojë të ta heqë qilimin nga këmbët. Duhet të bëhesh i fortë dhe t’u ikësh provokimeve. Provo të mos nxehesh, sikur atëherë kur të nguci me atë trenin lodër. Apo, saherë që vendos të ndërtojë mure ndërmjet jush. Mundohu të mos reagosh tej mase. Ngucakeqët kënaqen dhe mezi s’presin për kësi sende.

Gjithsesi, nuk po them që asnjëherë nuk duhet ta mbrosh veten. Po, nganjëherë duhet ta marrim në dorë timonin. Edhe pse grindjet, zakonisht nuk përfundojnë mirë për askënd. Dikur moti, edhe mua nuk më linte rehat komshiu im ngucakeq. Kërkoja hakmarrje. Mendoja se përdorimi i forcës do të ishte përgjigje. I mblodha krejt shokët e lagjes dhe nisëm të ndërtonim nunçake nga zeroja. Apo si i thonim në gjuhën e lagjes — çoke.

‘Armët’ tona s’ishin gjë tjetër pos copëza të zorrës të mbushura me zall dhe tela, të lidhura me penj të trashë. Veç të na shihje si ushtronim, pa këmisha, duke provuar t’i imitonim lëvizjes e Bruce Lee-së, vetëm se vazhdimisht ja mëshonim vetes pahiri në duar e krahë. Dhe kur erdh radha për pritën e madhe, as që më duheshin çoket. Ia futa ngucakeqit boks në nofull, ndërsa ai ma nxiu syrin i cili më mbeti ashtu për një muaj. Kështu që, ta kesh parasysh, mendo mirë para se t’i rrekesh karatesë. Përvoja më thotë se gjithsecili lëndohet, dhe kurrkush nuk fiton.

Puna është se ai ngucakeqi im nuk ishte ndonjë djalë i keq, e ke parasysh… sot më kujtohet dhe mendoj “i shkreti, me siguri kishte telashe në shtëpi”. Dëgjova se prindërit e tij ishin të rreptë si tiranë të njëmendtë. Për më tepër, mora vesh se ai gjithmonë donte të luante me të mëdhenjt, por gjithmonë përjashtohej dhe nuk lejohej nga fëmijët më të rritur, dhe për këtë arsye u bë qysh u bë. Ndoshta krejt çka donte ishte të përfshihej në lojërat e tyre. Tekefundit, ndoshta krejt do të mund të shmangej po të kishim biseduar. Por në anën tjetër, kujtoj se si gjatë viteve të 90-a, për një dekadë të tërë kam provuar të mirrem vesh me të, dhe gjithmonë e kam pësuar keq.

Nuk po them se duhet t’ia japësh paratë e xhepit çdo ngucakeqi i cili t’i kërkon, por, provo bëhu shok me të. Ose ftoje të luajë me ty. Ndoshta edhe mund ta ndash ndonjë lodër me të.

Ekonomia e limonadave

E di çka po të zien ajo kokë e jotja. Po bën plane si t’i shumëfishosh qindarkat. Është e qartë se dëshiron ta hapësh një biznes të vogël, e po të jap disa këshilla: Rrugët janë përplot me nëntëvjeçarë që sheshin cigare, çamçakëza, dhe fotografi polaroid-i. Tregu është i stërngopur, konkurrenca është shumë e fortë, dhe nuk do të fitosh para nëse i kopjon këto modele biznesi të cilëve u ka dalë boja. Mendo për simbolin amerikan për ekonominë e tregut dhe ndërmarrjen e lirë, për orvajtjen thelbësore për rritjen e fëmijëve amerikanë — Po flas, natyrisht, për shtandin e limonadës.

Po, është n’rregull nëse e vendos shtandin e limonadës në rrugën tënde, por duhet të mendosh për plane më të mëdha. Në vend se të ngulesh në një qosh të rrugës në pritje të klientëve, sa para më shumë do t’mund të fitosh nëse ti shkon te ata? Çka nëse e zgjeron veprimtarinë dhe e shet limonadën tënde në lagjet tjera?

Ah, po, harrova për ndalesat e udhëtimit. Sa keq, sepse si njohës i limonadës mendoj se produkti yt është i cilësisë superiore. Edhe nëse them se limonada jotë është më e shijshmja nga krejt të tjerat, nuk mjafton. Është si ndjenja kur e stërpik fytyrën me ujë të ftohtë pasi e ke kaluar vrap një fushë të gjatë. Është si aroma e kopshtit të gjyshes para muzgut të një dite vere. Është si imazhi i dashuriçkës së fshehtë fëmijërore dhe i flokëve të saj teksa shpupurishen në erë. Është si melankolia e aq shumë mundësive të humbura.

Eh, po dal nga tema. E di sa keq është kur s’mund të udhëtosh lirshëm. Si do të bësh tregti të lirë nëse të duhet vizë për çdo ekskursion të vogël jashtë lagjes? Të mos i përmendim këta fëmijët nga lagjegja ngjitur teje, të cilët mund të lëvizin lirshëm dhe të vinë në mallahën tënde dhe t’ua shesin limonadën e tyre më të lirë klientëve tuaj. Teknikisht, a nuk do të duhej të të lejohet edhe ty të bësh kështu? Por gjithmonë del diçka: të kërkojnë ta pastrosh dhomën, t’i hedhësh mbeturinat, t’i përmirësosh notat në shkollë; të vihen llojlloj kushtesh… nuk është fer, e di.

Po hajde ta zëmë se e pastron dhomën (po, o cung, natyrisht se e kam fjalën për korrupsionin), dhe të lejohet të udhëtosh në lagjet tjera për ta shitur limonadën tënde. Me keqardhje e them, por do të shohësh se disave jeta u ka dhënë më shumë limonë se të tjerëve. Gjthmonë do të ekzistojë një lagje plot pemë limoni, e cila prodhon limonada më të shijshme, me shpenzime më të vogla të prodhimit, dhe me çmim më të ulët të shitjes. E kupton se kurrë nuk do të jesh në gjendje t’i bësh konkurrencë ‘Kooperativës Kapitaliste Popullore të Limonadave’ dhe me gjasë duhet t’i investosh paratë dhe energjinë në çkadoqoftë që do të jetë limonadë e së ardhmes.

E ardhmja e limonadës (apo, si të përgatitemi për kijametin robotik)

Pastaj merr vesh diçka tjetër: Shumë shpejt, bota do të udhëhiqet nga robotët dhe prodhimi i limonadës do të automatizohet plotësisht. Pra, në afat të gjatë, modeli yt i biznesit gjithsesi do të dështojë.

Shumë shpejt, makinat do të jenë në gjendje të prodhojnë çfarëdo objekti fizik më mirë, më shpejt dhe më lirë sesa njerëzit. Por akoma do të ketë gjëra ku robotët dhe inteligjenca artificiale do të jenë inferiorë ndaj njerëzve: punët kreative, si krijimi i përmbajtjes dhe ideve. Për tregime të shkurta, poezi në formë të programeve kompjuterike, dizajne për fustane të reja, e skica për pajisje a ndërtesa të reja, njerëzit gjithmonë do të jenë një hap para makinave.

Në këtë lloj të ri të ekonomisë, roli i njerëzve do të jetë të krijojnë, ndërsa ai i makinave — të prodhojnë.

Dhe cila, mund të pyesësh, do të ishte mënyra më e mirë për t’u përgatitur për këtë dorëzim-pranim të pashmangshëm? Këshilla ime më e mirë është të luash më shumë. Po, po, më dëgjove mirë: përqafoje anën fëmijërore brenda vetes. Pavarësisht çka thonë të rriturit, ti vazhdo të jesh i çuditshëm, ekscentrik, i papjekur dhe fëmijëror sepse e ardhmja faktikisht mund të varet nga kjo.

Dhe teksa luan, mos u frikëso nga gabimet. Në fakt, më së shumti do të mësosh nëse eksperimenton dhe provon gjëra të pazakonshme dhe të çuditshme të cilat shkaktojnë gabime. Mos u habit kur të them se gabimet janë katakteristikë thelbësore e Jetës. E kam përnjëmend; do të ishte e pamundur të ekzistojmë nëse bota do të ishte veç pakëz më e përsosur. Ne, njerëzit, ekzistojmë për shkak të gabimeve që janë grumbulluar për më shumë se 3.8 miliardë vjet në formë të mutacioneve në kodin tonë gjenetik. Edhe vetë Universi ekziston për shkak të një gabimthi arkitektonik i cili bën që antimateria të shpërbëhet më shpejt, duke i lejuar materies (që është pjesë përbërëse e çdo gjëje) të grumbullohet dhe të ekzistojë (dhe jo të asgjësohet si energji pas përplasjes me antimaterien).

Pra mund të themi se ekonomia jonë e së ardhmes do të bazohet në aftësinë tonë për të bërë gabime të shumta. Shumica e gabimeve do të jenë të padobishme dhe shpesh të dëmshme, por kohë pas kohe do të kemi gabime të cilat do të jenë revolucionare, dhe të cilat do t’i japin kuptim dhe vlerë krejt procesit. Kjo, deri sa një ditë një inteligjencë artficiale e ndonjë roboti rastësisht të pësojë prishje dhe askidentalisht të arrij të pajiset me vetëdije. Kur të vijë ajo kohë, le të shpresojmë se nuk do të ketë kryengritje të robotëve.

Trushpëlarja,  trupërplasja, dhe shkenca e keqinformimit

Patjetër, mënyra më e mirë për t’i ushtruar muskujt kreativë është përmes lojës. Por mos e ngatërro lojën me përtaci, apo edhe më keq, si zëvendësim për shkollën. Pavarësisht se sa i zgjuar e kreativ të jesh, duhet të mësosh dhe të punosh me zell. Që kjo metodë të funksiojë, nuk duhet t’i mësosh përmendësh gjërat, por duhet të jesh i aftë t’i dallosh në mënyrë kritike llojet e ndryshme të informatave, t’i kalosh ato nëpër peshoren brenda kokës tënde dhe të kuptosh se si e gjithë kjo përputhet në mozaikun e madh të çdo gjëje. Duhet të jesh në gjendje të veçosh cilat nga informatat janë të vjetra, të sakta, apo të rrejshme. Prandaj, “rri në shkollë se kurrë s’është boll!” dhe, mos harro, gjithmonë vendos pikëpyetje.

Dija dhe shkathtësitë të cilat duhet t’i mësosh në shkollë do të jenë të domosdoshme për të të ndihmuar gjatë avanturave tua nëpër lagje, dhe se si të mos çmendesh nga presioni. E di se fëmijët në lagje mund të jenë shumë të poshtër nganjëherë dhe është ndjenjë e rëndë kur thonë gjëra të poshtra dhe të pavërteta për ty. Por mbase deri më tani e ke kuptuar se jo gjithçka që thonë njerëzit është e vërtetë. Megjithëse ndonjë thashethëme aty-këtu mund të jetë zbavitëse, ka shumë shpifje dashakeqe që u bëjnë dëm njerëzve. Pra, në superautostradën informatike të lagjes tënde, duhet t’i hapësh sytë, dhe të kesh kujdes me gjërat si grackat e klikimi, lajmet e rrejshme, dhe faktet alternative.

Kjo do të thotë se gjithmonë duhet të jesh skeptik sa i përket gjërave që i lexon në internet — nuk mund të supozosh asgjë të jetë e vërtetë. Gjithmonë duhet t’i marrësh gjërat me një pikë rezerve. Përpara ishte lehtë, kishte vetëm një kanal zyrtar televiziv apo një gazetë e cila të gënjente. Dhe çkado që thonin, ti pak a shumë e dije se cilës pjesë mund t’i besoje, dhe cila pjesë ishte propagandë e sponzorizuar nga shteti. Por sot, secili përpiqet të të gënjejë për arsye të ndryshme, dhe të takon ty ta luash detektivin dhe ta gjesh të vërtetën. E di, nuk është lehtë, duke e ditur se edhe filozofët e lashtë kishin probleme me gjetjen e së Vërtetës. Sot—përveç profesioneve tona të përditshme si furrtarë, mjekë, shitës, e artistë—të gjithë duhet të jemi pakëz Platonë e Sokratë të vetvetes.

Nuk është aq e komplikuar sa tingëllon. Nëse diçka nuk është e vërtetë, do të thotë se është e pavërtetë. Këto quhen gënjeshtra. Përdoren nga të gjithë, por disa njerëz i përdorin ato më shpesh se të tjerët. Sot, të rriturit e lagjes tënde janë atë që e bëjnë këtë çdo herë e më shpesh.

Dije se jeton në një lagje me liri të shprehjes dhe je i lirë të pretendosh çka të duash. Për shembull, askush nuk mund të ta ndalojë të thuash “graviteti nuk ekziston dhe krejt është në kokën tënde”. Nëse lagjia jote e merr mundin t’i përkushtohet lirisë së shprehjes, atëherë është obligim i yti t’u dëshmosh me fakte se pretendimet tua janë të vërteta. Mënyra më e mirë për të provuar se “graviteti nuk ekziston” është të kërcesh nga kati i pestë. Nëse pohimi yt është i vërtetë, do të valëvitesh e pezullohesh në ajër. Nëse përfundon me trurin të bërë shoshë për toke, kjo do të thotë se teoria jote nuk i mbijetoi hipotezës eksperimentale dhe do të nevojiten disa korrigjime.

E mira e kësaj është se miqtë tuaj shkencëtarë do të bëhen bashkë, dhe si grup shqyrtues do t’i vlerësojnë dhe rishikojnë pretendimet tuaja. Do ta shikojnë gjakun dhe trurin e shkapërderdhur mbi asfaltin e zi dhe do t’i analizojnë yrnekët e llojit të Jackson Pollock-ut, duke ardhur në përfundim se ndoshta ti ke pasur pjesërisht të drejtë. Derisa ke gabuar sa i përket gravitetit, ke pasur të drejtë në lidhje me faktin se diçka nuk ishte në rregull me kokën tënde. Deri në shqyrtimin e radhës, teoria aktuale e gravitacionit do të vazhdojë të vlejë.

Nderi në lagje të hajnave

Po kush mërzitet për gravitetin kur jeton në një lagje hajnash? Ti sigurisht nuk mërzitesh për gjë tjetër përveç që biznesi yt i limonadës të shkojë si duhet dhe të nxjerrësh ndonjë fitim, sidomos kur merr parasysh atë vajzën që gjithmonë vjen dhe kërkon ta paguash për të të mbrojtur nga ngucakeqët.

“Konsideroje si policë sigurimi”, thotë ajo. “Do të ishte e tmerrshme sikur rastësisht t’i ndodhte diçka shtandit tënd të limonadës”, dhe ti paguan, sepse duket se s’të ka mbetur zgjidhje tjetër. Për më keq, mbretëresha e haraçit është kushërira jote, dhe nuk mund ta lajmërosh te të rriturit. “Është çështje nderi”, thotë ajo. “Nuk tradhtohet familja, a?”

Dhe çka bën? Si të merresh me këtë kushërirë të korruptuar? Ah, qe ku është përsëri, po e mëson vëllain tënd të vogël si të vjedhë në rrugë. A e di se ajo e ka përvetësuar atë hilen e shpikur nga ai trurmadhi për të shitur detyra të shtëpisë? Që kur u bë kryesorja, kërkesa për pyetje të testit dhe hartime u trefishua.

Javën e kaluar, ajo i bindi, apo të them më mirë, i detyroi të gjithë të luanin kukafshehtas edhe kur askujt nuk i luhej. Dhe për më keq, secili luajti sipas rregullave të saja. Mirëpo duhet ta kesh parasysh një gjë: edhe pse e ke kushërirë, kurrë mos i kërko para hua. Ajo është si magjistare financiare, që nga skemat piramidale, fajdet e kahmotshme, e deri te gjunjët e thyer.

Kur ta shikosh, është botë e lirë, apo jo? Dhe ajo mund të bëjë çfarëdo marrëzie që i teket. Nuk ka problem, mund të vazhdojë përderisa nuk i detyron të tjerët ta bëjnë të njëjtën gjë. Vetëm pse njëherë iu lejua të bënte çka donte (nga respekti, mbaje mend), nuk do të thotë se mund ta keqpërdorë vullnetin e mirë të të tjerëve dhe ta merr peng vetë konceptin e lirisë. Por nganjëherë një lëshimth i vogël mjafton që korrupcioni të rrokulliset si top bore, e sa të mbyll e hap sytë, të shëndërrohet në ortek që qëlltitë gjithçka pran vetes dhe  ja imponon vlerat e veta të tjerëve.

E di se nuk është lehtë t’i dëgjosh këto fjalë, sidomos meqë rrespekton kanunin dhe nderi nuk do ta lejonte asnjëherë të tradhtosh familjen. Por kushërira jote sa vjen e forcohet. Gjysma e fëmijëve të lagjes janë nën ndikimin e saj. Shumë shpejt, nuk do të mbetet askush për ta kundërshtuar. Ajo do të bëhet, de fakto, mbretëreshë e mahallës. Apo edhe më keq, do t’u mundësojë disa fëmijëve të etur për pushtet të dalin në pah dhe të bëhen diktatorë të sheshit.

E cila është zgjidhja, pra? Eh, kjo është problem. Si të tradhtohet familja? Ku mbetet nderi? Por në anën tjetër, ku ka nder në hajninë e vëllait tënd, në korruptimin e fëmijëve të lagjes, në shitjen e pyetjeve të testit nga ai far trumadhi, apo në rastin kur u rrah ai djali i gjorë veç pse nuk arriti të grumbullojë 250% të kamatës që e kishte borxh?

E di, kurrë nuk kam thënë se është lehtë të jetosh në liri. Tash je rritur, dhe të tjerët nuk mund të marrin më vendime për ty. Është përgjegjësi e jote ta bësh zgjedhjen e duhur. Këto çështje të koklavitura të nderit në fund mund të përmblidhen thjeshtë — cilën e çmon më shumtë: familjën apo lirinë.

Ironikisht, duhet t’u falënderosh hajnave dhe të korruptuarve të lagjes që të njohën me etikën. Sado romantike që mund të tingëllojë, kjo mbretëreshë e krimit dhe banda e saj e hajnave janë në fakt më të rrezikshëm për lagjen sesa të gjitha rreziqet tjera të bëra bashkë. Para së gjithash, duhet ta kesh të qartë se në çfarë lagje dëshiron të jetosh. Në një vend ku secili është i barabartë dhe i lirë? Apo në një vend ku një tiran i urdhëron tjerët pamëshirshëm?

Mos u bë mangup, veç pse mundesh!

E di se është zor t’i rezistosh presionit të bashkëmoshatarëve. Mbaje në mend, të gjitha drogat janë të këqija. Edhe pse të gjithë fëmijët më me nam flirtojnë me to, kjo nuk do të thotë që edhe ti duhet të futesh në kurth. Që nga kohërat e lashta e deri më sot, të gjithë tiranët dhe diktatorët kanë qenë përdorues e të varur nga kjo dobësi. Pushteti, vogëlush, është droga më e vjetër dhe e fuqishme në botë.

Të kam parë se si i shikon fëmijët më të mëdhenj me admirim. Është e kuptueshme, dëshiron të jesh si ata.  Kush nuk do të donte të ishte si Vlladimiri, duke kalëruar gjysmëcullak ndërsa të gjitha vajzave u del lëng nga goja me ta parë shkëlqimin e bicepsit të djersitur teksa e drejton harkun dhe i gjuan me shigjeta miqtë e tij më të ngushtë. Si e adhuron atë Rexhepin e vogël kur ec rrugëve si sulltan i madhërishëm, dhe ua fut shuplakë jo vetëm atyre që nuk pajtohen me të, por edhe sofrës së gjashtë të familjes së tyre të gjerë. Apo Donaldin, mikun tënd më të ri e më të ngushtë, i cili shkruan tuita si të mos kishte fare të nesërme—e kushedi, ndoshta edhe nuk do të ketë të nesërme nëse pahiri i tuiton kodet e lansimit nuklear.

E di, lagjia po bëhet vend i ashpër dhe i rrezikshëm. Për një vogëlush me aspirata, është shumë lehtë të ngulesh në këtë lojë të fortësh, sepse, dorën në zemër, është lezet kur çdo urdhër i yti respektohet verbërisht.

Por mbaje në mend, djalo, fundi kurrë nuk është i mirë. Kurrë.

Të kujtohet ai far Cezari para do kohe? Jetonte nja dy rrugë sipër, te shtatë kodrat. E di se si përfundoi pasi që nuk ndaloi të ishte ngucakeq i madh dhe mendoi se mund të bënte çka t’i dojë zemra pa pasur pasoja? Nuk është se nuk u paralajmërua. Të gjithë fëmijët e lagjes u bënë bashkë dhe thanë “Juli, vëlla, të duam, por ky ngacmim i vazhdueshëm nuk është në rregull, dhe të lutemi ndalu”.

Këtu ai u tërbua, dhe i nënshtroi duke ua futur disa shuplaka  disave prej tyre, dhe me gjithë dozën e drogës së pushtetit bërtiti: “Ah bre, pidha mosmirënjohës!” Po, po, shau për të frikësuar dhe për t’u dukur i fortë dhe burrëror. “Unë po mundohem t’ju ndihmoj të gjithëve”, tha ai. “A nuk po e shihni? Dëshiroj ta bëj lagjen tonë më të mirën në botë”. Dhe ndoshta ky edhe ishte qëllimi i tij, që do të ishte krejt në rregull po të mos kishte përdorur metoda të mbrapshta.

Dhe një ditë, pa dhënë shenja se po synonte të ndalej, të tjerët u mblodhën përsëri dhe e dërguan njërin prej tyre ta ftonte për të luajtur me ta. E futën në rreth dhe ia mësuan lojën e re. “Këtë lojë e quajmë ‘therre tiranin’ dhe veç ri i qetë se s’do të ndiesh kurrfarë dhimbje.” Dhe, një nga një, secilit i erdhi radha. Madje edhe atij Brutit, që mbahej si miku i tij më i ngushtë.

Dhe, kështu pra. “Miq, romakë, bashkëvendas, më ndjeni!” Kurrë mos merrni drogë, dhe kujdes nga droga më e poshtër — pushteti. Ti tani jeton në një lagje të lirë. Por edhe kur ishe i shtypur dhe në pranga, beteja kishte vetëm një qëllim — rrëzimin e tiranit. Vëllezërit e motrat tuaja, prindërit, kushërinjtë, paraardhësit, të gjithë u ngritën dhe luftuan për liri. Që ti të mund të lindësh si individ i lirë dhe i pavarur. Prandaj po të pyes, a e bënë ata krejt këtë punë, a e hoqën qafe diktatorin e rradhës, vetëm që ai të zëvendësohet me një tjetër?

Rrëfimi yt (i përjetshëm)

Meqë i përmendëm paraardhësit, e ke parasysh se ti nuk je alfa dhe omega e çdo gjëje, a? Më vjen keq nëse rastësisht ta kam lënduar egon me të vërtetën, por gjithçka nuk nisi, dhe nuk do të mbarojë, me ty. Lufta për liri ishte zhvilluar shumë kohë para teje, dhe do të vazhdojë edhe shumë kohë pas teje. Kjo mahallë është shumë më e vjetër se 9 vjet.

Të kam thënë se mënyra më e mirë e mësimit është përmes gabimeve. (Po, po, e ardhmja e limonadës, etjera, etjera, nejse.) Tani më dëgjo. Supozoj se dëshiron t’i ikësh gjithë mundimit të bërjes së gabimeve. Do të ishe i marrë të mos shërbeheshe me mësimet nga shumë gabime që dikush tashmë i ka bërë dhe i ka mbajt shënim, prandaj në vend se të kalosh nëpër to, ti veç duhet të mësosh prej tyre.

Po, o cung, po flas për historinë. Mënyra më e mirë që ta njohësh veten është ta njohësh historinë tënde.

Dua të them, nuk është se po propozoj ndonjë marrëzi këtu. Që nga fillimi i qenijeve njerëzore, jemi tubuar rreth zjarrit dhe i kemi dëgjuar të moçmit se si i kanë gjuajtur mamuthët gjigantë, si janë dashuruar, si kanë ikur nga ai tigër, si funksionojnë stinët, si nuk duhet ngrënë disa bimë sepse sëmuresh, si çdo yll në qiell e ka një rrëfim të vetin.

Në fakt, ajo që në të vërtetë na bën njerëzorë është prirja jonë për rrëfime. Gjithçka — nga mitet dhe legjendat, deri të shkrimet e para të Herodotit, humbja e urtësive të lashta, rrëfimet për Luftërat e Mëdha (si dhe ato të voglat, në dukje të parëndësishme), përpjekjet për të shkruar dhe rishkruar kalimin e kohës, e deri te obsesioni ynë aktual për dokumentimin e çdo detaji banal të jetës sonë duke i postuar fotografitë e secilit ushqim që e hamë, secilës ndejë ku shkojmë — krejt rrjedh nga instinkti ynë thelbësor për të rrëfyer, me shpresë se këto rrëfime një ditë do t’u sjellin dobi pasardhësve tanë.

Por natyrisht, po harroj se ti i respekton të moshuarit aq sa të dish që jo gjithçka filloi me pavarësinë tënde. Dhe, pak a shumë, çdo këshillë që ta dhashë në këtë doracak modest, do ta kishe zbuluar vetë vetëm duke e shikuar dhe kujtuar të kaluarën. Nëse është kështu puna, atëherë më fal për këto muhabete e anekdota të mërzitshme. Po harroj se ti nuk je si çdo fëmijë tjetër njerëzor, dhe se kujtesa jote shtrihet përtej embriogjenezës së pavarësisë tënde para 9 vitesh.

Ky është rrëfimi yt. Dhe ka aq shumë gjëra për t’u kujtuar. Si dilnim në rrugë për të protestuar për liri. Si, kur ishim të shtypur, punonim me plot zell për barazi gjinore. Si krijuam miq, të huaj e vendorë, duke dhuruar guralecë. Si na përjashtuan nga puna. Si secili prej nesh filloi të merrej me ndonjë ndërmarrje të vogël biznesi. Si na u ndalua dija, por i kthyem shtëpitë e banimit në klasa. Si në këto kushte zhvilluam hulumtime, botuam studime, dhe luftuam kundër plagjiarizmit. Si u kujdesëm për të sëmurët kur spitalet na i mbyllnin dyert, kur barnat mungonin, dhe kur edhe intervenimet më të thjeshta kirurgjike dukeshin të pamundura. Si u ngritëm kundër tiranit. Si i rrokëm armët dhe luftuam për liri. Si na u desh t’i braktisnim shtëpitë, ekzodi, dhe si morëm rrugë duke menduar se kurrë më nuk do t’i shihnim shtëpitë tona. Si dëshira jonë më e madhe ishte që ti të mos lindësh skllav. Sa euforikë ishim kur u ngjize. Çfarë ekstaze përjetuam kur linde.

E po, veç desha të të them urime ditëlindjen, vogëlush. Mos e dhi punën.

Ilustrimet nga Tadi.