Biseda | Kosova X | Art

Sislej Xhafa: Pavarësia është një gotë e zbrazët pa ujë

Nga - 16.02.2018

Artisti bashkëkohor flet për identitetin, viktimizimin dhe pavarësinë e papërfillshme.

Kur në fillim të viteve të ‘90-a qindra mijëra njerëz filluan të largoheshin nga Kosova në prag të luftërave në ish-Jugosllavi, në mesin e tyre ishte edhe Sislej Xhafa. Por ai kishte edhe një synim tjetër — artin.   

Edhe emrin e kishte marrë nga piktori impresionist francez Alfred Sisley — një nga piktorët e preferuar të babait të tij, Xhevdet Xhafës, i njohur për qasjen autobiografike në pikturat e tij. Në fillim të të 20-ave, Xhafa kishte ardhur në Londër dhe ishte regjistruar në Kolegjin për Art dhe Dizajn në Chelsea. Mirëpo, pas pak ai braktisi kolegjin dhe u nis në drejtim të Italisë, ku filloi studimet për art bashkëkohor në Akademinë e Arteve në Firencë. Ky ishte viti 1993 dhe për katër vitet e ardhshme ai do të jetonte aty dhe në një rreth të ngushtë të njerëzve do të shfaqte disa vepra të tij.

Kjo ndryshoi në vitin 1997, kur Xhafa u shfaq para një publiku më të gjerë dhe prej aty do të shndërrohej në njërin prej artistëve më të kërkuar të artit bashkëkohor. Përkundër faktit se nuk ishte i ftuar në Bienalen e Venedikut, që konsiderohet ngjarja më e madhe e artit në botë, ai arriti të performonte në mënyrë ‘‘ilegale’’.

Një prej veprave të para që e bënë të njohur Sislej Xhafën ishte “Pavijoni Klandestin Shqiptar” (1997) të cilën e ekspozoi në Bienalen në Venedik – ndonëse nuk ishte i ftuar. Foto e huazuar nga GALLERIA CONTINUA, San Gimignano / Beijing / Les Moulins / Habana.

‘‘Pavijoni Klandestin Shqiptar’’ ishte një vepër që kundërshtonte qasjen përjashtuese të bienales kundrejt artistëve që vinin prej vendeve të ashtuquajtura ‘‘të botës së tretë’’, dhe njëkohësisht kritikonte politikat margjinalizuese ndaj mërgimtarëve në vendet e Perendimit. Brenda hapësirës së bienales, i veshur me fanellë të futbollit të kombëtares shqiptare dhe me top në dorë, Xhafa kërkonte të luante dhe t’i sfidonte aftësitë e mysafirëve të bienales. 

Në shumë mënyra, kjo vepër e prezantoi Xhafën dhe qasjen e tij kritike si artist. Në recensionet e punimeve të tij thuhej se ndërhyrjet e tij “jo vetëm që theksojnë apo prezantojnë pabarazi nacionale, por kanë aftësi t’i përmirësojnë institucionet të cilat ai i kritikon”.

Dy vite më vonë, Shqipëria u ftua për herë të parë në bienale, dhe Xhafa e përfaqësoi atë me veprën “Casa Senza Titolo”. Ai përsëri përfaqësoi Shqipërinë më 2005 me veprën ‘‘Ceremonial Crying System PV’’ dhe Italinë më 2013. Në vitin 2017, ai e përfaqësoi Kosovën me veprën ‘‘Lost and Found’’, ku paraqitet një kabinë prej druri në të cilën gjendet një telefon i cili nuk cingëron kurrë, dhe me anë të kësaj simbolizohet pritja për personat e pagjetur nga lufta e viteve 1998-1999 dhe thirrja që nuk erdhi kurrë. Gjithashtu, pjesë e veprës ishte edhe thirrja e emrave të personave të zhdukur nëpër rrugët e Venedikut, që shoqërohej me tingujt e tupanit.  

Vazhdimisht në veprat e tij, Xhafa shtjellon kompleksitetin e shoqërive bashkëkohore, identitetin e shoqërive dhe të individëve, si dhe përmbysjen e perceptimeve tradicionale në përgjithësi.   

Prej vitit 2000, Xhafa jeton në New York, dhe ndërkohë ka prezantuar vepra edhe në Palais de Tokyo në Paris, në Galerinë Continua në Pekin, në Bienalen Europiane të Artit Bashkëkohor Manifesta, etj

Si pjesë e ekspozitës së tij “Lost and Found” në Bienalen e vitit 2017 në Venedik, Tellalli i binte daulles dhe i recitonte emrat e personave të humbur nga lufta në Kosovë. Foto e huazuar nga GALLERIA CONTINUA, San Gimignano / Beijing / Les Moulins / Habana Foto: Oak Taylor-Smith.

K2.0 ka biseduar me Xhafën duke iu kthyer në retrospektivë disa veprave të tij, për mënyrën se si mund t’i kuptojmë ato në kontekstin e sotëm politik global, e posaqërisht në atë lokal me rastin e shënimit të 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.  

K2.0: Vazhdimisht pjesë e veprave të tua artistike kanë qenë migrimi, ekonomia, ‘‘legalja-ilegalja’’, apo pasojat sociale të zhvillimeve politike. Duke i parë këto elemente, si është arti politik; ose ndryshe, çka është arti për ju?  

Xhafa: Arti është pyetje. Nuk e di përgjigjen. Po ta dija përgjigjen, nuk do kisha bëre kurrë art. Te politikanët kjo analogji nuk qëndron, sepse politikani zgjidhet nga populli dhe me vetëdëshirë tenton të sakrifikohet për të mirën e përgjithshme. Profesioni i një politikani nuk është të bëjë pyetje, por të japë përgjigje, të gjejë zgjidhje dhe të japë një vizion për shtetin. Nëse vepra ime zgjon kureshtjen e njerëzve për një problem social ose politik – unë nuk jam i vetëdijshëm për këtë – do të thotë, që kam ngritë një temë delikate dhe të ndjeshme.    

Kosova këtë vit shënon 10-vjetorin e pavarësisë. Nëse pavarësia e Kosovës do të ishte një vepër artistike, cili do të ishte vlerësimi juaj për të?  

Një gotë e zbrazët, pa ujë.

"Unë nuk i perceptoj politikanët e Kosovës si individë; përkundrazi, i shoh ata si grup kolektiv në kopshtin zoologjik të kthyer me kokë poshtë."

Edhe një gotë e zbrazët mund të jetë artistike, apo jo? Duke e njësuar ‘‘gotën e zbrazët’’ me ‘‘pavarësinë’’, mos doni të thoni se ekziston gota por ajo nuk përmbush funksionin e saj, sepse është e zbrazët?

Sot, gota është e zbrazët, por ajo edhe mund të mbushet. Uji është metaforë e lirisë dhe kureshtjes që sot është kidnapuar në emër të lirisë nga papërgjegjësia dhe mungesa e kreativitetit të politikanëve.

Në vitin 1997 kishit realizuar një performancë në Bienalen e Venedikut, të cilën e kishit quajtur ‘‘Pavijoni klandestin i Shqipërisë’’. Sipas jush, kjo kishte ardhur si kundërshtim ndaj bienales për mungesën e hapësirës që ofronte për artistët nga vendet, si Shqipëria, vendet e Europës Lindore, apo vendet aziatike, etj. Duke parë që shteti i Kosovës po has në vështirësi që të përfaqësohet në institucionet ndërkombëtare, a mendoni se Kosova duhet t’ju kopjojë ju dhe të krijojë një ‘‘pavijon klandestin’’ në OKB dhe të performojë aty?    

Kjo vepër është bërë më 1997 dhe sot jemi në vitin 2018. Problemi qëndron se si sot, në mënyrë të veçantë dhe origjinale, mund të prezantohet ndryshe mungesa e Kosovës në OKB. Kjo është sfida. Botën nuk e sjellin vetëm paratë, por edhe idetë dhe mendja kreative. Sot ka vdekur bota e shabllonëve të vjetër e të stërshfrytëzuar. Kërkohet kreativitet dhe inovacion në çdo rrafsh.

Në veprën ‘‘Silvio’’ flitet për një politikan të zgjedhur në mënyrë demokratike për të udhëhequr vendin, i cili përdor krejt fuqitë e tij financiare dhe mediale për të qëndruar në pushtet. Për këtë vepër ju keni përdorur figurën e ish-Kryeministrit italian Silvio Berlusconi, por keni refuzuar ta shfaqni veprën tuaj në Itali. Cili do të ishte modeli i ‘‘Silvios’’, politikanit nga Kosova, që nuk do të shfaqej asnjëherë në Kosovë?   

Politikanët e Kosovës ndajnë një vijë horizontale, e cila përfshin arrogancën, mungesën e etikës dhe vizionit. Korrupsioni masiv në emër të lirisë është tragjedia më e madhe e Kosovës pas pavarësisë. Unë nuk i perceptoj politikanët e Kosovës si individë; përkundrazi, i shoh ata si grup kolektiv në kopshtin zoologjik të kthyer me kokë poshtë. Ky kopsht zoologjik mirëmbahet duke ulëritur dhe duke ngrënë çdo gjë që u del përpara. E bëjnë këtë në tufë, e kur të mbeten pa ushqim do të fillojnë ta hanë njëri-tjetrin.

Xhafa refuzoi të ekspozonte në Itali veprën e tij “Silvio”, pasi që i referohej ish-Kryeministrit italian Silvio Berlusconi. Foto e huazuar nga  GALLERIA CONTINUA, San Gimignano / Beijing / Les Moulins / Habana. Foto: Oak Taylor-Smith.

Duket se ka një ngjashmëri mes tri veprave tua të hershme dhe disa zhvillimeve në vend. Dua t’i përmbledh shkurtazi të tri veprat: Performancën në një stacion treni, ku keni thënë se vë në pah lëvizjen e njerëzve dhe trajtimin e tyre si mallin ku akustika e stacionit ngjan me mënyrën e funksionimit të Wall Street-it; pastaj kërkimin e një vendi pune në mal, për të cilën jeni shprehur se paraqet ‘‘absurditetin e sotëm ekonomik’’, si dhe murin e dyanshëm të ndërtuar në Torino me një derë në mes, mbi të cilën shkruan ‘‘Qendër Punësimi’’ që ka tentuar të paraqesë iluzionin e ndryshimit ku, edhe pse kalon nëpër një derë, e sheh se po qëndron në po të njëjtën pozitë.

Këto vepra janë realizuar vite më parë. Pavarësia ngjan me një derë që u ofronte kosovarëve diçka, por që ata, posa u futën, e panë se po qëndrojnë në po të njëjtin vend, më pas morën ‘‘trenin’’ për të kërkuar punë në vendet europiane, që doli të ishte sikur ‘‘të kërkosh punë në mal’’. Ju vazhdimisht jeni shprehur se veprat tuaja bëjnë vetëm pyetje. A mund të kenë veprat artistike brenda tyre edhe dimensionin e parashikimit?  

Sot jetojmë në një traumaticitet të postinteligjencës. Absurditeti dhe idiotizmi si prioritet. Është simbiozë e kohës ku vepra e artit shpik kohën e vet.

Xhafa thotë se ai nuk mund të qëndrojë indiferent ndaj padrejtësisë. Prandaj veprat e tij e sfidojnë audiencën të mendojë më thellë për tema të ndjeshme. Foto: Armend Nimani.

Ju keni përfaqësuar Kosovën në Bienalen e Venecias me veprën ‘‘E humbur dhe e gjetur’’, ku në fokus të saj janë personat e zhdukur nga lufta e fundit. Institucionet janë kritikuar se nuk janë angazhuar mjaftueshëm në këtë drejtim. Cila ishte shtysa që bëri të merreni me çështjen e personave të pagjetur, si dhe ku dallon trajtimi që artisti i bën një teme të tillë e të ndjeshme nga trajtimi i saj prej institucioneve?

Unë nuk mund të qëndroj indiferent ndaj padrejtësisë. Ky problem po na ndjekë si një hije dhe ne duhet të jemi të shqetësuar. Fuqia e artit nuk është vendore, kombëtare, as gjeografike, sfida e artit është një kohë në një sferë globale.

Ende nuk keni shfaqur vepra në Kosovë, sepse sipas jush ende nuk ju ka ardhur një ofertë serioze. Në anën tjetër, keni potencuar se sa e rëndësishme është hapësira ku do të shfaqet vepra juaj. Si e shihni Kosovën si hapësirë për krijim të artit dhe shfaqjen e saj?   

Është sfidë. Irracionaliteti krijon tendenca të tjera. Kosova ka qene frymëzim i pasur i krijuesve të shumë gjeneratave. Padrejtësia, dhuna, diskriminimi dhe uria intelektuale janë frymëzimet më domethënëse për njeriun që krijon. Format e freskëta artistike dhe idetë irracionale janë e ardhmja. Është vështirë dhe sfiduese, dhe kërkon hapa të guximshëm individual.  

Në njërin prej prononcimeve tuaja jeni shprehur se problemi kyç i shoqërive tona është ‘‘prostitucioni institucional’’. Cili është raporti mes artistit dhe institucioneve?  

Vepra e Nathan Coley “A place beyond belief”, [e vitit 2012, e financuar nga Galeria e Arteve dhe e instaluar në kampusin universitar] është një provë që dëshmon prostitucionin kulturor dhe vendosjen estetike.

"Kur sensi i viktimizimit ngrihet në qiell, viktima fillon ta viktimizojë veten''.

Unë nuk po flas për vet veprën e artit, por për procesin e zgjedhjes së saj. Kosova punëson njerëz nga mbarë bota, pa konkurrencë publike, transparencë dhe pa juri vendore dhe ndërkombëtare, me qëllim të promovimit të vendit. Kosova angazhon njerëzit për t’i treguar botës se Kosova po përparon me shpejtësi. Kjo është një farsë e medias. Një fasadë e tillë dhe mangësi intelektuale që kanë prodhuar mediokracinë.  

Kush kë po korrupton: pushteti artistët apo artistët pushtetin?

Pushteti i korrupton artistët duke u dhuruar atyre grante. Shembulli konkret është Qendra Kinematografike e Kosovës. Artistët të cilët nuk marrin grante për të realizuar skenaret e tyre dalin me shkrime dhe intervista gjithandej kundër Qeverisë. Po ata, kur marrin grante, u mbyllet goja edhe zhduken nga opinion publik. Rrugëtimi i një artisti është solitar, tepër i varfër dhe shumë, shumë i gjatë. Por ajo [rrugëtimi i artistit] është inkurajim dhe stimulim për jokompromis, për uri dhe autonomi intelektuale dhe me një qëndrim.

Performanca në Bienalen e Venedikut më 1997 ishte ajo që ju nxori para një publiku më të madh, ju bëri të famshëm. Në këtë performancë ju ishit ‘‘klandestin’’, ndërsa dy vite më pas ju përfaqësuat Shqipërinë po aty, vite më vonë edhe Kosovën. A i bie kjo se pas ’97-s Sislej Xhafa u ‘‘legalizua’’ në performancat e tij artistike?      

Pavijoni Klandestin Shqiptar ka legalizuar Bienalen. Pasojat janë të paparashikueshme. Pavijoni klandestin shqiptar është vlerësuar nga kritikët si një zbulim origjinal i rrëfimit për një vend dhe një popull çfarë jemi ne

Pasi më parë kishte përfaqësuar Shqipërinë dhe Italinë në Bienalen e Venedikut, Xhafa e përfaqësoi vendlindjen e tij Kosovën në vitin 2017. Foto e huazuar nga GALLERIA CONTINUA, San Gimignano / Beijing / Les Moulins / Habana. Foto: Oak Taylor-Smith.

Çfarë populli jemi?  

Ne jemi popull që jemi ndërtuar nga sensi i viktimizimit – kemi qenë paqësor historikisht, se nuk e kemi sulmuar askënd, dhe se u kemi ndihmuar hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por e vërteta është se nuk kemi pasur kapacitet intelektual ta ndërtojmë shtetin tonë, dhe jemi përdorur nga fuqitë e mëdha për qëllimet e tyre.

Viktimizimi ka arritur në atë masë saqë kemi ndërruar identitetin për qëllime socio-politike. Prandaj, ne jemi të fundit që kemi marrë shtetin tonë në Ballkan. Nuk kemi sulmuar askënd sepse nuk kemi pasur kapacitetin politik. Kur sensi i viktimizimit ngrihet në qiell, viktima fillon ta viktimizojë veten. Arti është e vetmja fuqi që aspektin e viktimës e transformon në përvojë magjike dhe unike. Krijon një qëndrim dhe jep një vizion dhe shpresë për të ardhmen.    

Në fillimit të mileniumit të ri, artisti Martin Creed nga Anglia kishte realizuar veprën ‘‘Everything is going to be alright’’. Dhe vite më vonë, si kundërreagim ndaj kësaj, në Belgjikë ju kishit paraqitur veprën ‘‘Nothing will be Alright’’. Kosova po fillon dekadën e dytë si shtet i pavarur, kjo dekadë a do të jetë ‘‘Nothing will be Alright’’ apo do të kthehet në ‘‘Everything is going to be alright’’?   

Shpresa si mjet i propagandës është (diçka) bashkëkohore. Kosova dhe trojet e saj janë një sakrificë shekullore – në mënyre kolektive dhe individuale – për të qenë të lirë dhe të pavarur. Liria është akt i praktikimit dhe joideologji. Populli i Kosovës ka konsumuar shumë histori dhe ka kaluar shumë vuajtje. Sot dhe dje, me politikanët pa vizion dhe pa përgjegjësi e me një ekonomi dhe politikë jo-kreative, me pasoja të  paparashikueshme – Kosova si shtet i pavarur dhe sovran është zbehë tek qytetaret, për faj të këtyre “patriotëve”.  

Pra, Pavarësia e Kosovës është një shpresë e ngritur në formë të propagandës?  

Ma jep një shembull se ekziston një fabrikë në Kosovë që prodhon një produkt unik, funksional, me një dizajn garues në rajon dhe botë, dhe që i punëson më së paku 200 punëtorë! Qe 10 vjet kanë ardhur disa kryeministra, qindra ministra dhe mijëra zëvendësministra e këshilltarë “maverick dhe shumë shumë të mençur”. Për ta janë shpenzuar miliarda euro, e sot e kemi stacionin e autobusëve të stërmbushur me të rinj, të cilët presin momentin ideal për të emigruar jashtë vendit. A është kjo Kosova, për të cilën kemi sakrifikuar, dhe që ti e dëshiron? Realiteti është shumë i dhimbshëm dhe i trishtuar.  K

Foto kryesore huazuar nga GALLERIA CONTINUA, San Gimignano / Beijing / Les Moulins / Habana.

Kthehu prapa tek Monografia Kosova X

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO