Në thelb | Të drejtat e njeriut

Të përjashtuar e të lënë pas dore

Nga - 11.10.2016

Romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët kosovarë vazhdojnë të lihen prapa në arsim.

Një e shtunë tipike për Nexhmie Faqin nuk është e njëjtë me atë të 14-vjeçarëve tjerë kosovarë. Nxënësja e klasës së tetë e shkollës Selman Riza e Fushë Kosovës e kalon çdo fundjavë duke i ndihmuar në mësime nxënësve të klasës së parë të komunitetit ashkali. Bashkë me dhjetëra djem e vajza, ajo është njëra prej 100 vullnetareve të qendrës së organizatës Ideas Partnership në lagjen e saj.

Organizata — fokusi parësor i së cilës janë komunitetet pakicë — të shtuneve zhvillon aktivitete arsimore me nxënësit të cilëve u duhen mësime shtesë, duke u ofruar njëkohësisht aktivitete zbavitëse dhe një shujtë të shëndetshme. Kjo qendër e cila gjendet në mes të shtëpive të lagjes së varfër të njohur si “Lagjia 29” gjatë ditëve të javës gjithashtu shërben si çerdhe për rreth 80 fëmijë, kryesisht ashkali, të moshës 3 deri 5 vjeç.

Për komunitetet romë, ashkali dhe egjiptian mundësitë dhe qasja në arsim ende paraqesin problem të madh, me një nivel mjaft të ulët të vijueshmërisë së përgjithshme të arsimit të detyrueshëm, me shkallë të ulët të vijimit të arsimit universitar, dhe me shkallë të lartë të braktisjes së shkollimit, sidomos te vajzat. Për më tepër, ka një numër të vogël mësuesish të këtyre komuniteteve të përfshirë në sistemin e arsimit në Kosovë.

majlinda-hoxha-roma-education-k2-0-10-2016-9

Ideas Partnership organizon kopsht për fëmijë dhe të shtunën bënë mësim plotësues për fëmijët romë, ashkalinj dhe egjiptian.

Për këtë arsye, çdo të shtunë nga mëngjesi e deri në mesditë, Nexhija i mëson nxënësit të cilëve u duhet ndihmë me orë të gjuhës shqipe, gjuhës angleze e matematikës. Pjesën tjetër të ditës Nexhija e kalon si nxënëse, derisa vullnetarët më të vjetër i ofrojnë ndihmë asaj dhe bashkëmoshatarëve të saj.

“Dëshiroj të bëhem mësuese një ditë; Jam shumë e lumtur që mund të vij këtu dhe të kaloj kohë të mrekullueshme me fëmijët”, thotë Nexhija. “Pastaj vjen mësuesja më e vjetër se unë dhe më mëson gjëra të cilat dëshiroj t’i kuptoj më mirë”.

Gjeneratat e harruara

Ëndrra e përfundimit të shkollimit për një kohë të gjatë ka qenë mjaft e largët për shumë pjesëtarë të komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptianë. Periudha pas luftës së vitit 1999 në masë të madhe i gjeti duke jetuar në varfëri të skajshme dhe duke qenë subjekt diskriminimi. Niveli i lartë i varfërisë dhe papunësisë te romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët në Kosovë — të cilët, sipas regjistrimit të vitit 2011, përbëjnë 2.06 përqind të popullsisë — i bënë këto komunitete ndër më të përjashtuarat në shoqërinë kosovare.

“Pas përfundimit të luftës, punoja punë fizike nga ora 7 e mëngjesit deri në mesnatë. Kur punon në atë mënyrë, nuk ka kohë për mësim.'

Jashar Gashi

Sipas një raporti të detajuar mbi gjendjen e romëve, ashkalinjëve dhe egjiptianëve të hartuar nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS), të ardhurat mesatare të familjeve të të trija komuniteteve janë vetëm 119.68 euro në muaj — rreth 21.37 euro në muaj për person, apo 71 centë në ditë. Një raport i UNDP-së i vitit 2010 e vlerëson nivelin e papunësisë në mesin e komuniteteve romë, ashkalinj dhe egjiptianë si më të lartë se mesatarja e vendit: 75 përqind e meshkujve nën moshën 35 vjeç janë të papunë. Ndërsa shumë familje gjithashtu varen nga puna e përditshme fizike, kjo në anën tjetër i rrezikon mundësitë e shkollimit të fëmijëve të tyre, të cilët shpesh detyrohen ta ndajnë pjesën e kësaj barre.

“Ndodh që një familje ta kalojë gjithë ditën duke mbledhur shishe, dhe është e tmerrshme që fitojnë vetëm 3 euro në fund të ditës”, thotë Jashar Gashi, menaxher i administratës së qendrës së Ideas Partnership në Fushë Kosovë. “Krejt familja shet [shishe] për vetëm 3 euro”.

Ëndrra e Gashit për të vijuar universitetin u përmbush vitin e kaluar; 37-vjeçari është në vitin e dytë të studimeve të administratës publike pranë Kolegjit AAB. Ai arriti ta përfundonte shkollën e mesme pas luftës së Kosovës, kur ishte gati 20 vjeç.

“Jam shumë i lumtur… megjithëse kjo ëndërr është dashur të ndodhte shumë kohë më parë”, thotë Gashi. “Pas përfundimit të luftës, punoja punë fizike nga ora 7 e mëngjesit deri në mesnatë. Kur punon në atë mënyrë, nuk ka kohë për mësim. Shkarkoja rreth 120 kg nga kamioni. Por kështu e ka jeta”.

majlinda-hoxha-roma-education-jashar-gashi-k2-0-10-2016-2

Jashar Gashi ka filluar universitetin vitin e kaluar pasi që shkollimi i tij u ndërpre gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Përjashtimi i përmasave historike i komuniteteve romë, ashkalinj dhe egjiptianë ka ndikuar në arsimimin e tyre nga brezi në brez. Edhe pse gjatë viteve të 70-a kishte një rritje numri të fëmijëve të këtyre komuniteteve që po përfundonin shkollën fillore dhe të mesme si rezultat i përpjekjeve të sistemit të atëhershëm jugosllav për përfshirje më të madhe, vijueshmëria shënoi rënie gjatë viteve të 90-a. Gjatë këtyre viteve, masat diskriminuese të regjimit të Millosheviqit bënë që shumica e shkollave fillore dhe të mesme të ndaheshin në vija etnike, apo të mbylleshin tërësisht për komunitetet joserbe, siç ishte edhe rasti i universitetit; si rezultat i kësaj, arsimi u zhvillua nëpër shkolla private paralelisht me sistemin zyrtar.

Kjo i ka prekur sidomos pjesëtarët e komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptianë të lindur në mes të viteve të 80-a. Sipas një ankete të vitit 2012 të zhvilluar nga organizata Balkan Sunflowers — OJQ e fokusuar në komunitet, dinjitet njerëzor dhe rini — vetëm 34.9 përqind e kësaj gjenerate përfunduan tetë apo më shumë vite arsim, derisa 36 përqind e gjeneratës nuk kishin vijuar fare arsim.

“Besoj se arsimimi i fëmijëve nis 20 vjet para se të lindin”, thotë Muhamet Arifi, drejtor ekzekutiv i organizatës Balkan Sunflowers. “Në vitin 1989 pjesëtarët e komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptianë braktisën shkollat për shkak të [situatës së] sigurisë apo për shkak të largësisë nga vendet ku zhvillohej arsimi paralel… dhe shumica prej tyre, edhe po të donin, [sot] nuk mund t’u ndihmojnë fëmijëve të tyre për t’u arsimuar dhe nuk mund të ofrojnë vende të përshtatshme për të mësuar në shtëpi”.

majlinda-hoxha-k2-0-muhamet-arifi-balkan-sunflowers-rae-education-_-2

Muhamet Arifi e thekson se arsimimi i dobët tek shumë të rritur romë, ashkali dhe egjiptianë ka impakt të madh mbi arsimimin e fëmijëve të tyre.

Sipas raportit të KFOS-it, shkalla e analfabetizmit është shumë e lartë në mesin e komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptianë: 19.93 përqind e 857 të anketuarve thanë se nuk e kishin përfunduar asnjë vit të shkollimit. Shumica e të anketuarve të moshës madhore — mbi 96 përqind — nuk e kishin përfunduar as edhe nivelin e detyrueshëm të shkollimit, derisa vetëm 12 përqind i kishin kryer 9 nga 12 vite të shkollimit (që nënkupton një pjesë të shkollimit të mesëm). Në anën tjetër, vetëm 2 përqind e të anketuarve kishin mbaruar 12 apo më shumë vite shkolimi.

Gashi nga organizata Ideas Partnership thekson se kjo organizatë përpiqet të punojë me fëmijët të cilët janë rritur me shumë pak shembuj të duhur të shkollimit, meqë në shumë raste prindërve të tyre u është dashur të fitojnë para duke kërkuar nëpër mbeturina, apo duke mbledhur skrap e shishe.

“Shumë prindër, të lindur në vitet e 80-a, kanë fëmijë të cilët do të duhej të ishin në klasë të parë të shkollës fillore”, thotë Gashi. “Si mund t’u ndihmojnë ata fëmijëve të tyre të shkruajnë e të lexojnë kur ata vetë mund të jenë analfabetë?”

Dështime strategjike

Strategjia për Integrimin e Romëve, Ashkalinjëve dhe Egjiptianëve u miratua në vitin 2010. Përmes aktiviteteve dhe intervenimeve të ndryshme ajo përcaktoi një sërë veprimesh për ta përmirësuar pozitën e të tre komuniteteve në njëmbëdhjetë sektorë, duke përfshirë legjislacionin, arsimin dhe punësimin. Strategjia u kritikua në masë të madhe që nga fillimi.

Raportet e monitorimit rjedhimisht sugjeruan se strategjia nuk ia doli t'i përmirësonte jetët e këtyre komuniteteve në Kosovë. Pas shtatë vitesh implementimi, komunitetet romë, ashkali dhe egjiptianë ende ballafaqohen me shumë sfida në ushtrimin e të drejtave të tyre themelore — ndër të tjera — në shëndetësi, punësim, drejtësi e mirëqenie sociale, derisa përfaqësimi i tyre në institucione publike dhe procese të vendimmarrjes mbetet shumë i kufizuar.

Në vitin 2015 qeveria së bashku me akterët relevantë hartoi një projektstrategji të re për periudhën 2016-2020. Për t'i përmbushur qëllimet e saj, strategjia e re planifikon intervenime vetëm në katër sektorë: arsim, punësim dhe çështje sociale, si dhe shëndetësi e strehim. Përfaqësuesit qeveritarë i thanë K2.0 se strategjia e re do të finalizohet shumë shpejt dhe nuk dhanë më shumë informatë.

Për t’i adresuar problemet thelbësore të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian— shumica e të cilëve jetojnë në Gjakovë, Fushë Kosovë, Prizren, Pejë dhe Ferizaj — KFOS-i, në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së dhe me Qeverinë e Kosovës, ka krijuar Strategjinë për Integrimin e komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian për periudhën 2009-2015. E nënshkruar më 2010 nga vetë Presidenti i Kosovës në atë kohë, plani i veprimit parashihte ndërmarrjen e masave për ta fuqizuar mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve dhe integrimin e tyre të plotë në shoqëri.

Përkundër një numri amandamentesh në legjislacion që garantojnë të drejta të plota për komunitete, të gjitha raportet e monitorimit të strategjisë tregojnë se qeveria është larg nga arritja e suksesit për përfshirje më të madhe të tre komuniteteve përbrenda shoqërisë më të gjerë.

Qëllimet e strategjisë është dashur të arriheshin vitin që lamë pas, por sipas përfaqëssuesve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, OJQ-ve e donatorëve të intervistuar nga K2.0, “gati asgjë” nuk është u arrit. Ata përmendim mungesën e vullnetit politik, koordinimin e dobët ndërmjet institucioneve qendrore dhe atyre lokale si dhe mosalokimin e buxhetit i cili ishte premtuar fillimisht, si arsye për dështimin e qeverisë në implementimin e kësaj strategjie.

“Strategjia përfshinte grante të BE-së, grante të [donatorëve] tanë, si dhe grante qeveritare, por këto të fundit kurrë nuk u alokuan”, thotë koordinatorja e Programit të Minoriteteve pranë KFOS-it, Vera Pula.  

Hapa të vegjël përpara

I vetmi përjashtim i këtij dështimi të qartë të strategjisë është sektori i arsimit, ku ka pasur përparim“. Këtu do ta përjashtoja Ministrinë e Arsimit [nga vlerësimi i mosveprimit të qeverisë],” thotë Pula. “Kjo ministri ka qenë ndër më aktivet krahasuar me qasjen inerte të qeverisë, dhe ka bërë më shumë se çdo ministri tjetër relevante”.

Pula tregon se si papunësia, kushtet ekonomike dhe arsimi janë pjesë e të njëjtit rreth vicioz, dhe se fokusi mbi arsimin është çelës për ta thyer këtë rreth. “Është e rëndësishme t’i ndihmohet arsimit që [komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian] të bëhen pjesë e gjithë shoqërisë; me arsim do të kemi të drejta të barabarta me komunitetet tjera”, thotë Pula. “Prandaj janë aq të rëndësishme intervenimet në arsim.”

Numri më i madh i fëmijëve të romëve, ashkalinjëve dhe egjiptianëve që vijojnë shkollimin fillor dhe të mesëm, si dhe përfshirja e gjuhës, letërsisë dhe historisë rome në planprograme shkollore me përqindje të madhe të fëmijëve romë, ishin përmendur vazhdimisht nga përfaqësuesit qeveritarë si të arriturat për përfshirje të komuniteteve romë, ashkalinj dhe egjiptianë dhe implementim të strategjisë.

Në fakt, ekziston dëshmia e rritjes së vijueshmërisë së fëmijëve të këtyre komuniteteve nëpër shkolla, dhe interes i rritur i fëmijëve dhe familjeve për arsim. Kjo shihet më qartë nëse e krahasojmë me dekadën e kaluar: Numri i fëmijëve romë, ashkali dhe egjiptianë në arsim parashkollor në Prizren, Gjakovë dhe Ferizaj u rrit në 43; deri në 2015 ky numër u rrit në 163. Numri i fëmijëve të komunitetit ashkali që vijojnë arsim të mesëm në 2014 ishte 79, krahasuar me 22 në vitin 2004. Për më tepër, Ministria e Arsimit tani jep falas tekste themelore shkollore si dhe kuota të garantuara universitare për fëmijët e komuniteteve pakicë, derisa organizatat e shoqërisë civile ofrojnë bursa, sidomos për nxënës të shkollave të mesme dhe studentë.

Megjithatë, kjo rritje e pjesëmarrjes së komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptianë në arsim duket e zbehtë krahasuar me pjesën tjetër të popullsisë. Në bazë të statistikave të Ministrisë së Arsimit të periudhës 2013/14 si dhe regjistrimit të popullsisë të vitit 2011, numri i fëmijëve romë, ashkalinj dhe egjiptianë në arsimin fillor është 78.7 përqind, krahasuar me 94.7 të popullsisë totale. Më shqetësuese është shifra prej 16.5 përqind e vijueshmërisë së këtyre fëmijëve në arsimin e mesëm, krahasuar me 95.3 të popullsisë totale.

Derisa këto të dhëna të vijueshmërisë tregojnë se braktisja e shkollimit në mesin e këtyre tri komuniteteve është ende paraqet shqetësim të konsiderueshëm, nuk ka të dhëna të sakta lidhur me këtë dukuri. Sipas ministrisë, definicioni i braktisjes nuk ka të bëjë vetëm me fëmijën i cili braktis shkollën, por gjithashtu i përfshin edhe ata të cilët asnjëherë nuk u regjistruan në shkollim të detyrueshëm në moshën gjashtëvjeçare. Megjithatë, fëmijët e paregjistruar janë plotësisht të papranishëm në debatet institucional në lidhje me braktisjen e shkollimit dhe nuk janë të përfshirë në statistika. Organizata Balkan Sunflowers e aplikon definicionin e kësaj ministrie për të sugjeruar se shkalla e braktisjes e këtyre tri komuniteteve në Kosovë është mbi 90 përqind.

Anketat e zhvilluara nga organizatat të cilat analizojnë progresin e arsimit të komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptianë vazhdimisht konfirmojnë se vështirësitë ekonomike, siç është varfëria e lartë dhe papunësia, paraqesin pengesë serioze drejt vazhdimit të arsimit. Shumë prindër përmendin pamundësinë e tyre t’u ofrojnë veshmbathje dhe materiale mësimore fëmijëve të tyre për shkak të rrethanave personale.

“Situata ekonomike i detyron fëmijët të qëndrojnë te semaforat për të kërkuar lëmoshë”, thotë Arifi. “Është e qartë se arsimi sot është shumë më mirë se para 10 vitesh mirëpo papunësia është shumë e lartë… nëse një fëmijë në klasë të nëntë e sheh babain e vet të diplomuar dhe pa punë, ata do ta pyesin veten se pse duhet të studiojnë. Ata do të kërkojnë alternativa. Nëse nuk ndërmerren masat për t’i punësuar, atyre do t’u humbë motivimi”.

majlinda-hoxha-roma-education-k2-0-10-2016-12

Vitet e fundit ka pasur disa përparime në gjendjen e arsimit për fëmijët romë, ashkali dhe egjiptianë, por ka ende nevojë për të ndryshuar në mënyrë që ti vëmë ata në të njejtin nivel të lojës me moshatarët e tyre.

Kujtim Paçaku, përfaqësuesi i vetëm rom në Kuvendin e Kosovës beson se dështimi i qeverisë në përmirësimin e pozitës së komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptianë kur flasim për punësim dhe mirëqenie sociale krijon sfida për të tre komunitetet në ushtrimin e të drejtës së tyre për arsim.

“Gjithmonë kam thënë se problemet me të cilat ballafaqohen komunitetet romë, ashkali dhe egjiptianë nuk do të zgjidhen nëse shkojmë hap pas hapi”, thotë ai. “Nëse synojmë të kemi studentë të mirë, këta studentë duhet të kenë shtëpi, ushqim dhe arsim. Po, po japim bursa por nëse studenti nuk ka ku të mësojë, nuk ka shtëpi e ushqim, nuk mund të kemi pritje të mëdha”.

Përjashtimi nëpër shkolla

Përkundër faktorëve ekonomikë, braktisja gjithashtu ka lidhje edhe me dështimin e shkollave në krijimin e mjediseve përkrahëse për fëmijët romë, ashkali dhe egjiptianë.

Segregacioni i klasave sipas përkatësisë etnike ende paraqiste shqetësim në Kosovë disa vite më parë. Gjatë vitit shkollor 2011/12, Qendra Europiane për Çështje të Minoriteteve (ECMI) pranoi raporte të segregacionit sipas përkatësisë etnike — praktikë diskriminuese e cila është e ndaluar si nga legjislacioni i shtetit ashtu edhe nga Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut — në tri komuna të Kosovës. Pas intervenimit të organizatave të të drejtave të njeriut, shkollat i vendosën fëmijët romë, ashkali dhe egjiptianë nëpër klasa me fëmijët shqiptarë deri në fund të vitit.

“Ne jemi në Kosovë për shumë shekuj dhe jemi të integruar por duhet të përfshihemi në jetën shoqërore. Përfshirja fillon nëpër shkolla".

Muhamet Arifi

Vitin që vijoi, shkolla Mustafa Bakija në Gjakovë i përsëriti këto politika të segregacionit duke krijuar një klasë të posaçme për fëmijët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptianë, por kësaj radhe incidenti tërhoqi vëmendjen e madhe nacionale dhe ndërkombëtare. Deri më sot nuk ka pasur raporte tjera të segregacionit nëpër klasa.

Megjithatë, përkundër shumë përpjekjeve, hulumtimet tregojnë se trajtimi jo i duhur i fëmijëve të këtyre komuniteteve nga stafi i shkollës mbetet një shqetësim serioz. Shpërfillja dhe format tjera të diskriminimit janë ende të përhapura, derisa Arifi nga organizata Balkan Sunflowers thekson se shumë fëmijëve të këtyre komuniteteve u kërkohet të ulen në rreshtat e fundit dhe nuk nxiten të marrin pjesë në aktivitetet jashtëshkollore me fëmijë të komuniteteve tjera.

Arifi sugjeron se nevojitet një ndryshim i tërësishëm i qasjes dhe se synimi i përfshirjes së fëmijëve romë, ashkali dhe egjiptianë nuk duhet të konsiderohet si i arritur me vendosjen fizike nëpër klasa të integruara: “Kosova promovon integrimin dhe kjo është gabim”, thotë ai. “Ne jemi në Kosovë për shumë shekuj dhe jemi të integruar por duhet të përfshihemi në jetën shoqërore. Përfshirja fillon nëpër shkolla… Këtu po ngec Kosova. Ajo promovon integrim e jo përfshirje”.K

Fotografitë: Majlinda Hoxha / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO