S`fundmi | Dialogu

Kundërshtohet Thaçi dhe shkëmbimi i territoreve

Nga - 29.09.2018

Mbahet protesta kundër Presidentit dhe idesë së shkëmbimeve territoriale me Serbinë.

Sot, 29 shtatori, gjeti mijëra qytetarë të mbledhur në qendër të Prishtinës për t’iu bashkuar protestës kundër rolit të presidentit Hashim Thaçi në dialogun e vazhdueshëm të Kosovës me Serbinë si dhe idesë se një marrëveshje përfundimtare mes dy shteteve mund të përfshinte një shkëmbim territoresh. Protesta erdhi një ditë pas publikimit të rezultateve të një sondazhi të kryer nga Instituti Demokratik i Kosovës, sipas të cilit mbi 75 përqind e të anketuarve kishin treguar se e kundërshtojnë idenë e shkëmbimit të territorit.

Ndërkohë, Presidenti Thaçi e shfrytëzoi rastin për ta vizituar si rrallëherë pjesën veriore të Kosovës, një zonë që shumëkush ka spekuluar se do të ishte pjesë e ndonjë shkëmbimi territorial. Në Liqenin e Ujmanit, një vend që homologu i tij serb, Aleksandar Vučić, e vizitoi më parë gjatë këtij muaji, Thaçi dha një konferencë shtypi të shkurtër, duke folur për dashurinë e tij për të lundruar në liqen dhe falënderoi serbët vendas që e gostitën me kafe. Vizita e tij bëri që Njësitë e Forcave Speciale të dilnin për ta garantuar sigurinë e Presidentit, një veprim që alarmoi Beogradin, ku sipas mediave serbe, Vučić i dërgoi një mesazh proteste shefit të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Në protestën e mbajtur në Prishtinë, K2.0 u mundua që, nëpërmes turmës, ta kuptonte përse qytetarët iu bashkuan protestës së thirrur nga partia opozitare Vetëvendosje.

Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Shumë zemërim duket se u hodh në drejtim të Thaçit. Ali Berisha, një ish i burgosur politik nga fshati Kçiç afër Mitrovicës, e përshkroi presidentin si “të papërgjegjshëm” dhe si “një tradhtar”. “Arsyeja që shkova për të protestuar është se e gjithë qeveria duhet të japë dorëheqje, por sidomos i ashtuquajturi President i Kosovës, Hashim Thaçi”, tha Berisha për K2.0. “Ai dëshiron që ta shesë Kosovën”.

Agoni, 23 vjeçar nga Ferizaji, gjithashtu foli në mënyrë specifike kundër presidentit, duke deklaruar se ai “do të protestonte 1000 herë” kundër çfarëdo marrëveshjeje mbi Kosovën që ai mendon se Thaçi e bën për interesat e tij dhe jo të Kosovës. Durimi, një 27 vjeçar nga Peja, i papunë por i diplomuar, akuzoi presidentin për shfrytëzimin e popullit të Luginës së Preshevës [zona që Kosova mund të fitojë në rast të shkëmbimit territorial] në mënyrë që t’i avancojë interesat e tij.

Qemajli, profesor nga Prishtina kishte një histori të gjatë të të protestuarit në kryeqytet dhe ishte i pranishëm edhe në protestat e vitit 1989 kundër Slobodan Milosheviqit. Ai gjithashtu ishte sot atje për të dërguar një mesazh te presidenti. “Unë do të vazhdoj të protestoj sa herë që një politikan e gënjen popullin,” tha Qemajli për K2.0. “Hashim Thaçi nuk duhet të negociojë në emër të Kosovës në Bruksel”.

Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Të gjithë protestuesit me të cilët foli K2.0 ishin në mënyrë të vendosur kundër idesë së shkëmbimit të territorit. Habibe Azemi, një zonjë në të 50-at, tha për K2.0 se çdo marrëveshje që përfshin dhënien e tokës së Kosovës është e paimagjinueshme. “Nuk kemi luftuar për dekada me radhë për ta bërë një marrëveshje të tillë”, tha ajo. “Ne kemi luftuar për këtë sovranitet. Shumë njerëz kanë vdekur për këtë sovranitet.”

Ndërkohë, Dona, një studente në Universitetin e Prishtinës, besonte se ideja e shkëmbimit të territorit ishte një vazhdim i politikave agresive ndaj Kosovës nga Serbia, një temë e reflektuar edhe në shumë parulla në protestë. “Kemi dalë me shoqet e mia në shenjë proteste, në mënyrë që politika e hegjemonisë së Serbisë, e cila përkrahet edhe nga presidenti Thaçi, të mos kalojë”, tha ajo për K2.0.

Durimi nga Peja, mendonte se ideja e shkëmbimit të territoreve poashtu nuk ishte as pragmatike. “Nuk është logjike të shkëmbehet tërë veriu i Kosovës për vetëm katër apo pesë fshatra në Luginën e Preshevës”, tha ai.

Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Në fjalimin e tij që e përmbylli protestën, udhëheqësi i Vetëvendosjes, Albin Kurti, iu referua fushave të shumta në të cilat ai mendon se Kosova po lufton, duke përfshirë shkallën e lartë të papunësisë.

Ndërsa të gjithë protestuesit me të cilët K2.0 foli mendonin se papunësia ishte një çështje madhore në Kosovë, shumica mendonin se ideja e shkëmbimit të territorit ishte më e ngutshme dhe çështja kryesore për ta ngritur zërin në këtë moment.

Pavarësisht se ishte vetë i papunë, Agoni na tha se: “Tani për tani shkëmbimi është problemi kryesor në Kosovë dhe unë protestoj vetëm për këtë arsye”. Ali Berisha mendon se dorëheqja e Thaçit do të çonte në zgjidhjen e çështjeve sociale dhe largimi i tij duhet të jetë aspekt kyç i çdo proteste.

Qemajli dhe Durimi, nga ana tjetër, mendonin se edhe çështjet ekonomike duhet të trajtohen përmes protestave civile. “Unë kam protestuar edhe më parë për arsye ekonomike dhe jam gati të protestoj edhe në të ardhmen për këto probleme”, tha Durimi për K2.0.

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.