Biseda | Shëndeti mendor

The Artidote: Kur e din që të tjerët janë duke u përballur me vështirësi të njëjta si ti, të ndihmon, sepse e din që nuk je vet

Nga - 16.05.2018

Një komunitet virtual i cili ofron një hapësirë të sigurt për të diskutuar shëndetin mendor dhe shërimin nëpërmjet artit – K2.0 flet me themeluesin e tij.

Jovanny Varela Ferreyra erdhi në SHBA kur ishte 10 vjeçar. Me origjinë nga Meksika, prindërit e tij i thanë se do të shkonin vetëm për një vizitë të shkurtër në el norte (që do të thotë ‘në veri’ në gjuhën spanjolle), e në atë kohë ai nuk fliste fare anglisht.

Ferreyra, tani flet haptas se si e përjetoi ankthin social, rastet e bulizmit dhe vështirësitë në lidhje me të shprehurit. Por ai e gjeti një vegël e cila i mundësoi të shprehej. “Kur nuk kisha aftësi sociale, iu ktheva artit”, tha ai, para afro 300 njerëzve këtë javë në Prishtinë. Tani e ka shndërruar këtë aftësi në një vegël për një komunitet virtual të përbërë prej rreth 2 milion njerëzve, nëpërmjet projektit The Artidote, i cili e paraqet artin si vegël për t’i shëruar problemet e shëndetit mendor.

Varela Ferreyra ishte në kryeqytetin e Kosovës të hënën (14 maj) për të mbajtur një prezantim publik për The Artidote, si pjesë e Javës së Shëndetit Mendor. Me fokus në Terapinë e Artit dhe organizuar nga Qendra për Informim dhe Përmirësim Social (QIPS), synimi i kësaj jave ishte ngritja e nivelit të ndërgjegjësimit për probleme që lidhen me shëndetin mendor përmes disa ngjarjeve publike, prej diskutimeve të hapura e deri tek seancat e leximit të poezisë dhe koncertet. (Shihni programin e plotë këtu)

The Artidote është një platformë virtuale, e pranishme në rrjete sociale (Facebook, Snapchat, Instagram, Tumblr, Twitter). Kryesisht e mbështetur nga Varela Ferreyra si projekt anësor (ai punon si ciceron në qytetin e Mynihut), The Artidote publikon dhe shpërndanë punime të artit vizual të cilat përmbajnë mesazhe kuptimplotë; synimi i tij është t’i shtyejë lexuesit që të reflektojnë për këto punime apo të lidhen me to, duke kontribuar kështu tek shërimi nëpërmjet artit – një pushim i matur nga memes, videot me këlyshë, deklamimet online dhe fotografitë e miqëve në rrjete sociale, të cilat projektojnë lumturi të pafund the jetë ‘të përkryer’.

Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Themeluar në vitin 2015 me synim për të ofruar një platformë kuptimplotë që i ndihmon diskutimet për shëndetin mendor, emocionet dhe ndjenjat, anëtarët e këtij komuniteti online vijnë nga të gjitha anët e botës. Historitë brenda tij kanë për synim pranimin dhe ballafaqimin me ndjenjat e përditshme me të cilat jemi përballur të gjithë, si frustrimi dhe humbja. Për shumëkënd, kjo platformë është kthyer në një vend për të bashkëvepruar dhe për tu lidhur me të tjerët të cilët poashtu përjetojnë depresion, ankth dhe probleme të tjera mendore.

K2.0 u takua me Varela Ferreyra për të biseduar rreth shërimit nëpërmjet The Artidote.

Çfarë u ofron njerëzve The Artidote?

Gjithmonë më duhet ta qartësoj këtë. Ndonjëherë njerëzit e vizitojnë faqen dhe mendojnë – ose kanë dëgjuar se The Artidote u ka ndihmuar miqëve të tyre për ta ballafaquar depresionin, ankthin apo sëmundjet mendore – dhe kështu menjëherë mendojnë se kjo është hapësirë që ofron terapi dhe shërbime profesionale. Pothuajse çdo ditë marr mesazhe prej njerëzve të cilët thonë: “Më ndihmo”. Gjithmonë më duhet të ua shpjegoj çfarë bëj e çfarë nuk bëj.

Trajnimi im është arti. Unë jam një artist. The Artidote nisi si një projekt i artit i cili kombinon punimet artistike me citate apo fragmente të letërsisë, duke i bashkuar për të krijuar emocione apo biseda. Kjo disi kaloi tek sfera e shëndetit mendor, kur njerëzit filluan të ndjehen të lidhur mes vete, duke zhvilluar biseda shumë të prekshme në të cilat nuk flitej për shëndetin mendor në mënyrë specifike, por në të njëjtën kohë ishin të lidhura shumë me shëndetin mendor.

Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Dhe kjo mendoj se është sfida më e madhe – të flasësh për shëndetin mendor pa i tjetërsuar njerëzit e caktuar. Kur flasim për shëndetin mendor përdorim terminologji nga e kaluara dhe rinia nuk lidhet më me atë.

Për shembull, ndonjëherë shkoj në qytete të ndryshme dhe mbaj takime të Artidote. Në këto takime njerëzit e komunitetit tonë bëhen bashkë dhe ndërveprojnë, pa agjendë apo program. Ndonjëherë janë gjashtë njerëz, e ndonjëherë 160.

Nuk mund ta quaj grup të mbështetjes. Nuk mund ta përdori atë terminologji, sepse nëse e bëj, kjo i largon shumë njerëz. Sepse nëse shkojnë në një ‘grup të mbështetjes’, kjo do të thotë se ata kanë probleme, se po shkojnë për t’u bërë më mirë dhe për mua kjo është sfida: të flasim për shëndetin mendor dhe të jemi të dobishëm për mirëqenien mendore të njerëzve, pa e patur atë terminologji profesionale – nuk dua ta nënvlerësoj rëndësinë e profesionistëve, sepse na duhet ndihma profesionale. Por është shumë e vështirë disi t’i angazhosh, veçanërisht rininë, për të folur rreth këtyre çështje.

Komuniteti The Artidote është i bazuar në rrjete sociale. Aty i ka rrënjët. A janë rrjetet sociale vend i ‘lumtur’ për të takuar njerëz?

Varet, realisht. Nuk ka gjë në botë bardh e zi. Ka zonë të hirtë dhe ka shembuj të mirë kur rrjetet sociale kanë qenë të mira për kauza kulturore, politike dhe sociale. Gjithashtu ka edhe efekte anësore shumë të këqija.

"Unë i mendoj rrjetet sociale si vegël, si çekiç. Me të mund ta ndërtosh një shtëpi, apo t’ia thyesh kokën dikujt."

Rrjetet sociale gjithashtu janë relativisht shumë të reja, por shumë hulumtues veçse kanë shprehur shqetësimet e tyre rreth rrjeteve sociale në lidhje me depresionin e madje edhe varësinë. Gjithashtu është vend që lehtësisht mund të ndikojë negativisht tek personi nëse kalon shumë kohë në të. Pra, a është një vend ideal për shëndetin mendor, apo si mund ta thyejmë të menduarit negativ brenda tij?

Mendoj se mendjet tona janë të projektuara për të gjetur arsye, dhe ne mundohemi të gjejmë arsye, e ndonjëherë shkojmë drejtpërdrejtë tek gjërat që i shohim. Por ndonjëherë ne refuzojmë t’i analizojmë më thellë çështjet. Sa më shumë që përfshihem në këtë punë, aq më shumë e kuptoj se rrjetet sociale apo telefonat mobil nuk janë problemi. Zakonisht është diçka më e thellë.

Unë i mendoj rrjetet sociale si vegël, si çekiç. Me të mund ta ndërtosh një shtëpi, apo t’ia thyesh kokën dikujt. Shumë njerëz ankohen se Facebook-u po shkakton shpërqendrim, depresion dhe ankth, por nëse e analizojmë më mirë, është më e thellë, nuk ka të bëjë vetëm me veglën.

Depresioni, ankthi e këto, janë diçka që lidhen me rrethanat, familjen, shtëpinë, shtetin, qytetin, ndoshta një traumë kolektive… diçka me të vërtetë më të thellë. Ato shprehen në rrjete sociale, por shprehen edhe në cigare, në drogë, në varësi… nuk ka të bëjë me varësinë, por ka të bëjë me ikjen nga diçka që nuk e kemi procesuar realisht. Shumë njerëz i përdorin këto vegla si forma për t’i ikur realitetit.

Në disa intervista në të kaluarën keni thënë se i identifikoni dy lloje të historive që riprodhohen në përgjithësi: historitë që përhapin mesazhe të dashurisë dhe historitë që përhapin mesazhe, që disi lidhen me frikën. Si zhvillohet kjo nëpërmjet The Artidote?

Nëpërmjet The Artidote, dashuria apo frika zvhillohen në llojin e përmbajtjes që zgjedhi të ndajë unë. Kur fillova të bëja postime të cilat po krijonin emocione tek njerëzit dhe po shpërndaheshin shumë, fillimisht isha i mendimit se kisha shumë fuqi për të ndikuar tek disponimi i njerëzve në bazë të gjërave që i ndaja online.

Papritmas kisha mundësinë t’i bëja njerëzit të lumtur, të pikëlluar, të shqetësuar… dhe kur flasim për rrjete sociale dhe tiraninë e ‘like-ut’ – dëshirën që njerëzit ta bëjnë ‘like’ apo t’i shpërndajnë përmbajtjet e tua – e kuptova se kishte konflikt interesi, që ose po e bëja për ta zhvilluar një faqe në Facebook ose po e bëja për hir të vet përmbajtjeve. Kështu që vendosa të mos e bëja për ‘likes’.

Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Për mua është shumë lehtë ta ndaj një post që flet për zemra të thyera, që flet për emocione shumë të prekshme në një mënyrë shumë të papërgjegjshme, që në vend se t’u ndihmojë njerëzve ta procesojnë atë thyerje, vetëm i bënë më keq atyre, e duke bërë që ata të mos shohin rrugëdalje. Është shumë lehtë të krijosh përmbajtje që merr shumë ‘likes’, apo përmbajtje të përbërë nga frika…

Dhe kjo është sfida, të krijoj përmbajtje që pranojnë dobësi të caktuara por i ndihmojnë njerëzit të ecin para pa kaluar në anësinë e pozitivitetit, që na thotë se duhet të jemi të lumtur çdo herë dhe se nëse nuk je i/e lumtur, nuk je njeri i mirëfilltë… ajo është diçka tjetër.

Një sfidë që e paraqet mendimi negativ është besimi tek mendimi pozitiv – nëse mund t’i përdori këto fjalë, është ‘kundërsulmi’ jonë i vogël ndaj mendimeve tona negative, të cilat lehtë mund t’i pushtojnë ato pozitive, veçanërisht gjatë periudhave depresive apo të ankthit, apo jo? Kur e sheh mesazhin nga një person tjetër, në këtë rast në komunitetin The Artidote, a mund të ndryshohet kjo? A i ndihmon njerëzve të besojnë në diçka kur mesazhi vjen disi prej të tjerëve, siç ndodh në The Artidote?

Po. Unë e nisa këtë nismë në Snapchat, ku mund të dërgosh fotografi me tekst të shkruar mbi të – njerëzit kishin mundësinë t’i ndajnë mendimet e tyre, kështu që i ndanin me mua dhe unë i ndaja pastaj në faqen publike. Ne thjeshtë u kërkuam atyre që ta ndanin lokacionin dhe kohën kur e kishin dërguar mesazhin.

"Ky është problem real në shoqërinë tonë aktualisht, që kemi emocione negative vs emocione pozitive - sepse të gjitha janë emocione dhe duhet t’i pranojmë të gjitha."

Kjo u bë një prej shtyllave të The Artidote, sepse njerëzit filluan t’i shohin vështirësitë, historitë dhe mendimet e tyre tek njerëzit e tjerë. Vet fakti që dikush tjetër po e përjetonte të njëjtën gjë… jo që rregullonte diçka, por u ndihmonte kur e kuptonin se nuk janë vetëm.

Ndonjëherë kur kemi mendime negative mendojmë se jemi të vetmit që kemi këso ndjenja, dhe se ndoshta nuk e meritojmë të rrethohemi prej të tjerëve të cilët thjeshtë po e jetojnë jetën, sepse i kemi këto gjëra të cilat ‘nuk duhet t’i kemi’.

Ne i stigmatizojmë këto emocione që janë negative. Dhe ky është problem real në shoqërinë tonë aktualisht, që kemi emocione negative vs emocione pozitive – sepse të gjitha janë emocione dhe duhet t’i pranojmë. Mund të mësojmë shumë prej tyre. Të gjitha emocionet përpiqen të na tregojnë diçka për veten.

Kam marrë shumë mesazhe prej njerëzve që i kanë parë këto ‘mendime në Snap’ dhe i kanë parë vështirësitë e të tjerëve –  kështu duke iu ndihmuar shumë. Është si grup i padukshëm i mbështetjes, kur e sheh që dikush tjetër në një shtet tjetër, në një vend tjetër, po i përjeton të njëjtat vështirësi… të kujton se jemi të gjithë bashkë dhe se nuk je domosdoshmërisht vetëm. Dhe kjo është një mbështetje e madhe për shumë njerëz.

Gjithashtu ka postime të cilat i ke quajtur ‘ndryshim perspektive’. Nëpërmjet tyre mundohesh ta ndryshosh perspektivën mbi mënyrën se si mendojmë për një ngjarje apo ndjenjë në jetë. A mund të na thoni më shumë për idenë e ndryshimit të perspektivës nëpërmjet The Artidote?

Një prej arsyeve pse e nisa projektin ishte për shkak të faqeve të njohura dhe frymëzuese të citateve, të cilat ekzistuan kur unë isha duke e filluar punën – rreth vitit 2013. Disa prej tyre kishin shumë citate të mira, por pastaj u bënë shumë klishe. Dhe kur e arrinë një pikë ku fillon t’i shohësh të njëjtat gjëra përsëri e përsëri, humb ndikimi i mënyrës si i percepton ato. Kështu që, dëshiroja të kisha citate dhe përmbajtje të cilat ishin të pazakonta, në mënyrën se si ishin shkruar apo në vet mënyrën e shprehjes.

Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Dhe për mua bëri dallim vet fakti që u pa si diçka më ndryshe. Dallon kur e sheh gotën nga një kënd dhe e sheh pastaj prej këndit tjetër [thotë ai, duke e mbajtur një gotë në dorë dhe duke bërë lëvizje bashkë me gotën, për ta parë prej pikëpamjeve të ndryshme]. Dhe nëse përballesh me një problem dhe ngec, mund të bëhet si mur. Por papritmas dikush ta tregon një kënd tjetër dhe pastaj [duke i parë gjërat nga një pikëpamje tjetër] të ndihmon ta thyesh këtë mur dhe të largohesh nga problemet.

Më ka ndodhur mua personalisht. Ndonjëherë jam duke menduar për një problem dhe pastaj rastiti në diçka dhe them ‘Uh, s’e paskam menduar në këtë mënyrë. Kjo në fakt qenka mënyrë shumë më e shëndetshme për t’iu qasur kësaj situate’. Pra, në fakt, duhet të gjesh mënyra më të shëndetshme të të menduarit.

Në prezantimin tënd në Prishtinë, ju folët për përvojën tuaj të përballjes me depresionin. Gjithashtu folët për përvojat që të kanë krijuar shumë ankth në jetë. Si të ndihmoi, apo të ndihmon, arti për t’u përballur me këto gjëra personalisht?

Për mua është shumë e qartë se si arti u ndihmon njerëzve mentalisht. Problem po kam t’ua shpjegoj njerëzve në mënyrë që ta kuptojnë, veçanërisht njerëzit të cilët nuk e kuptojnë procesin e artit dhe atë se çfarë ndodh me ndjenjat kur je duke krijuar diçka.

"Arti më lejoi të jem i pranishëm, dhe t’i lidhja mendimet, emocionet dhe ndjenjat me ndodhitë. Më lejoi të fokusohesha."

Shembulli më i mirë që e kam është, kur ke shumë mendime dhe mundohesh të nxjerrësh kuptimin e tyre – mendimet zakonisht lëvizin si gazra dhe nuk ke ndonjë lloj strukture… dhe papritmas e merr një laps e letër, dhe mendimet fillojnë të lëvizin me shpejtësinë e lapsit.

Kjo e krijon një ndjesi të kontrollit mbi mendimet dhe pastaj mund t’i strukturosh ato. Dhe ky ishte arti për mua: t’i vendosësh mendimet në një ambient shumë më të kontrolluar. Dhe gjithashtu është shumë terapeutik, me kuptimin e plotë të fjalës. Kur i përzien ngjyrat në kanavacë dhe i shikon ato… të jep një ndjenjë të mirë.

Ndoshta gjëja më e mirë ishte se mund ta krijoja një botë të cilën unë e kontrolloja, sepse kur isha duke u përballur me depresion apo ankth, ndjehesha sikur nuk kisha asgjë nën kontroll. Gjithçka lëviz rreth teje, nuk e din se kush je, përjeton një personalizim të thellë ku je këtu por je edhe diku tjetër duke e shikuar veten. E vëja veten në sytë e dikujt tjetër, e shikoja dhe papritmas e humbja thelbin, ndjesinë e vetvetes, praninë time.

Arti më lejoi të jem i pranishëm dhe t’i lidhja mendimet, emocionet dhe ndjenjat me ndodhitë. Më lejoi të fokusohesha.

Platforma juaj përdor punime artistike për të ofruar perspektiva të reja. A është përparësi e artit, sa i përket ballafaqimit me probleme të shëndetit mendor, fakti se arti mund të jetë edhe abstrakt dhe përderisa na lejon ta tregojmë historinë tonë, apo ta shprehim veten në një moment, gjithashtu na lejon që të mos zbulojmë ‘tepër shumë’? Është mënyrë e sigurt për ta shprehur veten, por edhe mënyrë për t’u lidhur me ndjenja universale.

Unë kërkoj veçanërisht përmbajtje që janë universale por jo klishe. Universale në kuptimin se është abstrakte, duke i lejuar njerëzit që ta injektojnë kuptimin e tyre. Unë lë hapësirë të mjaftueshme që njerëzit t’i injektojnë historitë e tyre, në mënyrë që jo vetëm të lidhen me to, por edhe t’i ndjejnë, në bazë të përvojave të tyre.

Dhe nuk mund të kem punime artistike të cilat janë tepër specifike, të cilat thonë ‘kjo është kjo,  kjo është ajo dhe duhet ta bësh këtë, dhe duhet ta bësh atë…’, pra punime artistike të cilat janë tepër specifike për një mendësi apo ideologji të caktuar. Sepse pastaj një grup i caktuar i njerëzve e kupton dhe pajtohet me të – e të tjerët jo. Pra po mundohem të krijoj më shumë lidhje se ndarje.

Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Dhe në lidhje me këtë ju e keni një seksion të komenteve ku zhvillohen biseda ndërmjet pjesëtarëve të komunitetit. Si ka evoluar kjo?

Ndonjëherë seksioni i komenteve është pjesa ime e preferuar. Seksioni i komenteve më ka mësuar atë se si njerëz specifik në pjesë të ndryshme të botës, të kulturave dhe moshave të ndryshme, mund të lidhen me të njejtën gjë. Zakonisht komentet më kanë mësuar më shumë për komunitetin që po e krijoja.

Si e luftoni gjuhën e urrejtjes online, e cila është një prej elementeve që janë shumë të pranishme në rrjete sociale dhe ka ndikim tek ne? Si ballafaqoheni me këtë realitet?

Të krijosh postime dhe ta ndërtosh një komuniteti do të thotë gjithashtu t’i tërheqësh njerëzit të cilët ke dëshirë t’i tërheqësh. Ndonjëherë bëj postime të cilat mund t’i largojnë njerëzit [të cilët mund të mos jenë njerëzit e duhur për këtë komunitet]. Për shembull, postoj diçka shumë feministe dhe pastaj të gjithë seksistët e The Artidote ja bëjnë faqes unlike [qesh]. Dhe kjo e mbanë komunitetin të sigurt.

Mundohem të krijoj përmbajtje që i largon këta njerëz apo i shtyen të komentojnë, në mënyrë që t’ua ndalojë më pas faqen. Pranoj kritika, por nëse kalon në gjuhë të urrejtjes apo mungesë respekti, kam liri të plotë për t’i ndaluar njerëzit, sepse duhet ta mbaj hapësirën të sigurt.

"Nëse mund ta mbështetësh mirëqenien mendore të mikut të ngushtë, kjo mund të jetë e mjaftueshme."

Ti po e quan këtë komunitet ‘grup i madh i mbështetjes’. Grupet e mbështetjes janë, apo duhet të jenë, hapësira të sigurta. A mund ta zëvendësojë ky grup i mbështetjes në ndonjë mënyrë [na ndërprenë ende pa thënë ‘mbështetjen profesionale për shëndet mendor’]?

…Jo! Kurrë! E di çfarë po don me më pyet. Edhe pse The Artidote zhvillohet për mirëqenie mendore, nuk mund t’i zëvendësojë kurrë shërbimet profesionale. Nuk mund ta bëjë kurrë këtë sepse do të ishte joetike dhe e paligjshme nëse do të pretendoja se ky komunitet botëror mund t’i shërojë sëmundjet mendore – është sikur të thuash se pikturimi mund ta shërojë kancerin. Kjo është kërkesë tepër e madhe për këtë platformë.

Ky komunitet bën diçka. I mbanë njerëzit të lidhur dhe u ka mundësuar njerëzve të caktuar që t’i hynë procesit të shërimit, por disa njerëz kanë nevojë për shumë më shumë ndihmë profesionale sesa ato që i ofron The Artidote.

Në Kosovë, si në shumë vende të tjera, ka shumë vështirësi sa i përket diskutimit për shëndetin mendor, apo thjeshtë kërkimit të terapisë. Gjithashtu ka mungesë besimi në sistemin e shëndetësisë, të cilit i mungojnë burimet. Çfarë do t’u thoje njerëzve të cilët e lexojnë këtë intervistë dhe janë duke përjetuar vështirësi të tilla?

Diçka që më mbeti në mendje gjatë diskutimit me panel [i përbërë nga profesionistët e shëndetit mendor, organizuar si pjesë e ngjarjeve të Terapisë së Artit dhe Javës së Shëndetit Mendor] ishte se, kurdo që i shtrohej kjo pyetje dikujt, për të kërkuar këshilla, reagimi ishte fajësimi i politikanëve apo institucioneve… Dua të shtoj se kjo bisedë nuk është për ta fajësuar dikë, por për të menduar në mënyrë individuale: për shembull, çfarë mund të bëjmë, nëse mund të bëjmë diçka, për ta ndryshuar perceptimin me njerëzit me të cilët je i lidhur në rrethin tënd të ngushtë?

"Kur flet me njerëz të cilët janë shumë të lumtur, e kupton se ajo lumturi nuk vjen pa vuajtur."

Me njohuritë e mia të kufizuara, mund të them se duhet të fokusohemi individualisht në atë se si mund të jemi më përkrahës për mirëqenien e shëndetit mendor të atyre që na rrethojnë, e jo ti fajësojmë institucionet apo njerëzit e tjerë. Individualisht, nëse mund ta mbështetësh mirëqenien mendore të mikut të ngushtë, kjo mund të jetë e mjaftueshme.

Sigurisht kjo është diçka që ndoshta nuk dinë ta bëjnë të gjithë, sepse nuk kemi edukim për shëndetin mendor. Nuk dimë si t’i trajtojmë vështirësitë e këtyre njerëzve kur vijnë tek ne pa e lënduar veten. Dhe ky është problem i madh që shkon në dy kahje: Duhet që jo vetëm t’i mësojmë njerëzit – veçanërisht meshkujt, meqë është shoqëri patriarkale – se si të hapen e t’i ndajnë problemet me të tjerët dhe se është OK për ta bërë këtë; por duhet gjithashtu t’i mësojmë njerëzit se si duhet ta mbrojnë veten kur janë duke u marrë me problemet e dikujt tjetër.

Në disa raste të caktuara, The Artidote ka ndarë imazhe të cilat reflektonin raste specifike të njerëzve që ju kanë shkruar juve, duke implikuar apo duke manifestuar qartë se janë në prag të vetëvrasjes – rast i njohur është ai i vajzës nga Delhi e cila shkroi: “Mendoj se do të bie në overdozë sonte’. Ka disa raste – anonime, si ky – në të cilat ju i keni ndarë këto mesazhe menjëherë me komunitetin e The Artidote dhe komuniteti ka reaguar duke u dërguar atyre personave mesazhe të ndryshme në mënyrë indirekte nëpërmjet faqes suaj, dhe kështu ata nuk i realizuan qëllimet e manifestuara të tyre për vetëvrasje, për shkak të mbështetjes së komunitetit të The Artidote. Cili është mesazhi i përbashkët dhe mbizotërues i komunitetit – i  të tjerëve – që ka parandaluar dikë t’i jap fund jetës?

Mesazhi i përbashkët është të mos përdorim zgjidhje të përhershme për probleme të përkohshme. Këtë e kanë shprehur njerëzit të cilët kanë përjetuar gjëra të ngjashme dhe kanë gjetur mënyra për ta tejkaluar dhe për të mbijetuar, tani jetojnë për të treguar si dhe janë më të fortë se kurrë – për shkak se kanë mbijetuar.

Mesazhi i përbashkët është ‘mos e bëj’, sepse në fakt bëhet më mirë; e dimë se njerëzit të cilët janë shumë të lumtur dhe ndihmues… nëse flet me ta për jetën e tyre dhe vështirësitë që i kanë përjetuar, e kupton se ajo lumturi nuk vjen pa vuajtur. Ata e kuptojnë vuajtjen sepse janë ballafaquar me vuajtje ekstreme dhe kanë mbijetuar –  dhe tani janë mirënjohës për gjithçka…

Nuk dua të them se duhet të vuash për të qenë një prej atyre njerëzve. Por shumë herë disa situata të vështira të bëjnë më të fortë, pra mesazhi i përbashkët është: “Mos e bëj. Unë jam në anën tjetër të kësaj situate dhe në fakt bëhet më mirë, prandaj është me rëndësi ta kujtosh që të gjithë jemi së bashku. Unë jam këtu për të ta kujtuar këtë – më përdor sikur të isha ti në të ardhmen, për të të kujtuar se unë jam këtu duke të pritur dhe se do ta tejkalosh këtë’.K

Për më shumë informata për mbështetje në lidhje me shëndetin mendor në Kosovë, mund ta kontaktoni organizatorin e Javës së Shëndetit Mendor në Kosovë: Qendra për Informim dhe Përmirësim Socialcontact@qips-ks.org

Kjo bisedë është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Intervista është realizuar në gjuhën angleze.

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.