Northern Ireland thumb
Pikëpamje | Pajtimi

ÇMIMI I PAQËS – MËSIME NGA IRLANDA VERIORE

Nga - 17.03.2016

Deri sa miliona njerëz festojnë Ditën e Shën Patrikut, ka shumë paralele në mes të historive të Kosovës e Irlandës.

Shumë janë munduar t’i shpjegojnë konfliktet e dhunshme dhe të shpeshta etnike në Ballkan si diçka që buron prej kulturës dhe kompleksitetit specifik etnik dhe kulturor të rajonit. Ndonëse ky imazh i Ballkanit mund të vërehet prej shekullit 19, shembullin më të dalluar të kësaj qasjeje e gjejmë në librin e vitit 1993 të Robert Kaplan, “Balkans Ghosts: A Journey through History”, ku autori paraqet një imazh shumë të zymtë të Ballkanit, si zonë e urrejtjes antike dhe “fuçi baruti për luftë kulturore e religjioze të shekullit 21”.

Duke i lënë anash përshkrimet e Z. Kaplan për Ballkanin, është fakt që konfliktet etnike kanë ndodhur dhe ende vazhdojnë edhe në botën perendimore. Rasti i Irlandës Veriore është ndoshta shembulli më i mirë i një konflikti të gjatë etnik dhe territorial, thellë brenda Evropës Perendimore, në mes të dy grupeve etnike të Evropës Perendimore dhe dy anëtarëve të Komunitetit Evropian (më vonë Bashkimit Evropian), Mbretëria e Bashkuar dhe Republika e Irlandës.

Shembulli i Irlandës Veriore dhe krahasimi me Kosovën ofron një shpjegim më të thellë për sfidat me të cilat përballen shqiptarët dhe serbët e Kosovës deri sa po mundohen të rrënjosin paqe dhe bashkëjetesë.

Irlanda Veriore – Ballkani jashtë Ballkanit

Nuk po e ekzagjerojmë kur themi se konflikti katolik-protestant në Irlandë ka zgjatur me shekuj. Irlanda është pushtuar gradualisht prej udhëheqësve anglez prej shekullit 12. Pasi që çështja e religjionit ka qenë qendrore për politikën e brendshme angleze prej shekullit 16, irlandezët katolik nuk u panë me sy të mirë nga udhëheqësit anglikan (protestant) anglez. Kur i sollën kolonizuesit e ri protestant, anglezët u dhanë fuqi të mëdha ekonomike e politike, duke e diskriminuar rëndë shumicën katolike. Pas Aktit të Bashkimit në vitin 1801, Irlanda u inkorporua plotësisht në Mbretërinë e Bashkuar, dhe Parlamenti i vet u shfuqizua.

Irlandës më në fund iu dha autonomia brenda Mbretërisë së Bashkuar në 1914, por zbatimi i saj u shtye nga shpërthimi i Luftës së Parë Botërore. Pas “Kryengritjes së Pashkëve”, përpjekje e pasuksesshme e irlandezëve në 1916 që u shua nga britanezët, një kryengritje e re ndodhi në 1919, që çoi deri te nënshkrimi i Traktatit Anglo-Irlandez në 1921. Sipas Traktatit, Irlanda u shpall si dominion i Perandorisë Britaneze, si “Shteti i Lirë Irlandez”. Pjesës veriore, kryesisht e banuar me protestantë, iu dha mundësia për t’u larguar nga Shteti i Lirë Irlandez dhe për t’u bashkuar përsëri me Mbretërinë e Bashkuar, dhe këtë pikërisht e bëri në vitin e ardhshëm. Shteti i Lirë Irlandez më vonë shpalli Republikë dhe hoqi dorë nga të gjithë lidhjet zyrtare me Federatën Britaneze në 1948.

Republika e Irlandës asnjëherë nuk e ka pranuar plotësisht ndarjen e Irlandës në vitin 1992, pasi që Neni 2 i Kushtetutës Irlandeze të vitit 1937 thotë se “Territori kombëtar përbëhet prej tërë ishullit të Irlandës, ishujt përreth saj dhe detërat territoriale”, dhe këto pikëpamje i ndajnë kryesisht minoriteti katolik në Irlandën Veriore. Në këto rrethana shpërthei dhuna ndërfetare, që shkaktoi periudhën 30 vjeçare të njohur si “Problemet”(1968-1998), gjatë së cilës qeveria britaneze e anuloi autonominë e Irlandës Veriore dhe e vendosi rajonin nën udhëheqjen e drejtpërdrejtë të Londrës në 1972. Dhuna ndëretnike, sulmet vdekjeprurëse nga Ushtria Republikane Irlandeze (IRA) dhe grupe të armatosura sindikaliste, si dhe ndërhyrjet ushtarake të Mbretërisë së Bashkuar, si ngjarja famëkeqe e së Dielës së Përgjakshme në janar 1972 kur 14 protestues të paarmatosur republikan u vranë nga trupat britaneze, shënuan kohën e “Problemeve”; gjatë kësaj periudhe, vlerësohet se 3,500 persona humbën jetën dhe rreth 50,000 tjerë u lënduan.

Ushtria britaneze i goditi me armë 26 protestues të paarmatosur republikan në Derry/Londonderry me 30 janar, 1972, datë që është bërë e njohur si “e Diela e Përgjakshme”. Katërmbëdhjetë prej atyre që u goditën, u vranë.

Marrëveshja e së Premtës së Mirë

Ky ngërç ishte shumë i vështirë për t’u zgjidhur, veçanërisht pasi sindikalistët dhe republikanët po përdornin dhunën si mjet të luftës politike. “Marrëveshja e së Premtës së Mirë” ose “Marrëveshja e Belfast”, që u arrit me 10 prill 1998, solli paqe dhe hapi një kapitull të ri në historinë e Irlandës Veriore. Përfaqësoi një marrëveshje në mes të partive kryesore politike të Irlandës Veriore dhe Mbretërisë së Bashkuar e Republikës së Irlandës.

Sipas Marrëveshjes, Irlanda Veriore mbeti si pjesë e Mbretërisë së Bashkuar dhe iu dha autonomia me parlament të vet në Belfast. I mbeti popullit të Irlandës Veriore që të vendosë për të ardhmën e vet dhe për integrimin e mundshëm me Republikën e Irlandës nëpërmjet masave paqësore dhe demokratike. Republika e Irlandës u detyrua t’i ndryshojë Nenet 2 dhe 3 në Kushtetutën e saj, duke zëvendësuar pretendimin e tyre mbi tërë ishullin e Irlandës në një shprehje të thjeshtë të dëshirës për unifikim paqësor. pasi që shumica e qytetarëve të Irlandës Veriore ishin në favor të qëndrimit brenda Mbretërisë së Bashkuar, këto dispozita në parim përfaqësuahn njohjen e statusit të Irlandës Veriore brenda Mbretërisë së Bashkuar në të ardhmën e afërt. Gjithashtu, lidhje speciale u formuan në mes të Irlandës Veriore dhe Republikës së Irlandës, përfshirë vendimmarrja e përbashkët në politika të caktuara.

Duke aplikuar parimet e të drejtave kolektive dhe të ndarjes së fuqisë, u arrit marrëveshja që Kuvendi i Irlandës Veriore do të zgjedhej nëpërmjet përfaqësimit proporcional dhe ulëset në qeveri (e njohur si Komiteti Ekzekutiv) do të ndaheshin në mënyrë proporcionale në mes të partive parlamentare, duke i bërë kështu të detyrueshëm koalicionet në mes të partive politike më mesatare me ato më të ashpra, në të dy anët.

Kundërshtarët e dikurshëm, që e konsideruan njëri tjetrin si “terroristë” dhe “tiranë”, tani u detyruan të qeverisin së bashku. Parime të ngjashme u aplikuan në forcën policore, ku u krijua Shërbimi jo-sektar Policor i Irlandës Veriore, ndërsa milicitë republikane dhe sindikaliste u çarmatosën dhe mbyllën. Kjo çështje doli të jetë pengesë shumë e madhe në procesin e paqës – procesi i çarmatosjes së milicive zgjati me vite, dhe ka pasur raporte që forca e re policore i ka përfshirë ose ka bashkëpunuar me ish-anëtarë të milicive të të dy anëve, që kanë histori të gjatë të konfliktit.

Marrëveshja u konfirmua nga referendumet e Irlandës Veriore dhe Republikës së Irlandës, duke hyrë në fuqi në dhjetor 1999.

Paralelet me Kosovën

Ka ngjashmëri të caktuara dhe të rëndësishme në mes të konfliktit në Irlandën Veriore dhe ati në Kosovë, si dhe në mes të Marrëveshjes së së Premtës së Mirë dhe negociatave Beograd-Prishtinë. Si në Kosovë, konflikti në Irlandë Veriore përfaqëson një konflikt të gjatë etnik në të cilin ndarjet shoqërore – etnike, religjioze dhe politike, janë kryesisht përforcuese. Kjo krijoi ndarje të thellë shoqërore dhe një konflikt të bazuar në identitet, të ngarkuar me emocione dhe të karakterizuar me një nivel të lartë të dhunës dhe mosbesimit.

Në të dy rastet u përdorën zgjidhje kreative që seriozisht “dobësuan” konceptet e sovranitetit dhe integritetit territorial të të dy anëve që u përfshinë në negociata. Lidhjet e caktuara në mes të Republikës së Irlandës dhe Irlandës Veriore u njohën si legjitime dhe të formalizuara. Qëndrimet e kundërta për statusin e Irlandës Veriore, që ndaheshin prej pjesëve të mëdha të popullatës, duhej të njiheshin si legjitime, që veç se është de facto situata në Kosovë, kur serbët marrin pjesë në qeveri edhe pse nuk e konsiderojnë si shtet të pavarur.

the-prize-of-peace-02

Si në Kosovë, emrat e dyfishtë janë të zakonshëm në vendbanimet e Irlandës Veriore.

Gjithashtu, Republika e Irlandës u përfshi në negociata pavarësisht konfliktit që po ndodhte në Mbretërinë e Bashkuar, shtet sovran dhe një prej fuqive të mëdha evropiane. Parimi i “dykuptimësisë konstruktive” – zgjidhja e konflikteve duke i lënë anash pjesët mbi të cilat nuk mund të arrihet marrëveshje, dhe përdorimi i gjuhës së paqartë – është përdorur edhe në Kosovë, edhe në Irlandë Veriore. Për shembull, Irlanda Veriore nuk është e përcaktuar zyrtarisht as si shtet, as si krahinë, as si provincë; etiketime të ndryshme përdoren prej akterëve të ndryshëm. Ndërsa vendbanime të caktuara kanë emra të dyfishtë si Derry/Londonderry.

Si në Kosovë, nxitja për të zgjidhur këtë konflikt erdhi prej një partisë së tretë, në këtë rast Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që nën presidentin Bill Clinton përdorën diplomaci ndërmjetësuese për të pasur ndikim në të gjitha partitë, që të arrihet marrëveshje. President Clinton vizitoi edhe Belfast, edhe Dublin, e madje edhe i dha Gerry Adams, liderit të Sinn Fein, partisë politike republikane e asociuar me IRA, një vizë të SHBA, kur u takua me të në Uashington. I Dërguari i Posaçëm i SHBA për Irlandën Veriore, ish-senatori George Mitchell, luajti rol të rëndësishëm në procesin e paqës, duke kryesuar bisedimet multi-partiake për paqe, që më vonë rezultuan në Marrëveshjen e së Premtës së Mirë.

Çfarë çmimi ka paqja?

Shembulli i Irlandës Veriore mund të ofrojë mësime dhe paralajmërime të caktuara për ata që zgjidhin konflikte dhe përpiqen të arrijnë paqe të zbatueshme në vende si Kosova.

Mësimi i parë është se arritja e paqës së zbatueshme në rrethana kaq jo të favorshme është tepër e vështirë, edhe në shtete të zhvilluara, demokratike. Për të arritur paqe, palët e përfshira në konfliktin e Irlandës Veriore u detyruan të bëjnë lëshime të dhimbshme dhe të qëndrojnë fuqishëm kundër vijës së ashpër politike, që e shihte si tradhti të interesave kombëtar. Në Irlandën Veriore, si në Kosovë, vija e ashpër politike në të dy anët u përfshi në mekanizmat e ndarjes së fuqisë, pavarësisht qëndrimeve kundërshtuese në çështje kyçe si statusi dhe pretendimet historike në territor. Zbatimi i Marrëveshjes së së Premtës së Mirë ishte proces i gjatë dhe i ngadalshëm, që zgjati me vite, dhe puna e kuvendit të Irlandës Veriore u detyrua të pezullohet disa herë.

Mësimi i dytë është se paqja dhe stabiliteti nuk përfshijnë domosdo unitetin kombëtar dhe krijimin e një identiteti civil të përbashkët. Në Irlandën Veriore, Marrëveshja e së Premtës së Mirë ka pasur sukses në sjellje të paqës dhe stabilitetit pas dekadave të tëra me konflikt të dhunshëm, por edhe ka fuqizuar ndarjet në shoqëri, dhe ka krijuar një sistem politik në të cilin partitë politike dhe identitetet civile e supra-etnike vështirë se shfaqen. Katolikët dhe protestantët në Irlandë Veriore ende përbëjnë pak a shumë shoqëri të ndara, ku qytetet si Belfast ende janë të ndara me mure, me lagje të ndara.

the-prize-of-peace-03

Mure të mëdha ndajnë komunitetet katolike dhe protestante në qytetet më të mëdha të Irlandës Veriore, përfshirë Belfast.

Në Kosovë, ku shohim sfida të ngjashme si ato të Irlandës Veriore, ky çmim mund të jetë njëlloj i lartë për të dy komunitetet, por përfundimisht thelbësor për bashkëjetesën paqësore të tyre, dhe për një të ardhme të përbashkët të mirë. Vetëm koha do ta tregojë.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO