Në thelb | BiH

Mbretëron pasiguria pas lajmërimit të zgjedhjeve në Bosnje

Nga - 10.05.2018

Zgjedhjet e tetorit mund të shkaktojnë kaos politik.

Të martën (8 maj), Komisioni Qendror Zgjedhor i Bosnjes dhe Hercegovinës lajmëroi se do të mbahen zgjedhje të përgjithshme më 7 tetor. Sidoqoftë, fushatat jozyrtare filluan që nga mesi i vitit 2017, kur politikanët e të gjitha partive filluan të spekulojnë për shpalljen e kandidaturave të tyre, për numrin e madh të pozitave zyrtare në nivelin shtetëror dhe atë të  entitetit, të cilat bëjnë pjesë në sistemin kompleks të ndarjes së pushtetit në Bosnje.

Në prill 2017, Federata – një prej dy entiteteve politike brenda Bosnjes – u trondit nga thashethemet se Sebija Izetbegović, bashkëshortja e anëtarit boshnjak të Presidencës tripartiake, Bakir Izetbegović, planifikonte të garonte për pozitën e bashkëshortit të saj, ndërsa në Republika Srpska – entiteti tjetër – presidenti aktual Milorad Dodik, në një lëvizje provokuese, lajmëroi se në tetor 2017 do të jetë “sigurt president i diçkaje”. Më vonë ai konfirmoi se do të garonte për Presidencën shtetërore.

Spekulimet vazhduan me të njëjtin intensitet në vitin 2018, pavarësisht këshillave të ekspertëve se një periudhë e tejzgjatur e zhvillimit të fushatës jozyrtare mund të shkaktojë “një bllokadë të vazhdueshme institucionale”, e cila i dëmton interesat jetike të shtetit dhe i vonon reformat e domosdoshme.

Drejtori i bankës qendrore të Bosnjes paralajmëroi se standardet e jetës mund të mos përmirësohen sivjet për shkak se “fokusi mund të jetë në çështje politike, e jo në ato ekonomike”. Por mundësia e stagnimit të rritjes ekonomike nuk është i vetmi rrezik që paraqitet nga fushata e stërzellshme për pushtet në Bosnje.

Sipas ekspertëve, një ngërç i gjatë i lidhur me legjislacionin e zgjedhjeve mund të bëjë që rezultatet e votimit në tetor të mos zbatohen fare, e kjo mund ta shkaktojë një paralizë politike dhe kushtetuese.

Origjina e paralizës shtetërore

Origjina e ngërçit aktual daton që në vitin 2016, kur opozita multietnike, Partia Social Demokratike (SDP) e emëroi një kroat të Bosnjes, Željko Kornšić, si kandidat për Presidencën trianëtarëshe boshnjake. Më pas, ai fitoi pushtetin si rrjedhojë e votave të përziera të boshnjakëve dhe kroatëve.

Bodo Weber, një zyrtar i lartë në OJQ Democratization Policy Council, argumenton se, pavarësisht faktit se kjo lëvizje ishte ligjërisht korrekte, ajo e ka shkelur mirëkuptimin e pashkruar ndërmjet politikanëve të Bosnjes, pasi që ulëset në Presidencë janë të rezervuara për anëtarët e tri partive më të mëdha politike etnike.

Në vitin 2016, Božo Ljubiç, një politikan kroat i Bosnjes, e dorëzoi një ankesë tek Gjykata Kushtetuese e Bosnjes dhe Hercegovinës, si reagim i vonshëm ndaj zgjedhjes së Kornšić, duke kërkuar vlerësimin e kushtetueshmërisë së legjislacionit zgjedhor. I mbështetur nga Bashkimi Demokratik Kroat i Bosnjes dhe Hercegovinës (HDZ BiH), parti konservatore dhe nacionaliste, ai pretendoi se legjislacioni po i diskriminonte kroatët për shkak se lejonte që boshnjakët, të cilët dominojnë në numra, të votojnë për një përfaqësues të kroatëve.

Mund të jetë i pamundur jo vetëm formimi i Shtëpisë së Popujve në Parlamentin e Federatës, por edhe formimi i Shtëpisë së Popujve në Parlamentin shtetëror.

Në dhjetor 2016, Gjykata Kushtetuese e pranoi pjesërisht apelin e Ljuvić dhe i anuloi disa nene të Ligjit Zgjedhor të Bosnjes. Duke e bërë këtë, ata e shfuqizuan edhe bazën ligjore për themelimin e Shtëpisë së Popujve në Parlamentin e Federatës.

Për shkak se partitë politike ende nuk kanë arritur marrëveshje për ta mbushur zbrazëtinë e mbetur nga dispozitat e anuluara, mund të jetë i pamundur jo vetëm formimi i Shtëpisë së Popujve në Parlamentin e Federatës, por edhe formimi i Shtëpisë së Popujve në Parlamentin shtetëror, anëtarët e së cilit zgjedhen nga parlamentet e nivelit të entiteteve. Gjithashtu, Federata do të mbetej pa president dhe zëvendës president, të cilët zgjedhen nga Shtëpia e Popujve, ndonëse Presidenca e nivelit shtetëror nuk do të ndikohej në mënyrë direkte për shkak se këto pozita zgjedhen në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Në mars 2018, Lars Gunnar Wigemark, Përfaqësues Special i Bashkimit Evropian në Bosnje dhe Maureen Cormack, Ambasadore e SHBA-së në Sarajevë, i bënë thirrje politikanëve boshnjakë dhe kroatë të Federatës së Bosnjes që ta “demonstrojnë lidershipin e tyre nëpërmjet kompromisit” dhe të arrijnë një marrëveshje për dispozitat e kontestuara para se të thirreshin zgjedhjet e reja.

Megjithatë, Valentino Grbavac, zyrtar në Institutin për Hulumtime Sociale dhe Politike në Mostar, beson se nuk ka shumë gjasa që do të gjendet një zgjidhje para tetorit. Ai paralajmëron se “nëse nuk zgjidhet kjo çështje nga politikanët e Bosnjes para zgjedhjeve, atëherë mund të jetë e pamundur të rregullohet më pas, për shkak se organi legjislativ thjeshtë nuk do të jetë aty për t’u marrë me të”.

Megjithëse, teorikisht, Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) i Bosnjes mund të ndërhyjë dhe të projektojë një mekanizëm të ri, i cili do të lejonte zgjedhjen e delegatëve për Shtëpinë e Popujve të Parlamentit të Federatës, në mënyrë që të shmanget një paralizë politike. Por, Grbavac është i pasigurt se kjo alternativë do të funksionojë.

Ai thekson se ndryshimet në Ligjin Zgjedhor, për shkak se burojnë nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese, duhet të zbatohen nëpërmjet mjeteve legjislative dhe KQZ nuk ka pushtet për të nxjerrë ligje.

Pas lajmërimit të zgjedhjeve, Presidentja e KQZ, Irena Hadžiabdić, gjatë një konference për shtyp të martën, tha se Parlamenti i nivelit shtetëror duhet të bëjë amendamente për Ligjin Zgjedhor para se të mbahen zgjedhjet. Sipas saj, ndonëse KQZ mund ta miratojë një urdhëresë si shpresë të fundit, kjo mund të paraqesë sfida të mëdha ligjore. Hadžiabdić gjithashtu ceku se, vetëm nëse gjindet ndonjë zgjidhje para marsit të vitit 2019, me kohë për ta formuar një qeveri të re dhe për ta miratuar buxhetin, Bosnja do të përballet me një “bllokadë totale”.

Grbavac thekson se rrethanat aktuale e lënë Bosnjen në një situatë “të pashembullt”.        “Ka mundësi që situata të jetë aq jetike sa që të gjithë do ta mbyllin njërin sy dhe do të jenë të kënaqur që kemi gjetur zgjidhje”, thotë ai, duke shtuar se për shkak të paligjshmërisë kushtetuese, miratimi i një urdhërese nga KQZ, në të ardhmen, mund të çojë deri te një gjykim tjetër në Gjykatën Kushtetuese.

“Ose, disa parti politike, të pakënaqura me zgjidhjen, mund t’i bojkotojnë zgjedhjet me justifikimin se rregullat po ndryshohen në mes të fushatës dhe se është diçka jodemokratike”, shton ai.  

Gjykime të pazbatuara

Dhënë paaftësisë së politikanëve lokal për të arritur kompromis, disa kanë kërkuar përgjigje tek akterët e palës së tretë.

Eric Gordy, Profesor i Sociologjisë Politike dhe Kulturore në Shkollën e Studimeve Sllavonase dhe të Evropës Lindore të University College London, beson se ndërhyrjet e jashtme i kanë zgjidhur disa konflikte në Bosnje në të kaluarën. Por ai pretendon se aspekti negativ i një qasjes së tillë është se bllokohet zhvillimi i kapacitetit të institucioneve demokratike. “Zakonisht këto marrëveshje bëhen në mënyrë joformale dhe institucionet aktuale të përfaqësimit të cilat janë të themeluara në Kushtetutë nuk e kryejnë punën e tyre”, thotë Gordy.

Rasti Ljuvić është vetëm një nga disa gjykime të cilat kanë gjetur parregullsi në Ligjin Zgjedhor të Bosnjes në vitet e fundit. Gjatë dekadës së fundit, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, e bazuar në Strasburg, i ka bërë tri gjykime të cilat kërkojnë ndryshimin e Kushtetutës së Bosnjes.

Gjykimi i vitit 2009 Sjedić-Finci e shpalli të paligjshme kërkesën kushtetuese që kandidatët për Presidencën tripartiake dhe për Shtëpinë e Popujve të jenë pjesëtarë të një prej grupeve përbërëse etnike – boshnjakët, serbët dhe kroatët – për shkak se i përjashton çifutët, romët dhe minoritetet e tjera, duke iu pamundësuar që të garojnë për pozita politike. Ky gjykim u reflektua në gjykimin Zorniç 2014, ndërsa rasti Pilav në vitin 2016 shtoi presion ndaj shtetit për ta ndryshuar kushtetutën, për shkak se në të u deklarua se qytetarët duhet të kenë mundësi të garojnë për këto tri pozita të Presidencës së nivelit shtetëror, pa marrë parasysh se në cilin entitet jetojnë. Megjithatë, deri më sot, nuk është zbatuar asnjë prej këtyre gjykimeve.

Gordy beson se partitë politike në Bosnje “i zgjedhin gjykimet ndërkombëtare ashtu siç u përshtatet dhe i interpretojnë ashtu siç duan”. Ai thekson se “po të ishte zbatuar Sjedić-Finci, nuk do të kishte bazë për konfliktin aktual, për shkak se shteti do t’i garantonte të drejtat e qytetarëve individual për përfaqësim politik”.

Në vitin 2016, Jakob Finci, përfaqësues i komunitetit të çifutëve në Bosnje dhe njëra palë e rastit Sejdić-Finci, tha se ky gjykim ishte transformuar në një “çështje kroate”, për shkak se lideri i HDZ BiH dhe anëtari kroat i Presidencës, Dragan Čović, kishte bërë përpjekje ta shfrytëzonte atë në favor të amendamenteve për Ligjin Zgjedhor të cilat i referohen zgjedhjes së anëtarit kroat të Presidencës.

“Elitat nuk do të jenë pjesë e zgjidhjes. Ato duhet t’i ngrehim zhag kah e ardhmja”

Kurt Bassuener, Democratization Policy Council

Tri gjykimet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut gjithashtu ringjallën debatin për natyrën e Marrëveshejes Dayton. Marrëveshjet të cilat i dhanë fund luftës në Bosnje në vitin 1995 asnjëherë nuk kishin për qëllim qeverisjen e këtij shteti për një periudhë të gjatë kohore, por 23 vjet pas armëpushimit, Aneksi 4 i Marrëveshjes ende shërben si Kushtetutë e Bosnjes. Zbatimi i çdonjërit prej këtyre gjykimeve implikon rishikimin e Kushtetutës dhe ndryshimin e vet natyrës së shtetit.

Kurt Bassuener, një bashkëthemelues dhe zyrtar i lartë i Democratization Policy Council, beson se elitat politike etno-nacionaliste të Bosnjes i kanë rezistuar ndryshimit sepse përfitojnë nga një sistem ku ata kryesojnë mbi ndarjet etnike. Ai thekson se “elitat nuk do të jenë pjesë e zgjidhjes. Ato duhet t’i ngrehim zhag kah e ardhmja”.

“Poenta është të reduktohet në mënyrë radikale përparësia e tyre duke i çarmatosur, gjegjësisht duke ua marrë dy veglat kryesore: aftësinë për t’i frikësuar njerëzit dhe aftësinë për të blerë paqe shoqërore nëpërmjet patronazhit”, shton Bassuener.

Një pyetje e shtruar gjerësisht në Bosnje është, se a ka potencial ngërçi aktual të bëhet test dhe tregues vendimtar për strukturën e brishtë politike dhe të shkaktojë një shpërthim të armiqësive të ringjallura.

Grbavac ka frikë se po të mos formohet një qeveri e re deri në fillim të vjeshtës, buxheti nuk do të miratohet para afatit përfundimtar ligjor, më 31 mars, 2019. Si rrjedhojë e kësaj, pensionet dhe rrogat e punëtorëve të sektorit publik nuk do të paguhen. Ai thotë se ky skenar mund ta shkaktojë një “rrënim total të gjithë sistemit social dhe politik”.

Megjithatë, Bassuener beson se ky është alarmizëm që buron nga fakti se ata të cilët mundohen ta shesin këtë rrëfenjë po bazohen në “mungesën e marrëveshjes dhe aftësisë për ta formuar qeverinë. Por konflikti dhe shpërbërja e shtetit mund të parandalohet, pa marrrë parasysh çfarë ndodh në zgjedhje”.

Ai thekson se ngërçi aktual “nuk ka të bëjë me kroatët apo HDZ BiH. Kjo lidhet me Dragan Čović, gjegjësisht me përpjekjet e tij për t’u siguruar që të mos ketë më mundësi ta sfidojë ndokush jashtë komunitetit kroat. Kjo është agjendë e mbajtjes së postit, e portretizuar si agjendë e mbrojtjes së të drejtave kolektive”.

Sipas Gordy, “duhet t’i shohim rezultatet e zgjedhjeve. Nëse partitë e krahut të djathtë i fitojnë ulëset e deleguara për kroatët, atëherë nuk do të ketë konflikt”.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO