Në thelb | Politika

Ku është e majta e Kosovës?

Nga - 09.07.2018

Analizë e partive bashkëkohore politike të krahut të majtë në Kosovë.

Në afro dy dekada prej fundit të luftës, qeveria e Kosovës asnjëherë nuk është drejtuar nga një parti e orientuar nga krahu i majtë. Megjithatë, ndikimi i partive që e identifikojnë vetën me të majtën është shtuar së fundmi, veçanërisht pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura në qershor 2017. Në legjislaturën aktuale, Kuvendi i Kosovës ka 37 deputetë prej partive që vetëdeklarohen se ideologjikisht janë të pozicionuar kah qendra e majtë.

Në vitet e fundit, politikat e majta në Kosovë kanë qenë të fokusuara kryesisht rreth Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), e cila fillimisht garoi në zgjedhje në vitin 2010 dhe u regjistrua zyrtarisht si parti vitin e kaluar. LVV arriti rezultatet më të mira zgjedhore në historinë e saj në zgjedhjet parlamentare të verës së kaluar, kur i fitoi 32 ulëse në Kuvendin e Kosovës, duke u bërë partia më e madhe që garoi si e vetme në zgjedhjet e fundit.

Ky numër u reduktua në masë të madhe në mars të këtij viti, kur 12 deputetë të LVV-së e lanë partinë dhe e themeluan Grupin e Deputetëve të Pavarur. Në të njejtën javë, deputetja Donika Kadaj-Bujupi gjithashtu u largua nga LVV dhe u rikthye te Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), duke e lënë LVV-në me 19 deputetë.

Grupi i Deputetëve të Pavarur më pas iu bashkuan Partisë Social Demokrate të Kosovës (PSD), e cila është transformuar nga një parti e vogël në një prej partive me përfaqësim më të rëndësishëm në Kuvendin e Kosovës. Tani kjo parti drejtohet nga Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili gjithashtu e la LVV-në këtë vit.

Ndërkohë, Nisma për Kosovë, që ka gjashtë deputetë dhe drejton katër ministri si pjesë e koalicionit aktual qeverisës, më herët gjatë vitit u ribrendua duke marrë emrin Nisma Social Demokrate. Edhe kjo parti deklarohet se anon nga qendra e majtë.

Teoritikisht, e majta e Kosovës tani i ka tri parti që garojnë për vota. Por si zhvillohet kjo në praktikë? Çfarë do të thotë të jesh parti e krahut të majtë në Kosovë? Dhe a mund të qeveriset Kosova nga partitë e krahut të majtë? Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve, është e rëndësishme ta analizojmë kontekstin në të cilin e gjen vetën politika kosovare, si dhe historinë e majtizmit në Kosovë.

Epokë e re

Kur Slobodan Milošević e shfuqizoi autonominë e Kosovës brenda Jugosllavisë në vitin 1989, rrethanat e politikës kosovare ndryshuan, për shkak se aspiratat separatiste u zhvilluan edhe më tej në mesin e shqiptarëve të Kosovës. Në kontekst më të gjërë, fundi i viteve të 80-a dhe fillimi i 90-ave nisi me rënien e Komunizmit përgjatë Evropës qendrore dhe lindore, dhe Kosova nuk mund të bënte përjashtim nga kjo valë e ndryshimeve.

Lidhja Komuniste e Kosovës, e cila ishte e lidhur me Marksizëm-Leninizëm dhe Titoizëm, pushoi së ekzistuari prej tetorit të vitit 1990, duke krijuar hapësirë për parti dhe ideologji të reja politike. Në mesin e shqiptarëve të Kosovës, kjo hapësirë u mbush kryesisht nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe lideri i saj, Ibrahim Rugova.

Brenda Kosovës, kundërshtarët kryesor të LDK-së ishin individët e organizuar në Lëvizjen Popullore të Kosovës (LPK), e cila asocionte më shumë Marksizëm dhe Leninizëm. Përderisa këto dy organizata dallonin sa i përket ideologjisë politike, për shkak se LDK-ja përvetësonte vlera më konservatore, çështjet e adresimit të separatizmit nga Jugosllavia dhe marrëdhëniet me Shqipërinë ishin ato që i përcaktuan dy grupet, dhe politikën kosovare në përgjithësi.

Njëri nga themeluesit e Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, beson se organizatat e etiketuara si të krahut të majtë në vitet e 80-a dhe 90-a merreshin më shumë me pozitën e Kosovës sesa vet ideologjinë e majtë. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Siç thotë Glauk Konjufca, njëri nga themeluesit e LVV-së, e majta në Kosovë para 1999-ës ishte e organizuar në grupe të cilat merreshin më shumë me pozitën e Kosovës brenda Jugosllavisë se që bënin debat për majtizmin apo ndonjë platformë tjetër ideologjike.

Ndonëse i kam shqyrtuar dokumentet e LPK-së, nuk kam parë ndonjë debat intelektual për Marksizmin, Leninizmin, pozicionet globale apo problemet e së majtës”, thotë Konjufca për K2.0. “Kjo më bënë të mendoj se ideologjia e tyre ishte e ndikuar nga rrethanat gjeopolitike në rajon:  shqiptarët janë të ndarë, piemonti i përfaqësimit tonë është Shqipëria, Shqipëria është e Enver Hoxhës dhe pozicionimi ynë duhet me qenë me Enver Hoxhën sepse brenda Jugosllavisë [shqiptarët] jemi të ndarë”.

Më vonë, figura kyçe të LPK-së ishin të angazhuara në organizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) e cila në fund të 90-ave nisi veprimet e armatosura kundër aparatit shtetëror serb. Lidershipi i UÇK-së u etiketua kryesisht si i ndikuar nga idetë e marksiste-leniniste, por bashkimi me Shqipërinë mbeti kauza kryesore e UÇK-së, dhe për këtë u betua çdo ushtar i UÇK-së.

Pas ndërhyrjes së NATO-s, instalimit të administratës së OKB-së në Kosovë (UNMIK) dhe demilitarizimit të UÇK-së, disa prej këtyre figurave iu kthyen jetës politike duke e formuar Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), lidershipi i së cilës ishte i përfshirë në UÇK. Kreu i krahut politik të UÇK-së, Hashim Thaçi, u bë kryetar i partisë, ndërsa Jakup Krasniqi dhe Xhavit Haliti ishin poashtu figura kyçe në të dyja organizatat.

Përgjigjje ndaj ndikimit ndërkombëtar dhe politikave të krahut të djathtë

Qeverisja e OKB pas luftës e la Kosovën me një strukturë të qeverisjes që shumëkush e sheh sot që anonte drejt politikave të djathta. Artan Mustafa, është hulumtues dhe ligjërues i politikave shtetërore të mirëqenies. Ai beson se Misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), që e administroi Kosovën bashkë me organizata tjera ndërkombëtare deri kur Kosova shpalli pavarësinë, çimentoi politikat neoliberale të cilat i favorizojnë pozitat tjera ideologjike, por jo të majtën.

Banka Botërore i ka vendosur kornizat institucionale në Kosovën e pasluftës duke këshilluar UNMIK-un, por poashtu duke pasë ndikim tek donatorët kryesorë”, tregon Mustafa për K2.0. “Rrjedhimisht, ata poashtu kanë ndikuar tek proceset politike duke prezantuar politikat neoliberale në ekonomi”.

Pjesë e këtyre politikave neoliberale, si dhe një nga çështjet më të njohura politike të asaj kohe, ishte privatizimi i kompanive që ishin prona shtetërore. Komuniteti ndërkombëtar luajti rol jetik në këtë proces. LDK dhe PDK e mbështetën këtë proces të privatizimit. Kjo e fundit me sa dukej i kishte braktisur të gjitha elementet e ideologjisë marksiste të UÇK-së.

Në këto rrethana u formua Lëvizja Vetëvendosje në vitin 2005. Më vonë ajo inkorporoi disa figura të vjetra të LPK-së, të cilët ishin të pakënaqur me sjelljet politike të PDK-së. Themeluesit e saj theksuan pakënaqësinë me procesin e privatizimit, si dhe mungesën e zgjidhjes së statusit final të Kosovës sipas vullnetit të shumicës, si arsye për themelimin e lëvizjes, e cila nisi me shprehje të pakënaqësive nëpër rrugë.

Ata gjithashtu e kundërshtuan atë që e përshkruanin si rol hegjemonist të komunitetit ndërkombëtar, rol ky që ata mendonin po mbështetej nga politikanët e korruptuar lokal. Kjo marrëdhënie me komunitetin ndërkombëtar ende i karakterizon shumë prej partive të krahut të majtë në Kosovën e sotme.

Pavarësisht faktit që e la Vetëvendosjen për Partinë Social Demokrate, Visar Ymeri vazhdon të jetë kritik i zëshëm i rolit të komunitetit ndërkombëtar në Kosovën e pasluftës. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Për Visar Ymerin, ish-kryetarin e LVV-së dhe nënkryetarin aktual të Partisë Social Demokrate, ndërhyrja e komunitetit ndërkombëtar ka patur ndikim shumë negativ që shkon përtej pasojave ekonomike.

“Në njërën anë e kanë dëmtuar ekonominë e Kosovës, dhe e dyta ka pasë edhe nga ambasadorë të caktuar një luftë të papranueshme karshi një subjekti politik [Lëvizjes Vetëvendosje] që ka pasur qëndrim kritik ndaj çështjeve të caktuara, duke na etiketuar si anti-amerikanë, anti-evropianë, jugosllavë e kështu me radhë”, deklaron Ymeri. “Kjo e ka dëmtuar demokracinë sepse ka lënë përshtypjen se shoqëria duhet të mendojë me homogjenitet, derisa kjo nuk ndodh në shtetet prej nga vijnë këta diplomatë”.

Flamuj dhe simbole

Në ditët e para si lëvizje protestuese, LVV e kritikoi gjithashtu dëmin që iu shkaktua sovranitetit të Kosovës, dhe e kritikoi procesin e shpalljes së pavarësisë në vitin 2008. Ata ishin veçanërisht të zëshëm për çështje që lidheshin me simbole, me flamurin dhe himnin e shtetit.

Ymeri, i cili në atë kohë ishte i zëshëm kundër këtyre proceseve, vazhdon të besojë se këto simbole nuk e reflektojnë vullnetin e popullit. “Sigurisht që ne i njohim si simbole të Kosovës, dhe deri në momentin që do të ndryshohen, këto do të jenë simbole të Kosovës, por kjo nuk do të thotë se ne pajtohemi me to”, thotë Ymeri.

Fokusi në çështjet e simboleve dhe identitetit kombëtar shpeshherë është përdorur si kritikë e partive që e përshkruajnë vetën si ta krahut të majtë, veçanërisht LVV. Kritikët shpeshherë e përshkruajnë këtë parti si parti nacionaliste, më shumë se sa parti e krahut të majtë.

Konjufca i LVV-së beson se pjesa më e madhe e teoricientëve të krahut të majtë nuk e përjashtojnë nacionalizmin nga vizioni i tyre. “Brenda Marksizmit dhe Leninizmit, zgjidhja e çështjeve nacionale është me shumë rëndësi”, thotë ai, duke dhënë shembuj të bashkëjetesës së tillë ndërmjet të majtës dhe nacionalizmit në Evropë. “E shoh Vetëvendosjen si Sinn Fein [Partia Republikane Irlandeze]. Ata poashtu janë të majtë dhe nacionalistë që duan ta bashkojnë Irlandën dhe nuk ka asgjë të keqe këtu”.

Mendoj se çka duhet të ndodhë sot e veçanërisht në Republikën e Kosovës është që politika duhet të ikë nga identiteti etnik."

Visar Ymeri, nënkryetar i Partisë Social Demokrate.

Ymeri i Partisë Social Demokrate gjithashtu beson se diskutimet për identitetin kombëtar nuk i përjashtojnë bisedat për të majtën. Megjithatë, largimi i Ymerit nga LVV me sa duket ka sjellur një ndryshim të retorikës. “Mendoj se çka duhet të ndodhë sot, e veçanërisht në Republikën e Kosovës, është që politika duhet të ikë nga identiteti etnik, sepse kjo krijon shkatërrimin e një fotografie të një republike të barabartë për të gjithë qytetarët”, thotë ai për K2.0.

Sead Zimeri është ligjërues i filozofisë në Universitetin e Trømsos në Norvegji. Pavarësisht faktit se është kritik i nacionalizmit të Vetëvendosjes, ai beson se debati për këtë temë është tepruar dhe shpeshherë nuk e njeh kontekstin në të cilin ka operuar shoqëria kosovare.

Është absurde të kërkosh një lëvizje apo parti të mos e reflektojë [nacionalizmin dhe çështjet identitare], sepse nacionalizmi ka qenë, në njëfarë mënyre, mënyra e vetme që shqiptarët e Kosovës e kanë identifikuar vetveten dhe sigurisht që as Vetëvendosje nuk mund të i ikë kësaj”, thotë Zimeri.

Mustafa argumenton se nacionalizmi ekziston përgjatë gjithë spektrit politik në Kosovë, dhe se është përdorur gjithmonë për të fituar mbështetje. “Nacionalizmi historikisht ka shërbyer për të fituar vota dhe pushtet, që prej PDK-së në fillimet e saja e deri te LDK-ja”, thotë ai.

Lindja e Nismës

Në vitin 2013, një përçarje brenda PDK-së çoi deri te krijimi i Nismës për Kosovë, apo Nismës Social Demokrate, siç është riemëruar së fundmi. Ndonëse LVV shpeshherë është përballur me akuza të nacionalizmit, Nisma Social Demokrate shpesh përballet me akuza të tjera.

Lidershipi i partisë, Fatmir Limaj dhe Jakup Krasniqi, ishin figura kyçe në PDK para përçarjes dhe historia e tyre në qeverisje, në PDK dhe prej formimit të partisë, shpeshherë i ka shtyer kritikët për ta vënë në dyshim besimin e tyre në vlerat e krahut të majtë të cilat i përkrahin në letër.

“Në thelb, sa i përket stilit të tyre të qeverisjes, Nisma është e ngjashme me tjerat”, thotë Artan Mustafa për K2.0. “Modeli i tyre klientelist është edhe më intenziv, pasi lidershipi i tyre ka qenë në krye të institucioneve në vitet e pasluftës kur politikat neoliberale janë kornizuar në Kosovë”.

Frank Hantke është Drejtor i Friedrich-Ebert-Stiftung (FES) në Prishtinë, një fondacion që promovon vlera social demokrate. Për Hantke, parimet social demokratike të përkrahura nga Nisma Social Demokrate janë vetëm teorike dhe se pragmatizmi është vlerë thelbësore e veprimeve politike të tyre. “Nisma e sheh se prej nga fryen era dhe pjesën e tortës së tyre”, thotë ai.

K2.0 i kontaktoi deputetët e Nismës Social Demokrate, Bilal Sherifi dhe Haxhi Shala, për të diskutuar për këto çështje, por nuk morri përgjigje.

Dëshira për pushtet

Ndonëse Nisma Social Demokrate në vitin 2017 hyri në koalicion me parti të qendrës së djathtë, AAK dhe PDK, duke ja siguruar vetës një vend në koalicionin aktual qeverisës gjatë këtij procesi, ndarja e pushtetit dhe sigurimi i rolit në qeverinë qendrore nuk e kanë përcjellur partinë më të madhe të krahut të majtë, Lëvizjen Vetëvendosje.

Ndonëse LVV u bë partia më e madhe pas zgjedhjeve të qershorit të vitit 2017, ajo nuk arriti të krijojë koalicionin paszgjedhor që do të çonte deri te formimi i qeverisë, e drejtuar nga themeluesi i partisë, Albin Kurti. U bënë përpjekje, veçanërisht me LDK-në, por në fund nuk u arrit marrëveshja për koalicion dhe roli në qeverinë qendrore i iku partisë për herë të tretë.

Për Konjufcën, Lëvizja Vetëvendosje nuk duhet të ketë frikë nga pushteti dhe nuk duhet të besojë vetëm në ‘të majtën utopike’. “Siç thotë [Slavoj] Žižek, ne nuk duhet të frikësohemi nga pushteti. Ai kritikon njëfarë të majte utopike që don me e ruajtë virgjërinë praktike në emër të njëfarë teorie”, thotë Konjufca para se të shtojë, “Mendoj se duhet me e provu pushtetin. E kupton ideologjinë më mirë kur je në pushtet”.

Frank Hantke, drejtori i FES, beson se partitë e krahut të majtë në Kosovë mund të realizojnë ndryshime reale vetëm nëse hynë në pushtet. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Për Hantke, pa hyrë në pushtet, diskursi i Vetëvendosjes është i pamjaftueshëm për të sjellë ndryshime. “Atyre u thash se mund të rrinë në opozitë dhe të jenë 100 përqind të pastër, por ndryshime mund të realizojnë vetëm kur janë në pushtet, veçanërisht në vende si Kosova, në të cilat opozita nuk ka fuqi reale”, thotë ai.

Ndonëse Hantke pretendon se LVV është e vetmja parti e krahut të majtë e cila ka mundësi të qeverisë në Kosovë, ai gjithsesi e identifikon faktin se një prej problemeve kryesore është se Vetëvendosje ende nuk operon si parti, por si lëvizje.

“Ata ende sillen ndonjëherë si lëvizje dhe kjo e bënë të vështirë që ne, të Evropës Perëndimore, t’i kuptojmë ata si parti, për shkak se Evropa Perëndimore nuk pranon gaz lotsjellës në Kuvend”, thotë Hantke, duke iu referuar protestave të deputetëve të LVV-së kundër marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.

Zimeri beson se për të ardhur në pushtet, LVV duhet të ndryshojë rrënjësisht. “Është nevojë politike që nëse Vetëvendosje dëshiron të menaxhojë me shtetin, nuk ka alternativë tjetër përpos se ta zbusë diskursin e vet dhe t’i pranojë rregullat e kapitalizmit”, thotë ai.

Megjithatë, për ndryshim nga Hantke, Zimeri beson se ndikimi i kësaj organizate do të kishte qenë më i dukshëm po të mos ishte transformuar fare në një parti politike. Ai mendon se LVV duhet t’i kthehet rrënjëve të saj si lëvizje dhe të mbetet si ‘shkollë politike’. “Ky imazh kompromentohet kur bëhesh parti, edhe atëherë kur interesat e partisë janë ato të shoqërisë”, thotë ai.

Kë e përfaqëson?

Çështja se sa e përfaqësojnë shoqërinë, veçanërisht elementet më ekonomikisht të pafavorizuara të saj, është kyçe për partitë e krahut të majtë në Kosovë. Mbështetja e Nismës Social Demokrate është kryesisht e rajonalizuar në Malishevë, e jo e bazuar në klasa. Niveli i mbështetjes për partinë e re ende nuk është matur në kutitë e votimit, por një sondazh i zhvilluar javën e kaluar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) tregoi se PSD kanë 2.4 përqind të votës.

Baza e LVV-së është e përhapur nëpër Kosovë, por besohet se shumë pak ka mbështetje nga 29 përqindëshi i popullsisë së Kosovës që jeton në varfëri relative. “Kur i kam lexuar disa studime sociologjike, e pashë se pjesa dërrmuese e votuesve [të LVV-së] janë të klasës së mesme dhe të lartë”, thotë Konjufca për K2.0. “Kjo do të thotë se LVV nuk po i përfaqëson të varfërit. Është pak e çuditshme sepse gjithmonë kam menduar se LVV mbështetet nga masat e varfëra”.

Për më tepër, edhe Konjufca thotë se votuesit e LVV-së thuhet të jenë më urban dhe me nivele më të larta të arsimimit. Kjo teori mbështetet nga performanca praktike e LVV-së në zgjedhje lokale, ku partia i ka fituar kryesimin në dy qytetet më të mëdha të Kosovës, Prishtinë dhe Prizren.

Hulumtuesi dhe ligjëruesi i politikave sociale Artan Mustafa beson se mbështetja e LVV-së përbëhet kryesisht nga shtresa urbane dhe intelektuale, dhe se i mungon koalicioni i klasave që i karakterizon partitë social demokratike të perëndimit. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Mustafa e përdorë të njejtën analizë. “LVV e ka mbështetjen e një klase urbane, intelektuale e cila është marrë me veprime politike”, thotë ai, duke shtuar se edhe anëtarët e partisë kanë tendencë të jenë nga i njëjti grup shoqëror. “Dalëngadalë ka fillu me u profilizu si parti social demokrate por kurrë nuk ka arritë me e bë një koalicion me shtresat, që i karakterizon partitë social demokrate në perëndim”.

Hantke pajtohet në pretendimin e Mustafës dhe shpreson për më shumë politika praktike për klasën punëtore nga kjo parti. Ai gjithashtu e kritikon Vetëvendosjen duke thënë se fokusohet vetëm në intelektualizëm. “Duhet ta ndryshojnë qasjen pjesërisht, sepse duhet t’i fitojnë edhe votat e njerëzve që nuk e kanë lexuar Marksin. Ata duhet të jenë të kuptueshëm për të gjithë”, thotë ai.

Ymeri i PSD-së është vetëkritik dhe reflekton duke thënë se e majta duhet të bëjë më shumë, veçanërisht për ta mbështetur klasën punëtore. “Ne flasim për punëtorët vetëm me 1 maj ose kur humb jetën ndonjë punëtor në industrinë e ndërtimit, por kryesisht pjesëve tjera të kohës nuk ua kushtojmë fare vëmendjen punëtorëve, e veçanërisht partitë social demokrate duhet me të madhe të flisnin për ta”.

Ligjëruesi i filozofisë Sead Zimeri mendon se e majta e Kosovës duhet të jetë shumë më e fokusuar në çështjen e të drejtave të punëtorëve dhe mbrojtjes së fuqisë punëtore. Foto nga Sead Zimeri.

Për Zimerin, e gjithë energjia dhe fokusi i së majtës duhet të jetë tek mbrojtja e të drejtave të fuqisë punëtore. “Të drejtat e punëtorëve duhet të jenë ideali i së majtës në Kosovë. E majta në Kosovë, veçanërisht LVV, nuk ka zgjidhje tjetër përpos ta ndjekë këtë ideal”, thotë ai. “Mbrojtja e të drejtave të punëtorëve, duke mos i lënë njerëzit të shfrytëzohen në mënyrë të padinjitetshme―këto janë probleme lokale dhe jo të kapitalizmit”.

Për Mustafën, këto çështje kanë mbetur në hije nga nacionalizmi dhe çështjet e vazhdueshme që lidhen me mos konsolidimin e shtetësisë së Kosovës. “Nuk ka qenë në top agjendë të Vetëvendosjes problemi i pabarazisë ekonomike”, thotë ai. “Gjithmonë kanë qenë si temë këto gjërat që kanë të bëjnë me nacionalizmin dhe sigurisht kjo ka ardhë si pasojë e mospërmbylljes së shtetësisë”, shton ai.

Për Hantke, të gjitha partitë e krahut të majtë në Kosovë kanë dështuar ta krijojnë një program të qartë që sjellë ndryshime praktike ekonomike në shoqëri. “Askush nuk po flet për lidhjet e fuqishme ndërmjet arsimit dhe tregut të punës”, thotë ai. “Askush nuk po flet për lidhjet ndërmjet tregut të punës, arsimit, aftësive, punësimit dhe biznesit”.

Ndonëse është vetëkritik, Konjufca prapëseprapë beson se politikat e krahut të majtë të cilat u prezantuan nga LVV arritën rezultate të mira. “Plani katërdhjetë pikësh mund të ketë pasur ndikim në rritjen 100 përqind të votës për Vetëvendosjen”, thotë ai, duke iu referuar rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar. “Vetëvendosje ka prezantuar masa të drejtëpërdrejta të majta, sikurse themelimin e një Banke Kombëtare – sepse ne jemi kundër bankave që po i rrjepin qytetarët – apo themelimin e Fondit për fëmijët. Të gjitha këto janë politika të majta”.

"E majta duhet të luftojë për të drejtat e grupeve të margjinalizuara, qofshin ato religjioze, etnike, seksuale apo çfarëdo komuniteti tjetër"

Sead Zimeri, ligjërues i filozofisë

Ndonëse LVV nuk e pati mundësinë ta zbatojë planin 40 pikësh në nivel kombëtar, programi i tyre është testuar në nivel lokal në komunën e Prishtinës, pasi kandidati i partisë i fitoi zgjedhjet komunale në vitin 2013 dhe 2017. Në mandatin e vitit 2013, kryetari aktual Shpend Ahmeti, i cili tani drejton PSD-në, e zbatoi një projekt të cilin e ndërtuan gjatë kohës sa ishte pjesë i LVV, dhe i cili kishte në qendër arsimin dhe shëndetësinë.

Mustafa ka një pikëpamje ambivalente për mandatin e parë të Ahmetit. “Shërbimet u përmirësuan, taksat për të pasurit u rritën pak, dhe të gjitha këto ishin hapa të mirë”, shpjegon ai, por shton se këto janë prapëseprapë rezultate zhgënjyese për një parti me diskurs kaq majtist të proklamuar ndër vite.

Analistët e tjerë gjithashtu mendojnë se diçka i mungon këtij diskursi. Zimeri beson se e majta duhet të luajë rol më emancipues në shoqëri dhe të jetë më e zëshme për kauza të tjera. “E majta duhet të luftojë për të drejtat e grupeve të margjinalizuara, qofshin ato religjioze, etnike, seksuale apo çfarëdo komuniteti tjetër”, thotë Zimeri.

Pavarësisht kritikave për këtë çështje, aktivistja e LVV-së Nazlie Bala beson se partia po punon për emancipim shoqëror, veçanërisht në fushën e barazisë gjinore. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Nazlie Bala, aktiviste e njohur e Vetëvendosjes, e sheh këtë çështje më ndryshe dhe ngul këmbë se VV ka luajtur rol emancipues në shoqërinë kosovare, të paktën sa i përket çështjes së barazisë gjinore. “Një nga pesë pjesët e platformës së Albin Kurtit [kur ai ishte kandidat për ta drejtuar VV-në] e adresoi çështjen e gjinisë”, argumenton ajo. “Tani ajo është pjesë e agjendës së Vetëvendosjes dhe ne kemi dokumente që kërkojnë përfshirjen e grave, që i japin atyre rol në vendimmarrje”.

Jo si partitë e tjera politike në Kosovë, LVV nuk ka forum të caktuar për gra. Bala mendon se kjo nuk është dobësi, por përkundrazi paraqet një pikëpamje pozitive të rolit të grave në politikë. “Ne nuk i shohim gratë si statistikë, por si të barbarta, sepse pa barazi gjinore nuk ka shoqëri të barabartë”, argumenton ajo.

Front i bashkuar?

Pjesa më e madhe e qeverive të krahut të majtë kanë tendencë ta kenë vizionin e një shoqërie më të barbartë, por formimi i një qeverie të udhëhequr nga një parti e krahut të majtë duket si diçka e paarritshme në Kosovë. Gjithashtu, nuk duket se ka gjasa të formohet një front i bashkuar nga tri partitë, të paktën në të ardhmën e afërt, për shkak se Vetëvendosje dhe PSD ende janë duke i shëruar plagët e ndarjes së tyre. Ndërsa historia pragmatiste e Nismës Social Demokrate lë pak hapësirë për të besuar se tri partitë që deklarohen si të krahut të majtë mund ta formojnë një koalicion për të ecur bashkë.

Bala mendon se një front i bashkuar do t’i bënte mirë demokracisë, por ngul këmbë se para se të ndodh kjo duhet të përmbushen disa parakushte. “Nuk mjafton ta ndryshosh vetëm emrin kur veprimet politike të lidhin me krahun e djathtë”, thotë ajo.

Ymeri i PSD-së beson se në afat të gjatë partitë e orientuara drejt së majtës duhet ta kenë një plan për të bashkëpunuar, dhe në afat më të shkurtër ato duhet t’i fokusojnë përpjekjet e tyre në luftën kundër kapjes së shtetit nga PDK. “Përbashkimi i forcave politike për ta ç’kapur shtetin do të ishte në interes edhe pse këto forca politike nuk kanë të përbashkët vijat ideologjike.”, thotë Ymeri.

Ish-kolegu i tij nga LVV, Konjufca, pajtohet me qëndrimin e Ymerit. “Duhet ta sjellim vendin në një pozitë ku mbizotëron sundimi i ligjit”, deklaron ai, duke shtuar se politika bashkëkohore kosovare është në një “fazë paraideologjike”.

Kjo epokë e re e politikës kosovare ka krijuar një situatë në të cilën krahu i majtë i vetëshpallur i Kosovës shpeshherë është karakterizuar nga një fokus në çështje specifike për Kosovën, si shtetësia, korrupsioni apo çeshtjet identitare dhe ndonëse verën e kaluar u duk sikur po rritej e majta, përçarjet e fundit i kanë shtypur këto nocione.

Nëse mund të formohet ndonjëherë një qeveri e krahut të majtë, me gjasë do të ndodhë pas gati një çerek shekulli të dominimit të partive me politika të djathta. Ndonëse e majta në Kosovë po rritet dhe po evoluon, sfidat që i ka përpara mbesin të shumta.K

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.