Për gjashtë ditë Kosova do të votoj për legjislaturën e ardhshme, në zgjedhjet e parakohshme që rezultuan sivjet. Por edhe në këto zgjedhje nacionale, që janë të tretat që nga shpallja e pavarësisë, do të vazhdojë të mungojë transparenca dhe llogaridhënia sa i përket të dhënave financiare të partive politike.
Problematika me financat e partive politike dhe shpenzimet e tyre të majme për fushatat zgjedhore përherë janë shfaqur me mospërputhshmëri të shpenzimeve në një anë dhe pasqyrave financiare të tyre në anën tjetër.
Përgjegjësia finale për mbikëqyrjen e financave të partive politike bie mbi Kuvendin e Kosovës, i cili ka dështuar të ushtroj këtë përgjegjësi për vite. Në anën tjetër, ekziston nevoja urgjente për rregullimin e auditimit të pasqyrave financiare vjetore dhe të shpenzimeve gjatë fushatave të partive politike, qoftë për zgjedhjet qendrore apo ato lokale që do të mbahen në fund të këtij viti.
Problemet me mungesën e transparencës sa i përket pasqyrave financiare të partive politike, si dhe mungesa e mekanizmave të mirëfilltë të mbikëqyrjes së shpenzimeve financiare gjatë fushatave zgjedhore, kanë zënë vend të posaçëm për disa vite rresht edhe në raporte të ndryshme si Raportin e Progresit të Komisionit Europian.
Për katër vite financat e partive politike nuk janë audituar, derisa kanë kaluar dy palë zgjedhje të përgjithshme në Kosovë prej atëherë.
Aty madje theksohet se partitë politike nuk paraqesin të dhëna të plota të aktiviteteve financiare vjetore të tyre. Sipas këtyre raporteve, duket qartazi se nga pasqyrat vjetore financiare të audituara nuk mund të nxirren përfundime të plota dhe të sakta mbi qarkullimet financiare vjetore të partive politike.
Regres i shënuar në fushën e financimit të partive politike është ai që është bërë me ndryshimet në Ligjin për Financimin e Subjekteve Politike, ku u transferua kompetenca e përzgjedhjes së auditorëve për auditimin e pasqyrave financiare të partive politike nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), tek Kuvendi i Kosovës.
Ky transferim i kompetencave e ka pamundësuar auditimin e financave të partive politike që nga viti 2013 e deri me tani – pra për katër vite financat e partive politike nuk janë audituar, derisa kanë kaluar dy palë zgjedhje të përgjithshme në Kosovë prej atëherë.
Raporti i Progresit për vitin 2015 e potencon këtë shqetësim dhe thotë se “Kuvendi duhet të fillojë me përzgjedhjen e auditorëve të pavarur për të filluar një auditim të pavarur të financave të partive politike dhe të fushatës zgjedhore, siç parashihet në ligjin për financimin e partive politike”.
Natyra e financimit të subjekteve politike
Në përgjithësi, partitë politike financohen nga dy burime kryesore. Burimi i parë është buxheti publik, dhe i dyti donatorët e jashtëm – në formë të parave kesh ose përmes kontributeve me mallra dhe shërbime.
Finacimi nga buxheti i shtetit bëhet përmes Kuvendit të Kosovë. Diku afër 5 milion në vit ju shpërndahen partive përmes KQZ-së. Fjala është për ato parti që janë të përfaqësuara në Kuvend. Shpërndarja bëhet në përpjestim me përfaqësimin që e fitojnë në Kuvend, nga rezultatet e zgjedhjeve.
Ndërkohë, bazuar në të dhënat e hulumtuara nga Organizata “Çohu!”, përgjatë shtatë viteve (2007- 2014), del se disa nga financuesit e partive politike – bizneset dhe pronarë të bizneseve – kanë përfituar rreth 220 milionë euro tenderë publikë.
Në këtë mes, dy subjektet politike Partia Demokratike e Kosovës (PDK), dhe Lëvizja Vetëvendosje (LVV), kanë natyrë të përafërt të financimit mbase të dyja deklarojnë të hyra të jashtme nga persona fizik, duke mos përjashtuar as bizneset private si financues të tyre në vlera shumë më të larta se sa subjektet tjera politike. Ndërkohë donatorët e ndryshëm të tyre janë edhe përfituesit kryesor të miliona eurove nga buxheti publik.
Hulumtimi tregon se financuesit e PDK-së, që për shtatë vite drejtoi Qeverinë e Kosovës, janë në krye të listës së përfituesve nga tenderët publik.
Një hulumtim i organizatës “Çohu!”, i realizuar tre vite më parë ka treguar se LVV, përveç se i ka donatorët e njëjtë me PDK në disa raste, financuesit e saj janë të dytët që marrin më shumë tenderë në institucione publike. Vlera totale e tenderëve të fituar nga financuesit e LVV-së është 59,701,559 euro, përderisa ata të PDK-së, kanë marrë 162,517,080 euro.
Hulumtimi tregon se financuesit e PDK-së, që për shtatë vite drejtoi Qeverinë e Kosovës, janë në krye të listës së përfituesve nga tenderët publik (si për shembull, Beni com, Tali, ARD group, Getotari, Bejta Comerc etj.). Këta pasohen nga financuesit e LVV-së (Vëllëzërit e Bashkuar, Drini Company, Çlirimi etj.), disa prej të cilëve kanë financuar të dyja këto parti (Tali).
Për më tepër, PDK-ja mori 333 mijë euro nga 224 subjekte juridike dhe persona fizik – 97 biznese 97 dhe 127 persona fizik. LVV-ja, 161 mijë euro nga 100 subjekte juridike dhe fizike – 60 persona fizik dhe 40 persona juridikë). Të gjitha këto të dhëna janë për periudhen 2007 – 2014.
Në bazë të dokumenteve zyrtare (si raporteve të auditimit nga KQZ, për finacat e partive politike), e njëjta gjë nuk ka ndodhur me tri partitë e tjera, LDK-në, AKR-në, dhe AAK-në, edhe pse për një kohë të gjatë ishin në pushtet. Të dhënat e viteve 2007-2014, tregojnë se financuesit e LDK-së kanë përfituar më së paku nga tenderët publikë.
Rast konkret për këtë është Komuna e Prishtinës, e cila edhe pse prej pasluftës është udhëhequr nga LDK-ja, mbi 13 milionë euro nga tenderët publikë ua kishte dhënë kompanive qe e kanë financuar PDK-në. Të dhënat tregojnë se financuesit e LDK-së kanë marrë 419,631 euro nga tenderët publikë, ata të AAK- së diku 9,767,240 euro, përderisa ata të AKR-së kanë marrë 3,089,817 euro, në periudhën 2007-2014.
Partive politike u kërkohet me ligj përpilimi i një liste të veçantë të të gjithë donatorëve që ofrojnë shërbime apo mallra për institucionet publike, por sipas raporteve të auditimit, partitë nuk e përfillin një kërkesë të tillë.
Financuesit e LDK-së (Lesan, Unikat, NLB Prishtina etj.), AAK-së (Hidroterm, ELKOS, Petrol Company etj.), dhe të AKR-së (Siguria, Komtel Project Engineering, idea Consulting etj.), kanë përfituar shumë më pak të hyra nga tenderët publikë se sa ata të PDK-së dhe LVV-së.
Shuma totale që financuesit e tri partive tjera (LDK, AAK dhe AKR), kanë përfituar nga tenderët publik është më pak se 14 milionë euro.
LDK-ja dhe AAK-ja e deklarojnë pjesën më të madhe të të hyrave si të hyra nga buxheti, por edhe në rastet kur deklarojnë të hyra si donacione shumica e tyre janë në emra të anëtarëve të subjektit. Në raportin e auditimit për vitin 2009, LDK-ja ka deklaruar të hyra nga shitja e pasurisë pa e përmendur se për çfarë pasurie bëhet fjalë. Këto të hyra përbëjnë më shumë se 50% të të hyrave të LDK-së për fushatën e vitit 2009.
Në rastin e AAK-së janë katër emra të cilat janë me pozita të larta në parti, dhe shumica e të hyrave si donacione janë të deklaruara në emër të tyre.
Një natyrë krejt tjetër të financimit e ka AKR-ja, e cila në zgjedhjet e fundit nuk arriti ta kalojë as pragun. Me plot shkelje ligjore, këtë parti e kanë financuar familjarë të presidentit të kësaj partie, Behgjet Pacolli. Finacim familjar ose nga biznese familjare në shuma të cilat janë në kundërshtim me ligjin për finacimin e subjekteve politike, e që lidhen me bizneset familjare të z. Pacolli.
Financimi i partive politike dhe zbatimi i Ligjit për financimin e partive politike
Deri në mesin e vitit 2013, legjislacioni që rregullonte financimin e partive politike nuk ka përmbajtur asnjë dispozitë që rregullonte financimin e partive politike nga biznese që në të njëjtën kohë ofrojnë edhe shërbime apo mallra për institucionet publike. Edhe pse i amandamentuar disa herë, ligji nuk adreson në mënyrë të qartë marrëdhënien në mes financimit të partive politike nga subjekte biznesore që në të njëjtën kohë ofrojnë edhe shërbime apo mallra për institucionet publike.
Partive politike u kërkohet me ligj përpilimi i një liste të veçantë të të gjithë donatorëve që ofrojnë shërbime apo mallra për institucionet publike, por sipas raporteve të auditimit, partitë nuk e përfillin një kërkesë të tillë.
Mos përzgjedhja e auditorëve për auditim të financave të partive politike konsiderohet shkelje e dispozitave ligjore nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.
Megjithëse u punua për plotësimin e kornizës ligjore për financimin e partive politike, ligji dhe rregullat e KQZ-së dështojnë të adresojnë një mori çështjesh që prekin transparencën e financave të partive politike. Ligji, në mes tjerash, në asnjë nga nenet e tij nuk adresonte shprehimisht çështjen e transparencës së donacioneve apo kontributeve tjera që marrin individët brenda partive politike që konkurrojnë për deputet apo asambleist gjatë fushatave zgjedhore.
Ligji obligon vetëm partitë politike që të deklarojnë pranimin e kontributeve por nuk e adreson një kërkesë të tillë edhe për kandidatët që garojnë për deputet.
Po ashtu, ligji parasheh masa shumë të buta ndëshkimore për partitë politike në rast se ato nuk u përmbahen kërkesave ligjore. Për cenim të dispozitave të ligjit, gjobat nuk janë edhe shumë të mëdha: partitë politike gjobiten 3,000 deri në 10,000 euro, kurse kandidatët për deputet dhe asambleist dhe kandidatët e pavarur gjobiten prej 500 deri në 3,000 euro. Këto masa të buta në fakt kanë bërë që partitë politike në vazhdimësi të shkelin normat ligjore në fuqi.
Auditimi i financave të subjekteve politike
Kuvendi i Republikës së Kosovës, konkretisht Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka dështuar të përzgjedhë auditorët për të audituar raportet vjetore financiare dhe raportet e deklarimit financiar të fushatave zgjedhore. Pasqyrat financiare vjetore për vitet 2013, 2014, 2015 dhe 2016 si dhe deklarimet financiare për shpenzimet gjatë zgjedhjeve lokale (2013) dhe atyre nacionale (2014), nuk janë publike pikërisht për shkak të dështimit për t’i audituar financat e partive politike.
Mos përzgjedhja e auditorëve për auditim të financave të partive politike konsiderohet shkelje e dispozitave ligjore nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, duke qenë se pasqyrat financiare vjetore (2013, 2014, 2015 dhe 2016) si dhe raportet e shpenzimeve zgjedhore, zgjedhjet lokale të 2013 dhe ato nacionale të vitit 2014, është dashur të jenë tashmë të audituara sipas legjislacionit në fuqi.
Financimi i partive politike, edhe pse i rregulluar me ligjin e vitit 2010, dhe i ndryshuar dhe plotësuar në vitin 2012 dhe 2013, tregon shumë probleme dhe zbrazëtira juridike që po e bëjnë ligjin të pa implementueshëm dhe të pa suksesshëm në rregullimin e financimit të partive politike. Hulumtimi i “Çohu!” nxjerrë në pah mungesën e theksuar të dispozitave ligjore që e rregullojnë thithjen e donacioneve të partive politike nga bizneset që marrin tenderë publikë nga institucionet publike.
Gjithashtu marrja e donacioneve dhe mos obligimi ligjor për t’i deklaruar ato nga ana e kandidatëve brenda për brenda partive politike, del të jetë mjaft shqetësuese. Ndryshimet e fundit ligjore, ku e bartin kompetencën e përzgjedhjes së auditorëve nga KQZ-ja tek Kuvendi i Kosovës po ashtu del të jenë mjaft problematike mbase që tre vite radhazi Kuvendi i Kosovës ka dështuar në përzgjedhjen e auditorëve, dhe kjo ka prodhuar pasojën e mos auditimit të financave të partive politike për katër vite me radhë.
Është nevojë urgjentë që të rregullohet mënyra e auditimit të financave të partive politike, sepse kjo flet direkt për transparencën dhe demokratizimin e brendshëm të partive politike. Dhe kjo është diçka për të cilën duhet të insistohet në këtë vit zgjedhor.
Foto kryesore: Majlinda Hoxha.