Në thelb | Drejtësi

Të kuptuarit e ‘gjykatës speciale’ të Kosovës

Nga - 06.03.2017

Çka janë Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar?

Fjalët ‘gjykata speciale’ janë bërë mizë mbas veshi në Kosovë për dy vitet e kaluara.  Edhe para se të formohej Institucioni i Specializuar Gjyqësor  i Zhvendosur i Kosovës – sipas emrit të tij ligjor – ai kishte nisur të shkaktonte debate të nxehta si në media ashtu edhe në Kuvendin e Kosovës.

Ishin pikërisht mosmarrëveshjet e shumta në Kuvend ato të cilat bënë që përpjekja e parë për themelimin e ‘Dhomave të Specializuara’ dhe ‘Zyrës së Prokurorit të Specializuar’ në qershor të vitit 2015 të dështojë, sepse nuk kishte vota të mjaftueshme deputetësh në favor të themelimit të tyre. Pasi kaluan pak më shumë se dy muaj, me pak debat përmbajtësor, Kuvendi e miratoi formimin e mekanizmit gjyqësor i cili ka shkaktuar shumë polemika.

Por ajo që ka humbur në gjithë këtë proces përpara dhe mbrapa kanë qenë detajet.

Duke u nisur nga nevoja për të pasur dy tentime, si dhe presion të madh ndërkombëtar për t’i miratuar amendamentet e nevojshme kushtetuese në Kuvend, nuk kanë munguar as deklaratat emotive rreth asaj se çka nënkupton kjo strukturë e re për shtetësinë rishtazi të formuar të Kosovës.

Por ajo që ka humbur në gjithë këtë proces përpara dhe mbrapa kanë qenë detajet. Çfarë, në të vërtetë, është përbërja e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar? Si funksionojnë ato? Dhe çka duhet të ndodhë para se ato të nisin veprimtarinë në plot kuptimin e fjalës?

K2.0 i adreson këto pyetje thelbësore për të gjetur përgjigje rreth asaj se çka mund të presim në pesë vitet e ardhshme.

Çfarë ka të bëjë ligji me këtë çështje?

Gjithçka filloi me raportin e dhjetorit të vitit 2010: “Trajtimi çnjerëzor dhe trafikimi me organe në Kosovë”. I përgatitur për Komitetin për Çështje Juridike të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, raporti — i cili rëndom njihet sipas emrit të autorit të tij, Dik Marti, u miratua në Asamblenë Parlamentare në janar të vitit 2011 në bazë të pretendimeve se krimet e rënda ishin kryer gjatë luftës në Kosovë. Menjëherë pas miratimit të raportit, Misioni i Sundimit të Ligjit i BE-së në Kosovë themeloi Task Forcën Speciale Hetuese, e cila menjëherë do të fillonte të hetonte çështjet e ngritura në raport.

Në prill të vitit 2014 pati një shkëmbim letrash ndërmjet Presidentes së Republikës së Kosovës asokohe, Atifete Jahjaga dhe Përfaqësueses së Lartë për Punë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, dhe një muaj më pas marrëveshja u ratifikua në Kuvendin e Kosovës. Shkëmbimi i letrave u trajtua si marrëveshje ndërkombëtare dhe përmbante zotimin e Republikës së Kosovës për të themeluar Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar në kuadër të Sistemit Gjyqësor të Kosovës.

Nuk vonoi shumë dhe, si rezultat i viteve të hetimeve që ndodhën në prapaskenë, në korrik të vitit 2014 Taskë Forca e EULEX-it shpalli për herë të parë se hetimet e tyre gjetën prova të fuqishme të cilat do t’u mundësonin të ngritnin aktakuza kundër disa ish-zyrtarëve të lartë të të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në lidhje me pretendimet për krimet e përmendura në raportin e Këshillit të Europës.  

Në këtë pikë, tashmë kishin filluar diskutimet serioze lidhur me miratimin e kornizës kushtetuese për të mundësuar një mekanizëm ligjor plotësisht të pavarur, të paanshëm e transparent i cili do t’u ofronte siguri dëshmitarëve të procedurave penale. Prandaj, në gusht të vitit 2015 u krijua Amendamenti Nr. 24 në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, për të krijuar hapësirë për themelimin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Po atë muaj, gjithashtu u miratua Ligji Nr. 05/L-053 për themelimin dhe rregullimin e organizimit, funksionimit dhe juridiksionit të këtij mekanizmi të ri.

Gati një vit më vonë, në shkurt të vitit 2016 Kosova dhe Holanda nënshkruan marrëveshjen e shtetit nikoqir. Kjo marrëveshje i autorizonte autoritetet holandeze të fillonin me përgatitjet për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, që do të jenë me seli në Hagë. Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar gjithashtu thotë se këto funksione do të kenë seli në Kosovë dhe se ato mund të kenë seli edhe në ndonjë vend tjetër në rastet e jashtëzakonshme nëse ajo është në interes të administrit adekuat të drejtësisë.

Sipas amendamentit kushtetues të gushtit të vitit 2015 mandati i Dhomave të Specializuara dhe i Zyrës së Prokurorit të Specializuar do të zgjasë pesë vjet, përveç nëse vjen deri te lajmërimi se misioni u përmbyll më herët.

Dhomat e Specializuara kanë superioritet mbi të gjitha gjykatat në Kosovë.

Dhomat e Specializuara — bazat:

Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar ka gjithsej nëntë Kapituj dhe përmban 65 nene, me dispozita dhe parime të ndryshme; kryesoret shpjegohen në vijim.

Së pari, dhomat do të jenë të përngjitura në të gjitha nivelet e sistemit gjyqësor në Kosovë, që do të thotë se Gjykatat Themelore, Gjykata e Apelit, dhe Gjykata Supreme do të kenë nga një dhomë speciale e cila do të merret vetëm me krimet e pretenduara të përmendura në ‘Raportin e Dik Martit’. Gjykata Kushtetuese gjithashtu do ta ketë një dhomë, të përbërë nga tre gjykatës. Të gjithë gjykatësit në këto dhoma do të jenë ndërkombëtarë dhe emërohen nga Shefi i Misionit i EULEX-it, dhe jo nga Presidenti i Kosovës siç ndodh rëndom sipas procedurave vendore.

Së dyti, jurisdiksioni i Dhomave të Specializuara është shumë i rëndësishëm, sidomos duke marrë parasysh spekulimet lidhur me atë se a do të jenë në gjendje këto dhoma të gjykojnë raste të vrasjeve politike të cilat ndodhën pas lufte. Në këtë aspekt, ligji është i qartë dhe preciz — ai parasheh se Dhomat Speciale do të kenë jurisdiksion vetëm mbi: krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës sipas ligjeve ndërkombëtare; si dhe krimet sipas ligjit të Kosovës që kanë lidhje me ‘Raportin e Dik Martit’ dhe pretendimet e tij të “krimeve të rënda ndërkufitare dhe krimet ndërkombëtare të kryera gjatë dhe pas konfliktit në Kosovë”. Këto të fundit duhet të kishin qenë objekt i hetimeve penale të Task Forcës së EULEX-it.  Për më tepër, ligji thotë se jurisdiksioni kufizohet vetëm në krimet të cilat u kryen nga 1 janari i vitit 1998 deri në më 31 dhjetor të vitit 2000.

Këtu ka diçka shumë interesante: Ligji thotë se për t’u trajtuar nga Dhomat Speciale, krimet e pretenduara ose duhet të jenë nisur ose duhet të jenë kryer në Kosovë.   Ligjërisht, kjo mund të ketë implikime interesante, sepse kjo do të thotë se jurisdiksioni territorial nuk është vetëm përbrenda Kosovës; me fjalën ‘nisur’ mund të përfshihen edhe krimet që mund të kenë nisur në Kosovë dhe mund të kenë vazhduar/përfunduar në një shtet tjetër siç është, ta zëmë, Shqipëria.

Së treti, Dhomat e Specializuara kanë superioritet mbi të gjitha gjykatat në Kosovë. Kjo specifikohet qartë në Nenin 10 të Ligjit, sipas jurisdiksionit të harmonizuar. Kjo nënkupton se në çdo fazë të hetimit apo procedurave, Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar mund të urdhërojnë bartjen e procedurave brenda jurisdiksionit të vet nga cilido prokuror apo gjykatë në territorin e Kosovës te Dhomat e Specializuara dhe te Zyra e Prokurorit të Specializuar. Prokurori i Shtetit apo Gjykata duhet t’u përcjellin Dhomave të Specializuara çfarëdo dosje që ka të bëjë me rastin e kërkuar, meqë urdhëri i Dhomave të Specializuara për bartje është përfundimtar dhe i detyrueshëm.

Zyra e Prokurorit të Specializuar — nuk është e njëjtë si Dhomat e Specializuara:

Zyra e Prokurorit të Specializuar është zyrë e pavarur për hetimin dhe ndjekjen e krimeve përbrenda jurisdiksionit të Dhomave të Specializuara. Ligji gjithashtu parasheh dispozita të rëndësishme për të.

Së pari, Zyra e Prokurorit të Specializuar e vetme është përgjegjëse për hetimin dhe ndjekjen e personave përgjegjës për krime të cilat hynë brenda juridiksionit të Dhomave të Specializuara; pra, ajo është krejtësisht e ndarë nga të gjitha autoritetet e prokurorisë në Kosovë. Tutje, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka fuqinë të marrë përsipër mandatin dhe personelin e Task Forcës Speciale Hetuese, si dhe fuqinë të kërkojë ndihmë nga autoritetet shtetërore për nevojat e tyre për mbarëvajtjen e punës së tyre.

Personat e dënuar nuk do ta vuajnë dënimin me burg në Kosovë, por në shtetet e caktuara nga Kryetari i Dhomave të Specializuara.

Së dyti, dhe çka është më e rëndësishme, Zyra e Prokurorit të Specializuar e ka Policinë e vet, e cila ka autoritet dhe përgjegjësi të njëjta të ushtrojë kompetenca që i garantohen Policisë së Kosovës sipas legjislacionit të Kosovës. Policia e Kosovës, pra, mund të angazhohet vetëm për çështjet e asistencës, siç është zbatimi i urdhërave apo sigurimi i dokumenteve në emër të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe Dhomave të Specializuara.

Së treti, qendra e paraburgimit për të paditurit e Zyrës së Prokurorit të Specializuar nuk do të jetë në Kosovë, por në Holandë. Do të ketë një Zyrtar, i cili do të jetë përgjegjës për menaxhimin dhe administrimin e funksionit dhe hapësirave të paraburgimit për Dhomat e Specializuara, derisa zyrtarët e paraburgimit do të kenë autoritet dhe përgjegjësi për ushtrimin e kompetencave që u garantohen Zyrtarëve të Qendrave Korrektuese sipas legjislacionit të Kosovës. Kur të lirohen, personat e mbajtur në qendrat e paraburgimit nuk do të lirohen në Hagë, por do të transportohen si të paraburgosur derisa të arrijnë në vendin në të cilën fillimisht janë paraburgosur.

E fundit, por jo më pak e rëndësishme, personat e dënuar nuk do ta vuajnë dënimin me burg në Kosovë, por në shtetet e caktuara nga Kryetari i Dhomave të Specializuara, të cilat shfaqin gatishmërinë për të pranuar persona të dënuar nga ky mekanizëm.

Pare, pare, pare — jo bash lezet

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar financohen nga Bashkimi Europian dhe jo nga buxheti i Kosovës. Ato funksionojnë krejtësisht jashtë menaxhmentit dhe kontabilitetit financiar publik të Kosovës, dhe si të tilla nuk mund të jenë objekt i auditimit të kryer nga Zyra Kombëtare e Auditimit e Kosovës. Për më tepër, ato nuk kanë nevojë t’i përmbahen legjislacionit të Kosovës që ka të bëjë me financat publike.

Por kur vjen puna te paret, fondet e Dhomave të Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar nuk janë krejt çka ka rëndësi. Këtu në lojë futen edhe shpenzimet e mbrojtjes së të akuzuarve, siç parashihet me Ligjin për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të të Akuzuarve Potencialë pranë Dhomave të Specializuara. Sipas këtij Ligji, të gjithë personat e akuzuar kanë të drejtë të kërkojnë ndihmë për mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes dhe angazhimit të një avokati të pavarur, kompetent dhe me përvojë, i cili do të paguhet nga buxheti i Kosovës.

Tërësisë së Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar — duke përfshirë edhe personelin, dokumentet dhe pronën — i garantohen imunitetet e njëjta si ato të cilat i gëzon EULEX-i sipas ligjeve të Kosovës.

Ligji gjithashtu parasheh gjithë mbështetjen e nevojshme financiare, e cila duhet t’u ofrohet anëtarëve të ngushtë të familjes së personave të akuzuar për krime të pretenduara në dëgjimet e Dhomave të Specializuara, duke përfshirë edhe shpenzimet që kanë të bëjnë me udhëtime kur dëgjimet zhvillohen jashtë Kosovës. Duke marrë parasysh se dëgjimet me gjasë do të zhvillohen ekskluzivisht në Hagë — përkundër dispozitave që parashohin se ato mund të mbahen në Kosovë apo gjetiu —  këto shpenzime të udhëtimit me siguri do të ndodhin në çdo rrethanë.

Nuk është ende e qartë se si do të rregullohet mbështetja financiare për anëtarët e familjes apo e drejta e kompenzimit për paraburgim të padrejtë. Sipas asaj që parashihet në Nenin 4 dhe 5, shanset janë të mëdha që këto shpenzime të paguhen nga buxheti i Kosovës.

Përjashtimet speciale

Përkundër faktit se Institucioni i Specializuar Gjyqësor i Zhvendosur i Kosovës ishte themeluar përbrenda kornizës legjislative të Kosovës, ai nuk është krejt i njëjtë sikur institucionet tjera përbrenda sistemit vendor. Për shembull, Dhomat e Specializuara do të kenë kapacitete të bëjnë marrëveshje dhe aranzhime me shtetet dhe instancat tjera në emër të Kosovës. Këto aranzhime që kanë për qëllim bashkëpunimin gjyqësor, nuk kanë nevojë të ratifikohen me dy të tretat e Kuvendit të Kosovës siç kërkohet për të gjitha marrëveshjet tjera ndërkombëtare; krejt çka nevojitet është që marrëveshja të ratifikohet nga Qeveria e Kosovës.

Jurisdiksioni i Dhomave të Specializuara nuk kufizohet nga ndonjë amnesti që dikujt mund t’i garantohet sipas Kushtetutës së Kosovës. Për më tepër, verdiktet e Dhomave të Specializuara nuk janë objekt i ndonjë forme të faljes e cila mund të garantohet sipas sistemit vendor të Kosovës.

Gjithashtu, tërësisë së Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar — duke përfshirë edhe personelin, dokumentet dhe pronën — i garantohen imunitetet e njëjta si ato të cilat i gëzon EULEX-i sipas ligjeve të Kosovës. Kjo do të thotë se të gjitha asetet e tyre janë imune ndaj çdo forme të ndërhyrjes nga autoritetet kosovare, duke përfshirë edhe kërkimet e thjeshta. Arkivat trajtohen si pronë e veçantë dhe mbahen jashtë Kosovës. Dhe, më e rëndësishmja, asnjë prej këtyre shënimeve nuk konsiderohen dokumente publike për aryse të privatësisë dhe sigurisë dhe prandaj nuk ekziston e drejta për t’iu qasur atyre.

Çka tash?

Pas gjithë ndërmarrjeve të përmendura më lart, Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar tash janë themeluar zyrtarisht. Marrëveshja e shtetit nikoqir ka hyrë në fuqi në janar, dhe janë emëruar 19 gjykatës, është emëruar Prokurori i Specializuar si dhe Kryetari i Dhomave të Specializuara.  

Tani po presim miratimin e Rregullave të Procedurës dhe Dëshmive nga gjykatësit e Dhomave të Specializuara si dokument thelbësor i gjykatës i cili rregullon në hollësi zhvillimin e seancave gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara; kjo do të përcillet me informata se ndaj kujt do të ngritet aktakuza dhe kur do të fillojnë dëgjimet. Nga ajo pikë, pritet të nisë një rrëfim krejt i ri procedural i cili tash për tash mbetet të shihet.K

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.

  • 06 Mar 2017 - 18:20 | nora:

    Krejte cka duhet me dite rreth Dhomave Speciale, e cka ishte dashte me lexu dhe me dite cdo parlementar dhe gazetar ne Kosove. Artikull qe kisha me e qujte ABC-da e proesit the themelimit dhe funskionimit te Dhomace Special. great

KOMENTO