Tashmë kemi hyrë në vitin e dytë të qeverisë Kurti, por çfarë na thotë viti i parë?
Qeveria Kurti erdhi në detyrë më 22 mars 2021, në një kohë krize të shëndetit publik të shkaktuar nga Covid-19. Përballja me këtë krizë ishte prioriteti i parë në programin qeverisës.
Por kriza e shëndetit publik nuk mbeti e vetmja krizë gjatë 365 ditëve të para të kësaj qeverie. Asaj iu shtuan një krizë energjetike e një inflacion gjithnjë e në rritje që i vështirësuan dukshëm gjërat dhe rënduan gjendjen e qytetarëve të Kosovës. Këtyre krizave Kurti iu përgjigj me hedhjen e hapave të parë drejt investimit social, zotim thelbësor në program e tij qeverisës.
Njëkohësisht, shkelja e të drejtave të njeriut, sidomos femicidi e dhuna ndaj grave vazhduan e vazhdojnë të shkundin besimin në sistemin e drejtësisë. Ndërkohë, qeverisë nuk i eci edhe aq mirë me mediat. Shumë kryeredaktorë kanë folur për një mbyllje të qeverisë ndaj tyre e për
mungesë konferencash të rregullta me gazetarë.
E teksa lufta në Ukrainë vuri në pah nevojën e forcimit të shtetit të Kosovës në konfiguracionin politik botëror, dialogu me Serbinë ka ngecur, bashkë me njohjet e reja dhe anëtarësimin ei Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Premtimet e mëdha për zgjidhje, kanë ndërtuar edhe pritje të mëdha te qytetarët.
Me gjithë arsyetimin tashmë të zakonshëm të qeverisë Kurti se faji për të gjitha pikat e dobëta të shtetit të Kosovës mund të gjendet në 20 vjet “keq-qeverisje”, duam të diskutojmë se çfarë prirjesh shfaqi qeveria Kurti në menaxhimin e krizave brenda një viti dhe se çka mund apo çka duhet të presim nga kjo qeveri në tri vitet e ardhshme.
Në diskutimin që do të moderohet nga Kryeredaktorja e K2.0 Besa Luci, do të bashkohen
- Përparim Kryeziu, Zëdhënës i Qeverisë
- Brikenda Rexhepi, Kryeredaktore e KOHA
- Leonida Molliqaj, Drejtore Ekzekutive e QIKA
Do të ketë përkthim në gjuhët angleze dhe serbe.K
Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0.
Kjo bisedë është organizuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, si pjesë e projektit “Qytetarë Angazhohuni”, që realizohet nga Kosovo 2.0 dhe Instituti GAP. Përmbajtja e kësaj bisede është përgjegjësi e vetme e Kosovo 2.0 dhe Institutit GAP dhe në asnjë mënyrë nuk paraqet pikëpamjet e Bashkimit Evropian.
Pse kjo klauzolë?