për 17 shkurt 2022
Nga ti, Kosovë nuk kërkoj tjetër gjë përpos asaj që nuk e kemi fare, drejtësinë. Nuk dua asgjë më shumë se institucione që dalin nga lëvozhga e ‘familjes patriarkale’ e pseudomoralizmave shoqërorë. Nuk duhet të vdes asnjë grua më shumë që të na e vërtetojë që aq sa vret njeriu, aq vret edhe institucioni.
I dashur shteti im,
Ende je një 14-vjeçar. Sot dua të të quaj dhëndër i ri, me mendësi të moçme. A e di pse? Sepse teksa sillesh si një ‘burrë’ i vogël, lavdërohesh si një dhëndër i ri. Ke hyrë në etapë të re, por mendimet e veprat i ke të vjetëruara –– patriarkale. Po mirë, meqë ashtu të duket vetja edhe dhëndër je, dhëndër dhe i papjekur. Dy në një.
Në fakt, do doja që të paktën sot të ishe vajzë, Kosovë, por ja që për qejfin e mendësisë ti edhe sot je edhe djalë edhe burrë. Një në dy. Jo që dua që ti sot të jesh testosteron, por ja që mendësia që nuk më pyet se çfarë dua unë edhe sot ta uron datëlindjen me tortë të kaltër. Mendësia e ‘dhëndrit’ nuk po të zbehet fare e as teket e papjekurisë, të cilën e ruan përzemërsisht.
Gëzuar datëlindjen! A e di çfarë po të kërkoj sot në datëlindjen tënde? (Më fal, dhuratë nuk të kam sjellë). Unë dje pa zë, sot me zë, e nesër nuk e di, po të kërkoj drejtësi. Po kërkoj nga ti ta shtypësh patriarkinë. Asgjë më shumë, vetëm institucione që nxisin drejtësi e e ndërrojnë mendësinë. Se kjo (mos) drejtësi po ushqen e kultivon mendësinë patriarkale dhe anasjelltas. Mendësi kanunore që pjellë e ka një drejtësi të padrejtë –– pjellë e mendësisë së kultivuar me kujdes ndër shekuj. Rreth vicioz.
Kjo (mos) drejtësi që e viktimizon fajtorin, e fajëson viktimën. Shoqëri që çohet në këmbë për brenga të paqena e hesht përpara vrasjes më makabre të një gruaje nga një burrë apo përpara përdhunimit të një të miture nga një i moshuar. Vend ku krimi më i madh diskutohet vetëm tri ditë. Lavdërohet tri ditë. Shahet tri ditë. Epilog: myket në arkivat e gjykatave.
Kosovë, vetëm me drejtësi institucionale mund ta mbjellësh një mendësi që përpara se të t’i veshë me nxitim rrobat e ‘dhëndrit’, të ndihmon e të lejon të piqesh.
‘Shtëpia’ që nuk na takon të gjithëve, na është mbushur plot me ‘dhëndurë’, që para se të na përdhunojnë sigurohen që jemi të virgjëra. Pasi të na përdhunojnë e vrasin, na i shtypin qelizat edhe njëherë nëpër korridore të gjykatave. ‘Shtëpi’ ku mendësia e metamorforizuar në drejtësi kontaminuese na bind përditë që të ikim nga shtëpia. Gjendje që është kthyer ankth. Ankth.
Frikë për të jetuar në një ambient anakronik që nuk të zhvillon, por të sharron e kryqëzon. Ambient që të gjuan në humnerën e humbjes së vetvetes edhe si 21-vjeçare, sa që të bën të dyshosh nëse ekziston njëmend drejtësia, apo është vetëm një koncept imagjinar.
Sot, Kosovë, ndalu për pak minuta dhe paramendoje sa e kuptimtë do të ishte festa jote e datëlindjes nëse burrat nuk do vrisnin gratë, as burrat-burrat e as gratë-gratë e gratë-burrat. Askush askënd. Të mos vritemi, të mos vrasim, të mos na vrasin. Por mbase kjo i mbetet imagjinatës. Paramendoje nëse dorasës të tillë do merrnin dënime meritore. Ose më mirë, paramendoje nëse ti, shteti im, nuk do rrisje vrasës. Utopi.
Të lutem, para tortës së datëlindjes bëje qëllim këtë dëshirë. Teksa fryn qirinjtë në tortën tënde ngjyrë qielli, mendo: drejtësi. Mos mendo që ndryshimin do ta marrësh si pako të mbështjellur bukur me fjongo nga shokët e tu nga Gjermania, Amerika a Franca, teksa ti rri e pret. Këtë nuk ta sjellë askush. Drejtësinë duhet t’ia dhurosh ti vetes.
Brezi im, as ata para e pas meje nuk meritojnë të fundosen në këtë katrahurë në të cilën është jetuar me shekuj. Ne duam drejtësi si të gjithë të tjerët që kërkuan e që kurrë nuk e gjetën. Drejtësi që ti nuk ua dhe. Ne e kërkojmë. Ne duam ta gjejmë.
Je rritur mjaftueshëm sa për të kuptuar që nuk mund të jesh dorështrënguar kur nga ti kërkohet drejtësi. Ne do ta gjejmë atë. Atëherë nuk do ketë rëndësi a je grua apo burrë edhe pse emri të përfundon me a, Kosovë-a. Atëherë e rëndësishme do jetë që askush nuk do të frikësohet të ecë lirshëm, askush nuk do të ketë frikë të trokas në derën tënde. Atëherë, mbase ti do të bëhesh shtëpia ime.
p.s Pres përgjigje nga ti! Të lutem, në të le të ketë më shumë se veç fjalë.
Kosovës, me dashuri,
Antigonë I.
Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0