“Kjo është arsyeja pse kemi vepruar tani — për të mbrojtur jetët e mijëra njerëzve të pafajshëm, për të parandaluar një luftë edhe më mizore e më të kushtueshme si dhe kemi vepruar sepse fëmijët tanë kanë nevojë dhe e meritojnë një Evropë të qetë, të qëndrueshme dhe të lirë”.
Bill Clinton, 24 mars, 1999
Isha vetëm 9 vjeçe kur filloi lufta. Isha mjaftueshëm e vogël që të mos isha plotësisht e tmerruar, por në të njëjtën kohë mjaftueshëm e rritur që të kujtoja gjithçka shumë qartë.
Gjithmonë e doja banesën ku jetonim sepse ishte në qendër të sheshit në Prishtinë. Mirëpo, në vitin 1999 fillova të mos e pëlqeja për faktin se jetonim mes gjithçkaje. Më kujtohen të gjitha gjërat që i kam parë prej dritares së dhomës së ndejës (sepse padyshim të dalësh në ballkon në vitin 1999 u bë luks). Gjëra që nganjëherë do të doja t’i harroja — por fatkeqësisht nuk mundem.
Është e çuditshme si në fillim mund të duash diçka e pastaj, me kohë, të fillosh ta urresh. Kjo ishte marrëdhënia ime me pozicionin e banesës sonë.
Mund ta përdori një analogji të ngjashme në lidhje me sirenat që i lajmëronin sulmet ajrore të NATO-s. Në fillim, i urreja dhe isha shumë e frikësuar, por me kohë filluan të më pëlqejnë dhe në një mënyrë të çuditshme edhe pse isha e frikësuar fillova t’i prisja me gëzim sepse në mendjen time ato ishin çka do të na shpëtonte.
Një mbrëmje më kujtohet në veçanti në krahasim me të tjerat. Gjatë marsit të vitit 1999 ne flinim me rroba sepse në çdo moment duhej të ishim të përgatitur të largoheshim nga banesa nëse do paraqitej nevoja. Gjithmonë e kam pasur gjumin e rëndë por nuk e kam kuptuar derisa NATO bombardoi atë që ne në atë kohë e quanim SUP (Sekretarijat Unutrasnjih Poslova ose Sekretariati i Punëve të Brendshme). Ndërtesa e tyre ishte afër banesës sonë dhe krejt çka më kujtohet është nëna ime e cila provonte të më zgjonte nga gjumi sepse të gjitha dritaret në banesën tonë po dridheshin dhe ajo kishte frikë se xhami do binte mbi mua.
Pavetëdije i premtova vetes se nëse do mbijetoja do punoja për të zbuluar çka kishte ndodhur dhe sa shumë dëm krejt kjo kishte shkaktuar.
Më kujtohet që pyeta: “Çka po ndodh?” dhe ajo më tha: “Asgjë. Jemi një hap më afër përfundimit të kësaj lufte, por duhet të kemi kujdes, eja të shkojmë.”
Për një 9 vjeçare ishte e vështirë për ta kuptuar si është e mundur që diçka kaq shkatërruese siç është sulmi ajror mund të shpiente deri te diçka kaq fisnike siç ishte “shpëtimi”, e mbase edhe të ndihmonte në përfundimin e një lufte shkatërruese mes shqiptarëve dhe serbëve.
Përgjatë viteve, jam kthyer pas te ajo natë shumë shpesh. Vërtetë e besoj se ishte pikërisht ajo natë që më ndihmoi ta formoj rrugën time drejt së ardhmes.
Patjetër që atëherë nuk e dija, por pavetëdije i premtova vetes së nëse do të mbijetoja, do punoja për të zbuluar çka kishte ndodhur dhe sa shumë dëm krejt kjo kishte shkaktuar, në mënyrë që të jem në gjendje të ndihmoj sadopak të parandaloj që diçka e ngjashme t’u ndodhë gjeneratave të ardhshme.
Asnjë fëmijë s’duhet të rritet në një mjedis ku sirenat që lajmërojnë sulme ajrore të bëhen pjesë e brendshme e jetës së tyre.
Të mësosh çka ka ndodhë
Muajin e parë pasi filloi lufta, më kujtohet që ishte veç një orë në mbrëmje kur i dëgjonim lajmet. Më vonë mbështeteshim vetëm në ato që thonin fqinjtë që ishin akoma përreth.
Në atë kohë, krejt çka kuptova ishte se një grup i shqiptarëve nga Kosova dhe i serbëve nga Serbia ishin mbledhur në një vend shumë të largët — po, Franca dukej shumë shumë larg prej nesh në atë kohë — dhe ata po mundoheshin t’i jepnin fund luftës.
Më vonë, kur lufta kishte përfunduar dhe unë u rrita, më interesonte të kuptoja saktësisht për procesin që solli deri tek çlirimi.
Aty e kuptova se shpërndarja e NATO-s në Kosovë kishte ardhur si rezultat i Konferencës së Rambujesë të mbajtur në shkurt të vitit 1999. Këto të ashtuquajtura bisedime filluan më 6 shkurt të vitit 1999, me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Javier Solana i cili përpiqej t’i bindte të dy palët për nënshkrimin e një marrëveshjeje.
Bisedimet erdhën pas një deklarate më të hershme që u dha nga NATO duke ritheksuar se Këshilli i Atlantikut Verior kishte vendosur se sekretari i përgjithshëm i NATO-s mund të autorizojë sulme ajrore kundër Serbisë nëse do të kishte nevojë të përdoreshin shkopinj në mënyrë që t’i bënin të dy palët të pajtoheshin me kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare dhe të arrijnë një zgjidhje politike.
Në mars të vitit 1999 shqiptarët e Kosovës, SHBA-ja dhe delegatët nga Britania e Madhe nënshkruan Marrëveshjen e Rambujesë. Marrëveshja parashikoi prezencën e trupave të NATO-s në territorin e Jugosllavisë dhe administrimin e Kosovës nga NATO, e cila do të ishte një provincë autonome brenda Jugosllavisë.
Më 24 mars 1999 në ora 7 të mbrëmjes, kur po prisja në banesën time në qendër të Prishtinës, NATO filloi bombardimet.
Përkundër faktit se marrëveshjet ishin kryesisht të ngjashme me ato që u përdoren në Bosnie për Misionin e Forcës së Stabilizimit pas Marrëveshjes së Dayton-it në vitin 1995, qeveria e Jugosllavisë në atë kohë tha se kushtet e Marrëveshjes së Rambujesë cënojnë sovranitetin e Jugosllavisë dhe delegatët jugosllavë dhe rusë nuk e nënshkruan. Si alternativë, ata propozuan që në vend të trupave të NATO-s aty duhet të jenë vrojtues të Bashkimit Evropian të paarmatosur.
Refuzimi i nënshkrimit shënoi dështimin zyrtar të bisedimeve të Rambujesë dhe si e tillë, më 23 mars, i dërguari special i SHBA-së Richard Holbrooke lajmëroi në Bruksel se bisedimet kanë dështuar dhe çështja në mënyrë zyrtare ka kaluar te NATO për veprim ushtarak.
Më 24 mars, 1999 në orën 7 të mbrëmjes, kur po prisja në banesën time në qendër të Prishtinës, NATO filloi bombardimet.
Sulmet kryesisht kishin si shënjestër objektet e mbrojtjes ajrore, kazermat ushtarake, urat, objektet industriale, instalimet e naftës dhe aeroportet në Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi; ato zgjatën për 78 ditë dhe në fund në qershor të vitit 1999, Këshilli i Atlantikut Verior i ndaloi operacionet ajrore kur Slobodan Milošević-i pranoi kushtet e një plani ndërkombëtar paqësor të njohur si Marrëveshja e Kumanovës, e cila zyrtarisht solli përfundimin e luftës në Kosovë.
Por gjatë këtyre 78 ditëve, sipas Human Rights Watch, mes 279 dhe 318 civilë u vranë si pasojë e bombardimeve të NATO-s në Kosovë, në 32 incidente të ndara. 201 civilë u vranë në Serbi dhe 8 në Mal të Zi; sipas këtyre vlerësimeve deri në 60 përqind të numrit të përgjithshëm të personave të vrarë nga bombat e NATO-s ishin në Kosovë.
Dëmi civil
Në kohën kur i mësova të gjitha këto fakte unë veç kisha ndjekur atë që në ndërdije i kisha premtuar vetes atë mbrëmje të marsit të vitit 1999 dhe isha në gjysmën e studimeve të doktoraturës në kriminologji dhe drejtësi.
Por tani kisha nevojë që të gërmoj më thellë dhe ta shoh vet nëse çdo gjë që po lexoja për bombardimet e NATO-s ishte e saktë. Prandaj edhe fillova që ndër të tjerë, t’i intervistoja ish të burgosurit, disa prej të cilëve kishin qenë të vendosur në burgun famëkeq të Dubravës.
Rasti i burgut të Dubravës është shumë interesant pasi tregon përpjekjet e autoriteteve serbe që të mashtrojnë duke i veshur një numër të madh të vdekjeve të civilëve në bombardimet e NATO-s që në mënyrë të madhe e dëmtuan narrativën që ndodhi në realitet.
Burgu u godit dy herë, një herë më 19 maj, kur tre të burgosur dhe një gardian u vranë dhe herën e dytë më 21 maj, ku së paku 19 persona u vranë, sipas Human Rights Watch. NATO i pranoi sulmet ajrore dhe e justifikoi sulmin me faktin se ata i kishin target objektet ushtarake afër burgut.
Por, pas bombardimit të dytë, forcat serbe i gjetën të burgosurit brenda burgut dhe i përdoren bombardimet si një arsyetim që t’i vrasin më shumë se 80 të burgosur.
Makina e propagandës serbe tentoi t’ua bashkangjis të gjitha këto vdekje bombave të NATO-s, por Human Rights Watch, si dhe vet dëshmia e të burgosurve që kanë mbijetuar, tregon se forcat serbe ishin përgjegjës për shumicën e vrasjeve në Dubravë dhe se ato ndodhën pas bombardimeve.
Është e vështirë të gjesh një mënyrë të përshtatshme të reagosh ndaj një procesi që ka kontribuar edhe në shpëtimin e një shteti por gjithashtu duke lënë disa pjesë të atij shteti të dëmtuara.
Larg nga Dubrava, bombardimet e NATO-s u bënë një arsyetim që forcat serbe të rrisin sulmet e tyre ndaj civilëve shqiptarë të Kosovës, duke detyruar një shpërngulje të madhe të popullatës pasi njerëzit ikën nga tmerri dhe situata vazhdoi menjëherë pasi sulmet ajrore pushuan.
Edhe në këtë ditë, më kujtohet qartë treni i famshëm që na dërgoi në Bllacë në kufi të Maqedonisë, pasi trupat serbe na detyruan ta braktisim banesën tonë. Aty ishte vetëm një familje që mbeti në ndërtesën tonë. Të gjithë u larguan për shkak të tmerrit që po e shihnim çdo natë.
Sot, të flasësh keq në çfarëdo konteksti për sulmet ajrore të NATO-s është shumë e vështirë në Kosovë. Edhe kur njerëzit e pranojnë se kishte viktima civile të shkaktuara nga bombardimet e NATO-s ata janë gjithë të shpejtë që të shtojnë: “por prapëseprapë ata na shpëtuan”.
Është e vështirë të gjesh një mënyrë të përshtatshme të reagosh ndaj një procesi që ka kontribuar edhe në shpëtimin e një shteti por gjithashtu duke lënë disa pjesë të atij shteti të dëmtuara. Edhe në këtë ditë ka gjurmë të bombardimeve të NATO-s, në skelet e disa ndërtesave por në veçanti në mendjet e njerëzve.
Por, bashkë me këto gjurmë qëndrojnë edhe kujtimet sesi ishte falë këtyre aksioneve një popull u shpëtua, qëndrojnë kujtimet e jetëve të shpëtuara dhe mundësia e bërjes së planeve për të ardhmen. Në përgjithësi, sipas shumicës në Kosovë, dobitë nga sulmet e NATO-s peshojnë më shumë se humbjet.
Por, pavarësisht gjithçkaje, pyetja më e rëndësishme 20 vjet pas bombardimeve është: Pas lundrimit 20 vjeçar nëpër tym, a mund të themi se kemi mësuar diçka si komb prej këtyre 78 ditëve të zjarrit?
Fotoja kryesore është një vështrim i tanishëm shumë i ngjashëm me atë të banesës së vitit 1999 të autores. Foto: Fikret Ahmeti / K2.0, adaptuar nga Besnik Bajrami.