Biseda | Kulturë

7me7: Shoqëria jonë të lë përshtypjen se ne jemi një eksperiment

Nga - 26.01.2019

Rock grupi nga Ferizaj reflektojnë mbi muzikën e tyre si komentim politik e shoqëror të Kosovës së pas luftës.

Në fund të viteve ‘90-ta, si 18 vjeçar, ata veçse kishin filluar të shkruanin poezi, t’i binin instrumenteve muzikore dhe t’i ruanin krijimet e tyre; dëshira ishte t’i kthenin që të gjitha në këngë. Disa muaj pas përfundimit të luftës në qershor 1999, u kthyen në Ferizaj për të vazhduar atë që iu mbeti në gjysmë. Urim Veselaj, Betim Bekteshi, Adnan Hyseni dhe Zgjim Veselaj formuan rock grupin e tyre.

Në fillim, pasionin për muzikën e kultivuan duke kënduar këngë të të tjerëve [cover] si të The Doors, Pearl Jam, Red Hot Chilli Peppers nëpër kafeteritë e qytetit apo koncerte që organizoheshin në sheshe e qendra rinore. Por, regjistrimin e këngëve dhe ushtrimet si grup e vështirësonte reduktimet e shumta të energjisë elektrike gjatë asaj kohe. Pos kësaj, tre anëtarë të grupit po punonin me forcat paqeruajtëse KFOR-in dhe njëri në një radio në Ferizaj; që të gjithë ishin me orar të plotë, gjë që i pengonte t’i dedikoheshin plotësisht muzikës. Për më tepër, ishin edhe në kërkim për emrin e grupit.

Ishte në fund të vitit 2000, kur Bekteshi po bisedonte rreth muzikës dhe grupit të tij tek një shok i tij berber.

‘‘S’po gjejmë kohë shumë për muzikë, gjithë ditën në punë; veç mas 7-ve [19:00] po na bjen me u marr me muzikë’’, i kishte thënë berberit përderisa po qethte flokët, duke i treguar se po punonin deri 12 orë në ditë dhe vetëm pas orës 7 në mbramje arrinin të mblidheshin për muzikë për të vazhduar deri në 7 të mëngjesit. 

‘‘Paj prej 12-ve n’12-të apo prej 7-ve n’7’’, iu kishte rekomanduar berberi si emër për grupin. Dhe kështu do merrte emrin një prej grupeve më alternative të qytetit ‘‘7 me 7’’.  

Me këtë nisën edhe regjistrimet e para të këngëve të tyre origjinale, ku gjithnjë në fokus do ishin zhvillimet politike e sociale të atyre viteve. Në vitin 2004 punuan këngën ‘‘Eksperimental’’ ndër më të njohurat e tyre që ishte kombinim i deklaratave të politikanëve në kontekst të zhvillimeve politike të 99-ës, përfshirë ndërhyrjen e NATO-s dhe themelimin e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë në kuadër të Rezolutës 1244. Këngë të tjera përfshijnë: ‘‘Nëse’’, ‘‘Qielli’’, ‘‘Flutra’’ apo ‘‘Vagoni’’, gjithnjë duke ngacmuar dhe komentuar mbi zhvillimet socio-politike të viteve të para të pasluftës. Për shembull, më këngën ‘‘Keq’’ sipas Veselajt donin të thonin se ‘‘çdo e keqe që kemi bërë na ka pru një të keqe tjetër’’.  

Mungesa e perspektivës socio-ekonomike po ashtu çoi që shumica e anëtarëve të emigrojnë për punë. Me fillimin e luftës në Irak (2003), Adnan Hyseni shkoi të punonte në kampet e trupave amerikane duke e lënë grupin pa kitarist. “7 me 7” angazhoi Ilir Bekteshin si kitaristin e ri, por në vitin 2009 edhe ai u largua për në Suedi, ku vazhdon të jetojë edhe sot. Dhe kur në vitin 2010 këngëtari Bekteshi u largua për pesë vite në drejtim të Afganistanit, u pamundësua vazhdimi i grupit.

Mirëpo, pas gjithë këtyre viteve, disa nga anëtarët janë duke menduar që t’i rikthehen muzikës së bashku. K2.0 ka biseduar me Bekteshin dhe Veselajn rreth planeve të tyre për të ardhmen, por edhe rreth asaj si kanë ndikuar zhvillimet e rrethanat politike e sociale të fillim viteve 2000 në muzikën e tyre, të cilën e kanë përdorë edhe si mjet të revoltës e protestës.

Betim Bekteshi (majtas) dhe Urim Veselaj (djathtas). Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

K2.0 Ta nisim bisedën me atë se ka kohë që nuk keni bërë muzikë, keni humbur krejt nga skena e muzikës që disa vite. Çka ka ndodhur me 7me7 gjithë këto vite?   

Betim Bekteshi: Kemi tentuar të kemi mirëqenie për vete dhe kjo ka qenë një prej arsyeve pse nuk kemi realizuar këngë të re për shumë kohë. Jemi marr me muzikë prej një moshe shumë të re, por pati ardhur koha që të përballemi me obligimet tona familjare. Gjithmonë muzikën e kemi pasur pasion, por është dashur të pauzojmë prej pasionit. Por nuk është se kemi hequr dorë [krejtësisht] nga muzika; nga do që kemi qenë kemi biseduar për muzikë, kemi bërë plane, kemi kënduar për qejf sa për ta hequr mallin, por 100 përqind të kohës nuk kemi arritë ta rezervojmë vetëm për muzikë.         

Tu i dëgju disa nga këngët tuaja, sidomos ato të viteve të para të juajat si grup, të jepet përshtypja se janë revolte apo protestë e lidhur ngushtë me kontekstin politik e social të fillim viteve 2000. Në shikim të parë, mund të themi se disa gjëra kanë ndryshuar prej atëherë. A mund të jetë kjo arsye që veçse vendosët që të mos merreni aktivisht me muzikë?

Betim Bekteshi: Edhe sot t’i dëgjosh këngët tona nuk është se nuk shkojnë [me realitetin e sotëm], e gjen veten aty diku. Kanë ndryshuar disa gjëra por jo edhe aq, prapë e ‘njëjta kangë knohet’. Më shumë është ajo që thashë më parë; shumë nga anëtarët e grupit kanë marrë rrugën e gurbetit për të pasur një mirëqenie. Disa kanë shkuar në Lindjen e Mesme [Afganistan e Irak] për të punuar e disa në vendet evropiane. Emigrimi na e ka dallashit grupin.      

Urim Veselaj: Mundem lirisht me thanë se [emigrimi] mua ma ka ‘dallashit grupin’ (qeshet). Sepse gjatë gjithë kohës unë jam i vetmi [i grupit] që nuk jam larguar nga Kosova, kam punuar këtu.   

A po i bie kjo se ajo revolta juaj është ndalur për këto arsye?      

Bekteshi: Gjatë kohës kur bënim muzikë [aktivisht] kemi pasur atë budallakinë e rinisë, kemi protestuar e jemi munduar në mënyra të ndryshme por dikur jemi dorëzuar përveç Urimit (qeshet).   

Pra protesta iu ka dështuar?  

Urim Veselaj: Realisht protesta dështon gjithmonë [nuk arrijnë qëllimin ata që e nisin]. Besoj se është e konstruktuar në atë mënyrë që të vazhdohet nga dikush tjetër me po ato qëllime. Ndoshta inspirohet dikush tjetër dhe vazhdohet ajo sepse edhe ne kemi qenë të inspiruar nga dikush. Arritje e jona do ishte nëse kemi inspiruar dikë dhe ata të mund të jenë rebelë e këmbëngulës. Por vet fakti se ka një protestë kallxon se diçka ka dështuar gjithçka niset nga një dështim.     

T’i marrim disa prej vargjeve të këngëve tuaja dhe t’i përfolim e ndoshta mund t’i përdorimin edhe për realitetin e sotëm. Tek refreni i këngës Eksperimental thuhet: “Ne jemi njerëz/ ne jemi test/ ne jemi një kompleks/ eksperimental”. Si erdhët në këtë përfundim apo si i kishit në mendje këto vargje?

Veselaj: Bash ashtu siç thuhet ashtu edhe janë menduar. Pse? Secili që merr përsipër të bëjë një eksperiment, fillimisht merr një mostër. Ne si shoqëri nuk jemi shumë [në numër] në krahasim me vende tjera të botës dhe e gjitha të lë përshtypjen se ne jemi një eksperiment. Kur e shoh historinë më jepet përshtypja se vazhdimisht kemi qenë asgjë pos një test. Kënga eksperimental është një kërkim i historisë që ne [anëtarët e grupit] e kemi përjetuar dhe e mbajmë mend. Teksi i këngës përveç refrenit është i shkruar nga fjalët [të thëna] të figurave publike në rrethana e periudha të ndryshme dhe ne vetëm kemi bërë kombinime të atyre fjalëve.

"Ne e kemi parë Kosovën asisoji që kushdo po bënë çfarë t’i teket apo kushdo që po vjen po sillet si në shtëpinë e vet".

Bekteshi

Për shembull niset nga vitet e ‘90-ta: ‘‘Ka hi një dreq i madh k’tu’’ është thënë nga Rrahman Morina [kryetar i Partisë Komuniste në Kosovë gjatë kohës së Milošević-it]. Pastaj ‘‘ky vend bombë e kurdisur’’ është nga paralajmërimet që Milošević-i merrte nga kroatët në rast të ndërhyrjes [së armatosur] në Kosovë. Më tej, vazhdimisht është sillur nëpër media thënia ‘‘Kosova djep i Serbisë’’ apo kombinime tjera dhe ne e kemi bërë ‘‘djep i dikujt’’.           

Bekteshi: Teksi vetëm ka vazhduar me fjalë të figurave tjera, për shembull ‘‘vend i bekum’’ është nxjerrë nga Ibrahim Rugova [thënia e tij] apo ‘‘burgu më i madh’’ që lidhet me burgosjet dhe atë se Kosova kishte numrin më të madh të të burgosurve [politik në ish-Jugosllavi].     

Veselaj: ‘‘Mos vdeksha prej natyrës’’ lidhet me UÇK-në dhe me një poezi të Agim Ramadanit [figurë e njohur e UÇK-së]. ‘‘Ju flet një zë i lirë’’ po ashtu lidhet me kohën e luftës nga ajo çka thuhej në ‘‘Radio Kosova e Lirë’’. Duke vazhdu me ‘‘nga qielli po vijnë’’ që asocion me NATO-n, ndërsa ‘‘marrin shtegtimin’’ është për refugjatët. Pastaj arrijmë me ‘‘1244’’ [rezoluta e Kombeve të Bashkuara për administrimin e Kosovës] tek pas lufta.  


Është një ndërlidhje edhe pse ndryshojnë rrethanat. Pra edhe periudhën e pas luftës e keni parë si ‘‘eksperiment’’?  

Bekteshi: Mua ende më duket se ndërkombëtarët thonë: ‘‘hajt le te provojmë qëto mos po del najsen’’. Ndonjëherë mund të ju del ashtu po ndonjëherë jo, është si ajo thënia; ‘‘kaniherë dhez’ kanihere jo’’. Për të vazhduar me tekstin [e këngës Eksperimental], atë periudhë [fillim vitet 2000] e kanë dominuar fjalët ‘‘toleranca, korrupcioni’’ dhe kanë qenë të lidhura më shumë projekte në Kosovë dhe ne i kemi përdorur ato [fjalë].                 

Pastaj kënga vazhdon me ”shtet publik” dhe natyrisht se shteti është publik, por nuk di se pse asocion ky varg me ‘‘shtëpi publike’’. Mos ka ndonjë lidhje këtu?

Veselaj: Nuk ka qenë aspak e paqëllimshe kjo ndërlidhje.

Bekteshi: E mbaj mend kur babai im i ndjerë më pati pyetur se a e di se si po tingëllon. Po me pyetje i pata thënë: ‘‘A s’po të duket se institucionet e Kosova janë bërë si shtëpi publike’’? Ne e kemi parë Kosovën asisoji që kushdo po bënë çfarë t’i teket apo kushdo që po vjen po sillet si në shtëpinë e vet. Si në shtëpi publike, kush i ka parat bënë çka donë. Ne kemi pasur kryetar apo kryeministër por tjetër kush ka vendosë. Natyrisht se ne si shoqëri i kemi kontribuar kësaj [situate] dhe atë goxha shumë.      

“7 me 7” duke performuar në Hard Rock Caffe në Prishtinë, në vitin 2009. Foto e marrë nga grupi.

Disa gjëra kemi mund t’i bëjmë më ndryshe, por duket se vazhdimisht jemi nisur prej asaj: ‘‘kemi qenë viktima [të luftës]. Tash dulëm prej lufte dhe na pshtun k’ta, tash kena me ba çka të na thojnë”. E kjo nuk është dashur që të ndodhë kështu, së paku jo në krejt aspektet. Natyrisht se është dashur të marrim këshilla kemi qenë shtet i njomë ama jo çdo këshillë që është dhënë ka qenë në të mirën tonë. Është dashur disi të ambientohet këshilla. Pra unë besoj se ende jemi eksperiment. Na ka humbë rruga në oborr dhe me atë njohuri që kam më si besoj politikisht askujt.      

A ka dhënë së paku fryte ‘‘eksperimenti’’?

Bekteshi:  Një shok i joni thoshte: ‘‘Duket se kemi një instinkt prej natyrës për me shpëtu se sa për shtet dhe fuqinë tonë na kish’ hangër dreqi’’. E kemi njëfarë fati të çuditshëm, duket se natyra ka vendosur të na kursej pak, se ne si shoqëri qysh nuk kemi rregulla e shumë gjëra tjera, megjithatë po ecim. Ama njerëzit që tash e 20 vjet janë [në pushtet] duhet me dal në pension. Si vendorë e ndërkombëtarë duhet të dalin në pension e të vijë një gjeneratë e re që kanë vizion e njohuri të reja. Kur po them të rinjë, e kam fjalën për ata që mendojnë jashtë kutisë dhe jo për moshë. 

Veselaj: Ama ‘‘there is no box’’. Problemi është që ne po mendojmë se ka kuti [mendim të paketuar] dhe pastaj po mendojmë se si të mendojmë jashtë kutisë. Duhet të nisemi nga ajo se nuk ka kuti. Të kthehem tek ‘‘frytet e eksperimentit’’, mund të them që prej ‘90-ve deri sot janë [arritë] disa rezultate. Unë e kam përjetuar atë kohë dhe e marr si shembull kur gjuha serbe më është dashur për të nxjerr letërnjoftimin, për me gjetë një punë, ta kaloj kufirin etj. Sot gjuhën serbe e përdori vetëm kur flas me gruan time dhe s’dua të na kuptojnë fëmijët [tanë]. Ekziston njëfarë ndryshimi, megjithatë.

“7 me 7” duke performuar në Shkup, në vitin 2007. Foto e marrë nga grupi.

Të flasim për një këngë tjetër. Gjatë tërë videoklipit të këngës ‘‘E humba’’ na shfaqen disa fëmijë duke luajtur futboll. Bile kënga nisë me ta që bërtasin ‘‘jepe gollë, jepe gollë’’. Kjo këngë është realizuar para më shumë se 10 viteve. Ju ka rastisë t’i takoni ata fëmijë më, apo mos e dini a e kanë dhënë gollë?

Bekteshi: Besoj se janë bërë fëmijë të mirë. Disa prej tyre i kam takuar dhe pyetja ka qenë; ‘‘ty të kam pas në spot a?’’(qeshet), ka qenë interesante e gjithë situata. Para dy viteve përmes dajës së tij me njërin prej tyre pata biseduar dhe sot ishte diku tek 20 apo 22 vjeç.  A kanë dhënë gollë…

Veselaj: S’më duket se asnjëri prej tyre është bërë astronaut, shkencëtar apo diçka e tillë. Nuk është se kanë arritur diçka shumë nga jeta. Golla kanë dhënë, ama gollë në mahallë. Unë besoj se kemi ngecur shumë, sidomos në arsim. Nëse pas lufta ka qenë një ‘‘pikë zero’’, ne është dashur që prej aty të nisemi kah edukimi. Dhe po të niseshim nga ajo shumë prej tyre [fëmijëve] do ishin dikush tjetër e pak më mirë se që janë sot. Kanë dhënë gollë ama në mahallë.   

Bekteshi: Shtoja që golla e [prej] penalltisë është e lehtë (qeshet).

Të flasim më tej në këtë drejtim. Nëse së paku në qytetin tuaj ju keni nisur një lloj muzike më politike e më e revoltuar, sot apo shihni ndonjë të ri që po shkon në atë drejtim apo mundet ta avancojë edhe më tej atë?

Bekteshi: Ne si grup kemi përjetuar edhe vitet ‘90-ta dhe besoj se ajo na ka kalitur e ndikuar muzikën tonë. Sot s’po shoh ndonjë rezistencë [përmes muzikës], secili po e shikon punën e fitimin e vet. E shoh këtë [qasje] edhe në punë [profesione] tjera. Nuk po shoh ambicie,  vazhdimisht e dëgjoj shprehjen ‘‘nuk është punë e jemja’’. Normale do ishte që secili ta shihte punën e vet dhe askush të mos del përtej kësaj, ama në një vend si ne, besoj se kemi nevojë të shkojmë përtej. Kemi nevojë për njerëz që shkojnë përtej sepse ende nuk nuk jemi shoqëri në binarë. Duhet të punojmë shumë që të arrijmë aty ku secili e sheh punën e vet. Po më duket se secili është dorëzuar. Jemi bërë shumë egoistë, i ka humbur shpirti çdo gjëje.            

Tek kënga ‘‘E humba’’ ndër tjera thuhet: “Rri këtu, bëj asgjë/ budalla që fluturoj/ oh e humba dikënd sot”. Sot,  më shumë se 10 vite më pas kësaj kënge, ju çka keni humbë?

Bekteshi: Kemi mundur të bëjmë më shumë dhe mund të bëjmë edhe [sot] më shumë se çka po bëjmë. Më duket se edhe unë jam dorëzuar sepse po arrij me një pikë kur pyes veten: “pse, për kënd, qysh, a ja vlejti?” Ndërsa në anën tjetër besoj se ende na ka mbetur ‘‘vullneti i budallës’’. Mbledhemi shpeshherë [si grup] e themi hajde të bëjmë diçka, ta bëjmë këtë atë… po e shoh njëfarë vullneti që po na kthehet dhe shpresoj se do marrim fuqi që të vazhdojmë ‘‘përtej’’ dhe atë që kemi brenda ta qesim jashtë. Besoj se së shpejti do ta nxjerrim arkivën [me realizime të reja] me muzikë tonën. Ama kur sot vajza ime, që i ka 3 vjet e gjysmë, i dëgjon ato këngë thotë; ‘‘babi heke’’ (qeshet).   

Veselaj: Secili prej neve ka humbur diçka, por humbe çka humbe duhet të kthehesh disi.K  

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.

Kjo bisedë është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Intervista u zhvillua në gjuhën shqipe.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO

Kthehu n'fillim

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.

THANKS FOR SUBSCRIBING

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.