Pikëpamje | Barazia gjinore

Midis gjinisë dhe profesionit

Nga , - 11.06.2024

Kur flitet për sfidat e të bërit gazetarisë, aspekti gjinor nuk mund të mungojë.

Më 3 maj 2024, në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, organizata jo-qeveritare Reporterët pa Kufij (RSF) botoi indeksin e përvjetshëm të situatës së lirisë së shtypit nëpër botë. Indeksi mat performancën e shteteve, bazuar në pesë tregues: konteksti politik, ligjor, ekonomik, socio-kulturor dhe siguria. Në treguesin e kontekstit politik, Indeksi i vitit 2024 shënoi një rënie prej 7.8 pikësh në nivel botëror. 

Megjithatë, përtej situatës në botë, diçka që u diskutua shumë kur doli Indeksi ishte pozita e Kosovës, e cila prej vendit të 56 që e mbante në vitin 2023, ra në vendin e 75-të. “Liria e medieve kërcënohet prej rregullimit të politizuar, padive për të heshtur kritikën, qasjen e pamjaftuar në informacion dhe një rritje në sulmet fizike”, shkruhet në faqen e Indeksit, ku flitet specifikisht për Kosovën. 

Shumëçka u diskutua me daljen e Indeksit, sidomos në rrjete sociale — prej taborit që thërret për vëmendje të shtuar në përmirësimin e ambientit ku ushtrohet profesioni i gazetarit/es deri te tabori që u përpoq t’i zhvlerësonte dhe delegjitimonte si të paqena gjetjet. Ky tabor kishte qasje antagonizuese ndaj gazetarëve/eve në Kosovë duke përdorur ndaj tyre, termat që tashmë janë bërë gati zakonshëm të dëgjuar, si “të shitur” e “mashtrues”.

Por, në vrullin me të cilin u bë ky diskutim, nuk u kap mundësia që të bëhet një reflektim më i thellë e kritik për profesionin e gazetarisë në Kosovë — një diskutim i domosdoshëm e i dobishëm për gazetarët/et e shoqërinë, përtej thjesht numrave e rankimit në Indeks.

Për çka s’u fol e për çka duhet folur?

Të bërit gazetari të mirëfilltë nuk është zanat i lehtë botërisht për këdo që ia ka mësyrë këtij misioni. Megjithatë, për disa, është edhe më i vështirë. Rreth kohës së botimit të Indeksit të RSF, tri gazetare gra Ardiana Thaçi Mehmeti nga Klan Kosova, Qëndresa Krelani nga Radiotelevizioni i Kosovës, dhe një gazetare e Kallxo.com u shënjestruan me kërcënime, sulme dhe frikësime gjatë ushtrimit të profesionit të tyre. Megjithatë, diskutimi nuk shkoi shumë përtej se a e ka, a s’e ka mirë RSF.

Thaçi Mehmeti, e cila drejton emisionin “Kiks Kosova”, kishte raportuar për grupin AlbKings në platformën “Telegram”, një grup ku po shpërndaheshin të dhëna dhe pamje intime të vajzave dhe grave. Pas raportimit, edhe numri telefonik i Thaçi Mehmetit u shpërnda në grup. Gazetarja, filloi të pranonte mesazhe dhe thirrje nga dhjetra burra nga grupi. Mediet raportuan se numri i është shpërndarë qëllimisht në shenjë hakmarrjeje për raportimin e saj. Disa ditë më vonë edhe numri i një gazetare — që ka vendosur të mbesë anonime — nga Kallxo.com u shpërnda.

Ndërkohë, Qendresa Krelani, një prej gazetareve të rralla sportive, u bë subjekt i fushatave denigruese online. Në disa video të shpërndara së fundmi, shihet deklarata me tone nënçmuese e ish-trajnerit të Kombëtares së Kosovës në futbollin e burrave, Primož Gliha ndaj Krelanit. 

Të trija gazetaret u sulmuan jo vetëm pse ishin gazetare, por pse ishin gra, duke sjellur në pah vëmendjen e munguar karshi ndërthurjes së profesionit të gazetarisë dhe gjinisë. 

Edhe gazetare, edhe gra

Gratë në Kosovë, në cilindo sektor që të jenë të angazhuara, punojnë në një kontekst thellësisht patriarkal. Gratë gazetare flasin në rrethana ku ajo çka gratë kanë për të thënë jo rrallë shihet si kërcënim ndaj status quo-së, e status quo është patriarkia. 

Kësisoj, është e pamundur të bëhet diskutim për gjendjen e gazetarisë, pa integruar qasje feministe në këtë diskutim. Për ta kuptuar këtë, mjafton të analizohen situatat nëpër të cilat ndodhen këto tri gazetare dhe situatat nëpër të cilat ndodhen plot gazetare tjera — të gjitha, situata thellësisht të gjinorizuara.

Thaçi Mehmeti, duke hulumtuar për abuzimin seksual përmes pamjeve, u bë edhe vetë cak i një sulmi të ngjashëm, me atë që kanë përjetuar viktimat, për përjetimet e të cilave gazetarja hulumtonte. Kur është fjala për abuzimin seksual përmes pamjeve, gjinia është faktor kyç — shumica dërrmuese e viktimave janë gra. Njëjtë u shënjestrua edhe gazetarja e Kallxo.com. 

Cak i gjuhës poshtëruese e seksiste, ndër vite, është edhe gazetarja Krelani. Gjinia e Krelanit është faktor kritik në këto dinamika. Ajo është prej gazetareve të rralla sportive në Kosovë, një fushë gazetareske që mbizotërohet me të madhe prej burrave. Nëse përpiqemi t’i përgjigjemi pyetjes se cili burrë në gazetari sportive ka marrë koment të llojit “niveli yt nuk është i një gazetareje, duke fillu nga pamja jote”, siç e mori Krelani në vitin 2021, nga trajneri i klubit futbollistik “Llapi”, Tahir Batatina, menjëherë na vizatohet një pamje e qartë: gazetaret në industrinë e sportit jo që s’janë të mirëseardhura, por janë të refuzuara. Kur ato kritikojnë profesionalisht, përballen me sulme gjinore duke i bërë përvojat e tyre rrënjësisht të ndryshme prej atyre të kolegëve burra. 

Gazetaret, që shpeshherë janë në ballë të mbulimit medial lidhur me çështjet që lidhen me padrejtësitë gjinore, janë gra që jetojnë në një shoqëri patriarkale — këtë nuk duhet harruar në secilin diskutim që flet për sfidat në gazetari. E kjo, po harrohet shpesh, gjë që në vete përbën përjashtim.

Ky mjedis armiqësor për gratë gazetare ka pasoja më të gjera shoqërore. Kur gratë shkurajohen nga një profesion kaq publik, si gazetaria, heshten pikëpamjet dhe zbehet cilësia e debatit publik. Po ashtu, përjashtimi i zërave të grave përjetëson pabarazinë gjinore, duke shkurajuar gratë tjera që t’i mësyhen profesionit e që të marrin pjesë në jetën publike. 

Të nisim prej brenda

Diskutimi më i shëndoshë e i informuar rreth ndërthurjes midis profesionit të gazetarisë dhe gjinisë duhet të fillojë përbrenda, pra nëpër redaksitë në Kosovë, sidomos për dy arsye: mediet kanë fuqi të ndikojnë qëndrimet shoqërore dhe mediet në vetvete kanë hise në këtë situatë. 

Së pari, mund të nisin duke u siguruar që gazetaret, përbrenda vendeve të tyre të punës, të jenë të lira nga çfarëdo diskriminimi a shtypjeje qoftë gjinore, qoftë tjetër. Kjo sepse, përpos shoqërisë që është më e gatshme për t’i gjykuar dhe për ta instrumentalizuar gjininë e tyre për t’i sulmuar ato, gratë s’janë të sigurta as në vendet e tyre të punës. 

Sipas një hulumtimi të realizuar me anketa me 265 gra — gazetare, fotoreportere, moderatore, redaktore, kryeredaktore, drejtore, lektore dhe montazhere — të punësuara në të gjitha llojet e medieve, një në katër gra është viktimë e ngacmimit seksual në punë. Po ashtu, ato përballen me pasiguri financiare — rreth gjysma e grave të anketuara fitojnë më pak se paga mesatare në Kosovë, që në vitin 2021 ishte 484 euro. 21.5% besojnë se fitojnë më pak se kolegët e tyre burra për të njëjtën punë. 

Së dyti, redaksitë duhet të aplikojnë politika e protokolle gjithëpërfshirëse kundër ngacmimeve, të ofrojnë trajnime për ndjeshmërinë gjinore dhe të krijojnë kultura mbështetëse në redaksi. Krijimi i masave të tilla është thelbësore për krijimin e një mjedisi pune të sigurt dhe të barabartë për gazetarët gra. Gazetaret gra përballen me sfida unike që kërkojnë zgjidhje të dizajnuara veçantë — duke adresuar çështjet e sigurisë, standardeve etike, të drejtave digjitale, duke zbatuar politika redaktoriale proaktive. Redaksitë duhet t’i përfshijnë gratë në gjetjen e zgjidhjeve e këtë mund ta bëjnë vetëm nëse bëhen vende të sigurta ku gratë mund t’i ndajnë rrëfimet e përjetimet e tyre. Nëpër botë, ka udhëzues të ndryshëm se si mund të përfshihet pikëpamja gjinore në monitorimin, dokumentimin e sulmeve dhe në avokim.

Redaksitë, në nivel tjetër, po ashtu duhet të jenë të qëllimshme se kush janë ekspertët/et që ftohen për të folur për politikë, ekonomi e siguri — tema që përgjithësisht konsiderohen si tema më të rëndësishme shoqërore. Në një hulumtim në nivel botëror, të botuar në vitin 2022, me autore hulumtuesen, Luba Kassova, tregohet se zërat e ekspertizës së grave mbeten të heshtur në fushën e politikës, ku zërat e burrave zënë vend prej tre deri në shtatë herë më shumë se të grave dhe në fushën e ekonomisë ku zërat e burrave janë plot 31 herë më të pranishëm se të grave. 

Ndryshimi ka nisur në disa redaksi, sidomos me emisione të qëllimshme që prekin çështje feministe, në veçanti, e të të drejtave të njeriut, në përgjithësi. Derisa këto nisma janë të domosdoshme për shkak të përjashtimit disproporcional të grave prej medies, drejtësia gjinore duhet të jetë e integruar gjithkund, në secilin diskutim që bëhet — atë që del në televizion dhe atë prapa kamerave. 

Politika e siguria, në fund të fundit, janë të pashkëputshme nga barazia gjinore. Më nuk mund të mjaftohemi me “kemi thirrur gra në emisione, por nuk po vijnë”. Gratë do të shkojnë në emisione, kur hapësira të bëhet e sigurt. Ato përfshihen kur të mund të flasin e t’i ndajnë dijet, analizat, qëndrimet e tyre, pa u bërë cak i seksizmit në studio televizive e jashtë tyre. 

Rruga për ta hequr me rrënjë patriarkinë nuk është e lehtë e as e shpejtë — kërkon angazhim të njëmendtë. Nuk mund të mjaftohemi me “e kemi mbuluar barazinë gjinore”, nëse nuk e trajtojmë barazinë gjinore përbrenda, qëllimshëm. Përpjekja për lirinë e shtypit në Kosovë është e pandashme nga përpjekja për barazinë gjinore dhe përpjekja duhet të nisë brenda industrisë.

Ky artikull mbështetet nga ARTICLE19 si pjesë e çmimeve për Gazetari Etike, #CheckFirst. ARTICLE19 është organizatë ndërkombëtare që shtyn përpara lëvizjen për lirinë e shprehjes në nivel vendi dhe botërisht, për t’u siguruar që njerëzit kanë përmbushin fuqinë e zërave të tyre. 

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0

Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.