Një prej pyetjeve që gazetarët ia bëjnë vetës është se kur duhet të publikojnë një artikull: a paraqet ai lajm, inçizim ose foto interes për publikun? Kështu të paktën kishte qenë nëse do t’ia drejtonim [ne gazetarët] këtë pyetje vetës po aq shpesh sa edhe e mendojmë se e bëjmë realisht.
Pas kësaj, duhet ta pyesim vetën një pyetje të dytë: a po e rrezikojmë dikë duke postuar atë inçizim ose fotografi? Kur them ‘rrezikojmë’, mendoj në çfarëdo mënyre; madje edhe në mënyrë emocionale, aspekt ky që kemi tendencë të harrojmë.
Fatkeqësisht, gazetarët rrallëherë i shtrojnë këto pyetje. Disa madje nuk i shtrojnë kurrë.
Një inçizim në rrjete sociale ishte ai që ka shqetësuar njerëzit në Bosnjë dhe Hercegovinë së fundmi. Bëhet fjalë për një video në të cilën një grua e pashpresë lutet për ndihmë para se të gëlltitet prej flakëve të ndezura nga një shpërthim i një bombole gazi në banesën e saj, në katin e njëmbëdhjetë të një ndërtese shumëkatëshe në Sarajevë. Ky inçizim nuk u bë nga një gazetar/e apo kameraman/e, që ishte dërguar nga një redaktor/e për të kryer një detyrë; edhe po të ketë qenë kështu rasti, prapë se prapë duhet diskutuar. Gjithçka u inçizua nga kamera e telefonit të një turisti dhe u publikua nga Klix.ba – e më vonë nga Avaz, Buka, Focus, Tuzlanski, 24sata.info, Ekskluziva dhe shumë [media] të tjera – tri ditë pasi dy persona të moshuar vdiqën në këtë aksident.
Kam menduar mbi atë se ku mund të jetë interesi publik i publikimit të një inçizimi të tillë? Është e diskutueshme sa i përket etikës dhe krejtësisht e panevojshme në një situatë, në të cilën veç se ishim në dijeni për gjithçka rreth atij zjarri – çfarë nuk funksionoi si duhet dhe kush cilat detyra e përgjegjësi i ka. E kur them ‘dinim’ – mendoj për të gjithë ne që deshëm të lexojmë për këtë ngjarje. Gjithashtu, veç se ishim në dijeni [të informuar] për gjitha problemet para se të vdisnin dy personat e vjetër e të pashpresë në atë zjarr, por thjeshtë nuk na interesoi se a po funksiononin hidrantët në ndërtesa, ose pse zjarrfikësit e Sarajevës nuk kishin para e mjete për të kryer punën e tyre pa pengesa.
Nuk dua të besoj që inçizimet e tilla mund ta përmbysin një qeveri, të rregullojnë hindrantë, të i mësojnë ata që janë përgjegjës (që janë të fajshëm), të punësojnë më shumë zjarrfikës ose të sigurojnë kushte normale të punës. E di që fakt është se inçizimet e tilla nuk mund të na bëjnë që të mendojmë për atë se si mund ta ndryshojmë faktin që kemi mungesë të ujit – sepse edhe kur ka ujë, ai është i ndotur e i patrajtuar.
Ky inçizim nuk do ta ndryshojë faktin se zjarrfikësit përdorin ‘filxhanë’ dhe se politikanët enden me vetura të markave në vlerë 250,000 e kanë villa e apartamente. Pra pse është ky inçizim me interes për publikun?
Ndoshta disa persona nuk e kanë lexuar, pra ta përsërisim Nenin 9 të Kodit të Shtypit dhe Mediave Online të Bosnjes dhe Hercegovinës, që i referohet privatësisë:
“Shtypi duhet t’i shmanget ndërhyrjeve dhe hetimeve të jetës private të një individi, përveç në raste kur ndërhyrjet ose hetimet e tilla janë të nevojshme për shkak të interesit publik. Trajtimi i lajmeve që përfshijnë tragjedi personale duhet të bëhet me ndjeshmëri dhe individëve të ndikuar duhet t’iu qasen me mirëkuptim, keqardhje dhe maturi”.
Kur flasim për interesin publik, nuk e shoh asnjë fakt të vetëm që më bind që publikimi i atij inçizimi në Klix – inçizim që ndërhynë në jetën personale të dikujt – është në interesin e publikut. Ngjashëm ndodhi edhe me rastin e vrasjes së dy ushtarëve në Rajlovac, kur në TV u transmetua një inçizim që shfaçte momentin kur njëri prej anëtarëve të familjes së njërit prej ushtarëve të ndjerë morri vesh për vrasjen e këtij të fundit, ose kur gazetarët, pak kohë pasi ndodhi tragjedia, e pyetën familjen se si ndihen pasi është vrarë i biri i tyre.
Çfarë interesi publik mundë të ketë kjo këtu? A mendon dikush që numri i terroristëve do të reduktohet pasi i dëgjojmë dy prindër duke qarë e duke folur për fëmiun e tyre të ndjerë?
Kjo nuk është e tëra – ku mbeti dhembshuria e keqardhja për ata që u vranë në mënyrë tragjike? Keqardhja e përcaktuar nga kodi i shtypit. Ku është keqardhja për fëmijët, që detyrohen ta shohin nënën e tyre duke u gëlltitur nga një zjarr shkatërrues, derisa babai i tyre është i shtrirë brenda e i palëvizshëm? A duhet ne të jemi ata që ua kujtojmë në mënyrë grafike këtë?
Besoj se mos publikimi i këtij inçizimi do të ndryshonte shumë profesionin e gazetarisë. Atëherë nuk kishim punuar vetëm për klikime, por për intersin e lartpërmendur publik. Klikimet dhe sensacionalizmi pa dyshim po e shkatërrojnë ngadalë profesionin tonë.
Në garën për të qenë më i shpejti dhe më sensacionali, e krejtë për të marrë më shumë klikime se mediat tjera online, e kemi humbur përgjegjësinë për atë që thuhet, shkruhet dhe inçizohet. Jemi bërë jo të sinqertë e analfabet, me shumë gabime faktike dhe madje edhe të drejtshkrimit.
Kemi harruar se çka është të qenurit njerëz, e pastaj gazetarë – prandaj njerëzit do të na besojnë më pak, e më pak secilën herë. Si mund të presim që të na besojnë kur jemi në gjendje që të vëmë në faqe të parë fatkeqësinë, vdekjen, vuajtjen dhe mjerimin e tjetrit?
Disa thonë – dhe kanë të drejtë – që njerëzit i lexojnë e shikojnë pikërisht ato tema me të cilat gazetarët duhet të kenë më së shumti kujdes. Por a do të thotë kjo që duhet t’ua plotësojmë kaq shumë dëshirat audiencës, e t’i helmojmë ata me tituj si: “Nuk mund të besoni se çfarë ndodh më pas”, ose ndoshta: “Shiko se si u dogj kjo grua”. E gjithë kjo vetëm për ta detyruar dikë që të klikojë shkrimin tënd.
Shpeshherë mendoj se po shëndrrohemi në njerëz që punojnë për klikime. Ndoshta dikush e shpik një emër të ri për atë punë. Nuk e kam idenë se si duhet të tingëllojë ai emër, por nëse vazhdojmë kështu, së shpejti askush nuk do të na quaj më gazetarë.
Ky artikull është pjesë e projektit të Qendrës Evropiane për Liri të Mediave dhe Shtypit (ECPMF), bashkëfinancuar nga Komisioni Evropian dhe zbatuar në partneritet me Osservatorio Balcani e Caucaso. Përmbajtjet e këti publikimi janë përgjegjësi vetëm e projektit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të merren si pasqyrim i pikëpamjeve të Bashkimit Evropian.