Cilat janë vlerat e Bashkimit Evropian (BE)? Sipas Traktatit të Lisbonës të vitit 2007, në të cilin u përcaktuan ato, vlerat e BE janë paqja, demokracia, respektimi i të drejtave të njeriut, drejtësia, barazia, sundimi i ligjit dhe qëndrueshmëria. Megjithatë, Traktati i Lisbonës nuk përcakton se si institucionet e BE do t’i vënë në praktikë këto vlera. Në të vërtetë, siç e thekson sociologia Caroline Guibet Lafaye, “ekzistenca e vlerave veçanërisht evropiane vihet në pikëpyetje nga praktikat dhe mungesa e politikave për zbatimin e tyre”.
Kur u vendosën këto vlera, ato u konceptuan si pjesë përbërëse eBE. Në vend që të jenë aspiruese, janë përfshirë në atë që Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen e konsideron “mënyra evropiane e të jetuarit”.
BE është projekt ekonomik dhe politik që krenohet me vlerat e veta, ndërkohë që ka privilegjin t’i shpërfill ato kur janë politikisht të papërshtatshme.
Por BE nuk është koncept abstrakt apo një “kopsht” idilik për t’u admiruar prej pjesës tjetër të botës, siç do të dëshironte Përfaqësuesi i Lartë në largim i Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell. BE është projekt ekonomik dhe politik që krenohet me vlerat e veta, ndërkohë që ka privilegjin t’i shpërfillë ato kur ato bëhen politikisht të papërshtatshme.
Edhe pse Borrell kërkoi falje për metaforën e tij euro-centrike, e cila e krahasoi pjesën tjetër të botës me një “xhungël”, BE kështu dëshiron ta paraqes veten. Për dallim nga ky imazh fisnik, BE mbetet një projekt ekonomik dhe politik, politikat e përbashkëta të të cilit përfshijnë shkeljen e të drejtave të njeriut në kufijtë e saj. Në librin me kujtime “Të lirë: Të rritesh në fund të historisë”, Lea Ypi shkruan rreth asaj se si Evropa Jugore ishte prej të parave në ndalimin dhe shtypjen e emigrantëve gjatë viteve të ’90-a. Ajo shton se “Perëndimi, fillimisht i papërgatitur për ardhjen e mijëra njerëzve në kërkim të një të ardhmeje ndryshe, shpejt e përsosi një sistem ku kategoritë e ndjeshme përjashtohen dhe më të aftët joshen, krejt këto duke ruajtur kufijtë për ta ‘mbrojtur mënyrën tonë të jetesës’”.
Ndërsa predikon vlerat e demokracisë dhe pluralizmit, BE nuk i ka trajtuar kurrë anëtarët e vet në mënyrë të barabartë — siç dëshmuan kriza ekonomike e vitit 2008 dhe pandemia COVID-19. BE e ka përjetësuar dinamikën e pushtetit mes anëtarëve në veri dhe jug dhe vazhdon t’i paternalizojë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë, që aspirojnë të anëtarësohen. Për më tepër, ka derdhur mjete të konsiderueshme financiare për t’i mbajtur njerëzit në lëvizje — refugjatë, azilkërkues dhe migrantë — jashtë kufijve të vet, duke shpenzuar para në rojet bregdetare libiane, si përpjekje për t’ua pamundësuar njerëzve në lëvizje kalimin e Mesdheut, si dhe duke pozicionuar e zyrtarë të Frontex në kufijtë e Serbisë me vendet joanëtare të BE dhe vendndodhje të tjera.
Origjina e vlerave evropiane
Integrimi evropian buron nga krijimi i Komunitetit Evropian të Qymyrit dhe Çelikut (ECSC) në vitin 1951. Megjithatë, historia e BE mund gjurmohet që nga themelimi i Komunitetit Ekonomik Evropian (KEE), në vitin 1957 përmes Traktatit të Romës, i cili krijoi një treg të përbashkët dhe nxiti integrimin ekonomik mes gjashtë themeluesve — Belgjikës, Francës, Italisë, Luksemburgut, Holandës dhe Gjermanisë Perëndimore.
KEE u shndërrua BE në vitin 1992 përmes Traktatit të Mastrihtit, i cili u përditësua në vitin 2007 duke u bërë kështu Traktati për Bashkimin Evropian. Ky traktat prezantoi konceptin e shtetësisë evropiane dhe theksoi përkushtimin e BE në demokraci, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit, duke i përfshirë këto vlera në kuadrin institucional të bashkimit. Traktati i Lisbonës, i cili hyri në fuqi në vitin 2009, i forcoi më tej këto vlera, duke i përcaktuar zyrtarisht si parimet qenësore të BE.
Traktati për Bashkimin Evropian thotë: “Bashkimi Evropian bazohet në vlerat e respektimit të dinjitetit njerëzor, lirisë, demokracisë, barazisë, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave të njeriut, duke përfshirë të drejtat e personave që u përkasin pakicave. Këto vlera janë të përbashkëta për shtetet anëtare, në një shoqëri të karakterizuar nga pluralizmi, mosdiskriminimi, toleranca, drejtësia, solidariteti dhe barazia mes grave dhe burrave”.
Derisa BE ta pranojë të kaluarën dhe t’i njohë privilegjet që kanë pasur disa nga anëtarët e vet si përfitues historikë të kolonializmit, nuk do të jetë shembulli moral që pretendon të jetë.
Traktati nuk angazhohet të kaluarën koloniale të Evropës apo nuk përpiqet të ballafaqohet me atë se si vendet që fillimisht u pasuruan përmes projekteve koloniale, mund ta paraqesin veten si avokuese të dinjitetit njerëzor, lirisë dhe të drejtave të pakicave. Derisa BE ta pranojë të kaluarën dhe t’i njohë privilegjet që kanë pasur disa nga anëtarët e vet si përfitues historikë të kolonializmit, nuk do të jetë shembulli moral që pretendon të jetë. Të besosh se kolonializmi evropian — ose kolonializmi në përgjithësi — është tejkaluar në shekullin e kaluar, është gabim i madh. Në të vërtetë, siç argumentojnë Fraser Cameron dhe Shada Islam, nga Qendra e Politikave Evropiane: “Nëse Bashkimi dëshiron t’i realizojë synimet e veta gjeopolitike për të qenë lojtar global, udhëheqësit/et e BE duhet të merren me ndikimin që keqbërjet e të kaluarës koloniale kanë pasur dhe të sigurojnë që diplomatët/et e BE dhe evropianët/et e rinj/eja janë të vetëdijshëm/me se si historia jonë ndikon në të tashmen”.
Disa shtete të BE kanë bërë përpjekje sipërfaqësore për t’i rishqyrtuar të kaluarëat e veta koloniale — Franca me Algjerinë, Belgjika me Kongon Belge ose Gjermania me Namibinë — por të tjerat, si Spanja me Sarahan spanjolle dhe Amerikën Latine, ose Italia me ish-kolonitë e veta në Afrikë, ende rezistojnë. Studiuesja e marrëdhënieve ndërkombëtare, Anna Khakee, thekson se “kjo heshtje e kolonializmit në kombinim me ‘përvetësimin’ e idealeve demokratike dhe të të drejtave të njeriut nga BE, ka një pasojë të rëndësishme: që diskurset hegjemoniste të epokës koloniale mbeten të paprekura”.
Jo të gjithë anëtarët e BE kanë të kaluar koloniale, por për shkak të trashëgimisë koloniale dhe imperiale të disa anëtarëve të vet, BE si tërësi gëzon qasje të privilegjuar në institucionet ekonomike, politike dhe sociale të shumë shteteve tashmë të pavarura dikur të kolonizuara nga fuqitë evropiane.
Sistemi i traktateve, rregullave dhe rregulloreve të BE me shtetet e pavarura në Jugun global mbart trashëgiminë e dominimit kolonial. Kjo hyn në atë që filozofi francez, Jean-Paul Sartre dhe udhëheqësi ganez i pavarësisë, Kwame Nkrumah e përkufizuan si “neokolonializëm”. Shenjat e këtij sistemi mund të shihen në shumë shtete që mbeten nën ndikimin e tij.
Afrika përbëhet prej 30% të rezervave minerale globale, të cilat eksploatohen nga kompani të huaja, shpesh me prejardhje nga ish-fuqitë koloniale. Në Niger, për shembull, “Areva”, një kompani shërbimesh bërthamore, pronar i shumicës së të cilave është shteti francez, ka mirëmbajtur minierat e uraniumit, që nga pavarësia e Nigerit nga Franca në vitin 1960, duke ua nënkontraktuar shumicën e aktivitetit të saj minerar kompanive të huaja. Siç tha revolucionari marksist dhe ish-presidenti i Burkina Fasos, Thomas Sankara, “ata që na kanë huazuar para, janë të njëjtët njerëz që na kolonizuan. Janë të njëjtët ata që menaxhuan shtetet dhe ekonomitë tona. Janë kolonizatorët që e futën në borxh Afrikën”.
BE nuk zotëron të drejta sociale universale
BE nuk ka vlera moralisht superiore; është projekt politik me një kornizë ligjore që kërkon respektimin e disa të drejtave sociale, që u arritën gjatë historisë. Por siç argumenton gazetari Miquel Ramos, “të drejtat e fituara brenda vendeve të bashkimit nuk janë koncesione, madje as fryt i një identiteti të përbashkët, as nuk përfaqësojnë ‘vlerat evropiane’ siç thonë disa”. Në vend të kësaj, sipas Ramos, “Ato u fituan falë betejave shoqërore, njëmijë herë të persekutuara dhe të shtypura brenda të njëjtës BE”.
Pretendimi i BE për "vlerat evropiane" të qenësishme në Traktatin e Lisbonës, nënkupton që për të drejtat që u arritën përmes lëvizjeve shoqërore nuk është dashur të luftohej përmes avokimit të palodhur dhe shpeshherë aktivizmit të rrezikshëm.
Pretendimi i BE për “vlerat evropiane” të qenësishme në Traktatin e Lisbonës, nënkupton që për të drejtat që u arritën përmes lëvizjeve shoqërore nuk është dashur të luftohej përmes avokimit të palodhur dhe shpeshherë aktivizmit të rrezikshëm. Ky pretendim po ashtu i lë vendet gjeografikisht në Evropë, por jo brenda BE në harresë: evropianë për nga gjeografia dhe historia, por jo mjaftueshëm evropianë për sa i përket vlerave, siç përcaktohet nga institucioni më i fuqishëm politik i kontinentit.
Shembuj të kësaj lufte për vlerat që BE pretendon se i ka mund të shohim tek ndodhin në mbarë botën, shpesh në dallim të madh me atë që po ndodh mes anëtarëve të BE. Për shembull, vala e gjelbër në Argjentinë pasqyron mbrojtjen e të drejtave riprodhuese të grave, në një kohë kur u raportua se Italia hoqi përmendjen e të drejtës së abortit nga deklarata e përbashkët e G-7. A nuk duhet të mësojmë nga rezistenca Maori në Zelandën e Re kur BE ka kaq shumë punë për të bërë në respektimin e të drejtave të pakicave? A nuk e mishërokan luftën për ruajtjen e mjedisit gratë indigjene në përpjekjen e Amazonës?
BE s’është kopsht
BE s’është “kopsht” ku vlerat moralisht superiore mbrojnë komunitetin e saj; është një grup vendesh që gëzojnë të drejta sociale që u arritën përmes betejave të qytetarëve — punëtorëve/eve, grave, anëtarëve/eve të komuniteteve LGBTQ+, aktivistëve/eve të ndryshimeve klimatike e të tjerë/a — të cilët u kriminalizuan nga të njëjtat institucione që sot i kanë bërë ato vlera si të tyret.
Po ndodh tashmë me protestat në mbështetje të Palestinës. Teksa shumë në të gjithë kontinentin kërkojnë armëpushim në Gaza, Borrell, Përfaqësuesi i Lartë i BE, tha se “do të duhet të zgjedhim mes mbështetjes sonë për institucionet ndërkombëtare dhe sundimit të ligjit, apo mbështetjes sonë për Izraelin”. Kjo vjen pasi anëtarët e BE vazhdojnë t’i shesin armë Izraelit, në mënyrë që të vazhdojë ta shkatërrojë jetën në Gaza, në forma që kanë çuar në akuza për gjenocid.
Evropa ishte djepi i fashizmit dhe e djathta ekstreme bashkëkohore, trashëguese e drejtpërdrejtë e kësaj ideologjie, nuk është kërcënim nga jashtë. Përkundrazi, ajo buron nga brenda. Në pikëpamjen e Ramos, “BE nuk është gjë tjetër veçse një guaskë e zbrazët, një enë që mbushet në mënyrë progresive me përbërësit që depoziton historia në të”. Ai shton se “kolonializmi, fashizmi, nazizmi dhe holokausti janë gjithashtu pjesë e historisë së Evropës, kështu që Evropa s’është asgjë në vetvete, as nuk ka ndonjë vlerë evropiane që na përkufizon”.
Meqenëse rritja e së djathtës ekstreme kërcënon këto të drejta, është qenësore të njihet se vlerat, të cilat BE pretendon t’i mbështesë nuk janë në thelb evropiane, por janë pjesë e një lufte më të gjerë globale për drejtësi dhe barazi.
Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.