Mes drag skenës së gjallë të Prishtinës, dy mbretëresha të dashura drag — Diva Drag dhe Adelina Rose — janë në garë të ashpër, por lozonjare për qendrën e vëmendjes. Rivaliteti i tyre, i realizuar me veçori stilistike, është po aq i fuqishëm, sa çdo shfaqje shekspiriane.
Teksa komuniteti LGBTQ+ i Kosovës lufton që të drejtat themelore për të qenë të mbrojtur/a, këto mbretëresha drag kanë dalë në sipërfaqe si kampione të papritura të shprehjes individuale, me artin e tyre që shërben edhe si protestë edhe si thirrje.
Përpjekjet e tyre të pashtershme për të shkëlqyer, ushqejnë një art gjithnjë e në zhvillim, që prek maja të reja. Përmes performancave, postimeve në rrjetet sociale dhe paraqitjeve televizive, mbretëreshat u kundërvihen ligjeve diskriminuese dhe thyejnë normat gjinore. Intensiteti i shprehjeve të tyre kreative përforcon mesazhet e tyre dhe forcon statusin e tyre si ikona të dashura queer të Prishtinës. Një përkushtim i tillë shtrihet përtej thjesht rivalitetit dhe reflekton një përkushtim të thellë ndaj kauzës dhe komunitetit të gjerë queer.
Në botën e shumëllojshme drag, së cilës të dy mbretëreshat tona ia kanë kushtuar jetën, arti tejkalon thjesht personifilimin femëror. Prodhon një strehë për ata/o që u rezistojnë traditave patriarkale ose heteronormative. Është po ashtu një hapësirë loje e gjallë për ata/o që e përshkruajnë veten “të çuditshëm/me”, ku kufijtë e jokonformitetit gjinor shtjellohen me kënaqësi, përmes një pafundësie shprehjesh teatrale. Individët janë të ftuar t’i rrëzojnë tabutë dhe ta shijojnë bukurinë e veçantisë së tyre, për ta përqafuar atë e jo për ta paragjykuar.
Performancat hyrëse
Për shumë individë LGBTQ+, Prishtina është toka ku nisin rrënjët dhe ushqehen shpirtrat. Kryeqyteti plot gjallëri ofron ndjenjën e përkatësisë, veçanërisht për ata/o që sapo kanë nisur rrugëtimet e tyre LGBTQ+. Vetë Diva Drag e jona, u shpërngul në Prishtinë nga vendlindja e tij, Gjilani, ku s’mundi ta imagjinonte të ardhmen. Prishtina ia ofroi premtimin e fillimeve të reja.
Diva po shfrytëzon njohuritë, famën dhe lidhjet e tij, për ta ndërtuar “Queen's Corner”, një sallon ondulimi në zemër të qytetit — na vjen RuPaul, mbretëresha jonë s’ka kohë për të konkurruar në garën tënde!
Fotografia nga arkivi i Divës.
Me numrin e madh të ndjekësve në Instagram dhe talentin legjendar, Diva s’ka nevojë për prezantim. Ai sfidon pritshmëritë si aktivist, performues dhe grimer, duke zënë vendin e tij në komunitetin e Prishtinës me besim të palëkundur. Për mendimin tim, ai mund ta fitojë pa u munduar fort garën e “RuPaul’s Drag”, por në vend të kësaj, ka ndjekur ëndrrën e tij për t’u bërë një artist grimi. Diva po shfrytëzon njohuritë, famën dhe lidhjet e tij, për ta ndërtuar “Queen’s Corner”, një sallon ondulimi në zemër të qytetit — na vjen keq RuPaul, mbretëresha jonë s’ka kohë për të konkurruar në garën tënde!
Diva nisi duke performuar në Kosovë dhe shumë shpejt preku skenën ndërkombëtare. Ai arriti një moment të rëndësishëm historik, kur u shfaq në videoklipin “Pussypower”, një këngë e yllit gjerman të popit, Katja Krasevice.
Adelina Rose, për dallim, asnjëherë s’e kishte ndërmend të lëshonte rrënjë në Prishtinë. Pavarësisht rezervave fillestare, çka supozohej të ishte thjesht një qëndrim i shkurtër për ta xhiruar një film të shkurtër, “Bini”, në Kosovë, u shndërrua në vite të përjetimit të qytetit si një mbretëreshë drag komike, aktore dhe performuese e talentuar. Në Prishtinë Adelina Rose u takua me mbretëreshën tonë të nderuar të të gjitha mbretëreshave, Adelina Ismailin — këngëtaren e shquar kosovare të viteve të ’90-a, e cila i shtyu kufijtë e temave në muzikën pop — e cila u bë nënë-mbretëreshë e Adelina Rose.
Sot, të shohësh mbretërimin e tyre është kënaqësi absolute. Mx. Rose mbart trashëgiminë e nënës së tyre me elegancë dhe baraspeshë, duke reflektuar hijeshi në çdo aspekt të punës së tyre. Një shembull është filmi i tyre, “I Love You More”, i cili tregon betejat e një personi të turpshëm queer, që bie në dashuri.
Fotografia nga arkivi i Adelina Rose.
Në performancat e Divas dhe Mx. Rose, shprehja queer qëndron si afirmim i fuqishëm i autonomisë personale. Drag ndihmon komunitetin e gjerë queer të ndërtojë vetëbesim. Në formën e vet më të pastër, drag shërben si kundërhelm i fuqishëm ndaj heteronormativitetit.
Shfaqje vezulluese
Diva dhe Mx. Rose nxisin dramë ndërmjet shoqërisë së tyre të përbashkët, duke i lënë të gjithë/a duke hamendësuar se kush çka i tha kujt. Mbretëreshat tona të dashura drag nxisin shkëmbime thashethemesh, duke orkestruar një spektakël grindjesh, që i mban shikuesit/et të përfshirë/a.
Kur Mx. Rose i cendosi vajzat e saj për adoptim, Diva e shfrytëzoi rastin pa hezituar dhe i mori nën mbikëqyrjen e tij — një veprim i ngjashëm me blerjen e sekreteve të rivalit tuaj.
Ta zëmë, për shembull, rasti kur Mx. Rose shpërndau “Haus of Roses”, familjen e tyre drag. Mbretëreshat e dreja drag shpesh adoptohen nga nëna drag me përvojë dhe bashkohen në familje ose shtëpi. Shtëpitë shërbejnë si ekipe garimi brenda botës drag dhe mund të shërbejnë si rrjete alternative mbështetëse për të rinjtë queer, që ndihen të tëhuajsuar në familjet e tyre biologjike dhe të izoluar nga shoqëria. Kështu, drag nënat mund të shërbejnë si udhërrëfyese dhe udhëheqëse, duke ofruar udhëzime, mbështetje dhe ndjenjën e përkatësisë për vajzat e tyre të adoptuara.
Kur Mx. Rose i vendosi vajzat e saj për adoptim, Diva e shfrytëzoi rastin pa hezituar dhe i mori nën mbikëqyrjen e tij — një veprim i ngjashëm me blerjen e sekreteve të rivalit tuaj. Edhe vetëm ky rast mund të kishte shërbyer si bazë për një episod të “Pose” me shije Prishtine.
Natyrisht, drama nuk e ndal Mx. Rose. Përtej të gjithave, Mx. Rose skandalizuan audiencën me triumfin e tyre të fundit muzikor, “The Bitch”. Kjo këngë e zjarrtë dhe tekanjoze mishëron këmbënguljen kreative të Mx. Rose, duke sjellë thashetheme të thella që e bëjnë audiencën të hamendësojë në pafundësi për rrëfimet që do të shpalosen në shfaqje. Kjo këngë përcjell rrëfimin e Mx. Rose tek i thuhet se është tejet e shtrenjtë për të performuar, se mund ta zëvendësojnë me performuese të reja dhe më të lira, krejt kjo për ta inkurajuar atë tutje nga Ismaili, për ta djegur shfaqjen, që t’ua dëshmojë atyre pse është “the bitch“.
“The Bitch” e Adelina Rose pasqyron kreativitetin e saj. Fotografia nga arkivi i Adelina Rose.
Diva lundron në jetën e tij të gjallë, midis performancave, stilimit të flokëve, grimit dhe punës së avokimit, me një bukuri të parezistueshme. “RuPaul gjithmonë thotë, ‘Zotëroj 51% të kësaj kompanie’,” u shpreh ai. “Pothuajse ia kam dalë. Ia kam kushtuar shpirtin tim ‘Queen’s Corner’ dhe mezi pres ta shoh tek lulëzon”.
Diva ka performuar edhe në dy shfaqje gjatë muajve të fundit. Njëra ishte “Romeo & Romeo”, që e performoi në Muzeun Etnologjik gjatë Javës së Krenarisë në Prishtinë, në qershor të vitit 2024. Tjetra ishte “Free-Zëra të padëgjuar”, që e performoi në maj 2024 në Gjilan, në vendlindjen e vet. Ai xhiroi një pjesë promovuese të re për Festivalin Queer të Prishtinës, duke hedhur hije ndaj Mx. Rose, dhe vazhdon të performojë në shfaqje drag. Kur pyeta për qëllimin e tij të radhës, më la të kuptoj për një projekt të ri ambicioz: një dokumentar që tregon trashëgiminë e tij.
Kur s’është në skenë, Diva i përkushtohet sallonit “Queen’s Corner”. Fotografia nga arkivi i Diva.
Talenti i Mx. Rose shkëlqen në “Inside Four Walls”, një dramë që e shkroi, ia bëri regjinë dhe në të cilën luajti. “Inside Four Walls” u shfaq në teatrin “Oda” në Prishtinë gjatë Javës së të Drejtave të Njeriut në vitin 2022 dhe Javës së Krenarisë në Prishtinë në vitin 2023. Kjo dramë shpalos një këndvështrim personal se çka nënkupton të jesh person queer në Kosovë, duke portretizuar luftën e kosovarëve/eve queer kundër diskriminimit dhe urrejtjes.
Një përballje përfundimtare?
Së bashku, të dyja gjetën një skenë ku arti dhe avokimi i tyre mund të lulëzojnë. Të njohur/a si shenjtorë/et ose djallëzorë/et e komunitetit LGBTQ+, varësisht kë e pyet, mbretëreshat tona drag skenës i sjellin një përzierje të pakrahasueshme hareje, lumturie dhe të qeshurash. Nga sinkronizimi i buzëve deri tek imitimi i personazheve të famshëm, ata/o e komandojnë skenën, pa u frikësuar t’i shprehin mendimet e tyre dhe të angazhohen në performanca gazmore dhe të përzemërta.
E prapëseprapë, konkurrenca mes tyre nuk është haptazi e dukshme, nxit spekulime dhe thashetheme brenda qarqeve të komunitetit drag të Prishtinës. Çdo ballafaqim, qoftë në skenë apo pas dyerve të mbyllura, i shton kureshtje kësaj grindjeje legjendare, me thashethemet, komplotet, ambiciet dhe marifetet që përforcojnë dramën.
Po qarkullojnë thashetheme se Mx. Rose është gati t'i këpus rruazat e qafës dhe t'i hedhë në skenë, për ta penguar rivalen e saj, po që se Diva realizon lëvizjet e kërcimit si “hedhja e vdekjes” (death drops( apo sparkatën (splits), për një avantazh.
Ka shumë zhurmë gjersa fansat dhe ndjekësit/et e skenës drag të Prishtinës presin me padurim ballafaqimin e pashmangshëm mes Diva dhe Mx. Rose, në një ekstravagancë epike, me sinkronizim buzësh. Teksa deri më tani nuk ka pasur plane për një ngjarje të tillë, fansat ëndërrojnë ditën kur do t’i shohin mbretëreshat të ballafaqohen. Po qarkullojnë thashetheme se Mx. Rose është gati t’i këpus rruazat e qafës dhe t’i hedhë në skenë, për ta penguar rivalen e saj, po që se Diva realizon lëvizjet e kërcimit si “hedhja e vdekjes” (death drops) apo sparkatën (splits), për një avantazh.
Ndoshta Mx. Rose duhet të ishte treguar më e kujdesshme me këtë plan, sidomos kur e ka ndarë sekretin me të bijat drag. Ato ia treguan strategjinë sekrete Divës, duke i dhënë asaj avantazh. Mx. Rose tani i duhet ta bëjë një hap shtesë për ta fituar betejën e ardhshme. Diva s’do të dorëzohet lehtë.
Megjithatë Mx. Rose duket se nuk i lëkundet syri nga konkurrenca. Në fund të fundit, Mx. Rose posedon një sërë lëvizjesh të mrekullueshme. Po që se gjithçka tjetër dështon, çdoherë mund të shndërrohet në Faye Dunaway luajtur nga Joan Crawford, e cila shkëlqyeshëm thërret, “Tina, bring me the ax” (shqip: Tina, sillma sopatën) në filmin klasik “Mommie Dearest”.
Rivalet e njohura, Crawford dhe Bette Davis u bashkuan në realizimin e filmit ikonik “What Ever Happened to Baby Jane?”, (në shqip: Çka i ka ndodhur Baby Jane?) Në botën e dragut, hera e vetme ku mund t’i shohim Diva dhe Mx. Rose bashkë, do të ishte për një spektakël madhështor e epik. Ndoshta skena do të shërbejë si arenë ku më në fund këto dy mbretëresha të jashtëzakonshme do të bashkoheshin.
Skena është gati për ballafaqimin epik — një betejë për mbizotërim të jetës së natës në Prishtinë. Rivaliteti i tyre është i ashpër, drama e tyre është legjendare. Kush do të triumfojë? Mbetet të shihet. Pavarësisht kësaj, trashëgimia e tyre do të mbetet e gdhendur në regjistrat e historisë sonë queer.
Imazhi i ballinës: Fotografia nga arkivi i Divas.
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.