Pikëpamje | Politika

Politika e jashtme e Kosovës mes pasigurive botërore

Nga - 26.02.2025

A do t’ia dalë qeveria e re përballë sfidave që e presin?

Gjersa Kosova po përgatitet ta formojë qeverinë e re, shtrohet një pyetje qenësore: Si do ta riformësojë politikën e saj të jashtme në një epokë të trazirave gjeopolitike?

Pozita e Kosovës në arenën ndërkombëtare mbetet sfiduese. Afro dy vitet nën masa ndëshkuese nga BE i kanë tensionuar marrëdhëniet mes BE dhe Kosovës, teksa lidhjet me SHBA po bëhen gjithnjë e më të paqëndrueshme. Po ashtu, vazhdon të ketë pyetje të pazgjidhura lidhur me mënyrën e angazhimit në dialogun Kosovë-Serbi, çështje kyçe mosmarrëveshjeje mes Kosovës, BE dhe SHBA.

Pavarësisht këtyre ndryshimeve, partitë politike në Kosovë vazhdojnë të hartojnë plane të politikës së jashtme të ngecura në të kaluarën, që bazohen në prioritete të vjetra, e që i shkojnë përshtat më shumë vitit 2008, sesa peizazhit të sotëm të trazuar botëror. Në një botë ku multilateralizmi është në krizë, partitë kanë propozuar plane ambicioze për politikën e jashtme. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka shpallur synimin e saj për të siguruar njohjen nga dy të tretat e vendeve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) është zotuar për përshpejtim të anëtarësimit në NATO, me një ritëm që mund t’i bëjë konkurrencë Suedisë e Finlandës. Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) synon t’i mbyllë negociatat për anëtarësim në BE deri në vitin 2030.

Aspiratat e tilla prej kohësh konsiderohen si të paarritshme, madje edhe kur Kosova gëzonte mbështetje të fortë nga Perëndimi, gjë që ngrit dyshime lidhur me realizueshmërinë e tyre në klimën e tanishme gjeopolitike. Si të tilla, programet e partive shpërfaqin shkëputje nga realiteti, ndërsa vetë partive politike u mungon guximi politik për t’u ballafaquar me sfidat e ndërlikuara që e presin qeverinë e re.

Këto synime gjithashtu shpërfillin peizazhin diplomatik që po ndryshon — ku mbështetja e Perëndimit nuk është më e garantuar — dhe anashkalojnë hapat praktikë për të dalë nga izolimi i BE. Teksa Evropa po përballet me pasiguri në rritje dhe përshkon nëpër stuhi të mëdha transatlantike, pyetja që shtrohet është: si do t’i dalim ballë kësaj turbulence që po afrohet?

Në vend se të hartojnë strategji adaptuese, partitë mbeten të ngulitura në qasje të stërthjeshtëzuara. Njëra prej tyre shihet në qëndrimin e palëkundur të kryeministrit Albin Kurti, kryetar i LVV. Kjo qasje i jep përparësi sovranitetit dhe vetëmjaftueshmërisë, por shpërfill kujdesin ndaj aleancave strategjike të domosdoshme.

Pa një riformësim të politikës së jashtme, Kosova rrezikon ta humbasë udhën në një rend ndërkombëtar gjithnjë e më të paqëndrueshëm.

Në të kundërt, partitë opozitare — Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), PDK dhe AAK — mbështesin një qasje të nënshtrimit të plotë pa marrë udhëheqësii në proceset e rëndësishme, qasje të cilën e cilësojnë si “konstruktivitet” me Perëndimin, duke dështuar ta kuptojnë se vetë Perëndimi më nuk është as i bashkuar dhe as i angazhuar ndaj Kosovës siç ishte në dekadat e mëhershme.

Të dyja qasjet kanë mungesë kreativiteti, pragmatizmi dhe largpamësie. Pa një riformësim të politikës së jashtme, Kosova rrezikon ta humbasë udhën në një rend ndërkombëtar gjithnjë e më të paqëndrueshëm.

Heqja e masave para statusit të kandidatit për anëtarësim në BE

Statusi i kandidatit për anëtarësim në BE ka qenë prej kohësh njëra nga temat e rralla të unitetit politik në Kosovë. Ky është synim ambicioz, por a bazohet në realitet?

Teksa përcaktimi i afateve për reformat e brendshme është qenësor, Kosova përballet edhe me një pengesë më urgjente: masat e vendosura nga BE, të cilat vazhdojnë ta dëmtojnë pozicionin diplomatik dhe ekonomik të Kosovës. Për ta bindur BE-në që t’i heqë këto masa, do të jetë sfiduese, por qenësore për rikthimin e Kosovës në rrugën evropiane.

Nëse sanksionet nuk hiqen, ato do të vazhdojnë t’i vendosin hije Kosovës në çdo hap kyç të rrugës së saj drejt integrimit në BE.

Përgjatë gati dy viteve që këto masa janë në fuqi, Kosova ka mbajtur marrëdhënie politike në nivele të larta me Brukselin, por këto angazhime janë fokusuar kryesisht te dialogu Kosovë-Serbi ose kanë ndodhur në kuadër të forumeve multilaterale. Ndonëse Kosova u bë pjesë e Planit të Rritjes të BE, megjithëse i kushtëzuar me progres në dialog, projektet e financuara nga BE janë goditur rëndë.

Nëse sanksionet nuk hiqen, ato do të vazhdojnë t’i vendosin hije Kosovës në çdo hap kyç të rrugës së saj drejt integrimit në BE. Për më tepër, ato rrezikojnë të ndikojnë drejtpërdrejt në aftësinë e Kosovës për t’i zbutur pasojat e pezullimit të ndihmës së huaj nga SHBA, pasojat e plota të së cilës mbeten ende të panjohura. Kjo e bën jetik angazhimin me Poloninë dhe Danimarkën, që do ta mbajnë presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian në vitin 2025, për ta siguruar një vend për Kosovën në agjendën e tyre.

Po ashtu, duhet të bëhen përpjekje për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe me Gjermaninë dhe Francën, duke shfrytëzuar ndikimin e tyre të konsiderueshëm politik, për ta shtyrë përpara heqjen e masave ndëshkuese të BE. Një pikënisje mund të jetë raporti vjetor i progresit, që hartohet nga Parlamenti Evropian, i cili vlerëson situatën në Kosovë dhe progresin e saj drejt anëtarësimit në BE, duke bërë thirrje për heqjen e menjëhershme të sanksioneve të vendosura nga BE në qershor të vitit 2023.

Kosova e humbi mundësinë për t’u bashkuar në të njëjtën pako për status të kandidatit me treshen lindore — Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia — si dhe me Bosnjë e Hercegovinën, gjatë një mundësie të shkurtër për zgjerimin e BE në vitin 2022, që u nxit nga pushtimi në shkallë të plotë i Ukrainës nga Rusia. Kjo rrjedh kryesisht nga mungesa e vullnetit politik të BE për ta shtyrë përpara kandidaturën e Kosovës, që ndërlikohet nga kundërshtimi i pesë shteteve anëtare, të cilat ende nuk e njohin Kosovën, si dhe nga zhvillimet në dialogun me Serbinë.

Dialogu Kosovë-Serbi: Çështja më kundërthënëse e politikës së jashtme

Dialogu me Serbinë, i ndërmjetësuar nga BE, mbetet sfida përcaktuese përmes së cilës partnerët strategjikë e vlerësojnë Kosovën dhe qeverinë e saj. Pavarësisht vitesh negociatash, progresi mbetet minimal. Pengesat kryesore përfshijnë fuqinë e kufizuar të BE për të ushtruar presion efektiv, hezitimin e Serbisë për të zgjidhur një çështje që ka pasur ndikim të madh për politikën e jashtme dhe çështjet e brendshme të Kosovës — kryesisht, por jo vetëm, përmes Srpska Lista — si dhe paaftësinë e elitave politike të Kosovës për t’i artikuluar dhe avancuar interesat strategjike të vendit.

Në sytë e BE dhe SHBA, çështja e pazgjidhur e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe (AKS) është në thelb të kësaj ngecjeje, duke penguar dialogun dhe ambiciet e Kosovës lidhur me BE dhe përtej. Politikëbërësit në Kosovë mbeten thellësisht të ndarë lidhur me çështjen e AKS, që shpërfaq një rrjet të ndërlikuar të heshtjeve strategjike dhe retorikës së përllogaritur me kujdes. 

Në njërën anë, Kurti mbron fuqishëm shtrirjen e sovranitetit në veri të Kosovës, ndërsa shmang në mënyrë taktike çdo përmendje të AKS, pavarësisht se është zotuar për të në Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2023.

Në anën tjetër, partitë opozitare, kryesisht LDK dhe PDK, të cilat u pajtuan me krijimin e AKS në vitet 2013 dhe 2015, ballafaqohen me dilemën e vet. Të mbështetura për muri nga retorika triumfaliste e Kurtit për veriun, ato kanë zgjedhur heshtjen, nga frika se mund të humbin një elektorat që me të madhe është kundër AKS. Kritikat apo propozimet alternative s’janë në tryezë, pasi secila qasje rrezikon reagim negativ nga BE dhe SHBA. Në vend të kësaj, partitë opozitare kanë ndërtuar imazh të pajtueshmërisë pragmatike, duke nënkuptuar në mënyrë të tërthortë se, po të ishin në pushtet, zbatimi i AKS do të ishte më pak kundërthënës. Megjithatë, e kaluara e tyre nga viti 2013 deri në 2020 dëshmon një histori tjetër: vite në pushtet pa vullnetin politik apo guximin për ta çuar para këtë proces.

Nëse të dyja kampet politike s’janë të gatshme të angazhohen me AKS, si do të zgjidhet ndonjëherë kjo çështje?

Kjo shmangie e kalkuluar nga të dyja palët shtron një pyetje qenësore: Nëse të dyja kampet politike s’janë të gatshme të angazhohen me AKS, si do të zgjidhet ndonjëherë kjo çështje? Apo strategjia mbizotëruese është thjesht një lojë shmangieje politike, ku secila palë blen kohë dhe i ikën përgjegjësisë, pa një vizion strategjik për të ardhmen?

Vonimi i debatit të pashmangshëm për AKS nuk do ta ndryshojë realitetin se hartimi i një strategjie për dialogun e ndërmjetësuar nga BE është i domosdoshëm. Kosova nuk mund të përballojë paqëndrueshmëri të mëtejshme, teksa Perëndimi dhe multilateralizmi përshkojnë përmes ndarjeve transatlantike, të shkaktuara nga ndryshimi i administratës në SHBA. Peizazhi gjeopolitik në ndryshim rrezikon ta gërryejë vullnetin politik dhe kapitalin diplomatik të SHBA dhe BE për ta mbështetur shtetësinë ende të pakryer të Kosovës. Sa më gjatë të mbetet e pazgjidhur kjo çështje, aq më i madh do të jetë tensioni diplomatik me partnerët strategjikë të Kosovës.

Koalicioni i ri qeverisës duhet të jetë strategjikisht i përgatitur për sfidat që e presin. Një qasje pasive ose bartja e fajit, nuk do ta zgjidhë njërën nga sfidat më urgjente diplomatike të Kosovës. Ngjashëm, nënshtrimi i plotë vetëm për hir të një angazhimi “konstruktiv” me Perëndimin, ka dëshmuar se është joefektiv, ashtu siç e ka bllokuar progresin mosbindja pa një guxim të qartë politik. Marrja në duar e procesit nga politika e brendshme dhe udhëheqja politike janë qenësore.

Administrata Trump dhe Kosova

Elitat politike në Kosovë kryesisht e kanë shpërfillur problemin e madh — ndryshimin e peizazhit botëror pas ndërrimit të administratës në SHBA dhe deklaratat e zyrtarëve/eve amerikanë/e në Konferencën e Sigurisë në Mynih në shkurt 2025, të cilat tronditën marrëdhëniet transatlantike. Sfidimi nga administrata Trump i rendit shumëpalësh të bazuar në rregulla, që është shtylla kryesore e politikës së jashtme dhe strategjive të sigurisë së BE në rajon dhe më gjerë, ia shton një shtresë të re pasigurisë. Pasojat e këtij ndryshimi do të kenë veçanërisht ndikim në vende si Kosova, e cila prej kohësh sigurinë dhe stabilitetin e vet e ka bazuar në mbështetjen e Perëndimit.

Në vend që ta shohë krizën e multilateralizmit si thirrje për t’u zgjuar dhe për ta konsoliduar pozitën ndërkombëtare të Kosovës, diskursi vendor mbetet i ngujuar në sulme partiake dhe përplasje në rrjetet sociale, kryesisht me opozitën që përpiqet të përfitojë politikisht, duke shfrytëzuar postimet e Richard Grenell, ku ai e cilëson Kurtin si udhëheqës anti-Perëndimor, duke humbur kohë të çmuar, e cila do të duhej të shpenzohej në diplomaci strategjike dhe shtetndërtim. Në vend që të formulohet një reagim proaktiv, debati politik është përqendruar në përdorimin e armiqësive të mëparshme me administratën Trump për ta diskredituar Kurtin.

Ndërsa është e pagjasshme që Kosova të zërë vend të rëndësishëm në agjendën e politikës të jashtme të Trump, Richard Grenell, i dërguari i tij për “misione speciale” dhe ish-emisar për dialogun Kosovë-Serbi, mbetet faktor i paparashikueshëm. Ai ka lënë të kuptohet për rikthim të mundshëm në Ballkan dhe nuk e ka fshehur kundërshtimin e tij ndaj udhëheqësisë së Kurtit. Po ashtu, ai ka dhënë sinjale për mbështetje të fortë për presidentin serb, Aleksandar Vučić, mes protestash anti-regjim.

Vetë multilateralizmi po vihet në pikëpyetje dhe Kosova duhet të ballafaqohet me realitetin se rrugët tradicionale drejt legjitimitetit ndërkombëtar s’janë më të realizueshme.

Nëse Grenell rikthehet si aktor kyç, Kosova mund të përballet me presion të ripërtërirë diplomatik, potencialisht duke përsëritur krizën politike të vitit 2020. Asokohe, diskutimet për një shkëmbim të mundshëm territoresh, ndonëse të propozuara nga udhëheqësit vendorë, dominuan agjendën dhe përfundimisht çuan në rrëzimin e qeverisë së parë të Kurtit. Si rezultat, SHBA përfundoi duke pasur një udhëheqës më të dëgjueshëm për ta përmbyllur Marrëveshjen e Washingtonit, në shtator 2020. Megjithatë, rrethanat e sotme janë dukshëm të ndryshme nga ato të vitit 2020, kur Kosova mund të llogariste në mbështetjen e BE dhe shteteve anëtare për ta kundërpeshuar presionin amerikan.

Me një BE të përçarë, mungesë të një qëndrimi të bashkuar mes BE dhe SHBA rreth Ukrainës dhe tkurrjen e kapitalit politik perëndimor në mbështetje të shtetësisë së Kosovës, vendi rrezikon të anashkalohet më gjerësisht në rrafshin diplomatik dhe të ballafaqohet me një peizazh diplomatik më sfidues se asnjëherë më parë. Ndarja e Perëndimit nënkupton që kapitali politik për të avokuar për Kosovën në skenën botërore thjesht nuk ekziston. Vetë multilateralizmi po vihet në pikëpyetje dhe Kosova duhet të ballafaqohet me realitetin se rrugët tradicionale drejt legjitimitetit ndërkombëtar s’janë më të realizueshme.

Në këtë mjedis në ndryshim, një qasje reaktive s’do të jetë më e mjaftueshme. Kosova duhet ta rishqyrtojë strategjinë e vet diplomatike dhe të kërkojë rrugë kreative për ta forcuar pozitën e vet në skenën ndërkombëtare.

Qeveria e re duhet të përballet direkt me këtë realitet. Angazhimi strategjik, pragmatizmi diplomatik dhe hartimi proaktiv i politikave nuk janë më opsionale; janë qenësore për t’u siguruar që Kosova të mos zhytet edhe më tej në një paqëndrueshmëri gjeopolitike.

 

Imazhi i ballinës: Majlinda Hoxha / K2.0.

Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.