Në thelb | Drejtësi sociale

Të dukshëm, por jo të sigurt

Nga - 16.05.2025

Dita Ndërkombëtare Kundër Homofobisë dhe Transofobisë

shënohet mes sfidave të vazhdueshme të personave queer.

Arti, një djalë i ri në të njëzetat, kalon lehtësisht nëpër turmën e njerëzve rrugëve të Prishtinës. Me flokë të shkurtër, gjatësi mesatare, xhinse dhe fanellë të zezë, ai kalon, siç thotë vetë, si “djalë tipik shqiptar”. Pikërisht kjo, mendon ai, e ka mbrojtur nga shikimet e vrazhda apo komentet fyese që shpesh u drejtohen atyre që janë më lehtë të dallueshëm si queer, ose edhe atyre që nuk janë fare queer, por që thjesht nuk përshtaten me pritshmëritë binare të pamjes dhe sjelljes.

“Nuk është se është e lehtë. Por bëhet më e lehtë kur njerëzit nuk e kuptojnë që je gej dhe që ke një partner të së njëjtës gjini”, tha ai.

Për Benin ka qenë ndryshe. Me një prezencë që sfidon kufijtë e ngushtë gjinorë, Benit i është dashur të përballet me komente fyese, përçmime dhe dhunë që në fëmijëri — qoftë për zërin e tij të hollë apo për sjellje që perceptoheshin si “jo burrërore”. Ai është përballur me dhunë nga babai dhe vëllai, edhe pse asnjëherë nuk kishte folur haptazi për orientimin e tij seksual.

“Babai dhe vëllai donin të më kontrollonin si dukesha, si ecja. Nuk e di çfarë mund të ndodhë kur ta marrin vesh që jam gej. Ose ndoshta nuk do t’ua them kurrë”, tha ai.

Për çiftin procesi i pranimit të vetes — që për ta nënkuptonte të ndiheshin rehat me faktin se janë gej — nisi kur filluan të krijojnë kontaktet me komunitetin queer në Kosovë. Kjo ndodhi përmes takimeve me aktivistë/e dhe individë/e gjatë ngjarjeve, si marshimet e Ditës Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë (IDAHOT) apo Paradat e Krenarisë. Për Artin, ndikim pati sidomos njëri nga marshimet e para të IDAHOT, para 10 viteve, diçka që la gjurmë të pashlyeshme te ai.

“Ishte hera e parë që pashë njerëz LGBTQ+ nga Kosova, njerëz queer, aktivistë, shokë dhe shoqe të tyre, e edhe politikanë/e duke ecë nëpër qytet”, tha ai. “Më bëri të mendoj se ndoshta edhe për mua ishte e mundur. Nuk është që ia pranova menjëherë vetes se jam gej, por kjo ndihmoi më vonë”.

Të dy punojnë nga shtëpiapër kompani ndërkombëtare, një mundësi që për Artin, në veçanti, ka qenë shpëtimtare. Në vendet e kaluara të punës, ai ishte ballafaquar vazhdimisht me komente përçmuese. Tani, duke punuar nga shtëpia, shmang kontaktin e drejtpërdrejtë me kolegë/e homofobë/e dhe komente që e lëndojnë.

Ata planifikojnë të kursejnë para dhe, dikur, të shpërngulen nga Kosova. Këtë eshohin si të vetmen mundësi për një jetë më të lirë. Edhe pse vijnë nga familje që, siç thonë vetë, “nga jashtë duken më përparimtare, veçanërisht për standardet e Kosovës”, përvoja e Benit i ka bërë të dy të dyshojnë në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale.

“Nëse babai dhe vëllai kanë ngritë dorë ndaj meje vetëm pse nuk dukem mjaftueshëm ‘burrë’, pa e ditë që jam gej, dhe e quajnë veten njerëz me shkollë, e të arsimuar, atëherë nuk mund ta imagjinoj si është për dikë në ndonjë fshat apo në një familje edhe më konservatore”, tha Beni.

Personat queer si Arti dhe Beni, si edhe aktivistët që drejtojnë organizatat LGBTQ+ në Kosovë, pajtohen se, ndonëse dukshmëria e komuntitetit queer është rritur përgjatë viteve të fundit, kjo nuk është shoqëruar me përmirësim të prekshëm të të drejtave apo kushteve të jetesës.

“Situata e njëjtë vazhdon me qenë fatkeqësisht e njëjtë”, tha Blert Morina, drejtor i Qendrës për Liri dhe Barazi (CEL), organizatë për të drejtat LGBTQ+. “Ajo çfarë është ndryshuar është vizibiliteti i personave LGBTQ+ në hapësira publike, dhe kjo patjetër nuk është që e ka ndryshu përceptimin ose pranueshmërinë. Sfidat më të mëdha janë siguria personale, sepse ende nuk është një strehimore, që do të ishtë një strehë e sigurt për ata që përjetojnë dhunë në familje, dhe kjo ndikon që dhuna as të mos raportohet”. 

Morina i referohet një prej premtimeve të pambajtura të Komunës së Prishtinës. Ndërtimi i një strehimoreje që mbështetet nga institucionet, është kërkesë e kahershme e organizatave LGBTQ+, të cilat çdo vit pranojnë dhjetëra raste dhune apo përjashtimi nga familja.

Gjatë mandatit të ish-kryetarit Shpend Ahmeti, në vitin 2020, ishte caktuar lokacioni dhe ishin ndarë fonde për ndërtimin e saj, por projekti mbeti pezull. Një vit pas, projekti iu bart administratës aktuale të Përparim Ramës, pa ndonjë progres konkret. Zyrtarët komunalë kanë deklaruar se projekti është ndalur për shkak të kërkimit të një vendndodhjeje më të sigurt, por sipas aktivistëve/eve, kjo është vetëm një formë zvarritjeje dhe mungesë e vullnetit politik.

“Një aspekt shpesh i neglizhuar në diskutimin për të drejtat e personave LGBTQ+ në Kosovë është margjinalizimi ekonomik dhe përjashtimi nga tregu i punës”, tha Arbër Nuhiu.

Aktivistët/et theksojnë se kërcënimi ndaj sigurisë personale është vetëm një pjesë e realitetit më të përhapur të diskriminimit që përjetojnë personat queer në Kosovë. Pavarësisht kornizave ligjore progresive, përfshirë Kushtetutën dhe Kodin Penal, që e njohin identitetin gjinor dhe orientimin seksual si kategori të mbrojtura, në praktikë, diskriminimi është i përhapur në familje, në shkolla, në vende pune dhe në sistemin shëndetësor.

“Një aspekt shpesh i neglizhuar në diskutimin për të drejtat e personave LGBTQ+ në Kosovë është margjinalizimi ekonomik dhe përjashtimi nga tregu i punës”, tha Arbër Nuhiu, drejtor në Qendrën për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore (CSGD), organizatë për të drejtat LGBTQ+. “Shumë persona LGBTQ+, veçanërisht të rinjtë dhe personat transgjinorë, përballen me vështirësi të mëdha në gjetjen e punësimit të qëndrueshëm dhe të sigurt. Diskriminimi në vendin e punës është real, qoftë në fazën e rekrutimit, ku për shkak të shprehjes gjinore, refuzohen në heshtje nga punëdhënësit, qoftë në ambientin e punës, ku përballen me ngacmime ose përjashtime nga vendi i punës”.

Sipas Morinës dhe Nuhiut, personat trans janë ata që përballen me më së shumti pengesa dhe pasiguri. Mungesa e trajtimeve të rregulluara të terapisë hormonale në Kosovë i detyron shumë persona të kërkojnë terapi hormonale në vende tjera, si Maqedonia e Veriut. Por edhe këto alternativa mbeten të pasigurta, shpesh të shtrenjta dhe pa mbikëqyrjen e nevojshme mjekësore.

Përveç mungesës së kujdesit shëndetësor, edhe njohja ligjore e identitetit gjinor mbetet një nga pengesat më të mëdha me të cilat përballen personat trans në jetën institucionale. Procesi për ndryshimin e emrit dhe shënuesin e gjinisë në dokumentet e identifikimit është i paqartë, i ngadaltë dhe i pasigurt.

Beteja e fituar e Morinës ndonëse mbetet arritje e rëndësishme për komunitetin trans dhe lëzivjen LGBTQ+ në Kosovë, nuk kompenson zbrazëtinë ligjore dhe paqartësitë ekzistuese, të cilat do të duhej të ishin udhërrëfyes i qartë se si duhet vepruar në rastet kur kërkohet ndryshimi i shënuesit të gjinisë dhe emrit.

Morina e fitoi betejën e tij ligjore në vitin 2020, kur Gjykata Themelore e Prishtinës ia njohu të drejtën për ta ndryshuar emrin dhe shënuesin gjinor në dokumente. Rasti i tij përbënte vetëm herën e dytë që një gjykatë në Kosovë mori një vendim të tillë. Rasti i parë, i një aplikanti anonim, daton në vitin 2018.

Megjithatë, këto raste nuk kanë krijuar precedent ligjor. Beteja e fituar e Morinës ndonëse mbetet arritje e rëndësishme për komunitetin trans dhe lëzivjen LGBTQ+ në Kosovë, nuk kompenson zbrazëtinë ligjore dhe paqartësitë ekzistuese, të cilat do të duhej të ishin udhërrëfyes i qartë se si duhet vepruar në rastet kur kërkohet ndryshimi i shënuesit të gjinisë dhe emrit. 

Procesi fillon në Zyrën e Regjistrit Civil në komunën përkatëse, ku bëhet kërkesa për ndryshimin e shënuesit të gjinisë dhe emrit. Më pas, kalon për shqyrtim tek një komision brenda Agjencisë së Regjistrit Civil, i cili shpeshherë vazhdon të refuzojë kërkesat për ndryshimin e emrit dhe shënuesit të gjinisë. 

Si Morina, ashtu edhe Nuhiu, njohin të paktën dy raste ku kërkesat janë refuzuar nga ky komision, dhe individët ndodhen në pritje për të ndjekur rrugën e gjatë ligjore, si në rastin e Morinës, përcjellur me vite pritjeje, pasiguri dhe stres të madh emocional.

“Personat transgjinorë janë në rrezik të veçantë për të rënë në margjinë të skajshme, pasi mungesa e dokumenteve të përputhshme me identitetin e tyre gjinor ua pamundëson qasjen në punë të rregullt, shërbime publike, kredi bankare etj”, tha Nuhiu. 

Mosmiratimi i projekt-kodit të ri civil: mesazh i qartë kundër personave queer

Nga aspekti ligjor, një sfidë tjetër për komunitetin LGBTQ+ në Kosovë mbetet mungesa e njohjes ligjore të çifteve të të njëjtit seks. Ndonëse Kushtetuta e Kosovës garanton barazi për të gjithë qytetarët/et para ligjit, kjo barazi nuk pasqyrohet në legjislacionin civil. Aktualisht martesa rregullohet me Ligjin për Familjen, i cili përkufizon martesën si bashkim vetëm ndërmjet një burri dhe një gruaje, duke përjashtuar kështu çdo formë njohjeje ligjore për çiftet e të njëjtit seks.

Projekt-kodi civil,l, që synon rregullimin e aspekteve të ndryshme të jetës private dhe publike në vend, është hartuar prej vitesh, por ende nuk është miratuar. Ky projekt-kod përfshin një dispozitë që lejon “bashkëjetesën civile” ndërmjet personave të të njëjtit seks. Megjithatë, kjo mbetet një formulim i përgjithshëm, pasi dispozita thotë se “kushtet dhe procedurat rregullohen me ligj të veçantë”. Kjo mungesë e shpjegimeve konkrete është kritikuar vazhdimisht nga aktivistët/et për të drejtat e njeriut, si qasje përjashtuese dhe në kundërshtim me frymën e Kushtetutës.

“Mungesa e kësaj njohjeje i lë çiftet LGBTQ+ pa të drejta në trashëgimi, pension, ndarje të pasurisë së përbashkët, kujdestari të fëmijëve apo marrje vendimesh mjekësore për partnerin”, tha Nuhiu.

Për Artin dhe Benin, i gjithë debati dhe trajtimi i projekt-kodit civil ka qenë një mesazh i qartë se shteti nuk ka ndërmend të njohë ekzistencën e tyre si çift.

Anipse projekt-kodi i ri civil parashikon që bashkësitë civile mes personave të të njëjtit seks të rregullohen përmes një ligji të veçantë, kjo qasje e pjesshme dhe e paqartë u shfrytëzua për të ushqyer narrativa konservatore dhe deklarata homofobe — disa prej tyre ndër më të zhurmshmet që Kuvendi i Kosovës ka dëgjuar viteve të fundit. Në vitin 2022, drafti u bllokua në Kuvend mbi bazën e pretendimeve dhe keqinterpretimeve nga disa deputetë/e, të cilët/at pretenduan se ky projekt-kod do të çonte në legalizimin e martesave mes personave të të njëjtit seks.

Për Artin dhe Benin, i gjithë debati dhe trajtimi i projekt-kodit civil ka qenë mesazh i qartë se shteti nuk ka ndërmend ta njohë ekzistencën e tyre si çift. Edhe për aktivistët/et, zhurma që e ka shoqëruar procesin e miratimit të projekt-kodit ka lënë pasoja të thella te njerëzit LGBTQ+ në Kosovë. Ata e përshkruajnë këtë periudhë si kohë kur u shpërfaq tendenca për t’i frikësuar publikisht zërat që angazhohen për të drejtat e njeriut dhe për ta thelluar ndjenjën e përjashtimit për personat queer.

Morina thotë se ishte hera e parë kur individët LGBTQ+ janë “përballur kaq hapur dhe drejtpërdrejt me reagime të ashpra nga vetë institucionet”.

Ndërsa për Nuhiun, i gjithë procesi që e ka përcjellur projekt-kodin civil, ka pasur ndikim të madh, si emocional ashtu edhe politik, për komunitetin LGBTQ+.

“Refuzimi i Kuvendit për ta miratuar një amendament që do të njihte partneritetin civil për çiftet e të njëjtit seks, u përjetua si tradhti nga institucionet në të cilat komuniteti kishte vendosur shpresën. Ky vendim nuk ishte thjesht dështim ligjor, por një plagë publike për dinjitetin dhe identitetin e shumë njerëzve”, tha Nuhiu.

Një retorikë gjithnjë e më armiqësore

Diskursi homofobik dhe transfobik në Kuvendin e Kosovës ka qenë veçanërisht i shprehur viteve të fundit, sidomos gjatë debateve lidhur me projekt-kodin civil dhe Projekt-ligjin për Shëndetin Riprodhues. Ky diskurs u ringjall sërishme afrimin e fushatës zgjedhore në fillim të këtij viti, kur programet dhe retorika mbizotëruese e shumicës së partive u mbështetën në narrativa rrënjësisht patriarkale dhe politika pro-nataliste, që refuzojnë haptazi drejtësinë gjinore dhe të drejtat themelore të identiteteve jobinare. Për më tepër, Lista për Familjen iu fut garës zgjedhore si partia e parë në Kosovë me një planprogram haptazi kundër barazisë gjinore dhe të drejtave të personave queer.

Ndonëse nuk arriti të sigurojë përfaqësim në Kuvend, Lista për Familjen arriti ta zhvendosë diskursin publik drejt një klime më armiqësore ndaj personave LGBTQ+, duke nxitur gjuhë polarizuese dhe thellësisht konservatore.

“Për fat të keq, kjo retorikë ka gjetur jehonë në disa shtresa të shoqërisë, duke zhvendosur çështjet e barazisë nga terreni i të drejtave të njeriut në një betejë të instrumentalizuar politike”, tha Nuhiu. “Ajo që është edhe më shqetësuese është ndikimi i këtij diskursi në qëndrimet e partive të tjera. Në vend që të jenë zëra të arsyes dhe barazisë, shumë liderë politikë kanë zgjedhur heshtjen ose konformizmin, duke u tërhequr nga përkrahja për këto të drejta themelore”.

Nuhiu dhe Morina shprehin shqetësimin se lëvizjet anti-gjinore dhe anti-LGBTQ+, si ajo e Listës për Familje, nuk janë më dukuri periferike, por po përhapen me shpejtësi.

“Rastet e Hungarisë, Polonisë, e madje edhe të vendeve perëndimore, si Italia apo Shtetet e Bashkuara, janë tregues të qartë se asnjë vend nuk është imun ndaj regresit në të drejtat e njeriut”, tha Nuhiu. “Ky trend global përhap retorikë frike dhe konspiracioni që sulmon drejtpërdrejt të drejtat e grave dhe të personave LGBTQ+”.

Sipas Human Rights Watch, kthimi i Trump në presidencë ka fuqizuar një lëvizje globale të ekstremit të djathtë, e cila përkrahet nga liderë autoritarë, grupe fetare konservatore dhe rrjete të mëdha që përhapin dezinformata kundër komunitetit LGBTQ+.

Siç thekson edhe Nuhiu, disa nga zhvillimet më shqetësuese për të drejtat e personave LGBTQ+ kanë ndodhur në vetë vendet e zhvilluara — një tregues i qartë i një prirjeje regresive botërore. Në këtë klimë, personat queer po përballen me një valë të re shtypjeje, gjithnjë më të organizuar dhe më të përhapur.

Sipas organizatës Human Rights Watch, rikthimi i administratës Trumpka fuqizuar një lëvizje globale të ekstremit të djathtë, që përkrahet nga udhëheqës/e autoritarë/e, grupe fetare konservatore dhe rrjete të mëdha që përhapin dezinformata kundër komunitetit LGBTQ+.

Që nga marrja e mandatit,j në janar të vitit 2025, Trump ka ndërmarrë një sërë veprimesh që kanë cenuar drejtpërdrejt të drejtat e personave LGBTQ+. Disa nga veprimet përfshijnë kufizimin e përkufizimit të gjinisë vetëm në bazë të seksit biologjik të lindjes, ndalimin e përdorimit të fondeve shtetërore për trajtimin mjekësor të të rinjve transgjinorë dhe përjashtimin e personave trans nga ushtria amerikane.

Edhe në Mbretërinë e Bashkuar, situata është përkeqësuar. Në prill, Gjykata Supreme vendosi që termet “grua” dhe “seks”, sipas Ligjit për Barazi të vitit 2010, i referohen vetëm seksit biologjik. Ky vendim i përjashton gratë trans nga hapësirat dhe shërbimet që janë krijuar për gratë, si strehimoret, tualetet dhe shërbimet shëndetësore, dhe është kritikuar si kthim mbrapa për të drejtat e personave transgjinorë.

Ndërkohë në Hungari, Parlamenti miratoi një ndryshim kushtetues që ndalon mbajtjen e ngjarjeve publike të komunitetit LGBTQ+, përfshirë edhe paradat e krenarisë. Po ashtu, është miratuar edhe një ligj që lejon përdorimin e teknologjisë për njohjen e fytyrës, për t’i identifikuar pjesëmarrësit/et në këto ngjarje, diçka që përbën shqetësim serioz për privatësinë dhe lirinë e shprehjes.

“Këto politika diskriminuese jo vetëm që shkaktojnë vuajtje të drejtpërdrejta për komunitetet atje, por edhe dërgojnë mesazh shumë të rrezikshëm në vendet tona që janë në proces të integrimit evropian dhe përqafimit të vlerave evropiane, kontinent ku ndodhet Kosova”, tha Nuhiu. 

Sipas tij, personat LGBTQ+ në Kosovë duhet të jenë të përgatitur dhe të organizuar për t’u përballur me këto sfida, përmes fuqizimit të solidaritetit dhe bashkëpunimit ndërmjet organizatave të shoqërisë civile dhe aleatëve të tjerë. Ndërkohë, thotë ai, është e domosdoshme të krijohen mekanizma për reagim të shpejtë ndaj keqinformimit dhe sulmeve publike e mediatike, me qëllim të parandalimit të përhapjes së gjuhës së urrejtjes që shpesh përdoret nga lëvizjet anti-gjinore, grupet konservatore dhe ato fetare.

“Më e rëndësishmja është që personat LGBTQ+ duhet të jenë të bashkuar, duke mbajtur vëmendjen te qëllimi kryesor: barazia, siguria dhe dinjiteti për të gjithë personat LGBTQ+”, tha Nuhiu.

Shënim i redaksisë: Emrat e Artit dhe Benit janë pseudonime për ta mbrojtur privatësinë e personazheve.


Imazhi i ballinës: K2.0.

Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.