Një punonjëse e strehimores hyn me nxitim në dhomë dhe i’a sjell Bardhës* vajzën e vogël duke qarë. Dy vjeçarja me sy të kaltër buzëqesh sapo e përqafon e ëma.
“Vajza ime ka qenë shumë e butë dhe e qetë, tani është e traumatizuar. Nuk do që të jetë larg meje asnjë sekond”, thotë Bardha me një zë të butë e me ritëm të ngadalshëm; me figurën e saj të imët dhe fytyrën e saj të rrumbullakët thuajse fëmijërore, nëna 26 vjeçare duket si një nxënëse.
“Është stresuar prej kur e pa babain e saj duke më rrahur”, thotë ajo. “Ishte aty dhe më pa duke qarë. Vinte te unë, më përqafonte dhe mundohej ta shtynte nga unë babain e saj. I bërtiste madje. Nuk di shumë fjalë, por e shtynte babain e saj nëpërmjet gjuhës së saj”.
Diku para një muaji, pasi bashkëshorti i saj e rrahu rëndë, Bardha e kishte thirrur Policinë dhe raportuar rastin. Menjëherë ajo ishte dërguar për në spital. Pas trajtimit të saj, Bardha nuk kishte pritur të flas dy herë, kur Policia i sugjeroi që ta dërgojnë në strehimore.
Ajo veç se ishte njohur me shtëpinë e sigurtë të qytetit të saj, që strehon viktima që ikin nga shtëpitë e dhunshme, ngase aty kishte përfunduar edhe para dy viteve, kur kishte filluar dhuna ndaj saj. Pasi i kaloi gjashtë muaj në strehimore, katër vëllezërit e saj e morrën në shtëpinë e familjes së tyre. Duke menduar që partneri i saj kishte ndryshuar dhe se vajza e saj kishte nevojë për babain, Bardha vendosi që të kthehej me të – vendim që i zemëroi shumë vëllezërit e saj, të cilët i ndërprenë të gjitha komunikimet me të.
Bardha kërkoi strehim në një shtëpi të sigurtë për viktimat e dhunës në familje pasi u shtrua në Spital si rezultat i dhunës nga bashkëshorti i saj. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.
“Nëna ime nuk e ka guximin që t’u thotë vëllezërve të mi që të më lejojnë që të kthehem në shtëpi përsëri”, thotë Bardha. “Babai ynë ndërroi jetë dhe shtëpia në të cilën jeton nëna ime tani është pronë e vëllait tim, dhe ajo nuk guxon t’i thotë atij që të më lejojë të kthehem”.
E dëbuar nga familja e saj, por e vendosur që të jetojë me vajzën e saj larg shtëpisë së bashkëshortit, Bardha është e vetëdijshme që strehimorja mund të jetë shtëpija e saj për një kohë të gjatë.
“Kam ngecur këtu. Nuk dua që të kthehem me të. Nëse hera e parë dhe e dytë nuk shkuan mirë, e di që e njejta gjë do të ndodh edhe të tretën ose të katërtën herë. Dhuna do të ndodh përsëri”, thotë Bardha. “Po të kisha mundësi që të gjeja punë e të punoja disi, atëherë do të jetoja së bashku me vajzën time. E pastaj do t’i kontaktoja përsëri motrat e nënën time. Sepse nuk do të isha në shtëpinë e vëllait tim, por në shtëpinë time”.
Gjetja e një shtëpie të sigurtë
Shtëpia e sigurtë në Gjakovë është e regjistruar si OJQ dhe ishte një prej strehimoreve të para që u hap për viktimat e dhunës në familje, në Kosovë. Aktivistët atje u bënë bashkë në vitin 2000 pasi dokumentuan shkallën e lartë të dhunës në familjet në rajonin e Gjakovës. E vendosur në një lagje larg qendrës së qytetit, në mes të shtëpive të vjetra të epokës së Jugosllavisë, një kamerë e sigurisë shihet nga dera e oborrit. Edhe pse adresat e strehimoreve për viktima të dhunës në familje mbahen të fshehura, në qytete më të vogla kjo paraqet sfidë sepse fjala përhapet shpejtë.
“Kur njerëz dhe aktivistë të ndryshëm duan që të na vizitojnë, shpeshherë nuk mund të na gjejnë. Por kryesit e dhunës e gjejnë me lehtësi shtëpinë”, thotë Sakibe Doli, e cila e drejton ‘Shtëpinë e sigurtë’ që prej themelimit të saj. “Por tani shtëpia është më e sigurtë sepse kemi instaluar kamera dhe alarme, e kështu ata [kryesit e dhunës] frikësohen”.
Gjatë 17 viteve të fundit, Doli ka qenë dëshmitare në shumë raste kur kryesit e dhunës kanë trokitur në derën e shtëpisë, ditën ose natën, duke i kërkuar bashkëshortet e tyre. Por Doli thotë se bashkëpunimi i afërt me Policinë, e cila ka reaguar duke ardhur me shpejtësi, i ka parandaluar kryesit e dhunës që të mos hynë me forcë e t’i marrin gratë nga shtëpia. Ndërkohë, stafi i strehimores, si dhe vet viktimat, trajnohen se si të vetëmbrohen kundër kryesve të dhunës.
Përkundër këtyre masave paraprake, ‘Shtëpia e Sigurtë’ nuk ka mundësi që t’u ofrojë grave gjithmonë mbrojtje kur ato dalin për të kryer punë gjatë ditës. “Kemi pasë raste kur gratë kanë qenë në qytet dhe vendin e punës, dhe ata [kryesit e dhunës] janë munduar që t’i marrin”, thotë Doli. “Në një rast njëri e pati kërcënu dhe e ka shkulë për flokësh”.
Shtëpia e Sigurtë e Gjakovës nuk ofron strehim vetëm për viktimat e dhunës familjare që vijnë nga qyteti, por edhe për ato të komunave të Malishevës dhe Rahovecit. Sipas Dolit, gratë e abuzuara nga qyteti zakonisht gjejnë zgjidhje në shtëpitë e familjeve të tyre përkatëse, ndërsa gratë nga fshatrat dhe zonat me të largëta mbështeten më shumë në strehimore për zgjidhje të përkohshme.
Ata që punojnë me viktima gra të dhunës në familje thonë se shumica e dërrmuese e atyre që raportojnë dhunë familjare në Polici zgjedhin mundësinë e strehimit në strehimore. Vitin që lamë pas 1,227 kosovarë — mbi 90 përqind prej të cilëve ishin gra — raportuan dhunën në familje; megjithatë, numri i njëmendtë i personave që përjetojnë dhunë në familje duhet të jetë shumë më i madh, meqë shumë viktima u drejtohen autoriteteve vetëm nëse përjetojnë dhunë për vite me radhë.
Aktualisht në Shtëpinë e Sigurtë në Gjakovë janë 11 gra, si dhe katër fëmijë, meqë vajzat nën 18 vjet dhe djemtë nën 12 vjet kanë tendencë që të vijnë me nënat e tyre. “Fëmijët që i shoqërojnë nënat e tyre, në raste në të cilat nuk kanë vuajtur nga dhuna direkte prej të etërve të tyre, zakonisht janë dëshmitarë të dhunës”, thotë Doli. “Kur psikologu punon me ta, ata zakonisht e vizatojnë një dorë të madhe. Thonë: ‘Është dora e babit. Është e madhe, se i’a ka mshu mamit tem”.
Edhe pse strehimorja ka kapacitet për t’i strehuar vetëm 14 persona, Doli është e mësuar me mbipopullim. Dimrin e kaluar, ajo u detyrua që t’i strehojë 28 viktima të dhunës në familje. Një viktimë ka qëndruar në strehimore tetë vjet.
“Asnjëherë nuk e kam refuzuar ndonjë grua që ka pasë nevojë për strehim. Kam pranuar edhe gra të rajoneve tjera”, thotë Doli. “Strehimorja është shumë e rëndësishme, jo vetëm për t’i ofruar shtrat viktimës, por edhe për rolin e rëndësishëm që e luan për ta ndaluar hakmarrjen [e bashkëshortit kur një grua ik nga ai]”.
Zhvendosja e përgjegjësive financiare
Ngjashëm me strehimoret tjera në Kosovë, strehimorja e Gjakovës ka përjetuar vështirësi në lidhje me qëndrueshmëri të përhershme financiare. Nëntë vitet e para i mbijetoi me donacione të jashtme, pastaj në vitin 2009 Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) nisi procesin e licencimit të strehimoreve ekzistuese që kishin operuar deri atëherë si OJQ, pas analizës së kapaciteteve menaxheriale dhe infrastrukturore.
Si pjesë e ujdisë të licencimit, prej vitit 2009 deri në 2016, MPMS mbuloi gjysmën e kostos së vlerësuar mujore në vlerë rreth 400 euro, për strehimin e viktimave. Sivjet ministria ka filluar që t’i mbështes strehimoret në formë të një buxheti në vlerë 25,000 euro në vit për secilën strehimore, buxhet ky i cili duhet të menaxhohet nga menaxhmenti lokal në bazë të nevojave. Për Dolin, mbështetja e mëparshme dhe ajo aktuale as nuk i afrohet mbulimit të shpenzimeve të nevojshme.
“Kur të ndalen donacionet [e organizatave ndërkombëtare] që i kemi tani, nuk e di se çfarë do të bëjmë”, thotë Doli. “Donatorët vazhdimisht thonë ‘dhuna është çështje e brendshme – le të merren institucionet me të’”.
Sakibe Doli e ka udhëhequr strehimoren e Gjakovës për viktima të dhunës në familje prej kur është hapur në vitin 2000. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.
Kjo strehimore gjithashtu pranoi një grant nga Komuna e Gjakovës, nëpërmjet së cilës e hapën një furrë të bukës që operon brenda pronës së tyre. Viktimat e dhunës në familje marrin pjesë në trajnime profesionale që i mësojnë se si të gatuajnë bukë në furrë, dhe çdo mëngjes këto produkte dërgohen në markete të vogla dhe shkolla.
Doli thotë se të hyrat e furrës ruhen për atë që ajo e quan ‘fondi rezervë’, që përdoret në kohë të urgjencës, si në raste kur është e stërmbushur shtëpia, ose ministria vonohet me mbështetjen e vet.
“Për shembull sivjet në mars pranuam grantin e ministrisë”, thotë ajo. “Ishin dy muaj të gjatë të dimrit, gjatë së cilëve u detyruam që të gjejmë zgjidhje vet”.
Një faktor tjetër ndërlikues sa i përket qëndrueshmërisë financiare të strehimoreve dhe sigurimit të nevojave financiare të viktimave të dhunës në familje buron nga zhvendosja e vazhdueshme e përgjegjësive në mes të niveleve qendrore dhe lokale.
Pas procesit të decentralizimit në vitin 2009, një pjesë e madhe e përgjegjësive i’u transferua komunave. Kështu përfaqësuesit e MPMS-në thonë se komunat duhet të bëjnë shumë më shumë për t’i ndihmuar viktimat. Ndërkohë, përfaqësuesit në komuna thonë se vet qeveria nuk siguron buxhet të mjaftueshëm në këtë aspekt.
Adile Shaqiri, zyrtare e lartë në Departamentin e Politikave Sociale dhe të Familjes në MPMS beson se ministria po bënë përpjekje të vazhdueshme për t’i ndihmuar viktimat e dhunës në familje, por se shumë prej njerëzve që janë në pozitat më të larta në institucionet qendrore dhe lokale të qeverisë ende nuk po e marrin seriozisht dhunën me bazë gjinore. Ajo shton se komunat duhet t’i kushtojnë më shumë rëndësi sigurimit të buxheteve specifike.
“Në kuptimin profesional, mendoj se komunat duhet të marrin më shumë përgjegjësi”, thotë Shaqiri. “Nuk ka nevojë që të jetë grant shumë i madh, por të jetë diçka e vazhdueshme për partnerët e tyre që janë OJQ. Pastaj në nivel rajonal, komunat më të vogla duhet të sigurojnë financim për strehimin e viktimave që vijnë prej atyre vendeve. Nëse, për shembull, një viktimë vjen nga Dragashi dhe strehohet në Prizren, komuna e Dragashit duhet të sigurojë buxhet – ta quajmë buxhet modest – për t’i trajtuar qytetarët e kësaj komune”.
Ndërkohë, Nazim Cakolli nga Drejtorati për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Prishtinës thotë se komunat nuk kanë buxhet të caktuar nga niveli qendror për kategorinë e viktimave të dhunës në familje, dhe si rezultat i kësaj kanë mungesë të stafit dhe fuqisë.
“Asnjë prej komunave nuk e ka këtë financim – buxheti është në nivel qendror”, thotë Cakolli. “Sigurisht kjo nuk e përjashton pjesëmarrjen e komunave. Por nuk mund të jetë në formën ‘komuna duhet’. Duhet të jetë ‘ja ku i keni paratë, dhe duhet ta bëni këtë’”.
Ndihma financiare prej komunave është zakonisht në formë të sigurimit të granteve të vogla prej linjave të ndryshme buxhetore për strehimoret ose OJQ-të që merren me viktima të dhunës në familje, si granti që i’u sigurua strehimores në Gjakove për ta themeluar furrën e bukës. Por deri më tani, buxhetimi i vazhdueshëm për çështje gjinore dhe politikat financiare që synojnë t’i ndihmojnë viktimave të dhunës në familje – qoftë në nivel qendror, qoftë në nivel lokal – nuk janë materializuar.
Riintegrimi
Në vitin 2013 u publikua një dokument që i përcakton dhe koordinon qartë përgjegjësitë dhe veprimet e institucioneve të ndryshme me përgjegjësi për të ndihmuar me mbrojtjen, fuqizimin dhe integrimin e plotë në shoqëri të viktimave të dhunës në familje; Agjencia për Barazi Gjinore brenda Zyrës së Kryeministrit lansoi Procedurat Standarde të Operimit për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, që u bazua në Programin dhe Plan Veprimin e Kosovës Kundër Dhunës në Familje (2011-2014).
Sipas këtyre standardeve, procedurat e zbatimit nisin në momentin kur të identifikohet viktima dhe zgjasin deri në integrimin e plotë të tij/saj në shoqëri. Në praktikë, riintegrimi përfshin rehabilitimin, gjetjen e një zgjidhjeje të jetesës larg ambientit të dhunshëm familjar, dhe punësimin.
Nëpërmjet këti zinxhiri të përgjegjësive, komunat ofrojnë strehim të përhershëm social për të gjithë ata që janë në rrethana socio-ekonomike tepër urgjente e serioze. Në këtë aspekt, procedurat standarde theksojnë se të gjitha komunat duhet t’i japin prioritet viktimave të dhunës në familje brenda programit të strehimit për persona të prekshëm, dhe zyret e punësimit duhet ta prioritizojnë ndihmën e viktimave të papunësuara që kanë vuajtur nga dhuna.
Por deri më tani, komunat në Kosovë kanë dështuar të ndajnë resurse për strehim social për persona që kanë vuajtur nga dhuna në familje. Ngjashëm viktimat përballen me sfida, sa i përket fuqizimit ekonomik: Një raport i vitit 2015 për reagimin institucional ndaj dhunës në familje thekson se grave në përgjithësi u gjinden më rrallë vendet e punës nga zyret e punësimit në krahasim me burrat, duke krijuar kështu sfida shtesë për viktimat e dhunës në familje.
“Punëdhënësit ngurrojnë për shkak të rrezikut që vjen nga bashkëshorti, që mund të shkaktojë probleme edhe me kompaninë [punëdhënëse]”, thotë Vebi Mujku, drejtor i Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë, institucion publik i nivelit komunal që është përgjegjës për mbështetjen dhe fuqizimin e viktimave të dhunës në familje dhe garantimin e mirëqenies së fëmijëve të tyre.
Vebi Mujku, drejtor i Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë, thotë se institucioni i tij nuk e ka mbështetjen e nevojshme për t’i përmirësuar shërbimet sociale në kryeqytetin e Kosovës. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.
Megjithatë, për shkak të mungesës së burimeve financiare, qendrat e tilla komunale përballen me vështirësi për të siguruar edhe shërbimet më bazike, si këshillimin. Vetëm tre psikologë i mbulojnë të gjitha qendrat për punë sociale në Kosovë.
Mujku e kritikon veçanërisht Komunën e Prishtinës. Ai thotë se kjo komunë nuk po i kushton fare rëndësi përmirësimit të shërbimeve sociale.
Sipas Mujkut, në tre njësitë e punës sociale në Prishtinë, nuk ka asnjë psikolog dhe janë vetëm 15 punëtorë social të cilët duhet të merren me të gjitha grupet e rrezikuara, duke e bërë më të vështirë sigurimin e shërbimeve sociale për viktima të dhunës në familje.
Aktivistët e të drejtave të grave theksojnë se çështjet si mungesa e mbështetjes financiare për shërbime sociale, mungesa e strehimit social dhe mungesa e mundësive adekuate për sigurim të punësimit, kontribuojnë në kthimin e grave në ambiente të dhunshme, duke e dëmtuar kështu tërë procesin e rehabilitimit dhe riintegrimit.
Sipas Dolit, institucionet nuk duhet të tregojnë dokumente e korniza legjislative, por duhet të punojnë në terren. “Secila komunë duhet t’i ketë viktimat si prioritet social. Strehimoret duhet të kenë financim të qëndrueshëm, e jo vetëm kur ata [institucionet] kanë dëshirë që të jepin [fonde]”, thotë ajo. “Pastaj të gjithë që janë të përfshirë gjatë rehabilitimit dhe riintegrimit të viktimës në shoqëri, prej institucioneve e deri te punëtorët, duhet të punojnë me zemër, e jo vetëm me ligj”.
Në shumë raste, këshillimi dhe trajtimi psikosocial që janë shumë të rëndësishme për rehabilitim, dhe kurset profesionale që janë të rëndësishme për të gjetur punë dhe për t’i integruar viktimat në shoqëri, janë të kufizuara brenda punës që kryhet në strehimore.
Në strehimoren në Gjakovë, sapo gratë të hynë brenda, ato njoftohen me psikologë dhe informohenpër kurse të ndryshme si kurse të rrobaqepjes, bletarisë, informatikës dhe gjuhës angleze. Gjithashtu, kjo strehimore u ndihmon viktimave që të gjejnë punë në lëmitë e pastrimit apo kujdesit për personat e moshuar, që ato të kenë të hyra gjatë procesit të riintegrimit, pasi të dalin nga strehimorja.
“Në kuptimin e plotë të fjalës, ne jemi duke e bërë punën që duhet ta bëjnë institucionet”, thotë Doli.
*Emri është ndryshuar për ta mbrojtur identitetin e viktimës.
Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.
Ky artikull vjen si përgjigje ndaj pyetjeve të lexuesve në lidhje me strehimoret dhe rehabilitimin e viktimave të dhunës në familje gjatë fushatës sonë #PoDuMeDitë. Fushata #PoDuMeDitë është mbështetur nga Ambasada e Holandës në Kosovë.