Blogbox | Media

Pse kam frikë nga Inteligjenca Artificiale?

Nga - 09.09.2025

Nga kreativiteti te një prompt.

Në një intervistë me Geoffrey Hinton, i cili quhet “babai” i Inteligjencës Artificiale (AI), kur e pyesin se çfarë këshille do t’u jepte të rinjve për drejtimin profesional dhe ku duhet të përqendrohen, ai thotë: “Trajnohu për t’u bërë hidraulik”. Geoffrey tërë jetën e kaloi duke zhvilluar rrjete neurale artificiale të frymëzuara nga truri i njeriut dhe algoritmet e tij ndërtuan bazën e AI që përdoret sot. Sipas tij, zanati i hidraulikut mbetet profesion i sigurt, sepse AI ende ka vështirësi në profesionet që kërkojnë shkathtësi fizike. Ndërkohë që shumë punë të nivelit të mesëm po zhduken, për një kohë të gjatë ky profesion do të mbetet i qëndrueshëm.

Në raportin e fundit të Forumit Ekonomik Botëror mbi 40% e punëdhënësve planifikojnë të zvogëlojnë fuqinë punëtore deri në vitin 2030 për shkak të automatizimit me AI. Në mesin e profesioneve që ky raport parasheh që të zëvendësohen më së shpejti nga AI, i 11-ti me radhë renditet edhe profesioni im, dizajni grafik. 

Pas përfundimit të shkollës së mesme me lehtësi vendosa të studioja dizajn grafik, sepse ishte i vetmi profesion që më tërhiqte. Më kujtohet që po përgatitesha për një botë ku notat e shkëlqyera dhe puna e palodhshme vlerësoheshin dhe ishin të pazëvendësueshme. 

Mirëpo sot, në fushën e dizajnit grafik, asnjëra prej këtyre nuk ka më peshën që kishte. Projekti që mua më merr dy ditë kohë, mund të krijohet nga AI në dy minuta dhe kjo më bën të mendoj se ku do të përfundoj në të ardhmen. Tani, vetëm ideja që në të ardhmen do të më duhet të gjej diçka tjetër më frikëson.

Por, çfarë më shqetëson e më frikëson më të vërtetë? 

Kreativiteti përballë AI?

Zakonisht argumentet që dëgjoj kundër shqetësimit tim rreth AI janë se AI nuk është kreativ dhe krijon vetëm atë që tashmë ekziston; se njerëzit duan të konsumojnë diçka që është krijuar nga dora e njeriut dhe ndryshime të tilla kanë ndodhur edhe më herët, ndërkaq, bashkë me të, do të krijohen edhe mundësi të reja.

Megjithatë, nuk pajtohem me rehatinë që ofrojnë këto argumente.

Së pari, jo çdo punë kreative është çdoherë plotësisht kreative. Ka punë që bëhen nga persona kreativë, por që janë më teknike dhe nuk kërkojnë kreativitet të vazhdueshëm. Janë pikërisht këto që do të zëvendësohen së pari nga AI, punë që sot kryhen nga njerëzit. AI do të zëvendësojë dizajnerët grafikë në krijimin e logove të thjeshta, postimeve informuese për rrjete sociale apo prekjet e thjeshta nëpër fotografi e video. Por, besoj se edhe punët që kërkojnë më shumë kreativitet dhe ide të reja nga zero do të zëvendësohen. 

Sot, një artist kreativ frymëzohet kryesisht nga paraardhësit e tij. Jo të gjithë njerëzit janë revolucionarë që të ndryshojnë historinë me idetë e tyre. Në kohën që po jetojmë, shumica e gjërave tashmë janë zbuluar dhe e vetmja gjë që ka mbetur është rikonceptimi i një ideje, diçka që AI e bën pa problem dhe shumë më shpejt, sepse posedon më shumë njohuri për historinë, ekonominë, politikën apo çfarëdo fushe tjetër, në bazë të së cilës është në gjendje të ndërthurë ide të reja nga të gjitha këto fusha.

Është e vërtetë që ndryshime të tilla teknologjike kanë ndodhur edhe më parë në histori dhe njerëzimi iu është përshtatur ndryshimeve, por asnjëherë nuk kanë ndodhur kaq shpejt dhe në të gjitha fushat paralelisht.

Së dyti, po, mund të jetë e vërtetë se njerëzit parapëlqejnë të konsumojnë përmbajtje të krijuar nga njerëzit. Por, ekziston një numër i vogël i tyre që çajnë kokën se si është krijuar një video apo postim në rrjetet sociale kur ta shohin. Krejt çka u intereson atyre është mesazhi që marrin përmes këtyre produkteve. Pastaj, shumë nga projektet që kryhen nga një dizajner grafik në baza ditore përfshijnë projekte që janë thjesht rutinore e informuese. Një poster për një zbritje në një dyqan apo një fushatë shpërblyese nuk ka pse të ketë domosdo “shpirt krijuesi”. Anipse edhe këtu kreativiteti nuk zhduket, sepse përmbajtja informuese kërkon përdorimin e teknikave të dizajnit dhe videos për ta përçuar mesazhin në mënyrë efektive, qoftë përmes emocioneve apo teknikave tjera bindëse. Megjithatë, janë projekte rutinë ku rezultati përfundimtar nuk dallon shumë me atë të AI.

Së treti, është e vërtetë që ndryshime të tilla teknologjike kanë ndodhur edhe më parë në histori dhe njerëzimi iu është përshtatur ndryshimeve, por asnjëherë nuk kanë ndodhur me kaq shpejtësi dhe në të gjitha fushat paralelisht. Më problematik mbetet fakti që ndryshimet që po shohim sot nuk janë as forma përfundimtare, është thjesht fillimi dhe pas katër apo pesë vitesh do të përparojë edhe më shumë. 

Personalisht, do të ndikohem nga këto ndryshime. 

Kjo e sjell nevojën të qëndrojmë një hap para kohës dhe të mësojmë aftësi të reja, pavarësisht se a do të jenë të mjaftueshme apo jo. Personalisht, mjetet e AI i përdori që të më ndihmojnë t’i kryej punët më shpejt dhe më lehtë, si gjenerimin e imazheve. Edhe pse përpiqem që t’i përvetësoj këto aftësi që të jem në hap me zhvillimet, përdorimi i AI më shqetëson sepse më duket sikur aftësitë e mia për të zgjidhur probleme po dobësohen, dhe se më krijohet shprehia që t’i drejtohem AI sa herë të kem nevojë ta zgjidhë një problem. Kjo më bën të mendoj se ndoshta unë po marrë rolin e makinës, ndërsa AI po e kryen punën që unë kam bërë dikur, përfshirë edhe pjesën e të menduarit si dizajnere, por edhe ekzekutimin e idesë. 

Ndonëse AI nuk do të mund t’i zëvendësojë tërësisht njerëzit në fushën e dizajnit grafik, dhe disa pozita si drejtorë kreativë apo kryedizajnerë do të mbeten, numri i tyre do të zvogëlohet në mënyrë drastike dhe vetëm pak prej nesh do të mbijetojnë në këtë fushë.

Kam frikë se po arrijmë në një pikë ku një dizajner grafik nuk do të ketë nevojë të mësojë shkathtësi të reja apo ta sfidojë veten kreativisht për të krijuar diçka të mirë, por do të ketë nevojë thjesht të mësojë si të shkruajë një kërkesë të duhur për AI, pra një “prompt”.

 

Imazhi i ballinës: Dina Hajrullahu përmes ChatGPT

Ky blog u botua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit “Demokracia e informuar: Nxitja e një ekosistemi mediatik të larmishëm dhe të qëndrueshëm”. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Kosovo 2.0 dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.