Në thelb | Politika

Partitë serbe kthehen në garë

Nga - 10.10.2025

Pas dy vitesh bojkoti e tensionesh, partitë serbe synojnë t’i kthejnë komunat në veri.

Më 2 tetor, institucionet komunale në Mitrovicën e Veriut, nën shoqërimin e Policisë së Kosovës, përfunduan vendosjen e një shenje të re të qytetit – duke zëvendësuar mbishkrimin në cirilik “Волим Косовску Митровицу” (në shqip: E dua Kosovska Mitrovicën) – një monument që kishte qëndruar aty që nga viti 2020. Shenja e vjetër u zëvendësua me një mbishkrim të ri në alfabetin latin, që lexon thjesht “Mitrovica”, duke hequr fjalët “Veri” dhe “Kosovska”.

Shenja e re, me një zemër të gjelbër, në vend të asaj të kuqe që shënonte fjalën “E dua”, u vendos nën mbikëqyrjen e policisë.

 “Ky simbol i ri është pjesë e një imazhi të ri, më modern, më dinjitoz, përfaqësues për qytetin që po ndërtojmë çdo ditë, qyteti për të gjithë”, shkroi në faqen e tij në Facebook, Erden Atiq, kryetari aktual i Mitrovicës së Veriut.

Megjithatë, imazhi gjithëpërfshirës që përcjell ky mesazh bie ndesh me realitetin në terren. Që prej ditës së vendosjes, Policia e Kosovës jo vetëm që ka ruajtur instalimin, por vazhdon ta mbikëqyrë atë ditë e natë, për të parandaluar ndonjë tentativë vandalizimi.

Edhe pse shenja e re mund të duket e padëmshme, në fakt paraqet tensionet që ndihen çdo ditë në komunat me shumicë serbe në veri – mes përpjekjeve të qeverisë së Kosovës me ndihmën e komunave për ta shtrirë sovranitetin në atë pjesë të vendit dhe perceptimit të serbëve lokalë për fshirjen e simboleve të tyre identitare. Për institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës, ky është pohim simbolik i kontrollit shtetëror; ndërsa për shumë serbë lokalë, shenjë e pushtetit të kontestuar dhe e legjitimitetit të brishtë, që ilustrohet më së miri nga fakti se policia vazhdon ta ruajë shenjën pa ndërprerje.

Është pikërisht atmosfera e ngjarjeve të tilla që ilustron edhe narrativat kryesore të fushatës zgjedhore lokale të partive serbe në katër komunat veriore: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq. Pas dy vitesh përcjellë me bojkot, barrikada dhe boshllëqe institucionale, partitë serbe i janë rikthyer procesit zgjedhor, duke premtuar “kthim në institucione” dhe përfaqësim përmes votës, në vend të bllokadave.

Në këtë atmosferë politike, zgjedhjet e 12 tetorit në komunat në veri nuk nënkuptojnë vetëm zgjedhje e kryetarëve apo menaxhim i buxheteve lokale, por edhe synim për ta rikthyer qeverisjen e këtyre katër komunave me shumicë serbe nën kontrollin e partive serbe, si dhe rivendosjen e identitetit serb në hapësirat publike. Përderisa Lista Serbe pritet të rikthehet fuqishëm, këtë herë, ajo përballet me një grup partish opozitare, ku disa prej tyre po përpiqen të sfidojnë jo vetëm institucionet e Kosovës, por edhe vetë Listën Serbe dhe ndikimin e Beogradit. Retorika e tyre e përbashkët sillet rreth rikthimit të fuqisë, autonomisë dhe dinjitetit lokal, edhe pse strategjitë dhe lidhjet politike ndryshojnë ndjeshëm.Këto janë zgjedhjet e para të rregullta lokale që nga 23 prilli i vitit 2023, kur u mbajtën zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në katër komunat me shumicë serbe, të cilat u bojkotuan në masë të madhe nga votuesit serbë, e që rezultuan me zgjedhjen e  kryetarëve shqiptarë – përfshirë Atiqin, boshnjak, në Mitrovicën e Veriut.

Mitrovica e Veriut: Dhjetë kandidatë në garë

Në Mitrovicën e Veriut garojnë gjithsej dhjetë kandidatë për kryetar komune. Midis tyre janë ish-kryetari Milan Radojević nga Lista Serbe dhe Aleksandar Arsenijević, kryetar i Partisë Demokratike Serbe (Srpska Demokratija), i cili aktualisht ndodhet jashtë Kosovës për shkak të akuzave për armëmbajtje pa leje, të cilat ai dhe partia e tij i konsiderojnë si inskenim dhe politikisht të motivuara. Në zgjedhje merr pjesë edhe Marko Jakšić nga Iniciativa Qytetare “Sever za sve” (Veriu për të gjithë), i njohur për aktivizmin e tij dhe si ish-bashkëpunëtor i politikanit të ndjerë Oliver Ivanović.

Në garë është edhe kryetari aktual, Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), dhe zëvendëskryetarja e tij, Katarina Ađančić, e cila këtë herë kandidon si e pavarur. Po ashtu, në zgjedhje marrin pjesë Branko Veselinović nga Lëvizja Popullore Serbe (Srpski Narodni Pokret), Nenad Vukmirović nga partia Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rašić, si dhe Nebojša Milić nga “Fytyra e Re – Drejtësia Popullore” (Novo lice – Narodna pravda), një iniciativë e re e krijuar pas bashkimit të një lëvizjeje opozitare në Serbi me një iniciativë lokale në Kosovë.

Në këtë garë marrin pjesë edhe dy kandidatë shqiptarë: Betim Osmani nga Iniciativa Qytetare “Mitrovica” dhe Flutura Hamza-Azemi nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

Zveçan: Pesë kandidatë në garë

Në Zveçan, Lista Serbe ka kandiduar Dragiša Miloviqin, ish-kryetar komune, ndërsa Partia Demokratike Serbe (Srpska Demokratija) ka paraqitur kandidaturën e Zoran Obrenoviqit. Në garë është edhe Slađana Pantović, ish-nënkryetare e komunës, e cila ishte emëruar në këtë detyrë gjatë mandatit të kryetarit aktual Ilir Peci nga PDK, por që më vonë u shkarkua nga vetë ai.. PDK ka rikandiduar sërish Ilir Pecin, ndërsa Fetah Peci kandidon nga LVV. 

Zubin Potok: Nëntë kandidatë në garë

Lista Serbe ka kandiduar Miloš Perovićin, ndërsa Stevan Vulović, ish-anëtar i kësaj liste dhe ish-kryetar i komunës, këtë herë garon nga radhët e Lidhjes së Kosovës (Kosovski savez).

Në zgjedhje marrin pjesë gjithashtu Mirjana Vlašković nga Partia Demokratike Serbe (Srpska Demokratija), Gordana Mihajlović nga partia Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë (Za slobodu, pravdu i opstanak), Milija Biševac, kryetar i Lëvizjes Popullore Serbe (Srpski Narodni Pokret), dhe Grozdan Biševac nga nisma “Fytyra e Re – Drejtësia Popullore” (Novo lice – Narodna pravda). 

Në garë janë edhe kryetari aktual Izmir Zeqiri nga PDK dhe Vedat Mehmeti nga LVV.

Leposaviq: Shtatë kandidatë në garë

Kryetari aktual i Leposaviqit, Lulzim Hetemi nga LVV, do të përpiqet të sigurojë edhe një mandat të dytë, ndërsa në garë është edhe Zoran Todić nga Lista Serbe, ish-kryetar i komunës.

Në zgjedhje merr pjesë edhe Nenad Radosavljević, drejtor i Radio Televizija Mir dhe politikan me përvojë shumëvjeçare, i cili ka kandiduar disa herë më parë në zgjedhjet lokale. Gjatë mandatit të Hetemit, ai u emërua drejtor  për Kulturë, Rini dhe Sport në komunë.

Partia Demokratike Serbe (Srpska Demokratija) ka kandiduar Vladimir Radosavljevićin, ndërsa partia Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë (Za slobodu, pravdu i opstanak) përfaqësohet nga Vesna Pantović. Në garë është gjithashtu edhe gazetari Ivan Vučković, me iniciativën e re qytetare “Koreni – Ivan Vučković”. PDK ka kandiduar Shakir Hetemin.

Legjitimiteti i kontestuar i kryetarëve joserbë

Ardhjes së kryetarëve joserbë në krye të këtyre katër komunave i parapriu një sagë ngjarjesh që nisi në qershor të vitit 2022, kur qeveria e Kosovës zbatoi masat e reciprocitetit që kërkonin riregjistrimin e targave të lëshuara nga Serbia dhe mosnjohjen e dokumenteve të identifikimit të lëshuara nga Serbia në territorin e Kosovës.

Këto vendime nxitën reagime të menjëhershme në veri, që u përcollën me ngritjen e barrikadave në Jarinjë dhe Bërnjak dhe përleshje sporadike që kulmuan në fund të 2022 me dorëheqjen masive të serbëve nga institucionet qendrore, komunat, policia dhe sistemi gjyqësor. Këto dorëheqje u nxitën dhe u koordinuan nga Lista Serbe (Srpska Lista), forca politike dominuese e serbëve të Kosovës, e cila gëzon mbështetje të drejtpërdrejtë nga qeveria e Serbisë. Përmes këtij veprimi, Lista Serbe synonte të dëshmonte se pa përfshirjen e saj, asnjë proces institucional në veri nuk mund të funksionojë.

Dorëheqja e kryetarëve serbë në këto komuna hapi rrugë për zgjedhje të jashtëzakonshme në prill 2023, të cilat u bojkotuan nga Lista Serbe dhe pothuajse plotësisht nga komuniteti serb: vetëm 3.5% e afro 45 mijë votuesve të regjistruar ushtruan të drejtën e votës. Bojkoti, nën udhëheqjen e  Listës Serbe dhe i mbështetur publikisht nga qeveria e Serbisë, kishte për qëllim delegjitimimin e procesit zgjedhor dhe refuzimin e çdo forme përfaqësimi politik jashtë strukturës së saj.

Si pasojë, në komunat ku serbët përbëjnë shumicën dërrmuese, u zgjodhën kryetarë joserbë – duke krijuar një shpërputhje të thellë midis realitetit demografik dhe rezultatit politik. Hyrja e kryetarëve të rinj në objektet komunale në maj të vitit 2023 nën mbikëqyrjen e Policisë së Kosovës dhe me mbështetjen e KFOR, shkaktoi protesta të dhunshme e reagime të ashpra ndërkombëtare, me thirrje për shtensionim të menjëhershëm të situatës dhe organizimin e zgjedhjeve të reja gjithëpërfshirëse. Për më tepër, Bashkimi Evropian (BE) vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës, përfshirë pezullimin e fondeve, si reagim ndaj asaj që e cilësoi si mungesë bashkëpunimi nga qeveria e Kosovës në uljen e tensioneve në veri. Një vit më vonë, në prill të vitit 2024, u mbajt referendum për shkarkimin e kryetarëve joserbë, por edhe ai dështoi për shkak të një tjetër bojkotimi të udhëhequr nga Lista Serbe.

Kështu, kryetarët joserbë vazhduan ta ushtronin detyrën, të konfirmuar ligjërisht, por pa legjitimitet politik në sytë e shumicës serbe lokale.

Që atëherë, tensionet në këto komuna kanë qenë të shpeshta, duke kulmuar me sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë në shtator të vitit 2023 nga një grup i udhëhequr nga Milan Radoičić, ish-nënkryetar i Listës Serbe, ku u vra një polic shqiptar dhe tre sulmues serbë

Fakti që kryetarët joserbë në veri nuk perceptohen si përfaqësues të vullnetit politik të serbëve lokalë — në kuadër të historisë më të gjatë të bojkotit institucional, por edhe përtej Listës Serbe — është shprehur qartë përmes episodeve publike të kundërshtimit ndaj tyre.

Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, i cili shihet shpesh duke lëvizur në hapësirat publike të qytetit, është bërë objekt i reagimeve të tilla më shumë se kushdo tjetër. Një ngjarje në gusht të këtij viti, gjatë festivalit “Mitrovica Jazz Days”, e pasqyron më së miri këtë tension. Organizatorët zhvendosën festivalin nga Mitrovica e Jugut në shëtitoren e Mitrovicës së Veriut, si përpjekje që përmes kulturës të ndërtojnë ura mes komuniteteve. Por, në momentin kur Atiq u shfaq pranë skenës, dhjetëra qytetarë serbë filluan të fishkëllenin dhe të përdornin shprehje fyerse ndaj tij. Policia e Kosovës arrestoi dy të rinj, duke shkaktuar tensione mes zyrtarëve policorë dhe qytetarëve të pranishëm. Njëri prej tyre akuzohej për fyerje verbale, ndërsa tjetri u mbajt në paraburgim nën dyshimin se kishte përdorur shprehje kërcënuese.

Ndërkaq, muajt e fundit duket se vetëm sa e kanë thelluar pakënaqësinë ndaj tyre. Që nga gushti, institucionet komunale në veri kanë ndërmarrë një fushatë për fshirjen e muraleve dhe simboleve serbe, një proces që kulmoi me zëvendësimin e mbishkrimit “Kosovska Mitrovica”.

Shumë prej këtyre muraleve dhe kishin qëndruar nëpër muret e ndërtesave të qyteteve për vite me radhë, duke u bërë pjesë e peizazhit simbolik të komunitetit serb. Kjo fushatë po shihet si përpjekje për t’i fshirë elementet e identitetit serb nga hapësirat publike. Veprimet e tilla janë kritikuar edhe nga përfaqësues politikë serbë në veri, të cilët i kanë cilësuar si provokuese dhe të motivuara politikisht.

Në disa raste, muralet e fshira përmbanin glorifikim të hapur të krimeve të luftës dhe të ideologjisë nacionaliste serbe të viteve ’90-a, si ai kushtuar Ratko Mladićit, përgjegjës për gjenocidin në Srebrenicë. Disa nga muralet e fshira, si ato kushtuar Patriarkut Pavle dhe Metropolit Amfilohije, ndonëse për qytetarët joserbë ngjallin kujtime të shtypjes nga shteti serb, për serbët përbëjnë pjesë thelbësore të identitetit të tyre. I pari, ish-udhëheqës i Kishës Ortodokse Serbe, përfshirë vitet ’90-a, predikonte paqe, por kurrë nuk u distancua qartazi nga nacionalizmi serb i asaj kohe. I dyti, një klerik i fuqishëm në Mal të Zi dhe një nga figurat më me ndikim në Kishën Ortodokse Serbe, ishte përkrahës i hapur i ideologjisë së “Serbisë së Madhe” dhe i luftërave nacionaliste të viteve ’90-a. Megjithatë, për serbët, që të dy mbeten figura të rëndësishme shpirtërore dhe simbolike, ndaj edhe fshirja e muraleve të tyre po perceptohet si përpjekje e qëllimshme për t’i zhdukur simbolet kulturore serbe që mbajnë peshë në kujtesën kolektive të tyre, si dhe sulm ndaj identitetit ortodoks serb.

Derisa para nisjes së kësaj fushate nuk u zhvillua debat publik mbi përfaqësimin e simboleve në hapësirën publike, as mbi kriteret nëse ato paraqesin përfaqësime përjashtuese apo gjithëpërfshirëse, në disa raste institucionet komunale kanë fshirë edhe murale që në thelb nuk kishin karakter nxitës. Një prej tyre ishte edhe murali kushtuar “Delfinëve të Artë”, ekipit kombëtar të Serbisë në vaterpolo, që fitoi medaljen e artë olimpike në Rio në vitin 2016.

Zgjedhjet lokale po i gjejnë serbët e veriut duke u ndier më të kërcënuar dhe më pak të përfaqësuar edhe nga institucionet qendrore të Kosovës. 

Meqenëse veriu për një kohë të gjatë nuk ka qenë nën kontroll efektiv të institucioneve të Kosovës, me kalimin e viteve, kjo zonë është shndërruarnë terren të përshtatshëm për veprimtari të grupeve të armatosura dhe rrjeteve kriminale. Që nga viti 2021, qeveria e Kurtit e ka pasur ndër prioritetet kryesore shtrirjen e sovranitetit në këtë pjesë të vendit, përmes fuqizimit të rendit dhe ligjit, një proces që është karakterizuar me bastisje dhe operacione të shumta policore. 

Po ashtu, qeveria e Kosovës ka mbyllur shumicën e institucioneve paralele serbe të financuara nga qeveria e Serbisë, përjashtuar sistemin e arsimit dhe shëndetësisë, duke ndaluar gjithashtu edhe përdorimin e dinarit serb.

Këto veprime janë shoqëruar me protesta të shpeshta të banorëve lokalë serbë, të cilët mbylljen e këtyre strukturave nuk e shohin si shtrirje e autoritetit shtetëror, por si kërcënim ndaj sigurisë dhe mirëqenies së tyre. Për ta, këto struktura paralele nuk perceptoheshin si të paligjshme, por si të vetmet institucione që funksiononin realisht, duke ofruar paga, shërbime sociale, arsim dhe kujdes shëndetësor. 

Rëndësia e tyre nuk u zbeh as pas Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013, e cila synonte përfshirjen dhe integrimin e serbëve në institucionet shtetërore të Kosovës, siç janë policia, sistemi gjyqësor dhe administrata lokale. Megjithatë, së fundmi, hapjet e zyrave që përfaqësojnë institucionet e shtetit kosovar, përfshirë një degë të Postës së Kosovës dhe disa biznese të pronarëve shqiptarë, nuk janë pritur mirë dhe po bojkotohen nga serbët lokalë. 

Një ndër faktorët që ka thelluar mosbesimin e komunitetit serb ndaj qeverisë së Kosovës dhe ka rritur ndjenjën e pasigurisëi është prania e shtuar e Policisë së Kosovës, sidomos e Njësive Speciale, gjatë dy viteve të fundit. Sipas raporteve të organizatave të shoqërisë civile që veprojnë në veri, është rritur numri i ankesave të qytetarëve për përdorim të tepruar të forcës nga njësitë policore. Në disa raste, mediat lokale kanë transmetuar pamje të arrestimeve të të rinjve serbë, ngjarje që kanë shkaktuar reagime të ashpra publike. 

Lista Serbe dhe strategjia e rikthimit

Në mungesë të përfaqësimit institucional të serbëve dhe mes pakënaqësive ndaj mënyrës së centralizuar e pa dialog me të cilën po tentohet të shtrihet sovraniteti i Kosovës, është krijuar terren për narrativa të reja politike në veri. Ndonëse të gjitha partitë serbe e kanë ndërtuar fushatën e tyre mbi këtë kontekst, Lista Serbe po e përdor atë për t’i ikur përgjegjësisë së vet politike. Për më shumë se një dekadë ajo ka qenë forca kryesore në qeverisjen lokale në veri, e njohur për ushtrimin e presionit dhe frikësimit të serbëve, si dhe për përgjegjësinë për dorëheqjen e vet nga institucionet. 

Në fakt, fushata e Listës Serbe nuk ofron asnjë vizion konkret për përmirësimin e jetesës së qytetarëve në veri, duke u kufizuar kryesisht në retorikë të ashpër kundër qeverisë së Kosovës dhe rikthimin e simboleve dhe institucioneve serbe. 

Një tubim elektoral në Zubin Potok, më 1 tetor, ilustron më së miri retorikën mbizotëruese të partisë. Gjatë këtij tubimi, bartësi i listës dhe ish-kryetari i komunës, Srđan Vulović, pranoi publikisht se Lista Serbe gaboi kur u tërhoq nga institucionet e Kosovës në vitin 2022.

“Njeriu i gjallë bën gabime”, tha ai para mbështetësve. “Por tani është koha t’i korrigjojmë ato”, duke iu referuar vendimit të partisë për të marrë pjesë në zgjedhjet e tetorit. Sipas Vulović, vendimi për t’u larguar nga institucionet gjatë krizës së targave të vitit 2022 bëri që komuniteti serb të mbetej pa punë, pa ekonomi dhe pa ndikim. Ai akuzoi gjithashtu bashkësinë ndërkombëtare për mungesë mbështetjeje.

Deklarata e tij shënon një pranim të rrallë të gabimeve, pasi që prej vitit 2022 partia e kishte arsyetuar bojkotin si formë të rezistencës politike ndaj institucioneve të Kosovës. Përpos zgjedhjeve lokale të tetorit, Lista Serbe gjithashtu u kthye në Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet parlamentare të shkurtit të këtij viti. 

Në të njëjtin fjalim, Vulović akuzoi kryeministrin në detyrë Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) për “përpjekje për dëbimin e popullit serb”, duke e quajtur pjesëmarrjen në zgjedhje si “një kryengritje të re serbe”. Ai u bëri thirrje qytetarëve të “fitojnë me laps” dhe ta “përfundojnë terrorin” e administratës aktuale shqiptare në veri.

Edhe kryetari i partisë, Zlatan Elek, përsëriti të njëjtin mesazh, duke akuzuar Kurtin se po përpiqet ta shkatërrojë Listën Serbe për shkak të lidhjeve të saj të ngushta me Beogradin dhe presidentin e Aleksandar Vučić. “Fituesi tashmë dihet – Lista Serbe”, deklaroi ai, duke e paraqitur garën si luftë për mbijetesën politike dhe kulturore të serbëve në Kosovë.

Në Zubin Potok, kandidati për kryetar komune, Miloš Perović, u bëri thirrje banorëve ta “çlirojnë komunën” nga “kryetarët e rremë dhe të imponuar”, ndërsa folës të tjerë vunë theksin te dinjiteti, uniteti dhe rezistenca përballë autoriteteve të Prishtinës.

Toni i tubimeve përshkruan qartë strategjinë e re të Listës Serbe: pranimi i gabimeve të së kaluarës dhe rikthimi në institucione përmes votës, duke u pozicionuar si partia e vetme përfaqësuese e legjitime e serbëve në Kosovë. Ndërkohë, Beogradi e mbështet hapur këtë rikthim. Presidenti i Serbisë Vučić ka premtuar hapjen e 400 vendeve të reja të punës në sektorin e shëndetësisë për serbët në Kosovë, një lëvizje që shihet si pjesë e fushatës së koordinuar për t’i nxitur serbët per te votuar dhe forcimin e besnikërisë ndaj Listës Serbe. 

Përballë Listës Serbe dhe Beogradit

Në veriun e Kosovës, kandidatët opozitarë të Listes Serbe e paraqesin këtë garë zgjedhore si përballje me monopolin politik të Listës Serbe dhe me besnikërinë e saj të gjatë ndaj Beogradit. Ata e përshkruajnë votimin në zgjedhjet e 12 tetorit si një mundësi për t’u shkëputur nga kontrolli i tyre dhe për ta rikthyer vendimmarrjen lokale, pas më shumë se një dekade dominimi të një partie. Mes këtyre zërave të ndryshëm, mesazhi është i njëjtë: një zotim për t’i dhënë fund politikës së frikësimit dhe favoreve dhe rikthimin e pushtetit në duart e qytetarëve lokalë.

Aleksandar Arsenijević, kandidati i Partisë Demokratike Serbe (Srpska Demokratija) për kryetar në Mitrovicën e Veriut, e portretizon veten si viktimë të “dëbimit politik”, nga institucionet kosovare. Arsenijević aktualisht ndodhet jashtë Kosovës për shkak të akuzave për armëmbajtje pa leje. Duke diskutuar me mediat lokale në veri, si Alternativna dhe Kontakt Plus nga një kamp i improvizuar, afër pikës kufitare në Jarinjë, ai shprehet se armët e gjetura në një pronë të lidhur me të janë inskenim për ta heshtur atë. Ai premton se do të kthehet nëse zgjidhet kryetar dhe akuzon Listën Serbe dhe partinë e Nenad Rašićit për blerje votash dhe shantazh, duke e quajtur sistemin aktual “një treg të besnikërisë”.

Milija Biševac kandidati i Lëvizjes Popullore Serbe (Srpski Narodni Pokret) për kryetar në Zubin Potok, shprehet edhe më i ashpër. Ai thotë se Lista Serbe “nuk qëndron më krah për krah me popullin”, duke akuzuar zyrtarët e saj për presione të përditshme, si kërcënime për humbje të vendeve të punës, përfitime sociale apo kontrata publike. Sipas tij, vendimi i vitit 2022 për t’u larguar nga institucionet e Kosovës ishte “një plagë e vetëshkaktuar” që i la komunitetet lokale “pa shtet, pa paga dhe pa shkolla funksionale”.

Vladimir Radosavljević, kandidati i së njëjtës parti për kryetar të Leposaviqit, e përshkruan Listën Serbe si “një makineri bindjeje dhe privilegjesh”. Sipas tij, miliona euro nga programet e financuara nga Serbia kanë qarkulluar brenda një rrethi të ngushtë njerëzish të lidhur politikisht. 

“Familjet e zakonshme mezi mbijetojnë”, tha ai në intervistë për Alternativna dhe Kontakt Plus. “Ndërsa të tjerët ndërtojnë shtëpi nga politika”. 

Ndërkohë, Ivan Vučković, gazetar dhe udhëheqës i Nismës Qytetare “Rrënjët” (“Koreni”), është edhe më i drejtpërdrejtë: “Kanë pasur dymbëdhjetë vjet. Çdo gjë që kanë prekur, e kanë prishur”. Kurse Nebojša Milić nga Fytyra e Re – Drejtësia Popullore (Novo Lice – Narodna Pravda) e paraqet listën e tij si të vetmen alternativë vërtet të pavarur, duke theksuar se anëtarët e saj “nuk paguhen nga Serbia” dhe se disa nga kandidatët janë përballur edhe me kërcënime për t’u tërhequr nga gara.

Për partitë opozitare në veri, distancimi nga Lista Serbe nuk nënkupton afrim politik me institucionet e Kosovës. Të njëjtët kandidatë që kritikojnë ndikimin e Beogradit janë po aq skeptikë ndaj mënyrës se si institucionet e Kosovës po e ushtrojnë sovranitetin në veri dhe kërkojnë të mos jenë vegla të ndonjërës palë.

Argumenti i tyre kryesor është se sovraniteti i Kosovës në veri është imponuar me forcë, jo ndërtuar me besim. Sipas tyre, qeverisja aktuale funksionon sipas një modeli ku vendimet merren për veriun, por jo bashkë me veriun.

“Ne nuk jemi as serbë të Kurtit, as të Vuçiqit. Ne jemi një opsion që dëshiron të merret me problemet lokale të të gjithë qytetarëve”, tha Vučković. 

“Prishtina duhet ta kuptojë se duhet të flasë me serbët lokalë, ne jemi banorë të këtij vendi që jetojmë këtu prej shekujsh, nuk jemi të huaj”, tha Biševac, duke iu referuar nevojës që qeveria e Kosovës të nisë dialog me komunitetin serb lokal.

Sipas tyre, prania e shtuar e policisë, bastisjet e shpeshta dhe fshirja e simboleve serbe nuk kanë sjellë integrim, por ankth dhe mospërfshirje. Në vend që të ndihen pjesë e institucioneve, shumë qytetarë i shohin ato si instrumente kontrolli dhe jo shërbimi.

Këto parti nuk kërkojnë vazhdim të bojkotit, por rikthimin e institucioneve përmes funksionimit të tyre. Fushatat e tyre janë pragmatike dhe lokale, me theks te ligjshmëria, transparenca dhe ofrimi i shërbimeve publike, ndërsa kandidatët theksojnë nevojën për rihapjen e sporteleve komunale dhe shërbimeve administrative për qytetarët.

“Dyer të hapura, jo postblloqe”, tha Marko Jakšić, udhëheqësi i Iniciativës Qytetare “Sever za sve” (Veriu për të gjithë), në një intervistë për Alternativna dhe Kontakt Plus. 

Jakšić nga Mitrovica e Veriut  flet për një program “Qyteti i së Ardhmes”, që synon modernizimin e menaxhimit të mbeturinave, punësimin e të rinjve dhe jetën kulturore. Në Zubin Potok, Biševac kërkon një “rindërtim nga e para”, duke u përqendruar në funksionalizimin e shkollave, rrjetit të ujësjellësit dhe pagave publike të ngrira që nga viti 2022.

Këto parti kërkojnë gjithashtu pezullim dhe rishikim të masave të reja administrative, polici me prani të parashikueshme dhe dialog të strukturuar, ku kryetarët serbë të zgjedhur të bisedojnë drejtpërdrejt me ministritë e Kosovës, e jo vetëm përmes Beogradit.

Imazhi i ballinës: K2.0