Këtë javë Departamenti Shtetëror i SHBA-së e lansoi Raportin për Trafikimin e Personave të vitit 2017. Në të thuhet se Kosova ka shumë punë për të bërë sa i përket luftimit të këtij fenomeni. Si vitin e kaluar, Kosova është kategorizuar edhe këtë herë si shtet i radhës së dytë, që do të thotë se “nuk i ka përmbushur plotësisht standardet minimale të Dekretit për Mbrojtje të Viktimave të Trafikimit (TVPA)”, por se është “duke bërë përpjekje të përkushtuara” drejt këtij qëllimi.
Sipas raportit, Kosova “ka demonstruar përpjekje gjithnjë më të përkushtuara”, sa i përket identifikimit të më shumë viktimave dhe dënimit të më shumë trafikantëve në vitin 2016, në krahasim me vitin 2015. Në fillim të qershorit të këtij viti, Policia e Kosovës i mbylli 34 klube të natës si pjesë e një operacioni me masa të rrepta për kufizimin dhe dekurajimin e trafikimit të qenieve njerëzore.
Skënder Hyseni, ministri në detyrë i punëve të brendshme të Kosovës, tha se ministria e tij është e përkushtuar të luftojë trafikimin me qënie njerëzore si dhe lavdëroi punën e Policisë, duke thënë se kishin bërë “punë të jashtëzakonshme”. Ai u zotua që ta vazhdojë luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore. “Ata i kanë ‘çmontuar’ shumë fole të prostitucionit që janë maskuar si qendra për masazh, dhe kanë arrestuar një numër të madh të personave”, tha ai.
Megjithatë, në raportin u tha gjithashtu se problemet kryesore në lidhje me trafikimin e qenieve njerëzore në Kosovë janë dënimet e lehta për shkelësit, financimi i reduktuar për strehimore të udhëhequra prej OJQ-ve dhe bashkëfajësia e zyrtarëve të caktuar.
Gjykatësit kanë vazhduar që t’i dënojnë shkelësit me më pak se dënimin minimal, që është pesë vjet burgim. Vetëm një prej 24 individëve të dënuar në vitin 2016 u dënua me pesë vite e gjashtë muaj burgim; dënimet tjera ishin prej tre vite e gjysmë burg deri në gjoba në vlerë pak mbi 1,000 euro. Mbikëqyrësit e referuar në raport deklarojnë se shumë prokurorë dhe gjykatës nuk ishin të specializuar, e kjo pastaj rezultoi në dënime më të lehta dhe degradim të rasteve në krime më të lehta.
Përveç kësaj, në raport u tha se gjykatat kosovare nuk e kanë reduktuar numrin e rasteve të papërfunduara të trafikimit, dhe se 95 raste ishin ende të hapura në fund të vitit 2016.
Kosova i identifikoi 36 viktima të trafikimit njerëzor në 2016, në krahasim me 28 që i identifikoi vitin e kaluar. Prej viktimave të vitit 2016, 26 vuajtën prej trafikimit seksual, nëntë nga puna e detyrueshme dhe një nga “skllavëria e robëria”. Pjesa dërrmuese e viktimave (34) ishin gra dhe gjysma ishin fëmijë.
Strehimoret e udhëhequra prej OJQ-ve që i strehojnë viktimat e trafikimit raportuan se nuk kishin fonde të mjaftueshme dhe mundësi për të operuar pa ndihmë financiare prej ambasadave. Detyrimi për të aplikuar për fonde në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale çdo gjashtë muaj, gjithashtu krijoi zbrastësira financiare përderisa ishin duke u procesuar aplikimet.
“Për pak u detyruam ta mbyllim në fund të këti muaji, për shkak të një aplikimi gjashtë-mujor për financim”, tha për K2.0 një zëdhënës për Qendrën për Mbrojtje të Viktimave dhe Parandalim të Trafikimit të Qenieve Njerëzore (MVPT).
MVPT ofron strehim dhe trajnim për ri-integrim të viktimave të trafikimit dhe gjithashtu ndihmon me zbatimin e masave për parandalimin e trafikimit të qenieve njerëzore. Zëdhënësi tha se shumica e klientëve të tyre janë gra për shkak se pjesa më e madhe e viktimave të trafikimit të qenieve njerëzore në Kosovë janë gra që kanë qene viktima të shfrytëzimit seksual. Shumë prej tyre janë të mitur.
Pjesëtarët e MVPT janë veçanërisht të frustruar me nivelin e ulët të financimit qeveritar për mbështetje të specializuar të viktimave të trafikimit të qenieve njerëzore. “Janë vetëm dy strehimore [të specializuara] në Kosovë”, tha zëdhënësi. “Qeveria duhet të ofrojë fonde të qëndrueshme për rezultate të qëndrueshme”.
Pavarësisht rritjes së numrit të viktimave të identifikuara në vitin 2016 – në krahasim me vitin e kaluar – qeveria i ndau vetëm 171,010 euro për mbrojtje të viktimave; gati 10,000 euro më pak se në vitin 2015.
Në raportin e Departamentit Shtetëror të SHBA-së, gjithashtu thuhet se rastet e bashkëfajësisë ilustrohen prej dy policëve, të cilët u paditën vitin e kaluar në dy raste të ndryshme, si të dyshuar për abuzim të statutit zyrtar dhe shfrytëzim seksual të viktimave të trafikimit.
Në një prej rasteve më të mëdha të trafikimit në historinë moderne të Kosovës, në vitin 2014 dy zyrtarë të ministrisë së punës lëshuan leje pune për 22 punëtorë të huaj, të cilët më vonë u identifikuan si trafikues të viktimave. Ata u dënuan me nga 3,000 euro secili – shumë që Gjykata e Apelit vendosi mos ta rris vitin e kaluar. Për më tepër, të dy zyrtarët vazhdojnë të punojnë në sektorin publik.
Trafikuesit e qenieve njerëzore zakonisht i rekrutojnë viktimat nëpërmjet “premtimeve të rreme për martesë, ose ofertave për punë në kafene, klube të natës dhe restorane”, thotë raporti. Shumica e viktimave janë vajza që janë detyruar t’i futen botës së prostitucionit si dhe formave tjera të punës së seksit. Grupet e personave që nuk i gëzojnë të drejtat standarde ose janë të varfër janë ata që zakonisht i nënshtrohen kërkimit të detyruar për lëmoshë dhe shfrytëzimit seksual, ndërsa fëmijët kryesisht detyrohen të kërkojnë lëmoshë por edhe përdoren si “vallëzues apo shoqërues”, e kështu bëhen të prekshëm sa i përket trafikimit seksual.
“E dhimbshme është kur ndalesh në udhëkryqe të qytetit tonë dhe sheh aq shumë fëmijë duke kërkuar lëmoshë”, tha Hyseni. “Ju garantoj se 99 përqind e këtyre fëmijëve janë të manipuluar nga ndonjë bos i madh në prapaskenë”.[logo]
Foto kryesore: Creative Commons License.