Më 5 shtator, 2016, Kosova debutoi në Kupën Botërore në një udhëtimi plot emocione në bregdetin finlandez. Edhe pse përballej me pasiguri sa i përket lojtarëve të cilët kishte të drejtë t’i inkuadronte, si dhe me disa probleme të tjera tensionuese, Kosova prapëseprapë arriti rezultat të barabartë 1-1 kundër Finlandës në Turku, dhe kështu nisi me krenari fushatën e parë kualifikuese.
Atë natë goli i Kosovës erdhi nga Valon Berisha, i cili shënoi nga penalltia në pjesën e dytë të ndeshjes, vetëm disa orë pasi FIFA e lejoi atë që zyrtarisht ta përfaqësonte ekipin e tij të zgjedhur kombëtar. Por një vit më vonë, në fund të ndeshjes kthyese me Finlandën, po ky lojtar e gjeti vetën të shtrirë në fushë me duar e këmbë të hapura, duke shikuar qiellin e Shkodrës e duke menduar për humbjen e shtatë me radhë.
Kjo humbje 0-1 ishte e vështirë për t’u përballuar për Berishën, i cili është bërë njëri prej lojtarëve më të qëndrueshëm të Kosovës. Ai iu afrua më së shumti shënimit të golit për Kosovën, duke e detyruar Lukar Hradecky-n ta bëjë një pritje të mirë në fillim të pjesës së dytë; por ky moment i mprehtësisë ishte i rrallë për Kosovën, në një ndeshje në të cilën rrallëherë ishin afër shënimit të golit.
Lojtari më i qëndrueshëm i Kosovës në vitin e fundit ka qenë mesfushori Valon Berisha, i cili luan për klubin Red Bull Salzburg në Austri. Foto: Agan Kosumi / K2.0.
Ky rezultat ishte i hidhur dhe zhgënjyes për menaxherin Albert Bunjaki, i cili ka treguar se me gjasë do të heqë dorë nga kjo pozitë së shpejti. Sidoqoftë, para se të largohet, ai është i vendosur t’i japë shtetit të tij fitoren e parë, e kjo ndeshje u pa si mundësia e tij më e mirë. Bunjaki dukej i dëshpëruar gjatë tërë ndeshjes, duke qëndruar buzë vijës anësore të zonës teknike për 90 minuta.
Mënyra se si reagonin lojtarët kur ai i ngushëllonte në fund të ndeshjes, si dhe mbështetja që i dha Samir Ujkani menaxherit të tij gjatë verës, lënë të kuptohet se Bunjaki ende ka mbështetjen e lojtarëve, por kjo nuk mund të thuhet për shumë njerëz tjerë.
Justifikim për këtë humbje mund të jetë ndoshta shtyrja e ndeshjes së Kosovës me Kroacinë për një ditë, pas stuhisë së frikshme që e kaploi Zagrebin gjatë fundjavës. Kjo bëri që përgatitjet për ndeshjen me Finlandën të përgjysmohen. Në shumë aspekte, e gjithë kjo fushatë u përcoll me rrethana të jashtëzakonshme që kanë prodhuar përgatitje të pamjaftueshme.
Menaxheri i Kosovës, Albert Bunjaki, është kritikuar shumë gjatë gjithë vitit për shkak se ende nuk e ka fituar asnjë ndeshje, pavarësisht faktit se është duke punuar në kushte mjaft sfiduese. Foto: Agan Kosumi / K2.0.
Ajo pasiguri e përzgjedhjes së lojtarëve nuk u krye në Turku. Bunjaki vazhdimisht ka qenë i pasigurtë për atë se cilët lojtarë do t’i ketë në dispozicion gjatë fushatës, meqë FIFA ka vendosur për fatin e secilit lojtar veçmas, shpeshherë disa orë para fillimit të ndeshjeve.
Edhe problemet me objekte e kanë ndëshkuar ekipin. Vendimi i vonshëm për ta mbajtur ndeshjen si mysafire kundër Ukrainës në Krakovë ishte i papërshtatshëm, por problemet kryesore ndodhën ‘si nikoqire’. Vonesa e rinovimit të Stadionit të Qytetit në Prishtinë ka bërë që Kosova t’i luajë të gjitha ndeshjet si nikoqire në Shqipëri, në stadiumin Loro Boriçi në Shkodër. Ekipi kosovar asnjëherë nuk është sistemuar si duhet në këtë objekt. Humbja ndaj Finlandës konfirmon prirjen e Kosovës për të siguruar rezultat më të mirë në ndeshje si mysafire sesa në ndeshje si nikoqire me të gjitha ekipet me të cilat kanë luajtur dy herë.
Disfatat dhe udhëtimet e gjata kanë bërë që gjithnjë e më pak tifozë të udhëtojnë në Shkodër. Numri i pjesëmarrësve ka rënë nga 15,000, kur u shitën të gjitha biletat në ndeshjen e parë me Kroacinë, në vetëm 2,500 kundër Finlandës. Atmosfera në ndeshjet e Kosovës në Shkodër nuk është fare toksike, dhe as që e frikëson dikë. Përkundrazi, ekziston rreziku të bëhet zhgënjyese, me gjithë këto tribina të zbrazta.
Momentet më të mira të Kosovës në këtë fushatë ndodhën larg Shkodrës. Në një udhëtim në Antali në nëntor, Kosova e goditi shtyllën kundër Turqisë, e më pas i pësoi dy gola në pjesën e dytë. Ndërsa në Zagreb këtë muaj Kosova pati performancën më të mirë mbrojtëse. Debutuesit naivë të cilët i pësuan gjashtë gola nga i njëjti kundërshtar në tetor tani dukeshin si të transofmuar.
Megjithatë, përçarjet e lartpërmendura nuk mund t’i justifikojnë disa probleme të përsëritura në fushën e blertë. Mbrojtësit anësorë vazhdimisht kanë qenë pikë e dobët. Gabimet në këtë zonë bënë që Kosova të pësonte dy gola kundër Islandës në mars gjatë disfatës 1-2 si nikoqir.
Përpjekjet e Bunjakit për ta zgjidhur këtë problem duke ndryshuar formacionin e duke i përdorur tre mbrojtës shkaktuan edhe një disfatë të rëndë me rezultat 1-4 si nikoqir kundër Turqisë në qershor. Goli i vetëm i Finlandës në Shkodër erdhi pas një sulmi nga ana e majtë e Kosovës, vetëm 2 minuta pasi Bunjaki e zëvendësoi Leart Paçaradën me sulmuesin Vedat Muriqi, duke e kthyer kështu formacionin me tre mbrojtës.
Mesfusha ka treguar shenja suksesi. Konkurencë ka pasur edhe për pozitat e sulmit, veçanërisht ndërmjet Milot Rashicës, Arbër Zenelit, Bernard Berishës, Donis Avdijajt dhe Besar Halimit, ndërsa Enis Alushi dhe Hekuran Kryeziu janë kuptuar tejet mirë në mes veti në mesfushën mbrojtëse.
Megjithatë, lojtari që po e kryeson ekipin dhe po e luan rolin e sulmuesit kryesor të Kosovës është kritikuar vazhdimisht. Atdhe Nuhiu pati një debutim mbresëlënës duke shënuar gol kundër Islandës, por që atëherë ai është përballuar me vështirësi. Në anën tjetër, as Erton Fejzullahu as Muriqi nuk kanë arritur ta dëshmojnë vetën deri më tani.
Goli i Atdhe Nuhiut në disfatën me rezultat 1-2 kundër Islandës ishte një prej të vetmet tri gola që i ka shënuar Kosova gjatë tetë ndeshjeve kualifikuese për Kupën Botërore. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Këto probleme në sulm u shpresua se do të zgjidhen nga heroi i kthyer, Besart Berisha, i cili vazhdimisht ka qenë një prej golashënuesve më të mirë në A-League të Australisë në gjashtë vitet e fundit, majde edhe e kryesoi listën e golashënuesve në këtë ligë vitin e kaluar dhe në sezonën 2011/12. Megjithatë, pas një debutimi zhgënjyes kundër Islandës si nikoqir, ai u gjet në bankën rezervë për ndeshjen si nikoqir kundr Turqisë. Berisha nuk e priti fare mirë këtë lajm. Pas disfatës me rezultat 1-4 ai lajmëroi se nuk do të luante më për Kosovën kurrë përderisa Bunjaki është menaxher.
Me gjasë nuk do t’i duhet të presë edhe aq gjatë. Drejtimi i Kosovës gjatë fushatës debutuese dihet se është punë e vështirë për Bunjakin, por rezultatet e dobëta po grumbullohen. Tani ka kaluar një vit plot me disfata për tifozët e ekipit kombëtar të Kosovës në futboll. Kanë mbetur edhe ndeshje për ta korrigjuar këtë situatë: një në Rejkjavik kundër Islandës, dhe një në Shkodër kundër Ukrainës. Meqë situata në majë të Grupit I është mjaft e ngjeshur dhe të dy ekipet kanë ambicie për të përfunduar në dy vendet e para, me gjasë na presin dy ndeshje të vështira.
Por e ardhmja nuk është fare e errët. Ekipi U-21 i Kosovës shënoi fitore 3-2 (madje e ktheu në fitore edhe pse ishte duke humbur) kundër Norvegjisë në Mitrovicë të premten në mbrëmje, e më pas, të martën, humbi për pak me rezultat 1-0 në Gjermani.
Gjithashtu, ndonëse disfatat e Kosovës e kanë lënë atë në pozitë të dobët në listën renditëse të FIFA-së, dhe kjo me gjasë do të rezultojë me grup të vështirë kualifikues për Euro 2020, Kosovës gjithashtu veç sa nuk i është garantuar pjesëmarrja në Grupin D të turneut të ri të UEFA-së, Liga e Kombeve, bashkë me 15 ekipet tjera në fund të listës renditëse të UEFA-s. Një performancë e fuqishme në këtë turne kundër ekipeve të një standardi shumë më të barabartë do t’i jepnin Kosovës një mundësi të dytë për të hyrë në Euro 2020, që është një arritje aspak e lehtë.K
Foto kryesore: Agan Kosumi / K2.0.