Këtë fundjavë, kosovarët do t’u kthehen vendvotimeve për herë të dytë këtë vit. Lodhja nga zgjedhjet nuk është që po na befason, duke marrë parasysh bollëkun e premtimeve të mëdha dhe joreale me të cilat jemi mësuar, siç jemi mësuar edhe t’i shohim ato me skepticizëm.
Por duke marrë parasysh se vendimmarrja lokale ka ndikim të konsiderueshëm mbi kualitetin e mirëqenies sociale dhe ekonomike të qytetarëve në baza ditore, mediat duhet të jenë veçanërisht të vëmendshme, duke analizuar vërtetësinë e pretendimeve të tilla, duke kërkuar llogari nga përfaqësuesit e zgjedhur dhe duke i sjellur para vëmendjes së publikut çështjet të cilat mbesin jashtë kufijve të atyre që përcaktohen si “tema të rëndësishme”.
Publikimi i sotëm i monografisë sonë për zgjedhjet lokale është kontribut në këtë aspekt, kontribut i cili ofron një analizë të thellë dhe informative të disa çështjeve të cilat i shohim si të rëndësishme.
Nëpërmjet kësaj monografie, ne ofrojmë një gërshetim të disa gjërave të ndryshme.
Në njërën anë, analizojmë ato që duhet t’i ofrojnë qeveritë lokale, paqartësinë e përgjegjësive, premtimet e së kaluarës, dhe atë se si ne, si qytetarë aktivë, mund të kërkojmë llogari nga zyrtarët. Në anën tjetër, analizojmë atë se çfarë mund të ndodhë kur dështon qeveria lokale në detyrat e saj, dhe si transmetohet kjo në jetët e qytetarëve – ata që ofrohen për ta mbushur zbrazëtinë, por edhe pasojat e mundshme drastike për ata që lihen anash.
Për të qenë pjesë e diskutimit: lexo, shiko, shpërndaj, angazhohu, voto!K
Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.