Igor Stiks është shkrimtar dhe studiues nga Sarajeva. Ai u rrit në Zagreb dhe tani jeton në Beograd, ndërsa një pjesë të jetës e kaloi në Paris, Çikago dhe Edinburg.
Romani i tij i vitit 2006, “The Judgement of Richard Richter” (Gjykimi i Richard Richter-it) fitoi disa çmime dhe u përkthye në 15 gjuhë, dhe u bë libri më i shitur në Amazon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në vitin 2014, ai u shpall Fisnik i Urdhrit Francez të Arteve dhe të Letrave. Së fundmi u botua romani i tij i dytë: “Rezaliste”. Aty ai trajton politikat e identitetit, temë të cilën e njeh mirë si rezultat i biografisë së tij.
K2.0 bisedoi me Igor Stiksin në Sarajevë pas edicionit të gjashtë të Open University, një platformë e hapur për mendim kritik, shkëmbim të lirë të njohurive dhe të përvojave, dhe promovim të prodhimeve akademike të kualitetit të lartë. Ai është njëri prej themeluesve të kësaj platforme. Programi i sivjetëm u mbajt nën slloganin “Çka mund të bëhet?”
K2.0 diskutoi me Stiksin për këtë pyetje dhe për problemet e së djathtës ekstreme që po rritet gjithnjë e më shumë, për pamundësinë e një reagimi të organizuar dhe të unifikuar nga e majta, për largimin e të rinjve nga rajoni, për migruesit “e pranueshëm” dhe “të papranueshëm” në Europë, dhe për rolin e padobishëm të shteteve të Ballkanit brenda sistemit neoliberal kapitalist i cili e udhëheq botën.
K2.0: Sivjet shënohet njëqindvjetori i Revolucionit të Tetorit. Çka përfaqësojnë këto 100 vite? Çfarë kuptimi ka sot Revolucioni i Tetorit të 1917-ës?
Igor Stiks: Ambivalenca sa i përket 100-vjetorit të Revolucionit të Tetorit lidhet me situatën në të cilën gjendemi ne sot. Të gjithë jemi të mendimit se duhet të bëjmë diçka me botën bashkëkohore, por nuk jemi aq të sigurtë nëse na duhet një lloj i tillë i revolucionit.
Në njërën anë, në “bregun e majtë”, e kemi një magjepsje me veprimet e bolshevikëve – dhe të shumë komunistëve të tjerë revolucionarë që erdhën pas tyre – në atë kohë, për shkak të faktit se ishte i mundur përdorimi i një veprimi kolektiv për ta ndryshuar me të vërtetë botën, e cila nuk do të ishte më e njëjtë pas Revolucionit të Tetorit.
Foto: Jim Marshall.
Në anën tjetër, ambivalenca jonë për këto ngjarje, veçanërisht sa i përket atyre që përfshihen brenda këtyre revolucioneve, që do të thotë shtypja, terrori, ose ato që i shohim sot si pasoja të një revolucioni i cili sigurisht se nuk ishte paravendosur, si për shembull Stalinizmi – edhe këto ndikojnë te perceptimi për mundësitë tona, si dhe etikën që duam ta përfshijmë brenda veprimeve tona. Pra, se duam ta ndryshojmë botën në mënyrë jo të dhunshme. A është e mundur?
Desha t’ju bëj këtë pyetje: A është i mundur një revolucion çfarëdo në ditët e sotme?
Dihet se para Revolucionit të Shkurtit, Lenini ishte një burrë i dëshpëruar në Cyrih. Ai shkonte në bibliotekë çdo ditë dhe mendonte se kurrë nuk do ta përjetonte një revolucion gjatë jetës së tij. Më duket se Trotsky ishte në Nju Jork në atë kohë. Pastaj gjërat filluan të zhvilloheshin në mënyrë krejtësisht të pabesueshme, dhe ndikuan që të gjithë të vepronin dhe të sillnin diçka krejtësisht të re.
Epizoda e dytë ndodhi kur erdhi Lenini në Shën Petersburg, ku gjatë fjalimit të tij në stacionin “Finska”, në një rreth të ngushtë me bolshevikë të tjerë, ai foli për strategjinë e tij, e cila kundërshtonte gjithçka që ishte avokuar deri në atë kohë. Në vend të reformave nëpërmjet kushtetutave, asambleve kushtetuese, përhapjes së të drejtave të punëtorëve, të drejtës për të votuar, Lenini sugjeron veprime vendimtare: përmbysjen e Qeverisë, shpërbërien e shtetit dhe formimin e organeve të drejtpërdrejta demokratike të cilat do ta merrnin më pas pushtetin.
Ky vizion me të vërtetë anarkist i hutoi shumë bolshevikë, por me sa duket Lenini ishte njëri prej atyre që e pa se një vizion i tillë radikal do të ishte i domosdoshëm për suksesin e revolucionit. Ne nuk kemi përjetuar revolucion anarkist në këtë kuptim, por është e vërtetë se besimet e tilla radikale në atë moment me të vërtetë e hapën një horizont të ri.
Problemi është se këto besime në fakt e arritën atë qëllim. Shumë revolucionarë të tjerë dështuan. Konkluzioni pra mund të jetë se është e vështirë të parashikohet se si do të dukej një revolucion sot. Më e vështirë është të zhvillohet një formë e përshtatshme. Megjithatë, shumë njerëz thonë, mirë, ndoshta biseda për revolucionin është kufizuese brenda vetes. Të provojmë të shohim se çfarë mikrondryshimesh janë të mundshme – ndryshime të cilat janë realisht të qasshme për ne, dhe të cilat nuk kërkojnë ndryshimin e tërësishëm të botës. Mendoj se zgjidhja e duhur është të mendojmë për këto forma radikale të revolucionit dhe njëkohësisht të veprojmë në ato vende ku veprimi është i mundshëm.
Me sa duket edhe sistemi është bërë shumë më dinak që atëherë. Në anën tjetër, kishim demonstrata në Poloni para disa ditësh, në të cilat u mblodhën në rrugë një numër shumë i madh ekstremistësh të krahut të djathtë – shumëkush do t’i quante fashistë. Shumëkush do të thoshte gjithashtu se fashizmi po paraqitet përsëri. Në çfarë ambienti po jetojmë dhe si ndikon bota në jetët tona?
Sot të gjithë e dimë se nuk ekziston një vend i vetëm i pushtetit, nuk ka Kështjellë të Dimrit e cila duhet të zaptohet për ta mundësuar revolucionin. Por në fakt, shtrohet pyetja ku duhet të ndodh ky revolucion, dhe nuk e dimë ku.
Interesante është se sistemi me të cilin përballemi, të cilin e quajmë kapitalizëm neoliberal, ka zhvilluar forma të sofistikuara të menaxhimit. Sot të gjithë e dimë se nuk ekziston një vend i vetëm i pushtetit, nuk ka Kështjellë të Dimrit e cila duhet të zaptohet për ta mundësuar revolucionin. Por në fakt, shtrohet pyetja, se ku duhet të ndodhë ky revolucion, dhe ne nuk e dimë ku.
Pjesa më e madhe e parave të cilat ekzistojnë në botë nuk janë të ruajtura dikund, por janë të regjistruara në disa ishuj. Në anën tjetër, e shohim se sistemi po përplaset me ne, me llojlloj elementesh armiqësore, metodash të vjetra. Metodash fashiste. Prandaj një sistem i tillë i sofistikuar prapëseprapë ka nevojë për banditë, ata që dalin në rrugë dhe i rrahin studentët, punëtorët, dhe këdo që kërkon ndryshim.
E pamë këtë së fundmi në Zagreb, kur Revolucioni i Tetorit u festua me një lloj performanse, duke e varur një flamur të kuq në ndërtesën e Fakultetit të Filozofisë. Atë natë, dhjetë persona të armatosur dhe të maskuar erdhën dhe i rrahën studentët. Kështu është pra: në njërën anë i kemi Paradise Papers dhe në anën tjetër e kemi këtë forcë brutale që gjithmonë ka qenë e njëjtë, njerëz të dëshpëruar që i përdorin njerëzit e tjerë për ta mbrojtur veten, dhe njëkohësisht gjejnë metoda të sofistikuara për ta fshehur pushtetin dhe fuqinë e tyre.
Problemi më i madh i rajonit tonë është se aktualisht shumë njerëz duan të largohen. Supozoj se kjo është pasojë e ndikimit të sistemit, veçanërisht në zonat periferike. Pse duan të ikin njerëzit? Çfarë do të thotë kjo dëshirë e tyre për të ikur? A duhet të mundohemi t’i ndalim, dhe nëse po, në çfarë mënyre?
Një analizë e vogël dhe e vjetër marksiste e qartëson këtë situatë. Nuk na jep zgjidhje, por na ndihmon të shohim se çfarë po ndodh.
Po, jemi shoqëri periferike të cilat kanë popullsi të reja dhe shumë të arsimuara, të cilat Perëndimit kapitalist mund t’u ofrojnë aftësi të caktuara, në fakt, aftësi për të cilat Perendimi ka nevojë. Këto aftësi nuk sjellin dobi ekonomike apo shoqërore, siç është një vend pune apo një vizion për të ardhmen në ambientet e vendbanimet e tyre. Prandaj, nuk na befason fakti se njerëzit po duan të largohen.
Ka njerëz që nevojiten për të punuar si kamarierë apo për të pastruar banjo, dhe ata prapëseprapë vijnë nga Europa, dhe kanë një nivel të caktuar të arsimimit dhe përshtatshmërisë kulturore që reagon ndaj shoqërive perendimore. Ata bëhen migrues të cilët janë të pranueshëm, përkrah atyre të cilët nuk duam t’i kemi, të cilët vijnë nga Azia, Afrika dhe veçanërisht ata që kanë prejardhje muslimane.
Pra ky racizëm tani është bërë shumë i shtresuar. Prandaj është shumë e çuditshme që shohim një koalicion ndërmjet diasporës serbe dhe neofashistëve austriakë të cilët e mbështesin njëra-tjetrën. Nga kjo bëhet e qartë se diaspora serbe është më e afërt me fashistët austriakë se me ndonjë sirian apo ndonjë diasporë tjetër.
Foto: Jim Marshall.
Gjithashtu, duhet ta kemi parasysh se vetë e djathta po ndryshon. Tani po përballemi me një të djathtë krejtësisht të re që ka karakteristika të hipsterëve. Në Francë, Austri, Gjermani po shfaqet gjenerata e ashtuquajtur “reidentitare”, e cila është krejtësisht reaksionare, por ka karakteristika të hipsterëve: me mjekrra të bukura dhe të folurit relativisht të sofistikuar, e me mesazh të qartë, “ka njerëz të cilët nuk i ndajnë vlerat tona, dhe prandaj nuk i përkasin shoqërisë sonë”.
Këta njerëz [të cilët nuk përkasin] janë emigrantët, njerëzit të cilët kanë ngjyrë tjetër të lëkurës. Këta njerëz janë gjithashtu ata – dhe këtu vijmë deri te një konflikt i pashmangshëm – të së majtës të cilët mendojnë se shoqëritë duhet të ndryshojnë, të hapen etj. Pra ndikimi fashist godet, si gjithmonë, dy anët: minoritetet dhe të majtën, sepse të dyja shihen si rrezik për sistemin e caktuar të vlerave kulturore dhe tradicionale.
Me sa duket identiteti luan rol kyç në tërë këtë histori. Sistemi aktual i identitetit siç duket nuk është më funksional. Këtë çështje e trajtoni në librin tuaj të ri, “Rezaliste”.
Tani i shohim pasojat e politikave të identitetit të cilat sigurisht se u shfaqën në Perendim në të njëjtin koh kur u shuan edhe mundësitë për ndryshim revolucionar në ato shoqëri. Një pjesë e madhe e së majtës ishte e përfshirë në luftën e politikave të identitetit, luftën për njohje. Shumë prej tyre ishin të justifikuara: lufta për njohjen e të drejtave të grave, të drejtën për orientim seksual, të drejtat e minoriteteve për ta shprehur dhe për ta mbrojtur identitetin e tyre.
Por shtrembërimi i politikave të identitetit na solli në një situatë pothuajse raciste, në të cilën i mbyllim njerëzit brenda identiteteve të tyre. Një situatë në të cilën, në anën tjetër të së majtës së copëtuar, luftërat u tërhoqën në pikën e mbrojtjes së identitetit, në vend se të luftohej për solidaritet duke thënë ‘mirë pra, t’i pranojmë padrejtësitë që shoqëria i ushtron ndaj grupeve të prekshme, por ta zgjerojmë horizontin’. Ky është dallimi ndërmjet liberalëve dhe socialistëve.
Të drejtat e njeriut nuk mund të të ndihmojnë nëse nuk ke me çfarë të jetosh.
Të drejtat e njeriut nuk mjaftojnë nëse nuk ndryshojnë shoqëritë. Nëse nuk janë shoqëri të barazisë së vërtetë shoqërore dhe ekonomike. Në atë kuptim, të drejtat e njeriut nuk mund të të ndihmojnë nëse nuk ke me çfarë të jetosh.
Njëra prej mënyrave për ta shuar potencialin revolucionar ishte përmes politikave të identitetit. Ajo i dha shtytje shumë të madhe forcave të krahut të djathtë, sepse historia e identiteteve të rrezikuara është në thelb histori reaksionare e krahut të djathtë. Ata arritën ta përdorin në favor të tyre dhe në maksimum, ndërsa ne njëkohësisht e humbëm vizionin tonë për ndryshimin e shoqërisë. E pranuam që ndryshimi nuk është i mundshëm dhe se e mundshme është vetëm t’i bëjmë shoqëritë tona më të mira.
Sot këto maska janë hequr. As kjo nuk është e mundur. Shoqëritë nuk do të bëhen më të mira. Fatkeqësisht, kapitalizmi të cilin ne e jetojmë i godet këto shoqëri dhe krijon konflikt të pabesueshëm në nivel botëror, dhe tani e shohim këtë situatë të tmerrshme që po zhvillohet para syve tanë, por prapëseprapë jemi pasivë. Nuk kemi një mënyrë, sepse nuk dimë si t’i përgjigjemi pyetjes: Çka mund të bëhet?’
Tashmë e përmendëm vitin 2017. Duke biseduar me njerëz të tjerë, m’u krijua përshtypja se viti 2017, si viti i kaluar, është njëfarë treguesi se diçka ka shkuar krejtësisht mbrapshtë në universin tonë. Çka mendoni se mund të presim në vitet e ardhshme?
Me elementet që i kemi tani vetëm mund të parashikojmë: nëse gjërat mbesin kështu siç janë, është krejtësisht e qartë se krizat dhe luftërat do të shtohen. Tashmë jemi duke e jetuar një luftë botërore. Ajo i ndryshon lokacionet gjeografike, por të gjithë jemi të përfshirë në të, dhe ndikohemi në mënyrë të dretpërdrejtë prej saj. Lufta në Siri ndikoi te të gjithë ne, dhe jo vetëm nëpërmjet valës së refugjatëve, por në përgjithësi ndikon te të gjithë ne.
Këto luftëra do të intensifikohen, sepse është e qartë se kapitalizmi nuk mund të ofrojë zgjidhje. Reagimi ndaj krizës së vitit 2008 mund të themi se ishte reagim me më shumë neoliberalizëm dhe me zhvillim të sistemit të shtypjes së rezistencës.
Prandaj ka dështuar Lëvizja e Zaptimit dhe lëvizjet e tjera të ngjashme që në mënyrë të qartë i kanë thënë “jo” sistemit. Nëse populli udhëheqës nuk ka vizion ta ndryshojë situatën dhe nuk mund ta ndryshojë sistemin, atëherë e vetmja gjë që mund ta bëjnë është t’i fuqizojnë instrumentet shtypëse. Kjo do ta krijojë një seri tërësisht të re të konflikteve në qendër të kapitalizmit.
Në periferi do të vazhdojë ky lloj i ri i shkatërrimit të bazës socio-ekonomike të këtyre shoqërive; me njerëz që ikin, me pjesën më të madhe të njerëzve që nuk kanë mundësi për jetë dinjitoze, duke u krijuar një elitë e cila do të jetojë në komunitete të mbyllura dhe duke u shfrytëzuar burimet natyrore për interesa ndërkombëtare.
Ka njerëz të së Majtës të cilët po përpiqen shumë për një katastrofë absolute në mënyrë që të sjellin ndryshim pas kësaj katastrofe. E kuptoj këtë, por do të ishte mirë po të mos ishte katastrofike.
Në Ballkan e kemi një situatë të veçantë, meqë lufta për shtete kombëtare me të vërtetë çoi në një shtrëmbërim total. I shkatërruan shoqëritë dhe kombet për të cilat thanë se po luftojnë, ata të cilët nuk kanë fare pavarësi dhe sovranitet.
Kjo nuk është e vërtetë vetëm për shtetet të cilat kanë ndonjë formë protektorati, si Bosnja e Hercegovina dhe Kosova. Ta marrim shembullin e Kroacisë dhe krizën e Agrokor-it, që konfirmon se Qeveria korate është absolutisht vetëm një njësi administrative që duhet ta kontrollojë shoqërinë derisa, realisht, vendimet merren diku tjetër. Këto janë shtete karikaturë në të cilat nuk ka gjë komike, por ka shumëçka tragjike.
Pra pres që të intensifikohen të gjitha konfliktet e mundshme që po i përjetojmë ne tani, dhe që reagimi ndaj tyre të jetë ai i së djathtës radikale; pra, pikërisht kjo lloj mbylljeje brenda komunitetit, dhe konflikti me komunitetet e tjera në zonat ku jetojmë. Kjo gjithashtu do të krijojë mundësi për ndryshime radikale.
Tani perspektiva për mundësi të tilla na mbetet neve. Ka njerëz të së majtës të cilët po përpiqen shumë për një katastrofë absolute që të sjellin ndryshim pas kësaj katastrofe. E kuptoj këtë, por do të ishte mirë po të mos ishte katastrofale, pra që mundësia për ndryshim të hapet vetëm atëherë kur sistemi të shkatërrohet krejtësisht.
Po, është kjo ideja që “duhet të bëhet më keq për t’u bërë më mirë”.
Të shpresojmë se nuk do të ndodhë diçka si një luftë e re botërore, për të krijuar hapësirë për revolucion shoqëror. Por sigurisht, me plot të drejtë mund të më pyesni se si mund të bëhen ndryshime reale në një sistem të tillë. Na ofrohet – është ofertë të cilët duhet ta pranojmë, sepse është e vetmja – t’i ndryshojmë praktikat e caktuara duke u përfshirë në institucionet ekzistuese. Kështu tani e majta ka kaluar në beteja komunale.
Në këtë kuptim kemi hequr dorë nga shteti, sepse nuk mund ta “zaptojmë” atë, nuk mund ta kemi, dhe jemi të përfshirë në beteja në qytete, si mundësi për ndryshim – sepse kapitali financiar, shoqëror dhe kulturor është i përqendruar aty, në qytete. Jemi munduar të ndikojmë disi në mënyrë armiqësore ndaj institucioneve të qytetit, me të cilat njerëzit mund ta identifikojnë vetën, dhe ta dëmtojmë autoritetin e këtij shteti dhe të kësaj fuqie tejnacionale.K
Foto kryesore: Jim Marshall.