Nëna e një vajze gjashtëmuajshe, M.C. (36-vjeçare), u shkarkua nga puna pasi i tregoi punëdhënësve të saj se ishte shtatzënë. Deri atëherë ajo punoi në një dyqan si punëtore ndihmëse, që do të thotë se nënshkruante kontratë të re çdo tre muaj.
Gjatë bisedës me K2.0, ajo nuk e dha emrin e plotë për shkak se kishte frikë se nuk do të pranohej nga punëdhënësit potencialë në të ardhmen, se do të ‘etiketohej’. Ajo tha se në njërën prej intervistave të kaluara për punë, dy prej pyetjeve të para që ia bënë ishin: ‘a je e martuar?’ dhe ‘a planifikon të krijosh familje?’
“Në atë kohë nuk e dija se do të mbetesha shtatzënë në të ardhmen. Isha e martuar, por nuk planifikonim të kishim fëmijë”, kujton M.C. “Kur e kuptova se isha shtatzënë, prita një kohë para se t’i tregoja shefit. Ai u tregua i ashpër, sikur të kisha bërë një gabim të madh. Disa ditë më vonë, më thirrën në zyrë të tij për të biseduar. Drejtori më tha se nuk do t’ma vazhdonin kontratën. E gjeta veten në një pozitë në të cilën nuk kisha të ardhura në kohën kur ato më duheshin më së shumti”.
Standadet e punës duhet të zbatohen nga dega e ‘Inspeksionit të Tregut’ të Administratës për Çështje të Inspektimit të Qeverisë së Malit të Zi. Kur u pyet pse nuk e kishte raportuar rastin te ky inspektorat, M.C. tha se nuk besonte se do të bënin diçka për të.
“Ta raportoj? Te kush?”, pyet ajo. “Inspeksioni është në dijeni se ndodh kjo, por prapëseprapë nuk bën gjë. Të gjithë janë të lidhur. Dihet mirë si funksionon e gjithë kjo këtu. Njerëzit e kuptojnë shpejt. Qytezë e vogël është. Po ta kisha raportuar, me gjasë do ta kuptonin të tjerët. Atëherë do t’i kisha thënë ‘tung’ të gjitha punëve”.
Trazicioni i Malit të Zi drejt kapitalizmit, si në rastet e shteteve të tjera, u karakterizua me mbyllje të dhjetëra mijëra vendeve të punës, si dhe me përkeqësim të të drejtave të punëtorëve.
Puna në sektorin joformal është problematike, dhe shteti po përballet me vështirësi për trajtimin e këtij problemi, për shkak të mungesës së interesimit për ta zgjidhur problemin si dhe si pasojë e punëdhënësve me mungesë të përgjegjësisë sociale. Sindikatat kanë paralajmëruar se gratë janë kategori veçanërisht e prekshme në tegun e punës dhe kanë zbuluar se janë të vetëdijshëm për numrin e rasteve ku gratë i kanë humbur vendet e punës për shkak se kanë shprehur dëshirë të krijojnë familje.
Pozita e vështirë e punëtorëve
Në dhjetë vitet e fundit, Mali i Zi iu nënshtrua transformimeve radikale ekonomike dhe sociale: nga lulëzimi ekonomik dhe ardhja e papritur e investitorëve të huaj pas shpalljes së pavarësisë, e deri te periudha e krizës ekonomike që u ndikua nga niveli botëror.
Këto kohë të trazuara kanë prodhuar shkallë të larta të papunësisë. Sipas të dhënave nga Zyra Shtetërore për Statistika, në çerekun e dytë të këtij viti, numri i personave të punësuar ishte 188,000, ndërsa numri i personave të papunë në të njëjtën periudhë ishte rreth 40,000.
Megjithatë, statistikat e shtetit nuk janë reprezentative, meqë sipas vlerësimeve zyrtare të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, sektori joformal i ka 47,000 punëtorë.
Në raportin e fundit të progresit për Malin të Zi, Komisioni Evropian e theksoi këtë problem, duke deklaruar se situata ishte “kritike, meqë çdo i treti person punon në sektorin joformal”. Megjithatë, nuk ka pasur reagim nga shteti dhe organet e tij.
Administrata për Çështje të Inspeksionit pretendon se në raport me një periudhë të krahasueshme të vitit 2015, numri i punëtorëve të “sektorit joformal” është shumë më i ulët, dhe këto raste janë kryesisht të pranishme në sektorin e turizmit, tregtisë, ndërtimtarisë dhe trafikut.
Detyra primare e këtij institucioni është kontrollimi i pjesës më të shquar të sektorit joformal – atë të mbrojtjes së punëtorëve, duke garantuar se u paguhen rrogat, duke i mbrojtur nga presioni për të punuar pa pagesë, për të punuar pas orarit të rregullt dhe gjatë ditëve të festës, dhe për të garantuar dhënien e kontributeve të detyrueshme.
Megjithatë, statistikat tregojnë se ata janë më së shumti të fokusuar në këto parregullsi gjatë sezonës turistike. Në tre muajt e verës së vitit të kaluar, ky institucion gjeti afro 10,000 parregullsi dhe shqiptoi gjoba në vlerë totale 2.5 milionë euro.
Një problem tjetër ekziston në fushën e të drejtave të punëtorëve, sa i përket dhënies së pagave. Pjesa më e madhe e punëdhënësve paguajnë një pjesë të rrogave nëpërmjet bankave, ndërsa pjesa e dytë paguhet “me kesh”. Vlerësohet se 18,000 punëtorë në Mal të Zi punojnë në këtë mënyrë.
Por në bazë të kësaj, për shkak të shmangies së pagesës së tatimeve dhe kontributeve, buxheti shtetëror dëmtohet për rreth 190 milionë euro. Megjithatë, pasi situata e përgjithshme socio-ekonomike në këtë shtet është në nivel të pakënaqshëm dhe varfëria është e përhapur, numri i atyre të cilët besojnë në sistemin shtetëror është në rënie e siipër, siç është edhe numri i atyre të cilët guxojnë t’i raportojnë punëdhënësit në inspeksionin shtetëror.
Në Mal të Zi zbatohet modeli neoliberal
Srdjan Kekovic, sekretari i përgjithshëm i Unionit të SIndikatave të Malit të Zi (USSCG), thotë se statusi i punëtorëve nuk mund të konsiderohet i kënaqshëm. Ai përmend pagat e ulëta, orarin e zgjatur, mungesën e kontributeve pensionale dhe masat joadekuate të sigurisë si disa prej problemeve kyçe.
Gjatë bisedës me K2.0, Kekovic thekson edhe një problem tjetër – punën gjatë ditëve të festës. Ndonëse ligjet janë të qarta në lidhje me këtë çështje, një numër i madh i kompanive të ndërtimtarisë dhe dyqaneve që shesin me pakicë punojnë edhe gjatë ditëve të festave.
Kekovic beson se kjo është pasojë e papërgjegjësisë së Ministrisë së Ekonomisë, e cila nuk ka arritur ta zbatojë një udhëzim i cili u miratua në vitin 2013 që parasheh kriteret dhe rregullat për dhënien e lejeve për të punuar gjatë ditëve të festave.
“Për këtë arsye, Inspeksioni i Tregut nuk veprom sipas kërkesave tona, sepse pretendon se pa udhëzim, nuk kanë autoritet t’i sanksionojnë punëdhënësit”, thotë Kerkovic. “Në anën tjetër, ne besojmë se çdo punëdhënës që nuk ka leje për të punuar në ditët e festave, siç parashihet me Ligj, i keqpërdor të drejtat e punëtorëve, dhe se Inspeksioni i Tregut duhet t’i sanksionojë sjelljet e tilla, meqë punëtorët nuk kanë faj që shteti nuk i përmbush detyrat e veta”.
Një problem tjetër është se, ndonëse punëdhënësit duhet t’i kalkulojnë pagat e shtuara për ditë të festave në përputhje me Kontratën Kolektive (OKU), një numër i madh i punëdhënësve nuk e zbatojnë këtë në praktikë. Për më tepër, nuk zbatohen as sanksionet në këto raste.
Kekovic pretendon se ligjet e punës në Mal të Zi janë gjithnjë e më neoliberale. Kjo do të thotë se të drejtat e punëdhënësve janë në rritje, ndërsa ato të punëtorëve jo. “Në këtë situatë, mbrojtja efektive e punëtorëve u mbetet shoqatave, pra sindikatave, që të drejtat e tyre të mos shkelen”, deklaroi ai.
Kekovic e përmbledh parimin i cili duhet t’i udhëheqë këto sindikata si: ‘të gjithë për një dhe një për të gjithë’. “Nëse punëtorët ngriten në mënyrë unanime për t’i mbrojtur kolegët e tyre, ata krijojnë kushte për ta mbrojtur veten në rast se u ekspozohen sjelljeve të paligjshme dhe të pahijshme të punëdhënësve”, deklaron ai. “Mesazhi është i qartë: e lehtë është ta thyesh një person, por e vështirë është ta thyesh një grup të organizuar”.
Kategori veçanërisht e prekshme
M.C thotë se punët e shitjes janë shumë të vështira dhe se punëtorët duhet të punojnë për më shumë se tetë orë në ditë, dhe e kanë vetëm një ditë pushimi në javë. “Kjo ndodh vetëm nëse nuk sëmuhet ndonjë koleg apo nuk kanë obligime të tjera”, shton ajo.
Ajo thotë se kishte raste kur ka punuar për 15 ditë pa asnjë ditë pushimi me rrogë mujore 220 euro. “Me kuptimin e plotë të fjalës, nuk mund t’i mbuloja shpenzimet e udhëtimit apo të bleja sendviq për vete çdo ditë”, kujton ajo. “Kishte shumë punë. Vendosja e produkteve në rafte, pastrimi i dyqanit, zbrazja e kamionëve. Ne i bëjmë të gjitha këto. Do të kishte qenë mirë po t’i kishim të ndara saktësisht detyrat”.
Megjithatë, siç i ndodh pjesës më të madhe të punëtorëve në dyqane të mëdha në Mal të Zi, ajo nuk kishte alternativë. Shkelja e të drejtave, rrogat e ulëta dhe puna e detyruar pas orarit të rregullt janë realiteti i ashpër i dhjetëra mijëra punëtorëve në këtë sektor.
Në lidhje me shkarkimin e M.C., përfaqësuesit nga Administrata e Çështjeve të Inspeksionit shpjeguan se Inspeksioni i Tregut nuk mund ta shqyrtonte ligjshmërinë dhe justifikimin për shkarkimin, sepse mbarimi i kontratave është veprim përfundimtar dhe mund të kontestohet vetëm në gjykatat kompetente apo në Agjencinë për zgjidhje paqësore të konflikteve të punës.
USSCG-ja thekson se ishin të vetëdijshëm për situatën e grave dhe se ato janë kategori veçanërisht e prekshme në tregun e punës. Gratë të cilat duan të krijojnë familje janë veçanërisht të prekshme, si M.C., e cila e humbi vendin e punës për këtë arsye.
Shoqata “Parents” (Prindërit) ka theksuar vazhdimisht se ky është problem me të cilin do të përballet shumica e nënave të ardhshme. Përfaqësuesit e tyre ligjorë shpjegojnë se gratë shtatzënë nuk kanë mënyra për të gjetur mbrojtje adekuate ligjore.
Në parim, Tregu i Punës në Mal të Zi i mbron gratë gjatë shtatzënisë. Megjithatë, po ky ligj lejon që punëdhënësit të mos ua vazhdojnë kontratën grave të cilat janë në pushim të lehonisë dhe të punësuara për një periudhë të caktuar kohore.
Sipas nenit 119 të Projektligjit të ri të Punës, i cili pritet të miratohet sivjet, gratë shtatzënë më në fund do të mbrohen për të mos e humbur vendin e punës sa janë në pushim të lehonisë, sepse punëdhënësit do të detyrohen t’u zgjasin kontratat për një periudhë të caktuar kohore, deri sa të kryhet pushimi i lehonisë.
“Punëdhënësi nuk mund ta përfundojë kontratën e gruas së punësuar për shkak të shtatzënisë ose për shkak se ajo e ka përdorur të drejtën për pushim për shkak të shtatzënisë, apo pushimin e lehonisë, pushimin prindëror, pushimin për adoptim apo pushimin për kujdes për fëmijë të birësuar”, thuhet në dokumentin për të cilin u debatua publikisht.
Nga pikëpamja e USSCG-së, problemi i këtij diskriminimi është i njohur mirë. Ata theksojnë veçanërisht faktin se shoqëria malazeze nuk po lufton sa duhet “për ta shuar këtë fenomen të papranueshëm”.