Biseda | Protesta

Kampi i protestës në Prishtinë: Njoftohuni me protestuesit

Nga - 25.02.2016

Kush janë protestuesit që kanë ngritur kamp në qendër të kryeqytetit të Kosovës?.

Qindra protestues kundër qeverisë po marrin pjesë natë e ditë në një kamp protestues në qendër të Prishtinës. Organizuar nga partitë opozitare të Kosovës, Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma për Kosovë, protestuesit po kërkojnë dorëheqjen e qeverisë.

Një “mini-qytet” është themeluar në Sheshin Skendërbe para ndërtesës së qeverisë, i kompletuar me dhjetëra tenda, banjo, një zonë për t’u larë, një pikë informative, dhe tavolina për ushqim e çaj. Protestuesit gjithashtu janë zbavitur me aktivitete të ndryshme, si shfaqje të filmave, muzikë dhe fjalime.

Ky kamp i protestës u themelua të martën (23 shkurt) para votimit nga deputetët e Kuvendit për të emëruar presidentin e ardhshëm të Kosovës. Si pjesë e marrëveshjes së koalicionit të vitit 2014 të nënshkruar në mes të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), nominimi presidencial i qeverisë do të jetë lideri i PDK, Hashim Thaçi – dhe pasi që koalicioni e ka shumicën në Kuvend, ka pak gjasa që ndonjë kandidat tjetër të ketë mundësi të përzgjedhjes. Megjithatë, ish-kryeministri, zëvendës kryeministri aktual si dhe ministri aktual i punëve të jashtme, është figurë përçarëse, dhe është shumë i papëlqyer me segmente të mëdha të popullsisë së Kosovës.

Votimi i Kuvendit është planifikuar të mbahet nesër në 11:00 (26 shkurt). Është raportuar që do të ketë transport falas të siguruar nga PDK, që mbështetësit e Thaçit të udhëtojnë për në Prishtinë për festimin e fitores së pritur; opozita ka bërë thirrje për protesta masive në po këtë mëngjes.

Zgjedhja e mundshme e Thaçit si president është e fundit në një seri lëvizjesh nga qeveria aktuale që kanë shkaktuar bllokimin e punës në Kuvend nga ana e opozitës; prej shtatorit të vitit 2015, deputetët e opozitës kanë përdorur masa të ndryshme për t’i penguar seancat në Kuvend, përfshirë përdorimin e rregullt të gazit lotsjellës në sallë.

Në muajt e fundit opozita ka organizuar grumbullime masive të dhjetëra mijëra qytetarëve në protestë kundër dy marrëveshjeve ndërkombëtare të nënshkruara nga qeveria gushtin e kaluar – një me Serbinë që do ta themelonte një Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe (shpeshherë i quajtur “Zajednica” nga kundërshtuesit e marrëveshjes, pasi që kjo është fjala serbe për asociacion), dhe një me Malin e Zi që përcakton kufijtë ndërkombëtar në mes të dy shteteve. Në dhjetor, Gjykata Kushtetuese e Kosovës morri vendim që disa elemente të marrëveshjes së Asociacionit me Serbinë do ta shkelnin Kushtetutën e Kosovës po të implementohej ajo.

Protestuesit gjithashtu kanë shprehur zemërimin e tyre më parë për nivelin e lartë të korrupsionit brenda qeverisë, për ekonominë stagnante të Kosovës që e ka lënë nivelin e papunësisë në mesin e më të lartëve në Evropë, dhe për problemet e vazhdueshme në sistemin arsimor të vendit.

K2.0 kaloi një mbrëmje në kamp dhe i pyeti disa protestues për arsyet e daljes së tyre, përvojat e tyre në kamp, dhe shpresat e tyre për të ardhmen.

Tinka Kurti

camp_003_web_resized-for-web-1456414241

Mosha: 27
Profesioni: Aktiviste e Lëvizjes Vetëvendosje
Nga: Prishtina

Në shesh kam dalë prej të martës, kur është bërë mbledhja e aktivistëve. Pas mbledhjes së aktivistëve, ka filluar të shtohet numri i protestuesve. Kam qëndru këtu gjatë ditës së djeshme, natës së mbrëmshme dhe sot dhe asnjëherë nuk ka qenë e mërzitshme si situatë. Pos aktiviteteve që i kemi zhvillu spontanisht ose të organizuara, e kemi shfrytëzu si kohë dhe për shoqërizim me njëri tjetrin, për njohtim me disa të tjerë me të cilët i ndajmë shumë mendime dhe bindje politike, me qytetarë, aktivistë të qyteteve tjera me të cilët jemi bashku këtu në shesh dhe na bashkon vullneti i përbashkët. Dhe kjo e bën aspak të mërzitshme, përkundrazi shumë interesant qëndrimin këtu në shesh. Nuk besoj që partitë në pushtet munden mi mbledhë as tre persona që rrijnë pro-Zajednices disa orë e jo më sa gjatë jemi ne këtu.

Momenti politik thëret për rënie të qeverisë. Ne jemi të vendosur me ndejtë këtu deri në rrëzimin e qeverisë. Kjo nuk do të thotë që problemet kreysore të vendit janë Zajednica dhe demarkacioni. Por momenti politik thëret në këto dy çështje – këto të dyja është e mundshme mi ndalë dhe mi ndryshu. Dhe për momentin këto janë angazhimet tona kryesore: rrëzimi i qeverisë dhe ndalja e dy marrëveshjeve shumë të dëmshme të nënshkruara në Bruksel.

Kjo protestë është sigurimi i infrastrukturës për protestën e së premtes, kur është caktu seanca për mandatimin e presidentit. Me Thaçin në qeverisje prej 2007 janë bërë negociata shumë të dëmshme me Serbinë. Në kohën e qeverisjes së Thaçit janë bërë privatizime shumë të egra që kanë shpunësu shumë qytetarë, ka pasë degradim ekonomik dhe Kosova mbetet me korrupsionin më të lartë në rajon dhe gati çdo sferë tjetër ka shku prapa dhe përkundrazi nuk ka pasë kurrëfarë zhvillimi, që është arritë për dy mandatet e tij.

[Nëse do të vazhdojnë protestat nëse Thaçi zgjidhet president] Kjo mbetet mu pa me një moment tjetër, por është shumë vështirë që Thaçi të zgjidhet president me një unitet dhe kundërshtim shumë të madh karshi tij. Kjo protestë mbetët gjithëpopullore për nga llojllojshmëria e njerzëve që marrin pjesë. Ne këtu sot kemi pasë edhe anëtërë të shoqërisë civile, të subjekteve të ndryshme që nuk janë politike, përkrahje dhe solidaritet qytetar shumë të madh, por edhe përkrahës dhe anëtarë të strukturave të LDK-së që i kemi pa me simbole të partisë së tyre, të cilët janë në kundërshtim të zgjedhjes së Thaçit si president, që i janë bashku për disa orë protestës sonë këtu.

Kushtrim Trolli

camp_006_web_resized_for-web-1456414257

Mosha: 26
Profesioni: Student i mjekësisë në Universitetin e Prishtinës
Nga: Prishtina

Kam dalë në protestë me të dashurën time. Jam student i vitit të fundit në fakultet të mjekësisë. Kam dalë në protestë, pavarësisht përkatësisë politike. Jam qytetari thjesht, i pavarur. Po mendoj që me këtë protestë, ka me ia nisë një frymë e re; me u kthjellë shteti jonë, me iu kthy shpresa vendit tonë, me shpresu për me fillu një jetë sa më të mirë. Kjo po më mundon dhe për këtë arsye kam dalë. Edhe të premten do të jem patjetër këtu.

Arsyet sociale janë para marrëveshjeve për asosacionin dhe demarkacionin pse jam këtu. Korrupsioni, papunësia, varfëria, vendi s’po premton punësim dhe për këtë kemi nevojë më së shumti. [Si mjek i ardhshëm në Kosovë] ose më duhet me ba si shumica e kolegëve të mi, me mësu gjuhën gjermane dhe me dalë jashtë, që mu s’po më pëlqen. Po kam qef në vend temin me punu. Ndryshe nuk po shoh. Atmosfera është ashtu që gjithkund ku të shkosh flitet që është krizë, edhe para protestës. Mirëpo ndoshta me këto protesta kthehet shpresa. Forma e protestës po më pëlqen – muzikë, njerëz shumë, pak a shumë edhe si ndejë edhe protestë.

Egzon Azemi

camp_004_web_resized-for-web-1456414246

Mosha: 20
Profesioni: Student i filozofisë në Universitetin e Prishtinës
Nga: Prishtina

Zakonisht marrë pjesë [në të gjitha protestat që organizon opozita]. Prej orës 14:00, dje jam këtu. Edhe familja ime është shumicën e kohës këtu, për shkak se në këtë moment nuk ka çka tjetër se përveç me protestu të rinjtë, të moshuarit, krejt gjeneratat. Këtu janë baba dhe nana. Këtu ka pasë aktivitete të ndryshme, mbrëmë, sot..ka pasë aktivitete muzikore, kulturore, grupe të rinjve që kanë ba piktura. Unë jam marrë pak me muzikë…muzikë rock, muzikë të vjetër qytetare.

Si i ri në një shtet që i kemi thanë i ri dhe prej vitit 2008 po e shohim çka ka ndodhë, mendoj që përnjëmend ka ardhë momenti i fundit, që krejt të rinjtë me dalë dhe me thanë zanin e vet. Nëse jo të rinjtë, atëherë kush ka me rregullu këtë vend.

Zajednica, demarkacioni, Hashim Thaçi janë tri arsye për me protestu, por ka edhe arsye tjera shumë të rëndësishme, që e prekin secilin të ri, secilin prej neve; papunësia, degradimi i sistemit arsimor dhe në këtë vend ku jemi nuk ka kurrëfarë perspektive, kurrëfarë të ardhme tjetër dhe e ardhmja e vetme që mundet me qenë pozitive për këtë rini është që me protestu dhe me ndërru këtë sistem që e kemi sot. Hashimi, Isa e tjerët janë politikanë që janë dëshmu në karrierën e vet politike se sa kanë kontribu për Kosovën. Këto kanë kontribu për familjet e veta, por jo për popullin e Kosovës. E kanë varfëru, lanë pa punë, e kanë dëmtu shumë kulturalisht dhe në çdo segment. U bo boll ma..i ka ardhë fundi tash. Po fillon revolucioni.

Nora Temaj

camp_009_web_resized-for-web-1456414271

Mosha: 24
Profesioni: Studente e arkitekturës në Universitetin e Prishtinës
Nga: Prizreni

Edhe mramë kam ardhë e kam ndejtë deri vonë, edhe sonte do të ia bëj njëjtë…është ftohtë, por nuk është problem sepse të jemi këtu është më e rëndësishme.

Protesta është e rëndësishme për mu sepse ngjarjet e fundit që kanë ndodhë në Kosovë, mu si studente më kanë shqetësu dhe i kam përcjellë vazhdimisht. Tash zgjedhja e presidentit është gjithashtu një fakt që duhet me na shqetësu të gjithë qytetarëve sepse është e rëndësishme me ditë a e përfaqëson unitetin një president që është pretendent për mu zgjedhë. Mendimi jem është që jo. Aspak nuk jam në pajtim me ideologjinë që e përfaqëson. Dy marrëveshjet e fundit janë kulmi. Prandaj po e mbështes mozgjedhjen e tij.

Nëse flas si studente…pakënaqësitë gjatë studimeve që i kam pasë janë ato që ndoshta gjatë studimeve nuk kam ditë ku mu kapë për mu shprehë, jo që nuk ka ekzistu forma, por nuk kam qenë e kyçun. Por tash në përfundim, jam e informum më shumë dhe po shoh që më herët është dashtë mi kundërshtu gjanat që kanë qenë padrejtësi. Një prej gjanave që më ka shqetësu më së shumti është që profesorat nuk i kemi të gradum me na mësu neve dhe me na gradu neve. As ata vet nuk janë doktorë dhe pretendojnë me na ngritë neve. Qeveria është dashur të bëjë reforma në arsim. Këtu e kam plan të qëndrojë deri në fund, derisa të jetë protesta. Këtë protestë po e shoh si një lëvizje të re dhe krejt këto e kanë pru rinia. Është një frymë rinore e të protestumunit. Na e dimë që ky shesh ka pasë protesta dhe para kësaj ka pasë protesta të ngjajshme që i kanë përjetu prindërit tonë. Por, kjo është forma më e re dhe më kreative e mundshme. Po tregojmë që edhe në mënyrë paqësore dimë me shprehë pakënaqësinë dhe me qenë kundër diçkaje që nuk na pëlqen…është e ngjajshme me atë që ka ndodhë në Turqi, me protestën ne Taksim [Gezi Park].

Veton Kastrati

camp_001_web_resized-for-web-1456414236

Mosha: 25
Profesioni: Deputet i Nismes në Asamblenë e Komunës në Malishevë
Nga: Malisheva

Kam ardhë në Prishtinë të protestojë. Mramë kemi mbetë deri në ora 04:00 të mëngjesit zgjut tu dëgju muzikë e tu tregu barcoleta. Kam dalë sepse Kushtetuta e Kosovës është akti më i lartë i një shteti. Dhe nëse një kryeministër i këtij vendi shkon me ba një marrëveshje ndërkombëtare dhe bën shkelje [të Kushtetutës], për mu ai njeri nuk ka kredibilitet të kryeministrit.

Këtu janë 200-300 persona të Malishevës, por janë në tri ndërrime, që mos mi ra dikujt mu lodhë. Po shoh që shumë njërëz kanë fillu me ardhë vullnetarisht. Po ju pëlqen kjo formë e protestës dhe çdo ditë po merret vesh edhe më shumë.

Çdo pjesë e Kosovës është e çdo qytetari të Kosovës, përveç mi hy njerit ne shpi se ajo është pronë private. Dhe këtë shesh çdo qytater mundet me shfrytëzu. Dalja jem ka një qëllim. Qëllimi jem që kam dalë këtu është mi ba presion qeverisë, unë si qytetar e krejt këta bashkë. 16 vjet pas lufte, dhe s’ka mirëqenie sociale, çmimi i lartë i rrymës, që ia fusin qysh t’i vjen, paushall. Ka shumë arsye. Por arsyeja kryesore që këto dy marrëveshje duhen me ra. Me 26 [nesër] e kemi protestën me të madhe, me kundërshtu zgjedhjen e Thaçit president sepse zgjedhja e Thaçit e thellon krizen. Ai nuk është person unifikues.

Gurjeta Zeka

camp_005_web_resized-for-web-1456414251

Mosha: 25 vjeç
Profesioni: Aktiviste e Lëvizjes Vetëvendosje
Nga: Prishtina

Detyra jem [në Info Center] është që me ju ndihmu qytetarëve që po protestojnë këtu në shesh, të cilët kanë pytje në lidhje me akomodimin – për shembull nëse kanë nevojë për me ju gjetë vende për me fjetë, ose pytje për ushqimin. Eshtë duke pasë interesim shumë të madh. Dhe nëse e krahasojmë ditën e djeshme me sot, po vërehet një ngritje e madhe e numrit të protestuesve që na u kanë bashkangjitë. Ka shumë qytetarë që janë të gatshëm me mdihmu në mënyra të ndryshme, me ushqim, me batanije, me çkado që ne po kemi nevojë. Ne kemi caktu persona pëgjegjës për sende të ndryshme, për ushqim, për financa, logjistikë dhe varësisht prej ndihmës që po dojnë me ofru ne i drejtomë qytetarët te ata.

Mramë ka kalu koha shumë shpejt. Sot ka ra pak shi, por jo aq shumë me na shkaktu ndonjë pengesë. Sonte filloi të bëhet ftohët kah mramja, por [qytetarët] na kanë pru shumë batanije, shalla, kapela, rroba të ndryshme.

Ne do të jemi këtu derisa të jetë e nevojshme. Qëllimi jonë është me pengu zgjedhjen e Hashim Thaçit president dhe kërkesa jonë tjetër është rrëzimi i qeverisë. Protesta jonë që është thirë me 27, ka ndryshu për një ditë më herët, pasi që sot është caktu seanca për të premten me zgjedhë presidentin.

[Thaçi] përveç faktit që nuk është person unifikues, nëse e analizojmë punën e tij si ministër i punëve të jashtme e shohim që ka dështu në shumë prioritete që i ka pasë. Për shembull, anëtarësimi në UNESCO dhe organizata tjera ndërkombëtare, premtimet e parealizuara në fushata zgjedhore.

Kjo protestë po më duket si një mënyrë shumë e mirë e shprehjes së kundërshtimit për një çështje, edhe po më duket që është një ide e qëllume sepse po është edhe më lehtë për qytetarët me na u bashku, kanë kohë me reflektu dhe me vendosë me na u bashku. Dhe po duket që deri të premten numri ka me u ba shumë më i madh.

Alket Zeqiri

camp_007_web_resized-for-web-1456414262

Mosha: 26
Profesioni: Skulptor, aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje
Nga: Prishtina

Këtu jam prej ditës së parë, që kur kemi fillu me vendosjen e tendave. Unë kam ardhë prej Fushë Kosovës dhe jemi katër tenda që kemi ardhë të organizum prej atje. Na si aktivistë e kemi barrën e organizimit logjistik, por na u kanë bashkangjitë qytetarë të ndryshëm, njerëz më të moshum, shokë, familjarë. Besoj që protesta ka me shku veç tu u shtu. Sot ka ma shumë njerëz se sa ka pasë dhe po besoj që trendi ka me shku në rritje. Sonte jam tu u marrë me këtë punë [shërby kafe e ushqim] e gjatë ditës me punë të ndryshme…kemi pastru, jemi kujdesë për tendat. Mramë me këto shokët e mi kemi ba diskutime, kemi marrë libra me vete. Kohëve të fundit jemi tu diskutu më shumë ideologji politike dhe ndamjen e të majtës me të djathtën e kemi pasë temë diskutimi mramë. Sidomos autorët e majtë.

[Këtë lloj proteste] sociologët e përshkruajnë si erosi i turmave. Këtu ndodhë njëfarë dashurie mes njerzëve, meqënëse ne kemi ndejtë bashkë, kemi fjetë bashkë nëpër tenda, jemi ushqy në të njëjtin vend dhe krijohet njëfarë familiarizimi më i madh në mes njerzëve që nuk janë pa kurrë më herët me njani tjetrin. Dhe kjo formë e protestës për njerëzit që vendosin me jetu bashkë në shesh dhe me nda atë kauzë të veten në çdo moment, prej mëngjesit deri në darkë, çka shkakton njëfarë emancipimi që është ndryshe prej protestave që zgjasin dy tre orë….është një kapërcim emancipues për shoqërinë tonë kjo formë e protestës.

Bardhyl Noci

camp_008_web_resized-for-web-1456414267

Mosha: 40
Profesion: Profesor në Fakultetin e Veterinarisë në Universitetin e Prishtinës
Nga: Prishtina

Këtu [në shesh] kam ardhë prej ditës së djeshme në orën 14:00. Arsyet e ardhjes sime janë si të gjithë protestuesve këtu. Ne mendojmë që ky regjim duhet me ecë të shpija. Nuk ka logjikë që një njeri si e shkelë kushtetutën me qëndru si këta. Normal që duhet me dhanë përgjegjësi. U bënë 16 vite në Kosovë që qeverisin këto njerëz dhe e dimë shumë mirë se në çfarë gjendje është Kosova. Kosova vazhdon me qenë në vendin e parë për korrupsion në Evropë, për kriminalitet, ekonomia është për toke, qindra mijëra njerëz kanë ikë vitin e kalum dhe ja sot ja kurrë me protestu.

[Bën me dorë kah shahu që e ka përpara] Unë mendoj që piunat këtu janë populli përpara, e qeveria momentalisht ka ngelë vetëm me mbretëreshë, kurse na jemi populli dhe të gjithë figurat i kemi nga ana jonë. Dhe ka ngelë vetëm mbretëreshën me rrëzu. Është shumë afër dhe besoj që të premten duhet mu dorëzu. Ka ardhë kulmi ma.K

Intervistat u kryen në gjuhën shqipe.