Historia e Kinematografisë së Kosovës u shënua sot me nominimin e parë të vendit për çmimin Oscar. Filmi i shkurtër kosovar “Shok” është një prej pesë filmave të shkurtër të nominuar për Filmi më i Mirë i Shkurtër në edicionin e 88-të të Academy Awards. Detajet e plota të nominimeve të sivjetme u zbuluan më herët sot në Los Angeles.
“Është ditë shumë e rëndësishme sepse kemi hyrë në histori”, tha producenti dhe njëri prej aktorëve të filmit, Eshref Durmishi, për Kosovo 2.0. “Është filmi i parë [nga Kosova], dhe një prej rasteve të rralla në rajon, që nominohet për Oskar. Është gjithashtu e rëndësishme sepse është film për luftën tonë dhe vuajtjen tonë gjatë luftës. Mund të them vetëm ‘wow’!
Rrëfimi i “Shok” është i bazuar në Kosovën e viteve 90-ta gjatë shtypjes së shqiptarëve nga regjimi serb; tregon historinë e miqësisë së dy djemve, e cila testohet deri në kufijtë e saj derisa luftojnë për mbijetesë gjatë luftës në Kosovë.
Filmi 21 minutësh është bashkëprodhim në mes të Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, me producentë Eshref Durmishin dhe Harvey Ascott dhe i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës. Skenarin dhe regjinë e filmit e ka bërë regjisori britanez.
“Mendoj se Kosova ka histori të patreguara, dhe se ishte detyrë e imja që ta tregoja njërën prej tyre”, tha Donoughue në një intervistë gjatë Dokufest 2015 në Prizren. Filmbërësi britanez i kaloi shumë vite në Kosovë duke mësuar histori të ndryshme dhe duke bërë hulumtime për filmin. “Shok” është i bazuar në ato tregime të vërteta.
“Për mua ky film është shumë personal, sepse njëri prej tregimeve është personal i imi, kur isha 14 vjeçar”, tha Durmishi.
Astrit Kabashi, njëri prej aktorëve tjerë të filmit, veç se ishte duke festuar në një lokal të qytetit kur u kontaktua nga Kosovo 2.0, pak pas lajmërimit të nominimit. Ai tha se kjo ishte arritja më e madhe e kinematografisë së re të Kosovës dhe se do të hap dyert për filmat kosovar.
“Më duhet t’i falënderojë producentët dhe regjisorin, të cilët arritën ta shohin luftën me një sy krejt tjetër”, tha Kabashi. “Ndoshta problemi ynë është se na duhet më shumë distancë nga lufta, dhe një regjisor i huaj, që e sheh luftën prej një distance, arriti ta bënte shumë mirë”.
Aktorë tjerë pjesëmarrës në filmin “Shok” janë Lum Veseli, Andi Bajgora, Xhevdet Jashari, Armond Morina, Sunaj Racaj, Kushtrim Sheremeti, Luan Kryeziu, Melihate Qena, Aurita Agushi, Eni Cani, Fisnik Ademi, Besnik Krapi dhe Ardit Tahiri.
“Shok” tashmë ka udhëtuar në shumë Festivale Ndërkombëtare të Filmit, duke pranuar shumë recensione pozitive nga audiencat dhe kritikët. Premierën botërore e pati në Aspen Shortsfest ku fitoi çmimet Drama më e Mirë, atë të Jurisë së të Rinjve, si dhe një Njohje Speciale të Audiencës. Çmime tjera që i ka fituar filmi “Shok” janë Filmi i Shkurtër më i Mirë në Hollyshorts Film Festival dhe Filmi i Shkurtër më i Mirë në UK Film Festival.
“Ave Maria”, “Day One”, “Everything Will Be Okay” dhe “Stutterer” janë katër filma tjerë të shkurtër që do të garojnë me “Shok” në kategorinë Filmi më i Mirë i Shkurtër. Ceremonia e edicionit të 88-të Academy Awards do të mbahet në Hollywood’s Dolby Theatre me 28 shkurt.