Çdo ditë, në orët e hershme të pasdites, autobusët nisën drejt Bashkimit Evropian nga stacioni kryesor i autobusëve në qytetin verior të Serbisë, Subotica.
Në mesin e pasagjerëve që po presin të nisen për në Vjenë është 20 vjeçarja Novi Kneževac, e cila planifikon ta vazhdojë studimet në Austri. Ajo nuk dëshiron të flasë pse po largohet, por babai i saj thotë për K2.0 se nëna e saj shkoi në Austri para pesë vitesh the tani po punon si pastruese në një hotel për një rrogë mujore rreth 1,500 euro. Për të njëjtën punë, në Serbi, ajo i fitonte 16,000 deri në 20,000 dinarë (rreth 160 euro).
“Me atë rrogë, nuk mund ta mbash veten, e lëre më për gjëra të tjera?”, thotë babai, i cili nuk e tregon emrin, para se ta përshëndetë vajzën e tij. Ai shton se është duke qëndruar në Serbi me djalin e tij më të vogël, por beson se diçka duhet të ndryshojë në vend “sepse përndryshe të gjithë do të largohen”.
Pamje të ngjashme në stacione të autobusëve, trenave dhe aeroporteve — plot njerëz duke u përshëndetur me të dashurit e tyre të cilët po largohen për një kohë të pacaktuar — mund të shihen çdo ditë në Ballkan. Sipas Raportit Alternativ për Nevojat e Rinisë në Serbi që është publikuar së fundmi, 71 përqind e të anketuarve thanë se duan të largohen nga vendet në të cilat jetojnë dhe shtetet e Evropës Perëndimore (45 përqind) përfaqësuan destinacionet më të popullarizuara.
Njerëzit përgjatë Ballkanit po përgatiten dhe po ikin nga shtetet në të cilat jetojnë. Foto: Natalija Jakovljević.
Raporti thekson se situata është e ngjashme përgjatë rajonit dhe thotë se fatkeqësisht, shtetet nuk kanë reaguar si duhet dhe nuk kanë parë masa të politikave të popullsisë për parandalimin e eksodeve masive të qytetarëve.
“Hulumtimet demografike tregojnë se të rinjtë nga shtetet e rajonit po largohen për në vende të tjera jo vetëm për shkak të kushteve ekonomike, ose siç themi ne ’trbuhom za kruhom’ [për ta kërkuar bukën e gojës], por për shkak të paqëndrueshmërisë së sistemit politik dhe vlerave të përkeqësuara”, përfundon raporti, që ishte i bazuar në një anketë me 1,200 të anketuar.
Është praktikisht e pamundur të përcaktohet saktësisht numri i atyre që po largohen nga shtetet e rajonit për shkak të mungesës së statistikave të besueshme, por i njëjti trend është dalluar në Serbi, Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi dhe Bosnje e Hercegovinë, si dhe në Kroaci, i vetmi shtet i rajonit që është anëtar i BE-së.
Sipas të dhënave nga Zyra Statistikore e Gjermanisë, prej 2013 deri në 2017 gati 240,000 njerëz shkuan në Gjermani vetëm nga Kroacia; kjo shifër është e përafërt me shifrën e popullsive të kombinuara të Splitit dhe Zadarit, qytetet më të mëdha në Dalmaci.
Rreth 100,000 njerëz lëvizën në drejtimin e kundërt, por kjo prapëseprapë e paraqet një neto migrim prej Kroacisë në Gjermani afro 140,000 njerëz në gjysmë dekade. Të dhënat zyrtare nga Kroacia aludojnë se shumica e atyre që po largohen nga vendi janë të moshave 20-39 vjeç.
Në të njëjtën periudhë pesë vjeçare 2013-2017, neto migrimi në Gjermani nga Kosova ishte rreth 39,000, nga Serbia rreth 29,000, nga Shqipëria rreth 28,000, nga Maqedonia rreth 24,000, dhe nga Mali i Zi rreth 3,000.
Diagnoza largimi
Në Bosnje dhe Hercegovinë, më shumë se 2 milion banorë janë larguar prej fillimit të 90-ve, duke e vendosur këtë shtet në vendin e 16 nga të gjitha shtetet e botës sa i përket nivelit të emigrimit, sipas Bankës Botërore. Përderisa një pjesë e madhe ndodhi gjatë viteve të luftës 1992-95, numri i njerëzve që po largohen përsëri duket se është në rritje.
Neto migrimi nga Bosnja dhe Hercegovina në Gjermani në pesë vitet e fundit ishte zyrtarisht rreth 40,000, ku 14,000 nga këta njerëz lëvizën vetëm në vitin 2017.
Ndërsa vlerësimet që janë bërë në bazë lokale nga OJQ Union for Sustainable Return and Integration (Unioni për Kthim të Qëndrueshëm dhe Integrim) që është e bazuar në Sarajevë — tregojnë që më shumë se 160,000 nga 3.5 milion qytetarë të Bosnjes dhe Hercegovinës janë larguar nga vendi në pesë vitet e fundit; numrat janë shtuar në mënyrë të qëndrueshme vit pas viti.
Sipas kalkulimeve të tyre, në 2014 u larguan rreth 27,000 njerëz, ndërsa 29,000 u larguan vitin e ardhshëm dhe 34,000 në 2016. Vitin e kaluar, ata thonë se numri arriti deri rreth 35,000, ndërsa drejtoresha e OJQ-së, Mirhunisa Komarica Zukić, së fundmi i tha mediave lokale se numri i atyre që vlerësohet se janë larguar deri në mes të vitit 2018 ishte 18,000.
“Kjo i bie 360 doktorë në vit në nivel shtetëror, apo një spital i tërë”.
Kristina Bevanda, Sindikata Profesionale e Doktorëve dhe Teknikëve Medicinal.
Demografët paralajmërojnë se shifrat që janë në dispozicion për publikun janë të papërfunduara dhe si të tilla janë veçanërisht alarmuese.
Një studim i vitit 2017 aludon se aryseja kryesore për largim në ditët e sotme është papunësia, por të tjera arsye janë ambienti ekzistues socio-ekonomik, sistemi i dobët i shëndetësisë dhe paqëndrueshmëria shtetërore. Shkollat në disa qytete janë gjysëm të zbrazëta dhe një situatë e ngjashme mund të shihet në fakultete universitare.
Në një trend të përsëritur në pjesë të ndryshme të rajonit, doktorët dhe pjesëtarë të tjerë të personelit mjekësor me sa duket kanë shfaqur tendencë të veçantë për t’u larguar nga vendi. “Sipas disa vlerësimeve, një deri në dy doktorë largohen nga vendi çdo ditë”, thotë për media lokale Kristina Bevanda, presidente e Sindikatës Profesionale të Mjekëve në Kantonin Hercegovina-Neretva. “Kur përmblidhet përafërsisht kjo, i bie 360 doktorë në vit në nivel shtetëror — apo një spital i tërë”.
Lajme të ngjashme ka edhe në Maqedoni, por sipas hulumtimeve, “largimi i trurit” nga universitetet nuk është më i fokusuar ekskluzivisht në personel të mjekësisë dhe shkencës teknike, por ngadalë po fillon të ndikojë tek disiplinat, përfshirë këtu juridikun, politikat dhe shkencat ekonomike. Njëkohësisht, vetëm 0.2 përqind e Prodhimit të Brendshëm Bruto ndahet për shkencë.
Edhe Subotica po goditet nga migrimi i profesionit shëndetësor. Žolt Sendi, president i Sindikatës së Infermierëve dhe Teknikëve të Qendrës Lokale të Shëndetësisë, thotë se është në rritje numri i atyre që po kërkojnë të largohen përkohësisht nga puna pa pagesë apo t’i japin fund kontratave të punësimit; më shumë se 1,000 punëtorë të tillë po largohen çdo vit nga Serbia, sipas vlerësimeve të tij.
“Ata që po largohen janë kryesisht të moshës mesatare, 30-40 vjet dhe punëtorë me përvojë në sektorin e shëndetësisë, që kanë punuar me vite”, thotë Sendi. “Ata largohen kur janë në kulminacion të produktivitetit dhe arsyet janë stërngarkesa, stresi dhe situata financiare në të cilën janë. Largimi i tyre shkakton dobësimin e sistemit primar dhe sekondar të shëndetësisë”.
Presidenti i Sindikatës së Infermierëve dhe Teknikëve të Qendrës Lokale të Shëndetësisë në Suboticë, Žolt Sendi, thotë se gjithnjë e më shumë punëtorë me përvojë në sistemin e shëndetësisë po largohen nga Serbia. Foto: Natalija Jakovljević.
Nenad Ivanišević, drejtor i Qendrë së Gjerondologjisë në Suboticë, thotë se ky institucion po ballafaqohet me një eksod të punëtorëve.
Ai thotë se është dashur të ia adresojë një kërkesë për “ndërhyrje arbitrore ndërrajonale” Qendrës Kombëtare për Punësim, e cila i ka referuar atyre kandidatë që kanë aplikuar për vende pune në profesione mjekësore në qytete dhe qyteza të tjera në Serbi. Ai thotë se pa përforcim të këtij lloji, aftësia e tyre për të ofruar shërbime do të ishte e kompromentuar.
Sindikata lokale e Infermierëve dhe Teknikëve vlerëson se dy deri në pesë përqind të punëtorëve, kryesisht infermierë dhe teknikë, largohen çdo vit. Në mesin e tyre është tekniku Zlatko Prćić, i cili thotë se shkoi në Angli që të mund të jetojë me dinjitet, “personalisht dhe profesionalisht”.
“E humba integritetin si person dhe si profesionist në Serbi”, thotë Prćić. “Nuk kishte lidhje se a po mundoheshe ta bëje punën me përgjegjësi apo jo”.
Ai thotë se jeta në Angli nuk është e përkryer, por të paktën ka rrogë që i mundëson ta mbajë veten dhe t’u ndihmojë prindërve në Serbi.
‘Largim i organizuar’
Viktorija Aladžić, profesoreshë në Fakultetin e Inxhinierisë Civile në Suboticë, pretendon se po reduktohet gjithnjë numri i studentëve në fakultetet universitare lokale. Ajo beson se arsyeja kryesore që njerëzit po largohen nuk është vetëm shteti jofunksional, por edhe ndryshimi i dinamikave shoqërore.
“Marrëdhëniet ndërpersonale dhe kualitative shoqërore brenda familjes, me miq, me kolegë të punës e kështu me radhë, janë në mesin e faktorëve më të rëndësishem për arritjen e lumturisë individuale dhe kolektive”, thotë Aladžić.
Sipas profesoreshës, në një shoqëri ku këto marrëdhënie trazohen, ku është normale që shefat t’i keqtrajtojnë punëtorët, apo familjarët ta mundojnë njëri tjetrin, ku njerëzit e trajtojnë njëri tjetrin me urrejtje, shpërfillje, nënvlerësim dhe mosrespekt, është e natyrshme që qytetarët — dhe mbi të gjithë të rinjtë — duan të shkojnë të jetojnë në vende tjera.
Viktorija Aladžić, profesoreshë në Suboticë, thotë se numri i studentëve në fakultete po reduktohet me largimin e njerëzve. Foto: Natalija Jakovljević.
Njëra prej atyre që janë larguar nga Subotica është Tamara Olman, ekonomiste e kualifikuar e cila u largua nga Serbia pasi i mbushi 30 vjet dhe ka jetuar në Vjenë në katër vitet e fundit.”Tani jetoj në një shtet ku respektohen rregullat, ekziston rendi, ku shteti kujdeset për qytetarët, ku ka plot mundësi dhe privilegje dhe sistemi social është i rregulluar si duhet”, thotë ajo.
Olman punon si kamariere dhe është duke e mësuar gjuhën lokale. Ajo thotë se kur arriti në Vjenë, shteti austriak ja dha mundësinë për të marrë pjesë në një kurs të llogarimbajtjes.
Ajo thotë se ishte “mision i pamundur” gjetja e punës me diplomë të ekonomikut në Serbi. “Trokita në 101 dyer, por kot. Jam e zemëruar dhe e zhgënjyer që nuk jam rekrutuar nëpërmjet procedurës së rregullt dhe kjo është arsyeja pse u largova nga vendi im”.
Historitë si kjo e Olman janë të zakonshme në Suboticë.
Sociologu Branislav Filipović beson se arsye kyçe për eksodin e të rinjve nga qyteti janë politikat e dobëta ekonomike dhe demografike, ndërsa ka shenja nga shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor që aludojnë se situata është e ngjashme matanë rajonit.
“Të rinjtë nga Subotica jo vetëm që ikin”, thotë ai. “Më mirë është ta quajmë si koncept të largimit të organizuar”.
“Pavarësisht punës së bashkëshortit dhe dy punëve të mia, e pamë që nuk mund të kishim më shumë se gjërat më thelbësore — mbase as ato”.
Nevena Miljački Ristić
Sipas Filipović, pasiguria, korrupsioni, aparati jofunksional shtetëror, rrogat e vogla dhe gjithçka që e bënë jetën e përditshme ashtu siç është mund të konsiderohen si shkaktarë për largim.
“Me largimin e profesionistëve dhe të rinjve të arsimuar, qyteti dhe shteti po e humb thelbin shoqëror të ndryshimeve të mundshme”, thotë Filipović.
Nevena Miljački Ristić është një tjetër person që është larguar nga Subotica në vitet e fundit, duke parë mundësinë për një jetë më të rehatshme larg vendlindjes së saj. Sot, ajo jeton në SHBA, në një “qytezë të vogël të bukur” të quajtur Woodlands, në periferi të Houston, Texas.
“Arsyeja kryesore për largimin tonë ishte krejtësisht financiare, sepse pavarësisht punës së bashkëshortit dhe dy punëve të mia, e pamë që nuk mund të kishim më shumë se gjërat më thelbësore — mbase as ato”, thotë ajo. “Tashmë që po presim fëmijë, nuk kishim zgjidhje përpos të shkojmë diku ku paguhemi për punën tonë”.
Ristić thekson nepotizmin dhe kufizimin pasues të mundësive nëpërmjet punës. “Aftësia për t’i tejkaluar vështirësitë me zgjidhje të shpejta dhe përkatësia në grupe apo parti të caktuara vlerësohet shumë më shumë se ekspertiza apo dëshira për të përparuar”, thotë ajo, duke shtuar se persona të tjerë që ajo i njeh personalisht dhe që janë larguar nga Serbia e kanë bërë këtë pasi kanë humbur tepër shumë vite “duke shpresuar se do të bëhet më mirë”.
Largim afatgjatë
Shumë nga problemet e njëjta me të cilat ballafaqohet Serbia replikohen në Kosovën fqinje. Rendet para ambasadave kanë qenë të gjata për shumë vite dhe veçanërisht përfshijnë të rinjtë.
Kjo i atribuohet kryesisht mungesës së liberalizimit të regjimit të vizave me shtetet e Bashkimit Evropian; prej vitit 2010, qytetarët e Kosovës janë populli i vetëm në rajon që ende ka nevojë për viza për të udhëtuar në Zonën Schengen në Evropë.
Por të ballafaquar me perspektivë të dobët ekonomike, korrupsion endemik politik dhe sistem ligjor që mezi funksionon, në vitet e fundit dhjetëra mijëra kosovarë kanë bërë përpjekje të largohen nga vendi për kohë të pacaktuar.
Më i dalluar ishte eksodi masiv në 2014-2015, kur qindra kosovarë po largoheshin çdo ditë; kryesisht niseshin me autobusë për në Beograd para se të kalonin në Hungari dhe pastaj drejt shteteve të Bashkimit Evropian. Deri në shkurt 2015, 1,400 kosovarë po kalonin kufirin nga Serbia në Hungari çdo ditë, ndërsa në muajt e parë të atij viti 42,000 kosovarë aplikuan për azil në BE.
Një numër masash politike u morrën për të bërë përpjekje për t’i parandaluar kosovarët që të mos largohen dhe për ta nxitur kthimin e tyre, por pak veprime janë ndërmarrë për ta adresuar faktin se një numër i madh i kosovarëve nuk shohin të ardhme në vendlindjen e tyre.
Prej 2012 deri në 2016, 122,657 njerëz emigruan nga Kosova, në mënyrë të ligjshme apo të jashtëligjshme. Pjesa më e madhe e tyre u nisën drejt Gjermanisë. Sipas Eurostat, Agjencisë Evropiane të Statistikave, kosovarët morrën leje të qëndrimit më së shumti në Gjermani (47 përqind), Itali (12 përqind), Francë dhe Austri (secila ka 9 përqind), dhe Slloveni (rreth 7 përqind). Në 2016, më shumë se 21,000 kosovarë kishin leje valide të qëndrimit në shtete të BE-së.
Kosovarët janë mësuar me pritje të gjata para ambasadave evropiane, kjo edhe për udhëtime të shkurtëra dhe kështu duke ua shtuar ndjesinë gjithnjë më të madhe të izolimit. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.
Në ngrohtësinë e vjeshtës, në një ditë tetori para Ambasadës së Zvicrës, si zakonisht një rend i gjatë.
Në mesin e atyre që qëndrojnë në rend me orë të tëra dhe presin t’i dorëzojnë aplikacionet e vizave është Jetliri, 21 vjeçar. Ai thotë për K2.0 se është student dhe ka dëshirë të largohet sepse nuk sheh të ardhme në Kosovë. “Nuk shoh asgjë”, thotë ai. “Edhe kur ta marrë diplomën, nuk do të kem mundësi të gjejë punë”.
Jetliri shton se ka pak mundësi për të marrë vizën, por ngul këmbë të provojë sidoqoftë. “Nëse e aprovojnë aplikacionin tim për vizë, do të shkoj te axha në Zvicër, i cili ka premtuar të më ndihmojë të gjejë punë në një zonë ndërtimi” thotë ai.
Pavarësisht faktit se liberalizimi i shumëpritur i vizave për qytetarët e Kosovës — kur dhe nëse vjen — vlen vetëm për qëndrime të shkurtëra të udhëtimeve turistike. Jetliri, si plot bashkatdhetarë të tij i shohin si ekuivalente liberalizimin e vizave dhe mundësinë për t’u larguar nga vendi për afat më të gjatë. “Shpresoj se liberalizimi i regjimit të vizave do të ndodhë së shpejti, sepse pritja në rend po bëhet shumë lodhëse”, thotë ai. “Pastaj do të largohemi si njerëz”.
Në rend afër Jetlirit është Enveri, gati dyfish më i madh me moshë. Edhe ai dëshiron të largohet nga Kosova dhe nuk ka qëllim të kthehet.
“Shpresoj se do të ma japin vizën dhe se do të kem mundësi të shkoj dhe të gjejë punë, sepse nuk ka punë për mua këtu”, thotë ai. “Po kalon koha për gjeneratën tonë, por të paktën mund të rregullojmë diçka për fëmijët tonë, për t’ua mundësuar atyre atë që na ka munguar për 20 vitet e fundit”.
Në kërkim të frymëzimit
Matanë kufirit në Mal të Zi, perspektiva ekonomike për të rinjtë është e ngjashme, poashtu e skajshme. Papunësia e të rinjve në shtetin me numrin më të vogël të popullsisë në rajon është mbi 40 përqind dhe studimet tregojnë se më shumë se gjysma e të rinjve (moshat 16-27) duan të largohen.
Plot veçse janë larguar. OJQ-ja lokale për arsim joformal Forum MNE thotë se sipas hulumtimeve, në dekadën e fundit 10,000 të rinj janë larguar nga vendi, që i ka vetëm rreth 620,000 banorë.
Njëri prej atyre që janë larguar është Dušan (30), i cili u largua nga vendi para afro 10 vitesh dhe ende nuk mendon të kthehet.
“Shteti nuk i frymëzon të rinjtë”, thotë ai, duke theksuar problemin e gjithëpranishëm rajonal të nepotizmit. “Shteti na thotë se është në rregull të përdoren çfarëdo lidhje që kemi për të arritur diçka në jetë”.
I dëshpëruar me situatën në vendlindje, shkencëtari politik 30 vjeçar Boris vendosi të largohet nga Mali i Zi vitin e kaluar. Ai shkoi në SHBA, ku është duke punuar dhe thotë se nuk ka qëllim të kthehet në Ballkan.
Si Dušan, Boris thekson nepotizmin si faktor kyç që i mbyll të rinjtë jashtë tregut të punës, por gjithashtu thotë se ka mungesë të politikave efektive të punës.
“Niveli i lartë i ndikimit politik, si favorizimi i një partisë para tjetrës dhe mungesa e harmonizimit të profileve eksperte dhe profesionale me nevojat e tregut të punës, janë arsyet dominuese pse të rinjtë nuk mund të punësohen, apo të bëhen ekspertë apo profesionistë në profesionet e tyre”, thotë ai.
Boris beson se politikat aktuale shtetërore nuk tregojnë interesim të mirëfilltë për t’i mbajtur të rinjtë brenda vendit. “Nëse e marrim parasysh faktin se Mali i Zi, ndonëse anëtar i NATO-s dhe kandidat për anëtarësim në BE, vazhdon të tregojë shenja të mëdha të diskriminimit politik dhe të dobësisë në fushën e sundimit të ligjit… atëherë nuk vjen si befasi fakti që, sipas hulumtimeve, më shumë se gjysma e popullsisë së moshës së re dëshiron të largohet nga vendi”, thotë ai.
Sipas të dhënave nga Agjencia e Malit të Zi për Punësim, 5,779 të diplomuar janë aktualisht të papunë, siç janë 243 njerëz që kanë kryer magjistraturën dhe 10 që kanë kryer doktoraturën.
Disa hapa janë bërë në përpjekje për t’i adresuar perspektivat ekonomike për të rinjtë.
Para gjashtë vitesh, Ministria e Arsimit e nisi Programin e Trajnimit Profesional. Kjo skemë i ofron të diplomuarve universitar mundësinë të mbajnë praktikë nëntë mujore në media, banka apo kompani të tjera, pasi t’i kenë kryer studimet. Praktikantët marrin rrogë mujore 250 euro, që paguhet nga shteti.
Deri më tani, më shumë se 30 milion euro janë investuar në këtë projekt, por ka pasë probleme me zbatimin e tij. Kritikët në sektorin civil theksojnë mungesën e informatave për atë se cilët punëtorë u japin punë praktikantëve dhe kush e kontrollon sistemin e aplikacioneve dhe praktikave. U vë në dyshim edhe ajo se a kanë mundësi të mirëfilltë për të mësuar aftësi relevante të rinjtë që aplikojnë për të marrë pjesë në program.
Përpjekjet tjera për reduktimin e papunësisë së të rinjve u bënë para dy vitesh, kur Mali i Zi e futi në fuqi Ligjin për Rini, si dhe e miratoi Strategjinë për Rininë 2017-21, në të cilën deklaroi “tregu i punës në Mal të Zi ballafaqohet me një problem serioz të përvetësimit të të rinjve që kanë kryer shkollimin”.
Gjithashtu, në vitin 2016 u themelua Drejtorati për Rini në Ministrinë e Sportit, me detyrë për t’i “promovuar, zhvilluar dhe përmirësuar politikat rinore në nivel kombëtar dhe lokal”.
Nenad Koprivica, drejtori i përgjithshëm i Drejtoratit, thotë për K2.0 se është më se e rëndësishme që të gjitha institucionet e përfshira në promovimin e zhvillimit të punësimit të të rinjve “t’i koordinojnë aktivitetet dhe të zhvillojnë kapacitete institucionale”. Për tani, një koordinim i tillë me sa duket po mungon dhe qytetarët thonë se kanë parë pak shenja të përmirësimit.
Në raportin e fundit të progresit të Malit të Zi, Komisioni Evropian thekson faktin se gratë, të rinjtë dhe njerëzit që kanë qenë të papunë për kohë të gjatë, e kanë më të vështirë të gjejnë punë. Ndërsa sipas të dhënave nga Agjencia e Malit të Zi për Punësim, 5,779 të diplomuar janë aktualisht të papunë, siç janë 243 njerëz që kanë kryer magjistraturën dhe 10 që kanë kryer doktoraturën.
Pavarësisht hapave që janë bërë në letër për t’i shtuar mundësitë ekonomike, mungesa e rezultateve konkrete i ka lënë plot njerëz në Mal të Zi, si të tjerët në rajon, duke kërkuar të ardhmen në vende tjera.
Zgjedhje personale
Ndikimi në ata që kanë marrë vendimin për t’u larguar nga rajoni dallon nga personi në person.
Disa — si Ervin Hedi 26 vjeçar nga fshati Palić afër Suboticës — nuk kanë dyshime, janë të bindur se e kanë marrë vendimin e duhur dhe nuk shikojnë prapa.
Hedi tani punon në ndërtimtari në Vjenë dhe fiton rrogë mujore 2,600 deri në 2,800 euro. Ai thotë se njeh më shumë njerëz jashtë vendit se në vendlindje dhe kur kthehet pothuajse se ka askënd për ta vizituar. “Kam jetuar jashtë vendit për një vit dhe nuk planifikoj të kthehem”, thotë ai.
“Të jesh i lumtur por i lidhur, apo të jesh i lirë por ndonjëherë i pikëlluar. Të gjithë duhet të zgjedhin për vete".
Marko Makivić
Megjithatë, për të tjerët vendimi për t’u larguar nxit ndjenja të ndryshme.
Marko Makivić ishte aktor për 10 vite në Teatrin Kombëtar në Suboticë, ku u paraqit në më shumë se 25 performanca. I dëshpëruar nga “degradimi i shoqërisë… në favor të një minoriteti të personave të pasur”, ai e la Serbinë vitin e kaluar dhe prej atëherë është duke jetuar në Bangkok, Tajlandë, ku punon si mësues i gjuhës angleze.
“Shumica e njerëzve janë shumë të mpirë dhe pasiviteti i tyre ka metastazuar”, thotë Makivić për situatën në vendlindje. “Sigurisht, është një nëngrup i përbërë nga një numër i vogël i njerëzve aktiv që po mundohen, brenda kapaciteteve të tyre, ta ringjallin dhe t’i zgjojnë njerëzit rreth tyre”.
Vendimi për t’u larguar ishte i vështirë për Makivić-in dhe si për plot të tjerë që janë larguar nga rajoni, ende është një barrë e rëndë në krahët e tij.
“Jam i pikëlluar për shkak të miqve që nuk i kam parë për një kohë të gjatë, jam i pikëlluar sepse më mungon audienca ime… plot gjëra më pikëllojnë”, thotë ai. “Disi, gjithçka të sjellë deri te dy alternativa: të jesh i lumtur por i lidhur, apo të jesh i lirë por ndonjëherë i pikëlluar. Të gjithë duhet të zgjedhin për vete — ashtu bëra edhe unë”.
Raportimi nga Natalija Jakovljević, Sanja Rašović, Nidžara Ahmetašević dhe Fitim Salihu.
Redaktuar nga Jack Butcher.
Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.