Neni 14 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut ndalon diskriminimin me bazë të “origjinës kombëtare apo sociale”. Sidoqoftë, me sa duket kur është fjala për minoritetin rom, ky nen shkelet vazhdimisht.
Romët janë një prej grupeve më të mëdha etnike në Evropë. Arrijnë një numër prej rreth 12 milion. Origjinat e tyre janë në veri të nënkontinentit indian, ku nga atje migruan në epokën e mesjetës. Por pavarësisht faktit se kanë qenë të pranishëm në Evropë për më shumë se një mijëvjeçar, romët vazhdojnë të jenë të margjinalizuar dhe në shumë vende janë viktima të ndarjes dhe izolimit.
Kushtetuta e Kosovës gjithashtu thotë se Kosova është shoqëri multietnike dhe se ushtrimi i autoritetit “do të jetë i bazuar mbi parimet e barazisë së të gjithë individëve para ligjit dhe me respekt të plotë për liritë dhe të drejtat themelore njerëzore që njihen ndërkombëtarisht, si dhe mbi mbrojtjen e të drejtave dhe pjesëmarrjen e të gjitha Komuniteteve dhe anëtarëve të tyre”.
Megjithatë, minoriteti rom në Kosovë nuk përfaqësohet si duhet në administratën civile, e as në sektorët e tjerë të shoqërisë, kryesisht për shkak të stereotipeve dhe diskriminimit të vazhdueshëm. Kjo situatë është gjithashtu një nga faktorët që kontribuojnë në nivelet e ulëta të punësimit në mesin e komunitetit rom, ku vlerësohet se 92 përqind janë të papunë.
Përderisa politika shpeshherë ka dështuar t’i kundërshtojë paragjykimet kundër romëve, disa njerëz po mundohen ta luftojnë diskriminimin sistematik kundër romëve dhe stereotipet nëpërmjet artit. Rolling Film Festival, një festival që u mbajt në Prishtinë në datat 13-16 nëntor, 2018, është një përpjekje e tillë. Festivali mundohet ta çojë para kulturën e pasur të popullit rom nëpërmjet filmave, dokumentarëve, koncerteve dhe ekspozitave të artit.
Sivjet një nga mysafirët e festivalit ishte Evelyne Pommerat, drejtoreshë e një bibliotekës ndërkombëtare për Studimet Rome, Biblioteka Mediale Matéo Maximoff, e cila gjindet në Paris, Francë. Ajo tha për K2.0 se minoriteti rom ka ndihmuar ta zgjerojë kulturën në Evropë, duke cituar shembullin e rolit të panjohur që e kishin shumë romë në themelimin e kinemave të para në Francë.
K2.0 morri pjesë në Rolling Film Festival dhe e pati mundësinë të takohet me Evelyne Pommerat për ta diskutuar jetën e Matéo Maximoff, letërsinë rome dhe diskriminimin në Evropën perëndimore.
K2.0: A mund ta përshkruani shkurt rrugëtimin e juaj, si arritët të bëheni drejtoreshë e Matéo Maximoff dhe interesimin e juaj në çështjet e romëve?
Evelyne Pommerat: Po, sigurisht! Unë kam punuar në këtë bibliotekë prej vitit 1985, pra një pjesë të madhe të jetës sime ia kam përkushtuar kësaj teme.
Parimisht, ishte për shkak se e urrej racizmin. E dija se populli rom ishte shumë i diskriminuar kështu që vendosa të mësoja më shumë për këtë. Zbulova se ishte një vend që i përkushtohet kësaj teme në Paris, kështu që shkova atje për të marrë informata. Ata më propozuan të punoja në bibliotekë për shkak se isha bibliotekare dhe ende sot punoj aty.
Matéo Maximoff është shkrimtar francez me origjinë rome, punimet e së cilit janë të mirënjohura në Francë. Megjithatë, një pjesë e madhe në Kosovë nuk kanë dëgjuar kurrë për emrin e tij. A mund të na tregoni më shumë për Matéo Maximoff dhe pse biblioteka u emërua sipas tij?
Në kohën kur fillova të punoja aty, biblioteka quhej Études Tsiganes (Studimet Rome), ngjashëm me revistën që është botuar prej themelimit të bibliotekës në 1949. Më vonë u ndryshua emri për t’u bërë Matéo Maximoff Media Library. Matéo Maximoff ishte një nga themeluesit e bibliotekës, kështu që emërtimi ishte një formë e nderimit të punës së tij.
Ai arriti shumë në jetën e tij. Kur ishte shumë i ri arriti të mësojë vet shkrim dhe lexim, me pak ndihmë nga familja e tij, por kryesisht vet. Ai u rrit në Paris me familjen e tij rome.
Një ngjarje në jetën e tij ishte shumë e çuditshme. Një përleshje ndërmjet dy familjeve rome rezultoi në vrasje dhe vet Matéo Maximoff përfundoi në burg. Avokati që e caktuan për të, i sugjeroi atij të vazhdonte të shkruante dhe të tregonte për jetën, traditën dhe kulturën e tij dhe të familjes së tij.
Matéo Maximoff i kaloi vitet e luftës në një kamp të përqendrimit, ngjashëm me plot ciganë tjerë. Në Francë ishte një kamp i veçantë për nomadët dhe njerëzit që udhëtojnë, dhe Matéo Maximoff e shkroi një libër [gjatë kohës kur ishte i burgosur aty]. Libri tij ishte një novelë e bazuar në jetët e romëve, traditat dhe kulturën e tyre, si dhe në situatën e tyre. Ai shpresoi se do t’i ndihmonte atij dhe familjes së tij që të dalin nga kampi, por libri u publikua tek pas luftës.
U bë i njohur nga momenti që u publikua dhe plot persona ishin të interesuar të mësojnë më shumë për historinë e Maximoff, duke marrë parasysh faktin se ai ishte një nga shkrimtarët e parë romë. Shumë organizata mediale ishin të interesuar në të.
Në jetën e tij, Matéo i publikoi diku 10 libra për jetën e romëve, përfshirë këtu libra autobiografik për jetën e tij. Ai gjithashtu bëri plot fotografi dhe udhëtoi rreth botës për t’u takuar me romë të tjerë. Ai ishte një aktivist i cili morri pjesë në aksione ndërkombëtare për hir të të drejtave të minoritetit rom. Ai ishte gjithashtu i përfshirë në religjionin ungjillor. Ai ishte pastor, dhe e përktheu biblën në gjuhën rome.
Ai bëri plot fotografi me të cilat e dokumentoi jetën e popullit rom nëpër botë, e gjithashtu bëri edhe raporte dhe filma. Jeta e tij është si një dëshmi e jetës së romëve nëpër gjithë botën.
Matéo Maximoff Media Library fokusohet në letërsinë për romët. Çfarë mund të gjejmë në këtë bibliotekë?
Matéo Maximoff Media Library është bibliotekë ndërkombëtare, që do të thotë [se ka letërsi] për popullin rom nëpër gjithë botën. Përmban libra, muzikë, filma, fotografi – në thelb, të gjitha llojet e mbulimit medial në lidhje me situatën e popullit rom nëpër botë. Këto krijime janë në gjuhë të ndryshme, sigurisht duke filluar nga gjuha rome dhe dialektet e ndryshme rome.
Matéo Maximoff Media Library e ka një ekip ligjor që ndihmon me publikimin e ligjeve dhe vendimeve të caktuara gjyqësore që përfshijnë çështje që lidhen me romët. Publikimi i vendimeve gjyqësore nuk është diçka e zakonshme për një bibliotekë. Si erdhi deri tek kjo?
Mundohemi të marrim dokumente gjithëpërfshirëse, por ndonjëherë është e vështirë sepse unë e bëj vet këtë punë, por e bëj më të mirën që mundem. Përfshijmë dokumente të ndryshme ligjore, por jemi fokusuar në dokumentimin e situatës në Francë, sepse është shumë e veçantë.
Shumë njerëz, madje edhe në Francë, nuk e dinë se udhëtarët francezë e kishin një statut të veçantë ligjor. Për rreth një shekulli, për shkak se ishin udhëtarë, obligoheshin të marrin një dokument të veçantë të ngjashëm me pasaportën, por të posaçëm për udhëtarët. Kur një udhëtar i mbushte 13 vjet, e kishte të obligueshme posedimin e një dokumenti identifikues.
Kur nisi Lufta e Dytë Botërore kishte postblloqe policore të veçanta për udhëtarët. Si pasojë e këtij dokumenti, plot ciganë përfunduan në kampe të përqendrimit për shkak se policia i kishte të gjitha informatat e nevojshme. Ata e dinin se kur po lëviznin njerëzit, por gjithashtu dinin gjithçka për këto familje. Duke i poseduar të gjitha këto dokumente, policia mund t’i arrestonte këta njerëz dhe t’i vendoste të gjithë në kampe.
Kjo ishte një formë madhore e diskriminimit, veçanërisht kur kemi parasysh ato që ndodhën në Francë, që thuhet të jetë shtet i të drejtave të njeriut. Deri vetëm para 2 viteve në Francë ciganët ishin të obliguar të jenë të pajisur me këtë dokument të veçantë.
Sa është e rëndësishme biblioteka për popullin rom dhe për të gjithë ata që dëshirojnë ta studiojnë kulturën rome, pasi që nuk ka histori të shkruar të popullit rom?
Ky është himni jonë. Ne mundohemi t’i ofrojmë të gjitha informatat që janë në dispozicion në një vend dhe nëpërmjet internetit. E kemi uebfaqen dhe katalogjet, dhe tani mund t’i përdorim mediat për t’i përhapur informatat. E kemi revistën tonë për ta treguar gjithë këtë dhe për të luftuar për këtë temë. Mundohemi të organizohemi me OJQ të tjera dhe të krijojmë partneritete në Francë dhe Evropë.
Siç thatë, okupimi i Francës nga Gjermania Naziste e krijoi një rrëfenjë “antinomade”, ku nomadët romë akuzoheshin se janë spiunë për gjermanët. Kjo bëri që plot njerëz që janë romë etnike të dëbohen nga Franca dhe plot tjerë të internohen, përfshirë këtu familjen Maximoff, e cila qëndroi në një kamp për 31 muaj. Meqë u rritët në Francë, a e kishit mundësinë ta shihni shoqërinë duke i lënë prapa ngadalë paragjykimet dhe intolerancën kundër minoritetit rom, dhe duke e pranuar më shumë këtë grup të veçantë të njerëzve? Si dhe çfarë ndryshoi? Sepse Franca edhe sot shpeshherë kritikohet për mënyrën se si i trajton minoritetet…
Fatkeqësisht situata nuk ka ndryshuar shumë. Për shembull, është kjo paqartësi në rastin e trajtimit të minoritetit rom. Njerëzit janë të fascinuar nga ‘jeta e ciganëve’, nga muzika e tyre, dhe ky imazh ekzotik që e marrin nga mediat, pa marrë parasysh se a është i vërtetë apo i gabuar ky përfaqësim.
Njëkohësisht, ata nuk duan romë në qytetet e tyre. Gjithmonë është e njëjta. Për më tepër, kur shohim raporte mediale për racizmin, është e dallueshme që minoriteti rom nuk përfshihet në kryetituj, veçanërisht në Francë. Sidoqoftë, minoriteti rom është në mesin e minoriteteve më të targetuara sa i përket racizmit.
Është shumë e çuditshme sepse në fakt, kur marrim parasysh se popullsia e përgjithshme e Francës është rreth 67 milion, romët e përbëjnë një komunitet të vogël. Në Francë janë diku 500,000 romë, një numër shumë i madh, por për Francën është i vogël, thuajse janë fantazma. Ata përdoren si dash i kurbanit; në politikë e luajnë këtë rol. Mendoj se kjo ndodh ndoshta për shkak se minoritetet tjera përfaqësohen më mirë në media dhe shoqëri në krahasim me popullin rom.