Që nga orët e para të pasditës, gjashtë orë para se Shqipëria ta nisë ndeshjen kundër Maqedonisë, ndeshje e cila shënon fillimin e kualifikimeve për Botërorin në Grupin G, Shkodra po gumëzhinte plot emocione për ndeshjen e madhe. Ndërsa rrugët me kalldërmë të qendrës së qytetit ishin mbushur përplot me ngjyra kuq e zi bashkë me slloganet e pafundme patriotike shqiponjash dykrenare, panorama tjetër që binte në sy ishin emrat e qyteteve të shkruara në fanella; Tetova, Gjilani, Prishtina, Kumanova, Ulqini, Drenasi.
Ndërsa kualifikimet për Kampionatin Botëror 2018 po shënojnë ndeshjet e para, kjo periudhë u bë njëra nga më të ndërlikuarat për të qenë shqiptar etnik dhe tifoz futbolli. Historia dhe ekonomia e kanë shkapërderdhur popullin shqiptar nëpër disa shtete, dhe për xhiron e parë të kualifikimeve lojtarët shqiptarë u ftuan në hiç më pak se gjashtë kombëtare të ndryshme, ku më e shquara është Kombëtarja e Kosovës, e sapopranuar nga FIFA.
Gjetja e zgjidhjes lidhur me atë se me cilën skuadër po shkojnë lojtarët e ndryshëm shqiptarë duket të jetë sfidë edhe për FIFA-n. Vendimi është gati po aq i ndërlikuar si për ata që gjenden në tribina ashtu edhe për ata që janë nëpër bare. Në mbrëmjen kur Kombëtarja e Kosovës po debutonte në Kampionatin Botëror dhe shqiptarët po luanin kundër njëri-tjetrin në ndeshjen Shqipëri-Maqedoni, çështja u bë temë e nxehtë diskutimi.
‘Shumë të mësuar me Shqipërinë’
Në stadiumin Loro Borici, të gjitha tribinat u mbushën me tifozë nga Maqedonia dhe Kosova; Ballistët nga Tetova, Plisat nga Prishtina, dhe Elita Ilire nga Kumanova. Në Shkodër, një gjë ishte e qartë: Tifozët që jetojnë jashtë Shqipërisë ende po e përkrahin Kombëtaren e Shqipërisë me shumë zell.
Njëri prej këtyre tifozëve është Kreshnik Hyseni nga Podujeva, anëtar i mbështetësve zyrtarë të Kombëtares së Shqipërisë, Tifozët Kuq e Zi. Fakti që Kombëtarja e Kosovës po e bënte debutimin në një Kampionat Botëror atij nuk i bënte përshtypje, Hyseni gjithmonë do të jetë në Shkodër. Ai ka përcjellur çdo ndeshje të Shqipërisë që ajo e ka zhvilluar në shtëpi që nga viti 2009 si dhe ka udhëtuar në Danimarkë, Slloveni e Austri në mbështetje të kuqezinjëve.
Derisa Hyseni i dëshiron Kosovës gjithë të mirat, ai i tha K2.0 se ai nuk ka lidhje emocionale me ta dhe se do të vazhdonte ta përkrahte Shqipërinë deri në fund. Asryeja për këtë është kryekëput politike dhe historike. “Njerëzit nuk kanë luftuar për këtë”, i tha ai K2.0. “Heronjtë tanë dhanë jetën për Shqipërinë e bashkuar, [që] të gjithë 10 milionë shqiptarë ta kenë një shtet, një komb”.
Një kosovar tjetër në Shkodër ishte deputeti i Vetëvendosjes në Kuvendin e Kosovës, Fisnik Ismaili. Në pyetjen se a do ta mbështesë edhe Kosovën, Ismaili i tha K2.0 se ai është “shumë i mësuar me Shqipërinë”. Ismaili e mbështet Shqipërinë për më shumë se 20 vjet dhe gjithashtu tregoi për kohën kur ishte njëri prej 8 tifozëve në Belfast, për udhëtimin vigan që e bëri nga Kosova në Dablin dhe Gjenevë përmes Londrës dhe Cyrihut për të përcjellur dy ndeshje brenda katër ditëve (Shqipëria i humbi të dy ndeshjet), dhe për lutjet që biti i tij të lindte me kohë për ta parë ndeshjen Angli-Shqipëri në New Castle.
Yll Rugova është një kosovar tjetër me shumë pak vend në zemrën e tij për një kombëtare tjetër. “Që kur isha fëmijë, secili e përcjellte Shqipërinë”, i tha ai K2.0. “Ato ndeshje ishin shumë emocionale, dhe si fëmijë qaja kur Shqipëria e humbte ndonjë ndeshje. Prandaj, në kujtesën time ka shumë emocione saherë që mendoj për Kombëtaren e Shqipërisë. Mbase një ditë do të ndjehem njëjtë edhe për ekipin e Kosovës. Por, tani për tani, jam shumë larg nga kjo”.
Tifozët tjerë në Shkodër janë më të emocionuar lidhur me mundësinë për të përcjellur dy, e jo vetëm një ekip kombëtar. Klevini është një 19-vjeçar nga Elbasani por me rrënjë kosovare nga babai. Ai ishte në stadiumin Loro Borici të hënen mbrëma për ta mbështetur Shqipërinë mirëpo do të kthehet pas një muaji për ta mbështetur Kosovën. Kur Kosova barazoi me Finlandën në Turku, ai kërceu nga gëzimi; shumica e tifozëve përreth tij ishin më pak entuziastë mirëpo edhe ata shfaqën emocione kur dëgjuan lajmin.
Tifozët nga Shqipëria duket se kanë emocione të përziera sa i përket ekipit të ri kosovar. Ermal Kuka është redaktor online i Panorama Sportit, gazetës sportive më me nam në Shqipëri. Kuka do ta mbështesë Kosovën, mirëpo beson se ideale për shumicën e tifozëve do të ishte të kishin vetëm një ekip për gjithë shqiptarët. Këtë qëndrim e ndan edhe Besmiri nga Peshkopia, i cili kishte ardhur në Shkodër për ta parë Shqipërinë, të cilën po e përcjell qe 10 vjet. “Për mua, ekipi i Kosovës nuk ekziston”, i tha Besmiri K2.0. “Duhet të ketë vetëm një ekip. Kjo do të ishte sikur ne nga Korabi ta shpallnim një ekip”.
Kuka beson se vënia nën kontroll e situatës në rastin e Milot Rashicës dhe Alban Mehës – të cilët së fundmi aplikuan me sukses pranë FIFA-s për ta ndërruar skuadrën e Shqipërisë me atë të Kosovës – nga ana e dy federatave e përshkallëzoi gjendjen. “Federata e Futbollit e Kosovës këtë e pa si një fitore ndaj Federatës së Shqipërisë”, i tha ai K2.0. “Nuk do të duhej të ishte kështu”.
Dy skuadra në zemër
Në Prishtinë, ndjenjat e mbështetësve natyrshëm anonin nga ekipi i Kosovës, megjithëse nuk hiqnin dorë nga mbështetja e tyre për Shqipërinë. Me qindra tifozë dolën në Sheshin Skenderbeu ku u vendosën dy projektorë në të dy anët e Skenderbeut, duke transmetuar ndeshjen e Kosovës kundër Finlandës si dhe ndeshjen e Shqipërisë kundër Maqedonisë; kaltërverdhët nyjëzoheshin me kuqezinjtë për të parë ekrane gjegjëse të secilës ndeshje.
Si në rastin e Klevinit, në Prishtinë kishte shumë tifozë që kishin vend në zemrat e tyre për dy skuadra. Malinda Gashi i tha K2.0 se “zemra e saj rrahë për të dy ekipet”, dhe këmbëngulte se nuk do të ishte në gjendje ta shikonte një ndeshje ndërmjet këtyre dy skuadrave.
Gëzim Ejupi, i cili kishte të veshur një fanellë në mbështetje të ekipit të Kosovës por me shall të Shqipërisë, kishte ardhur në shesh për të pasur mundësi t’i shohë të dy ndeshjet. “Unë i mbeshtes të dy ekipet sepse ne jemi shqiptarë”, i tha ai K2.0. “Ne jemi populli i vetëm në botë me dy skuadra kombëtare. U uroj fitore shqiptarëve nga Shqipërisë dhe atyre nga Kosova”.
Derisa sheshi u ofroi tifozëve mundësinë për t’i parë të dy ndeshjet, numri i kufizuar i televizioneve si dhe koha e njëjtë e ndeshjeve nënkuptonte që shumë kafeteri në qendër të Prishtinës, të dekoruara me flamurë të Shqipërisë e të Kosovës, do të mund të transmetonin vetëm një ndeshje. Shumica vendosën për Kosovën kundër Finlandës, përfshirë këtu edhe kafeterinë Miqt Pub me pronar Dardan Ibrahimin i cili i tha K2.0 se po e transmetonte ndeshjen e Kosovës sepse kjo ishte një ngjarje historike.
“Unë sonte e mbështeta Kosovën sepse nuk besoj në kufij e kombe”, i tha K2.0 pas përfundimit të ndeshjes. “Mirëpo, barazimi sonte ishte shenjë se [përkundër] politikave të kufijve dhe të mosnjohjes së [Kosovës] të cilat na kanë mbajtur të izoluar tash e shumë vjet, prapëseprapë dëshmuam se kemi shumë energji. Ishte hera e parë që këta lojtarë po luanin bashkë, dhe megjithatë treguan energji të madhe dhe korrën rezultat të mirë”.
Në përgjithësi, mbështetja në Prishtinë ishte e ndarë gati barabartë ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, megjithëse goli i barazimit i Valon Berishës nga penalltia mund ta ketë ngritur nivelin e mbështetjes në favor të Dardanëve (nofkë e tifozëve të skuadrës së Kosovës). Brohoritjet ‘Kosova! ‘Kosova! jehuan anembanë qendrës së Prishtinës dhe derisa ndeshja në Shkodër u ndërpre për shkak të motit, vëmendja u fokusua në dëshirën për një gol shtesë në ndeshjen e Kosovës.
Është ky sukses i cili. sipas Ibrahimit, do të krijojë mbështetje të vazhdueshme për Kosovën: “Unë besoj se një ditë ne do ta kemi një skuadër më të mirë se Shqipëria dhe çdokush do ta dojë Kosovën. Merreni shembullin e Majlinda Kelmendit”, i tha ai K2.0, duke aluduar në xhudisten e cila muajin e kaluar i solli Kosovës medaljen e parë olimpike. “Përnjëherë të gjithë filluan ta pëlqejnë himnin tonë, flamurin tonë… me siguri fitorja i ndryshon njerëzit. Energjia do të ndryshojë”.
“Sepse ne jemi shqiptarë”
Derisa në Kosovë po nisë debati lidhur me besnikërinë ndaj skuadrave të ndryshme kombëtare, brenga të tilla duket të mos ketë në mesin e shqiptarëve të Maqedonisë. Përkundër pranisë së tre lojtarëve shqiptarë në skuadrën e Maqedonisë, opsioni që e ka komuniteti shqiptar sa i përkët mbështetjes së skuadrës kombëtare duket i qartë.
Në pyetjen se përse do ta mbështesin Shqipërinë kundër Maqedonisë, një zëdhënës i Ballistëve, grup mbështetës i Klubit futbollistik Shkëndija nga Tetova i cili solli më shumë se 400 tifozë për ta parë ndeshjen në Shkodër, i tha K2.0 se “pyetje më e pakuptimtë nuk do të mund të parashtrohej edhe sikur të bëheshin bashkë të gjithë akademikët e botës”.
Në qytetin e vjetër të Shkupit, rrugët përreth Sheshit Skenderbeu ishin përplot flamurë e fanella të Shqipërisë derisa kafeteritë e kishin bërë gati listën e këngëve patriotike shqiptare. Para ndeshjes, K2.0 i pyeti disa tifozë të rinj se cilën skuadër do ta mbështesin, dhe të gjithë përveç njërit u përgjigjën shumë natyrshëm se ata do ta mbështesin Shqipërinë. Kur u pyetën se përse të gjithë dhanë përgjigje të njëjtë, ata thanë: “Sepse ne jemi shqiptarë”.
Përjashtimi i vetëm ishte një tifoz turk i cili nuk u prezantua me emër për t’u ikur telasheve me miqtë e tij. Ai këmbëngulte se do ta mbështesë Maqedoninë pasi ai: “jeton aty”, por gjithashtu shtoi se nëse Turqia do të ndeshej me Maqedoninë, gjërat do të ishin ndryshe.
Goli i parë i Shqipërisë pas 10 minutave lojë e bëri turmën të çartej, megjithëse kjo eufori u shua shumë shpejt për shkak të problemeve teknike në Sheshin Skenderbeu që e ngrinë ekranin ku po transmetohej ndeshja. Tifozët nxituan drejt kafeterive dhe bareve aty afër, për ta parë transmetimin e ngadalësuar të goditjes së Sadikut. Brohoritjet ‘Shqipni’ jehonin saherë që dështonte ndonjë shans i Maqedonisë.
Në anën tjetër të urës, situata nuk mund të ishte më ndryshe; dukej sikur gati askush s’po e shikonte ndeshjen. Gati nuk u dëgjua as edhe një zë edhe pas golit të barazimit të Maqedonisë. Për dikë nga jashtë, kalimi i urës mund të dukej sikur ecja nga një realitet në tjetrin, megjithëse kjo nuk është hera e parë që ka ndasi të tilla në qendër të Shkupit. Është bërë zakon që Sheshi Skenderbeu të bëhet fole e festave dhe ngjarjeve të shqiptarëve derisa Sheshi i Maqedonisë, në qendër të të cilit qëndron statuja e Ushtarit mbi Kalë, konsiderohet si anë e maqedonëve.
Në të folmen e përditshme, ato quhen ana e “maqedonëve” dhe ana e “shqiptarëve”, që lë të kuptohet se aty ka ndarje etnike, që edhe më shumë vihen në pah me mbështetje të skuadrave të ndryshme kombëtare.
Megjithatë, edhe pse ekziston ndarja, të hënen mbrëma marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve dukeshin të qeta në Shkup. Duke kaluar mbi urë, dy tifozë të rinj plot vetëbesim po hynin në Sheshin e Maqedonisë me flamurë shqiptarë rreth qafës. Ata thanë se ishin paralajmëruar nga disa miq të tyre të mos e kalonin urën me flamurët e tyre, por u përgjigjën: “ky është edhe vendi ynë, ne nuk kemi frikë”. Të zhgënjyer me faktin se në Sheshin e Maqedonisë nuk po transmetohej ndeshja, këta dy tifozë u kthyen në Shesin Skenderbeu.
Në fushën e futbollit Kosova pati start pozitiv me një pikë të vlefshme kundër Finlandës, pasi barazoi rezultatin në 1-1. Ndeshja ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë u zgjidh pas 18 orësh, pasi vazhdoi pas ndërprerjes për shkak të stuhisë së hatashme e cila e ndërpreu ndeshjen të hënen mbrëma – Bekim Balaj shënoi golin e fitores në minutën e 89-të e cila i kënaqi tej mase mijëra tifozë të cilët ishin kthyer ditën e nesërme për t’i përcjellur 14 minutat e mbetur të ndeshjes.
Derisa kjo ndeshje u zgjidh, çështja e ndërlikuar e identitetit shqiptar vazhdon të mbetet e pazgjidhur. Kur Shqipëria dhe Kosova t’i kthehen fushës muajin që vjen, duke luajtur edhe njëherë në terminin e njëjtë kohor, debatit të vazhdueshëm do t’i shtohet edhe një kapitull.K
Raportim shtesë nga Dafina Halili dhe Jack Butcher.