Kosova në Jugosllavi, sidomos pas Luftës së Dytë Botërore, nuk ka qenë vetëm e shtypur, e shfrytëzuar dhe humbëse, siç prezantohet skematikisht në historiografinë dhe publicistikën “patriotike” dhe antititiste të kohëve të fundit. Gjatë regjimit të Titos (1945-1980), Kosova përfitoi disa të drejta politike, ekonomike dhe kulturore që kanë ndihmuar shumë për emancipimin dhe modernizimin e shoqërisë kosovare. Progresi i bazuar në këto të drejta më vonë ka shërbyer si motor për ngritjen e vetëdijes dhe fuqizimin e rezistencës politike, që dhe mundësuan shpalljen e Deklaratës së Pavarësisë më 1991, dhe realizimin e Pavarësisë më 2008.
Ndonëse fillimisht e kufizuar, autonomia në kuadër të Serbisë dhe të Jugosllavisë ka siguruar që Kosova të jetë një subjekt politik dhe territorial. Kushtetuta e 1974-s e ka zgjeruar statusin e Kosovës në atë të një njësie federale, të barabartë me republikat konstitutive (ndonëse Kosovës i mungonte emërtimi specifik “republikë”). Subjektiviteti politiko-territorial i Kosovës ka qenë aq i fortë, saqë, pas vdekjes së Titos, Serbisë i është dashur një fushatë e egër dhjetëvjeçare për ta anuluar atë me dhunë, dhe si pasojë u shkatërrua edhe federata jugosllave.
Për Kosovën, momenti më i rëndësishëm i periudhës së autonomisë ka qenë sigurimi i së drejtës për shkollim masiv në gjuhën shqipe (përfshirë edhe atë universitar, që nga vitet ‘70), dhe zhvillimi i kulturës kombëtare. Rrjedhimisht, themelet e kulturës moderne – të letërsisë, arteve figurative, teatrit, muzikës dhe filmit – në Kosovë do të vendosen pas vitit 1945, kuptohet të ndikuara nga shkollat e modernizmit jugosllav.
Për dallim nga vendet tjera socialiste, ku kultura mbahej si shërbëtore e ideologjisë dhe e dogmave komuniste, letërsia dhe artet u lanë të lira në Jugosllavi. Tito, pasi që u shkëput nga Stalini, hoqi dorë nga socio-realizmit në letërsi dhe arte, duke e përkrahur platformën liberale të shkrimtarit kroat Miroslav Kërlezha. Shkrimtarët dhe artistët në Jugosllavi gëzonin liri të gjerë të shprehjes, veçanërisht lirinë për eksperimente të ndryshme avangarde. Por, kishte raste dhe fushata të regjimit kundër kulturës kur vlerësohej se ajo politizohej dhe sulmonte sistemin komunist dhe Titon. Një kufizim tjetër ka qenë censurimi dhe ndalesa e veprave që vlerësoheshin si nacionaliste: këto kërcënonin vlerën më të çmuar të sistemit
“vëllazërim-bashkim”. Në këtë aspekt, ka ekzistuar vigjilenca e përhershme kundër çfarëdo “devijimi nacionalist” në Kosovë, sidomos në dekadat e para pas Luftës së Dytë Botërore, kur shkrimtarët (si Adem Demaçi dhe Teki Dervishi) dënoheshin për “propagandë nacionaliste armiqësore”. Frika nga leximet zbërthyese ideologjike ka ndikuar që krijuesit kosovarë t’i nënshtroheshin censurës së redaktorëve dhe autocensurës, andaj kanë preferuar format e shprehjes hermetike dhe simbolike.
Piktori gjakovar Muslim Mulliqi është njëri prej artistëve më të mëdhenj të Kosovës; veprat e Mulliqit janë frymëzuar nga çështjet e lidhura me identitetin që i kanë dhënë shtytje letërsisë kosovare në vitet ’50 dhe ’60, dhe kanë pasqyruar temat e stilit ekspresionist të subjektivitetit dhe ankthit.
Edhe artet pamore kosovare janë zhvilluar nën ndikimin e drejtpërdrejtë të shkollave jugosllave, të cilat kanë qenë mjaft në hap, apo me vonesa të shkurtra, me trendët dhe stilet ndërkombëtare të kohës. Arti abstrakt, enformeli, minimalizmi, pop arti dhe hiperrealizmi depërtonin shumë shpejt në Jugosllavi edhe për faktin se ajo ishte e hapur ndaj botës, dhe artistët dërgoheshin për specializime dhe vizita studimore në qendrat botërore të artit. Nga fundi i viteve ’60 dhe fillimi i viteve ’70, Beogradi, Zagrebi dhe Lubjana konsideroheshin qendra të rëndësishme botërore të artit konceptor dhe të të ashtuquajturit “body art”. Shembujt më të rëndësishëm në mesin e tyre janë Marina Abramoviq nga Beogradi, dhe Braca Dimitrijeviq nga Sarajeva, të cilët arritën famë ndërkombëtare.
Në këtë kontekst të stileve avangarde, ia vlen të përmendet një artist nga Kosova, Goran Gjorgjeviq (i biri i aktivistes komuniste Didare Dukagjini nga Prizreni). Ndonëse nuk e ka famën e top artistes botërore si Abramoviq, ai megjithatë çmohet shumë si pionier i një parimi dhe stili artistik, retroavangardës, i cili ka pasur mjaft ndikim në artet pamore dhe skenike të Evropës Lindore postkomuniste (të përfaqësuara nga Neue Slowenishe Kunst, me IRWIN dhe Laibach). Për këtë arsye, Gorani ka siguruar një vend të spikatur në historinë e avangardës moderne.
Artet pamore në Kosovë janë zhvilluar me një ritëm më të ngadalshëm se në Jugosllavi. Gjatë periudhës së viteve ’50 dhe ’70, artistët kanë mundur të bëjnë kërkime të avancuara avangarde, sepse skena artistike ka qenë e vogël. Artistët kosovarë numëroheshin me gishta, dhe kishte mungesë të galerive profesionale, të institucioneve, të kritikës, të koleksionistëve, si dhe të opinionit të edukuar artdashës.
Ajo që e bëri artin kosovar unik ishte kombinimi i stileve internacionale me motive identitare karakteristike për Kosovën si një mjedis shoqëror me traditë specifike figurative paramoderne, si dhe me frymën dhe klimën e veçantë të pritjeve për transformim dhe emancipim të shpejtë nga prapambetja shekullore në shoqëri të iluminuar dhe moderne.
Në bazamentin e artit modern kosovar ka qenë Shkolla e Mesme e Artit në Pejë, nga ku kanë dalë pothuajse të gjithë artistët e brezit të vjetër, të cilët pastaj vazhdonin shkollimin në akademitë e arteve jugosllave, në Beograd, Zagreb, Lubjanë dhe Sarajevë, ku ndikoheshin nga profesorët dhe rrymat estetike të kohës. Por, për të qenë të suksesshëm dhe të pranuar, ata gjithashtu duhej të kërkonin me ngulm estetikën, dorën dhe stilin vetjak dhe origjinal. Nga mjeshtrit e modernes jugosllave dhe botërore, ata merrnin qasjen themelore dhe stilin që u pëlqente, dhe kjo u jepte mundësinë për shprehje të frymëzuar, por gjithnjë kërkonin edhe dorën personale që do t’i shquante si artistë origjinalë, që ishte ideali i kohës.
Në artin jugosllav nuk kishte stil dominues, por një gamë impulsesh nga neoimpresionizmi dhe neoekspresionizmi, deri te rrymat e ndryshme të artit abstrakt, surealizmit, enformelit, minimalizmit, pop artit, dhe lëvizjeve të tjera. Edhe në Kosovë, ndërmjet viteve ‘50 dhe ’90, nuk kishte stil dominues të artit. Stili mbetej çështje e përzgjedhjes autoriale, dhe brezi i vjetër nuk kishte tolerancë ndaj artistëve të rinj që mohonin mediumet klasike (pikturën, skulpturën, grafikën), dhe shpreheshin nëpërmjet mediumeve të reja (instalimeve, videove, performancave), ose bënin art pa artefakt, përkatësisht pa punë, duke u mjaftuar me koncepte.
Liria e përzgjedhjes së mënyrës së punës, e kushtëzuar vetëm me kërkimin e nënshkrimit dhe stilit individual, te shumica e artistëve kosovarë zhvilloi prirjen e kombinimit të stileve ndërkombëtare (si figuracioni i lirë, simbolizmi dhe abstraksioni) me elemente figurative lokale dhe identitare, që e kuptonin si pjesë të individualitetit dhe veçantisë së tyre brenda kontekstit kompleks jugosllav, si dhe më gjerë. Edhe shkollat jugosllave të arteve pamore e kanë pasqyruar këtë tendencë, pasi ato vazhdonin traditat figurative paramoderne dhe moderne sllovene, kroate dhe serbe, kurse konteksti jugosllav ishte vetëm një kornizë e përbërë, që nuk shkrihej në një tërësi më vete.
Ajo që e bëri artin kosovar unik ishte kombinimi i stileve internacionale me motive identitare karakteristike për Kosovën si një mjedis shoqëror me traditë specifike figurative paramoderne, si dhe me frymën dhe klimën e veçantë të pritjeve për transformim dhe emancipim të shpejtë nga prapambetja shekullore në shoqëri të iluminuar dhe moderne. Bardi i pikturës kosovare, Muslim Mulliqi, një mjeshtër i klasës së parë i cili e gjeti veten në një stil të figuracionit ekspresiv, frymëzohej nga temat sociale dhe identitare të letërsisë kosovare të viteve ‘50 dhe ’60 (e përfaqësuar nga Esat Mekulli, Hivzi Sylejmani, Ali Podrimja). Ato përshkruanin pozitën e pabarabartë të shqiptarëve në Mbretërinë e Jugosllavisë (që pasqyrohet në pikturën e famshme të tij “Hamalli”), si dhe veprat e frikshme që i bënte Administrata e Sigurisë Shtetërore, e njohur si UDBA, në vitet ‘50, një periudhë e njohur si koha e Aleksandar Rankoviqit (shef i shërbimeve sekrete jugosllave). Në mënyrë delikate, Mulliqi i qasej figurativisht edhe idesë së rezistencës në serinë e pikturave për kullat shqiptare, me Bjeshkët e Nemuna (Alpet shqiptare) në prapavijë, figurativisht shumë të realizuara dhe të fuqishme, që kujtonin sa qëndrueshmërinë dhe ngulitjen shqiptare, ashtu edhe një lament për fatalitetin e atyre bjeshkëve që e ndanin kombin shqiptarë në dysh.
Opusi i Xhevdet Xhafës “Autobiografia” (piktura kryesisht të zymta të formateve të mëdha) paraqet një gërshetim të suksesshëm të enformelit si stil ndërkombëtar (Alberto Burri, Antoni Tapies, Gabriel Stupica) me materiale të ndryshme të jetës së përditshme dhe të artit popullor shqiptar, që i aplikonte në mënyrë origjinale.
Kjo qasje hetohet qartë edhe te shumë artistë tjerë, si: Agim Çavdarbasha, Tahir Emra, Gjelosh Gjokaj, Rexhep Ferri, Engjëll Berisha – Befre, Simon Shiroka dhe Agim Salihu. Këta artistë i kanë stilet individuale dhe të dallueshme, dhe hulumtimet e tyre shkojnë në drejtime të ndryshme, nga figuracioni poetik dhe simbolik deri te abstraksioni, por ata gjithnjë gjejnë mënyrën e gërshetimit me format, ngjyrimet dhe idetë të tabanit vernakular shqiptar, pa rënë në grackat e folklorizmit.
Vepra "Gratë e Lubeniqit" e skulptorit të famshëm dhe anëtarit të Akademisë dhe Shkencave të Arteve, Agim Qavderbasha; studio e Qavderbashës në Çagllavicë, e djegur gjatë trazirave të 2004-s, tani është muze.
Veprat dramatike të filigranit të artistit Simon Shiroka janë ekspozuar së fundi në galerinë e arteve të Kosovës nën udhëheqjen e kuratorit Erzen Shkololli.
Mëvetësia dhe cilësia e artit pamor kosovar është hetuar në qarqet jugosllave nëpërmjet prezantimit të artistëve nga Kosova në galeritë me renome, por edhe në ekspozitat kolektive që Jugosllavia i dërgonte në vendet e ndryshme të botës. Në një aspekt tjetër, për shkak të mungesës së kritikës cilësore artistike në Kosovë, deri vonë vlerësimet dhe analizat më përmbajtjesore të artit kosovar janë bërë nga kritikët e njohur jugosllavë. Në këtë aspekt, një vlerësim tejet pozitiv të vendit të artit kosovar në Jugosllavi e ka dhënë kritiku kroat, Vlado Buzhançiq, në një monografi të botuar në vitin 1998 (Arti bashkëkohor i Kosovës, Galeria e Arteve Prishtinë, f. 6-13), ku ai vendosmërisht konstaton: “Kosova sot i jep Jugosllavisë (së paku) pesëmbëdhjetë artistë figurativë me vlerë reprezentative!” Pastaj, ai liston 18 emra, prej të cilëve 16 janë shqiptarë: Xhevdet Xhafa, Engjëll Berisha, Muslim Mulliqi, Shyqëri Nimani, Nusret Salihamixhiqi, Agush Beqiri, Matej Rodiqi, Agim Salihu, Tahir Emra, Agim Çavdarbasha, Gjelosh Gjokaj, Fatmir Krypa, Hysni Krasniqi, Daut Berisha, Nebih Muriqi dhe Lazër Lumezi, kurse dy janë serbë: Slobodan Trajkoviq dhe Svetomir Arsiq – Basara (renditja e autorëve është e V.B.).
Në vitet ’70 dhe ’80, me themelimin e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës (1974) dhe të Galerisë së Arteve të Prishtinës, arti pamor i Kosovës bëhet më autonom, pasi që tani brezat e rinj të artistëve nuk shkonin në qendrat jugosllave (pos për specializime) dhe kishin më shumë hapësira për ekspozim dhe afirmim, pa u varur nga konteksti jugosllav. Për më shumë, në ato vite forcohej tendenca për një shkollë të arteve pamore që do të ishte kombëtarisht më e përcaktuar. Për këtë ndikoi edhe vendosja e kontakteve kulturore ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në vitet ’70. Ndonëse shkolla socio-realiste e Shqipërisë nuk kishte asgjë të përbashkët me rrymat moderniste të Kosovës (përkundrazi, e refuzonte si dekadencë borgjeze), në Kosovë edhe ky art respektohej, nëse jo për nënshtrimin e rreptë të dogmave ideologjike, atëherë për aftësitë e mjeshtërve që të bëjnë vepra estetikisht të pëlqyera.
Por, arti unik kosovar, me gjithë tendencën e afrimit dhe shkrirjes në artin shqiptar, nuk pati mundësinë që të zhvillohet natyrshëm pas kthesës që ndodhi në vitet ’80, kur kufiri i Kosovës me Shqipërinë u mbyll sërish, dhe u kthyen format e egra të represionit politik dhe kulturor të Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Opusi i madh i piktorit shqiptar, Xhevdet Xhafa, i quajtur “Autobiografia”, kujton veprat e artistëve, si: Alberto Burri, Antoni Tapies dhe Gabriel Stupica; Xhafa përdor materiale dhe imazhe nha arti folklorik shqiptar dhe nga jeta e përditshme.
Në vitet ’90, Serbia anuloi autonominë e Kosovës dhe i mbylli ose i vuri nën kontroll edhe institucionet kulturore dhe arsimore, duke krijuar rrethana të organizimit paralel të arsimit dhe të aktiviteteve politike, nën të cilat kultura kontribuoi për rezistencën ndaj represionit dhe për mbajtjen gjallë të ndjenjave të dinjitetit kombëtar dhe krijues. Fakulteti i Arteve i Prishtinës punonte në shtëpi private, përderisa ekspozitat mbaheshin nëpër kafene dhe restorante.
Adrenalina e rezistencës të atyre viteve solli në Kosovë një frymë tjetër postmoderne të artit, që reagonte njëkohësisht edhe ndaj represionit serb, edhe ndaj konservatorizmit dhe akademizmit të artit pamor në Kosovë, ku brezi i vjetër edhe më tej ishte kundër përhapjes së formave të reja të shprehjes në art (si video, performanca dhe instalimi). Nga mesi i viteve ’90, Sokol Beqiri organizoi ekspozitat e para me objekte dhe instalime, dhe në po atë kohë edhe Mehmet Behluli bëri një kthesë të ngjashme nga piktura në mediat e reja.
Për afirmimin e frymës së re ka kontribuar edhe themelimi i galerisë private “Dodona”, te lagjja “Katër llullat” në Prishtinë, ku ndërmjet viteve 1997-1999 ekspozohej arti i ri. Pos Beqirit dhe Behlulit, në atë periudhë u afirmuan edhe Erzen Shkololli dhe Albert Heta. Ngjarja më e rëndësishme e kësaj kohe ka qenë ekspozita e artit kosovar me titull “Përtej”, e organizuar në Qendrën për Dekontaminim Kulturor në Beograd, në qershor të vitit 1997, ku u ekspozuan veprat e Sokol Beqirit, Mehmet Behlulit dhe Maksut Vezgishit, si dhe një instalim muzikor me titull “Përtej” i Ilir Bajrit. “Përtej” (emri i ekspozitës ka qenë në shqip) ka qenë provokim për Beogradin, sepse ishte ekspozitë protestë me gjuhë figurative kundër regjimit dhe dhunës serbe. Kjo u përjetua si provokim edhe në qarqet konservatore në Prishtinë, që e konsideronin “tradhti” çdo formë të “bashkëpunimit” me Beogradin.
Jehona e “Përtej” ka bërë që artistët konceptorë kosovarë të ftohen në Bienalen e Cetinjës (1997) dhe në Bienalen e Tiranës (1998), dhe pastaj edhe në shumë ekspozita të tjera ndërkombëtare.
Pas luftës, format e reja të shprehjes në art u bënë joshëse për shumë artistë të talentuar, gjë që e pasuroi dhe e dinamizoi skenën e arteve pamore. Në mesin e tyre janë: Jakup Ferri, Lulzim Zeqiri, Dren Maliqi, Driton Hajredini, Alban Muja dhe Fitore Isufi Koja. Ndonëse Fakulteti i Arteve i Universitetit të Prishtinës ende mbetet konservator dhe me vështirësi pranon risitë, skena e praktikave të reja artistike praktikisht ka qenë “mainstream” i zhvillimeve të artit pas luftës. Kjo ka ndodhur falë disa manifestimeve që u bënë tradicionale (për shembull, Artisti i Së Nesërmes dhe ekspozita ndërkombëtare “Çmimi Muslim Mulliqi”) dhe i projekteve të financuara nga fondacionet e huaja (Identiteti i Munguar dhe galeria “Exit” në Pejë, 2003-2007), si dhe kurseve të artit bashkëkohor, që i udhëhiqte Mehmet Behluli, me pjesëmarrjen e kohëpaskohshme të artistëve tjerë, ndër ta edhe të Sisli Xhafës, që karrierën artistike e ka realizuar në Perëndim. Kuptohet, edhe Galeria e Arteve ka kontribuar shumë në afirmimin e të gjitha formave të artit bashkëkohor, sidomos duke i dhënë hapësirë artistëve të rinj.
Foto janë të Galerisë Kombëtare të Arteve të Kosovës.