Politika e re e Bashkimit Evropian, e cila e zgjeron mandatin e FRONTEX-it për mbrojtje të kufijve në shtetet e Ballkanit Perëndimor, shprehë një angazhim më të madh në prioritizimin e mbrojtjes së kufijve, që shkon kundër mbrojtjes së emigrantëve dhe refugjatëve. Rëndësia e kësaj politike mund të interpretohet jo vetëm si shkelje e konventave dhe praktikave humanitare ndërkombëtare, por edhe si instrument që e themelon Bashkësinë Evropiane si vlerë të veçantë në lidhje me territoret e jashtme – pra Lindja e Mesme dhe Afrika, rajonet fqinje.
Kufijtë e ‘Fortesës së Evropës’ tani shtrihen përgjatë vijave kontinentale, dhe rajoni i Ballkanit, i cili për një kohë të gjatë ishte i izoluar, po inkorporohet në Bashkim nëpërmjet militarizimit të kufijve të tij.
Fakti që ‘zgjerimi’ i kontrollit kufitar erdhi në Ballkanin Perëndimor para zgjerimit të tregut të përbashkët flet për prioritetet e BE-së në rajon, dhe klimën e ndryshueshme brenda saj. Tani që ksenofobia është e pranishme në politikën dominante në shtetet anëtare, policimi, kufijtë dhe internimet po bëhen çështje edhe më të rëndësishme për Brukselin.
Hungarizimi i Ballkanit
Pa dyshim, Hungaria është shteti që i ka vendosur standardet për politika dhe praktika të panjerëzishme të trajtimit të refugjatëve dhe emigrantëve në kufijtë e saj. Ndonëse është kritikuar nga disa organizata që punojnë për të drejtat e njeriut, kurrë nuk është dënuar për rrethojat raciste në kufirin me Serbinë.
Në hapin e parë të “Hungarizimit” të Ballkanit, Shqipëria tani do të jetë nikoqire e FRONTEX, Agjencisë Evropiane për Mbrtojtje të Kufijve dhe Bregdetit, e cila do të patrullojë në terren dhe bregdet. FRONTEX-i ka për detyrë t’i ruajë kufijtë dhe bregdetin e shteteve anëtare të Zonës Shengen, por tani ky mandat është zgjeruar. Së shpejti, unionit për kontroll të kufijve do t’i bashkohen edhe Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnja & Hercegovina dhe Mali i Zi.
Në vend se t’i hap kufijtë dhe t’i pranojë njerëzit që po ikin nga vendet më të këqija në Botë, BE-ja ka gjetur një mënyrë për të folur për sfidat e përbashkëta të menaxhimit të kufijve – këto janë fjalët e Dimitris Avramopoulos, Komisionerit për Migrim, Punë të Brendshme dhe Shtetësi.
Bashkimi Evropian është një nga strukturat më të mira institucionale në botë sa i përket mekanikalizimit të çështjeve të jetës së përditshme.
Bashkimi Evropian është një nga strukturat më të mira institucionale në botë sa i përket mekanikalizimit të çështjeve të jetës së përditshme, strukturë e cila i banalizon situatat konkrete dhe e mohon bashkëfajësinë e saj në katastrofat më të këqija njerëzore të dekadave të fundit – ato që kanë ndodhur në vatrën e vdekjes të quajtur Mesdhe.
Forcat e FRONTEX-it në kufijtë evropian shfaqin rolin më ekstrem, por njëkohësisht kyç, të sovranit; pra vendosin cilat jetë ia vlenë t’i njehim si të dëshirueshme, dhe cilat si të pavlera, që mund të lihen në ekzistencë të thjeshtësuar. Të zhveshur nga të drejtat e tyre si refugjatë dhe emigrantë, kur arrijnë në brigjet e Evropës, ata e gjejnë veten në mesin e një humnere të krijuar nga shkelja e konventave ndërkombëtare nga shtetet e ndryshme anëtare.
Shtetet e Ballkanit për një kohë të gjatë janë ballafaquar me vështirësi në përpjekjet për ta përmirësuar historikun e tyre në lidhje me të drejtat te njeriut, dhe shpeshherë janë ballafaquar me kritika të rënda nga BE-ja. Por tani ato po obligohen nga po kjo strukturë që t’i kufizojnë dhe shkelin të drejtat e refugjatëve dhe emigrantëve.
Kjo praktikë tregon se klima politike që po shpaloset në Evropë në dekadën e fundit disi i ka inkorporuar popujt e Ballkanit, që dikur ishin të diskriminuar, në idenë e Evropës, por kjo ka ardhur si rrjedhojë e “nevojës” për t’u bashkuar kundër një “dallimi” të ri dhe shumë më të thellë – njerëzit e kontinenteve tjera.
Nekropolitikat e Frontex-it
Politika e BE-së për kufij dhe migrim është një nga veçoritë kyçe të politikave të saj, që operojnë nëpërmjet niveleve të ndryshme të përjashtimit. Brenda kufirit të ri që tani do t’i përfshijë shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe do ta “mbrojë Evropën nga të huajt”, është një kufi tjetër që ende e mbronë “thelbin” evropian nga ‘huajsia’ e brendshme – zona Shengen.
Liria e lëvizjes për shtetet e Ballkanit Perëndimor brenda kësaj zone është e kufizuar në vetëm tre muaj për gjysmë viti – kështu në mënyrë efektive përcaktohet substanca e udhëtimeve në këtë zonë – e kufizuar… verzion shikimi.
Ndonëse politikat Shengen janë politika të disiplinës, politika e FRONTEX-it në Ballkanin Perëndimor është nekropolitikë e mirëfilltë.
Dhe në rastin e Kosovës, përjashtimi është i tërësishëm dhe kolektiv, me përjashtime individuale – vetëm ata që kontrollohen dhe analizohen individualisht mund të lejohen të udhëtojnë individualisht për një afat kohor që u përcaktohet me vizë.
Përderisa rregullat Shengen performojnë kontroll individual (me kufizim tre mujor apo kufizim nëpëmjet vizës), dhe në këtë mënyrë prapëseprapë këtyre individëve u njohin një lloj kapaciteti politik dhe të drejta, kontrolli i jashtëm nga FRONTEX në kufijtë e Ballkanit Perëndimor realizon kontroll në trupa – synimi është të kufizohet sa më shumë numri i ‘trupave të huaj’ që hynë në kontinent.
Ndonëse politikat Shengen janë politika të disiplinës, politika e FRONTEX-it në Ballkanin Perëndimor është nekropolitikë e mirëfilltë. Është politikë që e shpallë jetën brenda ‘zonës së përbashkët evropiane’ si jetë të vlefshme, dhe atë jashtë kufijve të saj si ’jetë të thjeshtë’ – jetë që reduktohet në statusin bilogjik/natyror të saj.
Lëvizja e trupave FRONTEX në Shqipëri, dhe pastaj në shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor, lidhet pikërisht me shfaqjen e nekropolitikave. Deri tani, rajoni i Ballkanit Perëndimor ishte një ‘zonë e papërcaktuar’ ku refugjatët dhe emigrantët po hynin dhe endeshin nëpër territorin e tokës evropiane, pra po hynin në hapësirën ku jeta është e vlershme, por si trupa të cilëve nuk u njihet ekzistenca politike.
Përzierja e këtyre dy elementeve e krijoi këtë zonë të papërcaktuar të cilën BE-ja nuk mund ta toleronte më. Kur Komisioneri Avramopoulos flet për bashkësinë, ai e adreson pikërisht hapësirën e përbashkët të përcaktuar për jetë të vlefshme. Përtej kësaj hapësirëe, qeniet njerëzore lihen në duar të fatit të kushteve natyrore – ujërave vdekjeprurëse të Mesdheut.
Shumë shembuj tregojnë se kontrolli kufitar nuk do ta zgjidhë problemin e refugjatëve dhe emigrantëve, përderisa nuk adresohen kushtet që i shtyejnë njerëzit t’i lënë shtetet e tyre.
Shumë shembuj tregojnë se kontrolli kufitar nuk do ta zgjidhë problemin e refugjatëve dhe emigrantëve, përderisa kushtet që i shtyejnë njerëzit t’i lënë shtetet e tyre nuk adresohen me një përpjekje të përbashkëta ndërkombëtare, ku BE-ja mund ta luaj një rol udhëheqës. Por në vend se t’i adresojë këto, BE-ja ka punuar me shtetet afrikane, si Libia dhe Nigeri, për t’u dhënë atyre mbështetje financiare, që pastaj ajo të kërkojnë kufizim më të rreptë të lëvizjes së refugjatëve dhe emigrantëve nëpërmjet këtyre shteteve.
Si rrjedhojë e kësaj, kemi parë kampe të torturës në Libi dhe disa ligje të panjerëzishme që janë miratuar në Nigeri kundër lëvizjes së refugjatëve dhe emigrantëve. BE-ja nuk shqetësohet për atë se çfarë ndodh në këto vende, në fakt ajo po e stimulon trajtimin barbar të refugjatëve dhe emigrantëve – torturën që ndodh jashtë zonës së jetës së vlershme. BE-ja do vetëm që të reduktohen numrat e trupave që po arrijnë në brigjet e saj, dhe deri sot ka arritur sukses të madh.
Por kosto që po paguhet me jetë të njerëzve është e padurueshme dhe vazhdon të krijojë tragjedi në shkallë të tmerrshme. Bashkimi Evropian është bashkëfajtor i drejtpërdrejtë në këto tragjedi. Disa ditë më parë, një grup i avokatëve ndërkombëtarë ia dërguan një dokument Gjykatës Penale Ndërkombëtare nëpërmjet të cilit kërkuan të hetohej bashkëfajësia e drejtpërdrejtë e BE-së në lidhje me vdekjen e mijëra emigrantëve dhe refugjatëve në Mesdhe.
Shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk duhet të marrin pjesë në përkeqësimin e kësaj tragjedie, por për shkak të pozitës së ndërlikuar që e kanë në relacion me BE-në, ata ngadalë po tërhiqen zvarrë në kompleksin militarist, pa marrë pjesë ende në kompleksin ekonomik.
Shtetet e Ballkanit do të ndërmarrin zbatimin e politikave kufitare që kanë ardhur si rrjedhojë e fuqizimit politik të forcave më të errëta politike në kontinent.
Shumica e grupeve rajonale politike besojnë se kur e ke FRONTEX-in në terren dhe rreth kufijve, do të thotë që je një hap më afër BE-së. Por, shtrohet pyetja: Çfarë lloj Bashkimi po i afrohemi?
Në vend të FRONTEX-it, ndoshta shembull më i mirë është popullimi grek i ishujve, që për shumë vite kanë ofruar ndihmë dhe përkrahje për qindra mijëra refugjatë dhe emigrantë. Shembuj të ngjashëm të solidaritetit kemi parë edhe në vendet tona. Njerëzit nga Velika Kladuša, Bihać, Tuzla dhe qytetet tjera nëpër Bosnje kanë ofruar strehim, ushqim dhe mbështetje për refugjatët nëpërmjet nismave të vetëorganizuara.
Dhe në vend se ta marrin përsipër këtë praktikë njerëzore dhe ta institucionalizojnë atë, qeveritë e Ballkanit Perëndimor po ndërmarrin politika që shkojnë në drejtim tjetër – pra e bëjnë jetën e refugjatëve edhe më të pasigurt.
Duke qenë shtetet e fundit në Evropë, ku nuk ka elemente të fuqishme politike të rrjedhës qendrore që janë kundër emigrantëve dhe refugjatëve, Shtetet e Ballkanit do të ndërmarrin zbatimin e politikave kufitare që kanë ardhur si rrjedhojë e fuqizimit politik të forcave më të errëta politike në kontinent.
Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.
Une mendoje qe shteti eshte shume stabil dhe se duhet mbeshtetur gjithmone ne te gjitha pikat e jetes.