S`fundmi | Politika

Zgjedhjet: 5 gjërat që i kemi mësuar në këtë javë

Nga - 30.08.2019

Nëpër zhurmën parazgjedhore.

Pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj në korrik, si dhe pas shpërndarjes së kuvendit  më 22 gusht, Kosova po shkon në zgjedhje të parakohshme.  

Akoma pa u shpallur zyrtarisht zgjedhjet, partitë politike filluan me fushatën parazgjedhore. Tani partitë politike kanë nisur mobilizimin, duke i shpalosur programet e tyre, duke zhvilluar takime në terren, duke i nominuar kandidatët e tyre për kryeministër dhe duke dhënë deklarata të mëdha.

Mediat kanë filluar me formatet e zakonshme të debateve me analistë, kurse pjesëtarët e shoqërisë civile dhe profesionistë të ndryshëm kanë filluar me aderimet nëpër parti politike.

Koha para zgjedhjeve është gjithmonë një periudhë dinamike ku vazhdimisht po kemi zhvillime të reja –disa të befasishme e disa përsëritje monotone e zhvillimeve të njëjta nga ciklet e kaluara zgjedhore.

Në krejt këtë vorbull, Kosovo2.0 do të mundohet që t’i mbajë lexuesit të informuar me ngjarjet më të reja që ndodhin. Për pesë javët e ardhshme deri në ditën e zgjedhjeve, do t’ua sjellim një përmbledhje të gjërave më të rëndësishme që i kemi mësuar për çdo javë që kanë të bëjnë me fushatën, polemikat, premtimet dhe programet.

Kjo është seria e parë për këtë cikël.

1. Numërimi mbrapsht deri në zgjedhje ka filluar zyrtarisht

Fillimisht, të flasim pak për procedura.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka shpallur të hënën, më 26 gusht, datën e zgjedhjeve të parakohshme, pasi e dekretoi shpërndarjen e parlamentit të Kosovës. Thaçi vendosi që zgjedhjet të mbahen me datë 6 tetor.

Në praktikë kjo datë e mbajtjes së zgjedhjeve ka qenë e ditur edhe më herët, pasi zgjedhjet duhet të mbahen jo më larg se 45 ditë nga shpërndarja e parlamentit. 6 tetori është data e fundit e kësaj periudhe, me fushatën zyrtare që do të fillojë më 25 shtator e do të zgjasë 10 ditë.

Kreu i shtetit të Kosovës ka udhëzuar KQZ-në që të nisë me përgatitjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Ende pa u shpallur zgjedhjet e reja, partitë janë përfshirë në një fushatë për ngritjen e koalicioneve të reja parazgjedhore.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka lajmëruar disa nga afatet për fushatën.

Më i rëndësishmi tani është afati për koalicionet parazgjedhore që mbaron këtë të premte (më 30 gusht).

2. Fama është ‘mbretëreshë’ kur bëhet fjalë për zgjedhje

Në po të njëjtën ditë që Presidenti Thaçi e dekretoi datën e zgjedhjeve të parakohshme, Lidhja Demokratike e Kosovës, në mbledhjen e kryesisë, e mandatoi Vjosa Osmanin si kandidate për kryeministër të Republikës së Kosovës. 

Lajmin për nominim e Osmanit si kandidate të partisë për postin e kryeministrit e ka bërë të ditur

kryetari i LDK-së, dhe njëherësh ish-kryeministri Isa Mustafa. 

 Osmani, që është gruaja e parë e nominuar për kryeministër nga një parti e madhe që nga viti 2010,  ka dëshmuar të jetë një figurë e popullarizuar tek elektorati në të kaluarën por shpesh ka qenë në kundërshtim me kryesinë e LDK-së.

Ajo ka qenë një kritike e madhe e vendimit të LDK-së për formimin e koalicionit me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK-në) në vitin 2014 dhe në zgjedhjet e fundit në vitin 2017 koalicioni i partisë së saj ia vendosi numrin 81 në listën e kandidatëve. Përkundër pozitës së saj gati në fund ajo mori më shumë se 60,000 vota, e dyta me më së shumti vota brenda partisë, ku vetëm kandidati për kryeministër, Avdullah Hoti, kishte marrë më shumë vota. 

3. Krijimi i koalicioneve parazgjedhore nuk është gjithnjë i lehtë

Teksa afati për zyrtarizimin e koalicioneve po afrohet shpejtë, së shpejti do ta dimë se cilat parti janë pajtuar zyrtarisht për të shkuar në zgjedhje së bashku.

Megjithëkëtë, disa bashkime tanimë janë lajmëruar.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) — partia e kryeministrit në ikje, Ramush Haradinajt — do të jetë në ekip me Partinë Socialdemokrate (PSD) të kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmetit. Partitë e koalicionit qeveritar në ikje, Nisma dhe Aleanca Kosova e Re (AKR) poashtu e kanë lajmëruar paktin parazgjedhor.

Të mërkurën (28 gusht), përfaqësuesit e disa partive të vogla serbe nënshkruan një koalicion në Graçanicë në një përpjekje për të kundërshtuar dominimin elektoral të Srpska Listës (Lista Serbe), e cila sërish ka mbështetjen e hapur të Beogradit; nënshkruesit e koalicionit janë Nenad Rashiq (PDS), Rada Trajkovic (EPS), Dragisa Miric (NPK), Slavisa Petkovic dhe Branislav Markovic.

Por shumica e spekulimeve ndër muaj kanë qenë rreth një koalicioni të mundshëm midis partive opozitare LDK dhe Vetëvendosje (VV), me negociatat midis dy që po intensifikohen ditët e fundit.

Disa minuta pasi që LDK-ja e mbajti konferencën e saj për shtyp për të njoftuar se Vjosa Osmani do të ishte kandidatja e tyre për kryeministër, media raportoi se po zhvillohej një takim midis udhëheqjes së LDK-së dhe VV-së. Disa orë më vonë, u raportua se edhe kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, kishte qenë i pranishëm në mbledhje.

Pas takimit, nënkryetari i VV-së, Besnik Bislimi, tha se ata ishin pajtuar me zyrtarë të lartë të LDK-së se “qeveria e ardhshme duhet ta ketë si përparësi çlirimin e shtetit nga kapja e Klanit Pronto [një referencë për skandalet e korrupsionit, kryesisht duke përfshirë PDK-në] duke e luftuar krimin organizuar dhe korrupsionin.” Por ai nuk foli më shumë nëse ishin rënë dakord për një koalicion.

Nga e premtja pasdite asnjë koalicion nuk ishte konfirmuar dhe Mustafa dha një konferencë për shtyp duke thënë se një koalicion parazgjedhor tani po dukej i pamundur.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, i cili është shpallur drejtuesi i fushatës së LDK-së, deklaroi se LDK është e hapur për bashkëpunim dhe koalicion me VV-në, por që do ta pranonte vetëm Vjosa Osmanin si kandidate për kryeministër.

Kjo pikë mund të paraqes pengesë midis dy palëve. VV-ja reagoi se ata gjithashtu nuk janë në gjendje të bëjnë kompromis për pozicionin e kryeministrit, me partinë që insiston se lideri i saj, Albin Kurti, duhet të jetë kandidati. Për më tepër, deputeti i VV-së, Xhelal Sveçla tha se njoftimi për kandidimin e Osmanit për kryeministre – ndërkohë që negociatat midis palëve po vazhdonin – ishte një “veprim tinëzar”.

Të enjten, u raportua që Mustafa dhe Kurti ishin takuar edhe një herë, por nga e premtja pasdite asnjë koalicion nuk ishte konfirmuar dhe Mustafa dha një konferencë për shtyp duke thënë se një koalicion parazgjedhor tani po dukej i pamundur për shkak të mosmarrëveshjeve se kush duhet të jetë kandidat për kryeministër.

Pas kësaj deklarate, përmes një letre të hapur drejtuar Mustafës të botuar në faqen e tij në Facebook, Kurti u përgjigj duke propozuar një formulë: partitë do të kandidonin në një listë të përbashkët por pa kandidat për kryeministër dhe deputeti që merrte më shumë vota do të ishte koalicioni kandidat për kryeministër.

Kurti e paraqiti atë si një kompromis, duke deklaruar se Osmani mund të renditej në krye të listës së përbashkët, megjithëse nuk do t’i shpëtonte vëmendjes së tij fakti që në vitin 2017 ai personalisht mori më shumë se dy herë më shumë vota se i nominuari i LDK-së dhe gati 30,000 më shumë se rivali i tij i pasues.

Në vitin 2017, koalicioni PAN midis PDK-së, AAK-së dhe Nismës u regjistrua në KQZ vetëm disa minuta para afatit. A do ta shohim një dramë të ngjashme të vonshme edhe këtë herë?

4. Politika me personalitete sërish në lojë

Si çdo fushatë tjetër parazgjedhore në Kosovë, edhe kjo e tashmja ka sjellë një seri emrash të profileve të larta (si dhe disa qytetarë më pak të njohur) që po anëtarësohen publikisht në partitë politike.

PDK-ja ka mirëpritur Dr. Shqiptar Demaçin, djalin e veprimtarit të mirënjohur, Adem Demaçit. Duke njoftuar për aderimin e tij, Kadri Veseli, kreu i PDK-së, shkroi:

“[Adem Demaçi] bashkimin e shqiptarëve e kishte ideal jetësor, saqë edhe djalit ia kishte lënë emrin Shqiptar. Shqiptar Demaçi, djali i simbolit të rezistencës sonë kombëtare, prej sot është pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës.”

AAK-ja mirëpriti... një numër të yjeve të shoubizit, si frizerin Kaci Lleshi dhe këngëtaret Aida Doçi e Adelina Berisha.

PDK-ja prezantoi edhe anëtarët e tjerë të rinj, duke përfshirë kampionin e katërfishtë në kikboks, Yll Maliqin, aktivistin dhe biznesmenin, Nexhmi Muçiqi, profesor-asistentin në Fakultetin e Mjedisit dhe Shkencave të Jetës në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, Nol Krasniqi, aktoren e njohur kosovare, Arta Nitaj, si dhe dentisten nga Prizreni, Urata Tahiri.

VV-ja njoftoi se ishte marrë vesh me gazetarin Daut Dauti, aktivisten dhe anëtaren i një asambleje komunale finlandeze, Funda Demiri, ekspertin e njohur të politikës nga shoqërisë civile, Taulant Kryeziu, ish zv.ministrim e Turizmit në Shqipëri dhe aktivistin e shoqërisë civile në Kosovë, Hajrulla Çeku, ekspertin e ekonomisë dhe analistin politik, Hekuran Murati, ekspertin e financave dhe bankave, Arben Gashi, si dhe gjinekologen Drita Kabashi.

AAK-ja mirëpriti teologun Mustafa Bajrami, sipërmarrësin Granit Shala, këngëtarin dhe ish-deputetin e AKR-së, Labinot Tahiri, ish-moderatorin e lajmeve, Resul Sinani, si dhe një numër të yjeve të shoubizit, si frizerin Kaci Lleshi dhe këngëtaret Aida Doçi e Adelina Berisha.

Ndërkohë, NISMA solli në ekip mjekun dhe ish-nënkryetarin e Komunës së Suharekës, Refki Bytyqi, si dhe magjistrin e ekonomisë Halil Mustafa, ndërsa PSD-ja ka marrë asambleistin më të votuar të VV-së në Gjilan, Xhelal Hajrullahu.

LDK-ja duket se është komode me njerëzit që veçse i ka, pasi ende nuk ka bërë “përforcime”.

5. Sa më mjegullt aq më mirë, tani për tani…

Kur bëhet fjalë për programet e tyre politike, asgjë nuk është zbuluar ende zyrtarisht, por drejtuesit e partive dhe të tjerët tashmë kanë filluar t’i shpalosin premtimet dhe të japin indikacione se në cilat çështje kryesore kanë për qëllim të përqendrohen.

Isa Mustafa, i cili ka zhvilluar takime të brendshme brenda LDK-së, sikurse edhe takime me partitë e tjera, ka qenë më pak i ekspozuar ndaj publikut dhe si i tillë ka pasur pak shanse të flasë për çështje konkrete. Por, Vjosa Osmani ka thënë se një qeveri e udhëhequr nga LDK-ja do të përqendrohej në tema që fillojnë nga arsimi dhe shëndetësia, deri në luftimin e krimit, korrupsionit dhe kapjes së shtetit.

Veseli është zotuar se objektivat kryesore të një qeverie të PDK-së do të jenë lufta kundër nepotizmit.

Kadri Veseli i PDK-së ka qenë lideri më aktiv kur bëhet fjalë për premtime të mëdha. Ai është zotuar se objektivat kryesore të një qeverie të PDK-së do të jenë lufta kundër nepotizmit, mbështetja për bizneset e mesme dhe iniciativat inovative, si dhe zhvillimi i agrobiznesit.

Albin Kurti i VV-së nuk ka dhënë ndonjë premtim konkret, por Arbërie Nagavci nga VV-ja i tha Radios Evropa e Lirë se çështjet parësore në të cilat do të përqendrohej VV janë sundimi i ligjit, zhvillimi i shtetit dhe ndërtimi i një shteti të angazhuar social.

Duke marrë parasysh sloganin e AAK-së “Kosova 100%”, duket se partia e Haradinajt do të përqendrohet në çështje të mëdha kombëtare, duke u krenuar me vendimet e marra gjatë kohës së tij si kryeministër, siç është parandalimi i ndarjes së Kosovës kundruall bisedimeve për “korigjimin e kufijve”, shndërrimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri dhe vendosja e taksës 100% për produktet serbe.

Partneri i koalicionit parazgjedhor i AAK-së, PSD-ja, duket se është përqendruar në çështjet sociale që preokupojnë qytetarët, siç bëri sa ishte në opozitë, megjithëse ende nuk ka dhënë ndonjë premtim konkret. Nisma dhe AKR-ja kanë qenë në të njënjëshën të qeta në këtë front.

Duket se shtatori do të jetë një muaj premtimesh politike, qofshin ato konkrete apo abstrakte.

Fotografia kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.