Megjithëse fushata zgjedhore nuk nis zyrtarisht edhe dy javë, të gjitha partitë politike të Kosovës tashmë kanë filluar të merren me zgjedhjet.
Tubime po mbahen gjithandej vendit, postimet në rrjete sociale kërkojnë nivel të shtuar filtrimi për t’i zbuluar nuancat politike (rrallëherë të lehta) dhe të gjithë po kanë qejf të bëjnë humor duke postuar meme lidhur me zgjedhjet.
Nëse e gjithë kjo zhurmë ka mungesë të përmbajtjes, prapa perdeve, rrotat procedurale vazhdojnë të sillen ndërsa po arrijnë afatet zyrtare të caktuara nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ), e me to pak nga pak po plotësohet mozaiku zgjedhor.
Është vështirë t’i ndjekësh zhvillimet e përditshme në këtë periudhë, prandaj çdo javë deri në ditën e votimit, ne do t’i kryejmë këto punë të rënda për ju.
Ja çfarë mësuam këtë javë.
1. Paditë penale s’kanë pse të jenë pengesë politike
Plot premtime janë bërë javët e fundit nga partitë që thonë se nuk do të kenë kandidatë të paditur në listat e kandidatëve për deputetë, pas kritikave të mëdha kundër këtij fenomeni në të kaluarën. Por pas mbylljes së afatit të premten e kaluar për dorëzimin e listave të kandidatëve në KQZ, është e qartë që disa parti tashmë e kanë thyer një premtim zgjedhor pak javë para se të mbahen votimet.
Në fushatën parazgjedhore, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), fokusin kryesor e vë fuqimisht se do të jetë e vetmja që mund t’i mposhtë kriminelët e korrupsionit dhe të nepotizmit. Lideri i partisë Kadri Veseli ka muaj të tërë që mundohet të paraqesë një qëndrim të rreptë partiak lidhur me këtë çështje.
Lista e PDK-së me kandidatë për deputetë vërtet duket se nuk ka kandidatë të paditur për korrupsion a shpërdorim të detyrës, megjithëse disa kandidatë të mirënjohur në listën e saj janë paditur për shkelje të tjera.
Ish-Kryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, ishte dënuar vjet për një përleshje fizike në Kuvend, ndërsa Mërgim Lushtaku po ballafaqohet me akuza në lidhje me një rast në të cilin babai i tij, ish-Kryetari i Skenderajit, Sami Lushtaku, i iku mbikëqyrjes së policisë gjatë një vizite në spital. Në listën e PDK-së është edhe Rrustem Mustafa – këshilltar i liderit të dikurshëm të PDK-së, Presidentit Hashim Thaçi – i cili u dënua për krime të luftës më 2013.
PDK nuk është e vetmja që përfshin individë me aktakuza në listën e kandidatëve.
Fillimisht, Veseli duket që premtonte se nuk do të përfshinte asnjë deputet të paditur, ndonëse me gjasë e ka rishikuar këtë premtim ditët e fundit për t’i përjashtuar vetëm ata me “padi për korrupsion, nepotizëm ose shpërdorim të detyrës”.
Por PDK nuk është e vetmja që përfshin individë me aktakuza në listën e kandidatëve.
Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Partia Social-Demokrate (PSD) i kanë 14 individë me padi në listën e koalicionit të tyre, përfshirë këtu ushtruesin e detyrës së Ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekajn, i akuzuar vitin e kaluar për korrupsion, si dhe kryetarin e Komunës së Gjakovës dhe njëherësh ushtruesin e detyrës së Ministrit të Mbrojtjes, Rrustem Berishën, i cili është njëri nga 12 individët që ballafaqohen me akuza për fryerjen e listës së veteranëve të luftës.
Lista e Vetëvendosjes (VV) i përfshin pesë kandidatë me aktakuza, NISMA dhe Aleanca Kosova e Re (AKR) i kanë tre kandidatë të akuzuar në listën e tyre të përbashkët, dhe lista e Listës Serbe përfshin ish-Ministrin për Qeveri Lokale, Ivan Todosijevic, i akuzuar për nxitje të urrejtjes gjatë kohës kur ishte në këtë post.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) fillimisht përfshinte Haki Raqin, i cili ishte dënuar për korrupsion ndërsa po shërbente si zyrtar në Komunën e Obiliqit, por më pas e zëvendësoi Raqin në listën e saj.
2. Nivelet e testosteronit nuk po kontribuojnë në cilësinë e debatit
Këtë javë, deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj, dhe kandidati për deputet i VV-së, Haki Abazi, u dënuan ashpër nga aktivistët për të drejtat e grave për seksizëm dhe mizogjini pasi debati i tyre në T7 degradoi në shfaqje komike.
Molliqaj ka qenë deri vjet sekretar i VV-së, por më pas u bë njëri nga figurat qendrore në grupin e ndarë nga VV-ja që u shndërrua në PSD. Natyra e hidhur e asaj ndarjeje nuk është harruar nga asnjëra parti.
Në një moment në debatin e të mërkurës, Molliqaj tha: “[…] qysh ja ka nisë Hakia me më përmendë shpesh, tutna edhe andërr don me m’pa sonte”, e më pas Abazi reagoi duke thënë: “E mira që ti s’je i vetmi Dardan. Ty nuk të shoh në andërr kurrë. Ty as gruaja jote nuk të sheh në andërr”.
Më pas Abazi i tha Molliqajt të mos e quajë “Hakia”, sepse është versioni femror i emrit Haki, ndërsa Molliqaj ia ktheu: “Ti edhe dukesh pak si femër”.
Natyra e personalizuar e diskursit – në dëm të diskutimeve përmbajtësore për politika – u theksua më tej pas përfundimit të debatit televiziv, pasi raportohet se dy burrat u përfshinë në përleshje fizike sapo e lanë studion.
"U ktheva dhe pashë teksa plandosej për dysheme z. Haki Abazi"
Leonard Kërquki, T7
Leonard Kërquki, moderatori i debatit, shkroi në Facebook se po përgatitej për gjysmën e dytë të emisionit, kur papritmas dëgjoi një zhurmë të madhe në studio.
“U ktheva dhe pashë teksa plandosej për dysheme z. Haki Abazi. Kam dalë me nxitim në korridor dhe kam mundur ta shoh z. Dardan Molliqaj teksa hynte në lift”, shkroi ai. “Z. Abazi më tha se është sulmuar fizikisht nga z. Molliqaj dhe shoqëruesi it tij”.
Pas incidentit, Policia e Kosovës u thirr në kampusin e AAB-së në Fushë Kosovë, ku T7 po i mban debatet zgjedhore. Më vonë policia lëshoi një deklaratë në të cilën thoshte se kishte pasur një sulm, se viktima kishte marrë lëndime të lehta dhe se rasti ishte përcjellë te Prokurori.
Pas incidentit, Abazi deklaroi se ka qenë në korridor jashtë studios pas debatit dhe se Molliqaj i ishte afruar duke folur me zë kërcënues, e se më pas ia kishte kapur duart përcjellësi i tij dhe kishte filluar një përleshje fizike.
Por Molliqaj e mohoi këtë version të ngjarjes, duke thënë se kishte vetëm ballafaqim verbal ndërmjet tyre dhe duke e etiketuar reagimin e Abazit si “vajtim dhe ankesë”.
Të enjten, Demokracia në Veprim, një koalicion i OJQ-ve që synon të promovojë zgjedhje të lira, lëshoi një deklaratë nëpërmjet të cilës e dënoi debatin dhe incidentin që pretendohet të ketë pasuar.
“DnV u bën thirrje kandidatëve të partive politike që po garojnë në zgjedhjet e 6 tetorit që të përmbahen e të mos përdorin gjuhë denigruese dhe seksiste, dhe të mos angazhohen në sulme verbale e fizike”, thuhet në deklaratë. “Partitë politike dhe kandidatët e tyre duhet t’i kultivojnë vlerat thelbësore të demokracisë, duke demonstruar pjekuri dhe profesionalizëm në debate, dhe duke lejuar konkurrencën e ideve dhe të platformave”.
3. Zyrtarët institucionalë kanë gjëra të tjera në mendje
Edhe pse nuk ka nisur ende zyrtarisht fushata zgjedhore, kjo nuk i ka ndalur zyrtarët në nivele të ndryshme që t’i lënë veglat dhe të dalin për të kryer detyra për fushatat e partive të tyre.
Më i dalluari ishte vendimi i Kryeministrit në largim Ramush Haradinaj për ta anuluar pjesëmarrjen e tij në samitin në Republikën e Çekisë, me justifikimin se e ka të mbushur agjendën politike në prag të zgjedhjeve. Në vend se të niset për Pragë me homologët nga rajoni, raportohet se Haradinaj shkoi në Prizren në përpjekje që të rekrutojë anëtarë të rinj në partinë e vet.
Ngjarje të ngjashme kishte nëpër të gjitha zyrat administrative. Organizatat e shoqërisë civile këtë javë u ankuan se politizimi i institucioneve ka bërë që punëtorët të mos shkojnë në punë, për shkak se janë duke kryer punë për partitë politike.
Drejtori i ÇOHU, Arton Demhasaj, tha për Radio Evropa e Lirë se kjo vërehej sidomos në nivelin komunal, të cilin e përshkroi si “100 përqind të politizuar”. “Efekti negativ mund të vërehet në komuna, sepse atje politizimi është i skajshëm”, tha ai.
Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme thotë se: “Përdorimi i zyrave publike, burimeve ose personelit të cilitdo institucion në nivel qendror ose lokal me qëllim të mbështetjes së një subjekti politik në zgjedhje, është rreptësisht i ndaluar. Subjektet politike nuk mund të shfrytëzojnë nëpunësit civilë që përdorin pozitën, burimet ose personelin për fushatë gjatë zgjedhjeve.”
Ndërkohë, Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) lajmëroi se stafit të saj i është thënë të zgjedhë nëse duan të punojnë për ATK-në apo të shërbejnë në poste të partive politike.
Pasi që këtë javë hyri në fuqi një Ligj i ri për Zyrtarët Publikë i cili ua ndalon zyrtarëve të lartë publikë të mbajnë role drejtuese në parti politike, kandidati i PDK-së për deputet, Shaqir Totaj, lajmëroi që po e lë ATK-në për t’u fokusuar në karrierën politike. Totaj kishte qenë menaxher i ATK-së për rajonin e Prizrenit, ndërkohë që ka shërbyer si anëtar i Këshillit Drejtues të PDK-së dhe e ka drejtuar degën e partisë në Prizren.
4. Pjesëtarët e diasporës nuk janë veç për verë…
Raportohet që më shumë se 15,000 anëtarë të diasporës janë regjistruar për të votuar në zgjedhjet e ardhshme, trefish më shumë se numri i votuesve nga diaspora në zgjedhjet e fundit në vitin 2017.
Afati i fundit për të aplikuar votuesit e diasporës ishte më 10 shtator, ndërsa pjesëtarët e diasporës i kishin 12 ditë për t’u regjistruar para këtij afati. Megjithatë, numri përfundimtar i njerëzve që kanë aplikuar për të votuar nga diaspora ende nuk është konfirmuar. KQZ ka thënë se është në proces të vlerësimit të vlefshmërisë së të gjitha aplikacioneve, dhe se në ditët e ardhshme do ta publikojë një raport.
Ata, të cilëve u aprovohen aplikacionet, duhet ta përgatisin pakon e votimit dhe ta dërgojnë në KQZ nga 18 shtatori deri më 4 tetor.
Sikur në vitet e kaluara, pati ankesa për procesin e votimit nga pjesëtarët e diasporës, veçanërisht rreth mungesës së informacioneve, kompleksitetit të procesit dhe mungesës së alternativave për votuesit, si për shembull mundësive për të votuar në ambasada ose misione diplomatike.
“Mënyra aktuale e votimit të mërgatës është më shumë pengim sesa përfshirje e tyre."
Adnan Rrustemi, VV
Liza Gashi, drejtoreshë e Germin, një OJQ që merret me çështje të diasporës së Kosovës, tha për Zërin se organizata e saj ka kërkuar nga KQZ që të eliminohen problemet e identifikuara në zgjedhjet e vitit 2017, si për shembull bllokimi i shkresave elektronike. Gjithashtu, ajo theksoi se përsëri po ka vonesa të informatave më të detajizuara për qytetarët kosovarë që jetojnë në diasporë.
Edhe VV, e cila tradicionalisht merr shumë vota nga diaspora, është ankuar për procesin, duke thënë se masat aktuale në lidhje me votimin nga pjesëtarët e diasporës janë pengesë për përfshirjen e tyre në procesin zgjedhor.
“Mënyra aktuale e votimit të mërgatës është më shumë pengim sesa përfshirje e tyre”, tha më herët gjatë javës Adnan Rrustemi, anëtari i VV-së në KQZ. “Dhe kjo bëhet nga pushteti ndër të tjera, sepse LVV ka përkrahje masive [nga diaspora]. Në mungesë të votimit në ambasada e konsullata, bashkatdhetarët duhet të kalojnë nëpër procedura të ndërlikuara të regjistrimit e të votimit”.
Drejtoresha e KQZ-së, Valdete Daka, ka pranuar më herët se proceset nuk janë ideale, por ka thënë se organizata e saj nuk duhet të fajësohet për afatet e shkurtra kohore të imponuara nga prirja që Kosova të mbajë zgjedhje të jashtëzakonshme.
“Duhet ta cekim se procedurat e votimit jashtë Kosovës janë të ndërlikuara ligjërisht pasi që ashtu e kërkon ligji, por ne nuk mund t’i anashkalojmë këto procedura pasi që mandej do të kishim vërejtje nga subjektet politike”, tha ajo për Radio Evropa e Lirë. “Afatet janë jashtëzakonisht të shkurtra, procedurat janë të komplikuara dhe kjo është diçka që ne nuk mund ta ndryshojmë, përkundër dëshirës.”
5. Kandidatët për pozitën e kryeministrit i duan fjalimet e mëdha
Java përsëri u dominua nga sulmet personale dhe akuzat skandaloze, e kështu votuesit ende nuk kanë ide se çfarë politikash i kanë në plan partitë e ndryshme politike.
Asnjëra nga partitë e mëdha nuk ka publikuar programe politike, edhe pse disa aludime janë bërë këtë javë se në çfarë pritet të fokusohet secila nga partitë.
Gjatë një debati që u mbajt këtë javë në Kolegjin Riinvest, kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, lajmëroi se partia e saj e kishte përfunduar programin partiak, dhe se do ta publikonte në ditët në vijim. Ajo tha se programi përqendrohet rreth pesë shtyllave kyçe: Qeverisja dhe Administrata, Familja, Arsimi, Shëndetësia dhe Partneritetet Ndërkombëtare.
Kandidatët e tjerë për postin e kryeministrit – të cilët u konfirmuan këtë javë pa asnjë befasi – kanë mbajtur fjalime të mëdha.
Kadri Veseli tha se PDK-ja do të luftojë pa kompromis kundër korrupsionit, për një ekonomi të fortë dhe për aleancë me shtetet miqësore të Kosovës.
Në një fjalim që e mbajti këtë javë, pasi u nominua zyrtarisht nga VV, Kurti e nxiti popullin të bashkohet për një “fitore të madhe”, dhe i nxiti aktivistët të flasin me të gjithë, kudo që të jenë.
“Më ndihmoni të fitoj me një diferencë të madhe, që ndryshimi të jetë i madh dhe fitorja masive”, tha ai. “Më ndihmoni ta çliroj shtetin nga kapja. Më ndihmoni ta luftoj pabarazinë, nepotizmin, korrupsionin dhe krimin e organizuar. Më ndihmoni ta ndërtoj një të ardhme ku të gjithë duan të jetojnë në paqe, me siguri dhe dinjitet”.
Lideri i PDK-së, Kadri Veseli – i konfirmuar këtë javë për herë të parë si kandidat për kryeministër – deklaroi në një tubim në Prishtinë se vetëm PDK-ja mund ta ndjekë drejtimin e qartë që i nevojitet Kosovës. Ai tha se PDK-ja do të luftojë pa kompromis kundër korrupsionit, për një ekonomi të fortë dhe për aleancë me shtetet miqësore të Kosovës.
Veseli tha se PDK-ja do të fitojë për t’i parandaluar të tjerët që të mos e prishin Kosovën, dhe “për t’u treguar të gjithëve se ky shtet ka shpresë, se Kosova është besimi dhe jeta jonë, se burrat e gratë e Kosovës janë të aftë për ta zhvilluar vendin e tyre”.
Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, i konfirmuar si kandidati i koalicionit AAK-PSD për postin e kryeministrit, e mbajti një fjalim në të cilin foli për përpjekjet për ta ndarë Kosovën, dhe tha se ai me kolegët e tij gjithmonë e kanë mbrojtur Kosovën.
“Ne gjithmonë e kemi mbrojtur pragun, dhe do ta mbrojmë ende”, tha ai. “Kosova jonë, me ushtrinë, policinë, gjyqësorin, institucionet, sot është më e sigurt, por populli i Kosovës janë pronarët e shtëpive të tyre”.K
Në mungesë të diskutimeve serioze për çështje dhe politika të ndryshme, K2.0 i nxit qytetarët ta përdorin thurrjen #PoDuMeDitë në rrjete sociale dhe t’i bëjnë tag kandidatët politikë, duke u treguar se për cilat çështje dhe zgjidhje duan të dinë.
Imazhi: Arrita Katona / K2.0.