S`fundmi | Zgjedhjet 2019

Kontestimet paszgjedhore dhe shkaqet e tyre

Nga - 03.12.2019

Zgjedhjet në Kosovë janë super, pastaj numërohen votat.

Gati dy muaj pasi qytetarët votuan në zgjedhjet e 6 tetorit, javën e kaluar Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) i Kosovës i publikoi rezultatet e certifikuara të zgjedhjeve.

Siç ishte bërë e qartë nga rezultatet fillestare, Lëvizja Vetëvendosje do të jetë partia më e madhe, e pasuar nga ata që supozohet se do të jenë partnerët e tyre në koalicion, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). Rezultatet zyrtare tregojnë se koalicioni Nisma-AKR e arriti për pak pragun 5% për të siguruar ulëse në Kuvend; rezultatet e certifikuara tregojnë se ky koalicion i fitoi 5.002% të votave.

Publikimi i rezultateve të certifikuara do të thotë që presidenti Hashim Thaçi tani duhet ta mbledhë një parlament të ri brenda 30 ditëve në mënyrë që të votohet për formimin e qeverisë së re të Kosovës.

Përderisa sipas vëzhguesve ndërkombëtarë zgjedhjet në përgjithësi u organizuan në mënyrën e duhur dhe me transparencë, rezultati pozitiv i fushatës pa ekcese dhe ditës së rregullt të zgjedhjeve u venit nga parregullsitë gjatë procesit të numërimit të votave, gjë që çoi në një sërë kontestimesh dhe kërkesash për rinumërime.

Fillimisht do të rinumëroheshin 314 vendvotime në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) për shkak të mospërputhjes së të dhënave në mes të numrit të partive dhe kolonave në të cilat janë bartur votat pas numërimit.

Pak ditë më vonë u vendos që të rinumërohen edhe 530 vendvotime të tjera për shkak të problemeve teknike me procedimin e të dhënave dhe për shkak të mospërputhjes së votave të partive e të kandidatëve të tyre.

“Krejt kjo është një zvarritje e panevojshme. Një dinamikë që e humb besimin e votës së lirë të qytetarëve të cilët gati kanë harruar se kur kanë votuar."

Imer Mushkolaj, analist

Pesë javë pas ditës së zgjedhjeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) vendosi për rinumërimin edhe të mbi 1470 vendvotimeve. Më 24 nëntor u raportua se ka përfunduar rinumërimi edhe i këtyre vendvotimeve që gjithsej e çojnë në rreth 2300 numrin e vendvotimeve të rinumëruara ose rreth 90% e numrit total të vendvotimeve që është 2547.

Kur t’i shtohet rinumërimeve edhe çështja e kontestuar e votave nga diaspora që erdhën me vonesë dhe çështja e pranimit apo mospranimit të votave nga Serbia, mund të thuhet se, përkundër një fushate dhe dite shembullore zgjedhore, Kosova po ngecë në administrimin e procesit paszgjedhor.

Votat e diasporës dhe votat nga Serbia

Sipas analistit Imer Mushkolaj, dita e zgjedhjeve në Kosovë shkoi pa probleme, por procesi po degradon pas ditës së zgjedhjeve.

“Kjo, për mendimin tim, ndodhë edhe për shkak të vendimeve kundërthënëse të institucioneve përkatëse, në këtë rast të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa [PZAP-së], të cilat shpeshherë po ndodhë që të përmirësohen nga Gjykata Supreme,” tha ai, duke shtuar se edhe vetë KQZ-ja duket sikur nuk është e përgaditur për procesin paszgjedhor.

Por, për Mushkolajn më shqetësuese mbesin vendimet kontroverse të PZAP-së, duke e marrë shembullin kur ky institucion vendosi që të anulohen votat nga Serbia, gjersa dy herë më parë kishte vendosur që të anulohen ato dhe në anën tjetër, ka refuzuar votat nga diaspora, ndërkohë që KQZ-ja u detyrua t’i pranonte vetëm pas vendimit të Gjykatës Supreme.

“Krejt kjo është një zvarritje e panevojshme. Një dinamikë që e humb besimin e votës së lirë të qytetarëve të cilët gati kanë harruar se kur kanë votuar, duke u marrë me këto probleme procedurale,” thotë Mushkolaj.

Sipas tij, të gjitha vonesat po ndodhin si pasojë e mungesës së reformës zgjedhore dhe moszgjidhjes së problemit të votimit nga jashtë. Ai vlerëson se mënyra e votimit me postë është e padrejtë dhe burokratike dhe se qytetarëve të Republikës së Kosovës që jetojnë jashtë duhet t’u mundësohet votimi përmes përfaqësive diplomatike ku jetojnë.

“Njëjtë,” – shton ai – “duhet zgjidhur edhe çështja e votimit të qytetarëve të Kosovës që jetojnë në Serbi. Ose duhet të vendoset që atyre t’u mundësohet të votojnë në Serbi dhe votat e tyre të sillen në mënyrë kumulative në Kosovë ose duhet që t’u mundësohet të votojnë me postë. Në bazë të të dhënave, së paku katër zarfe me vota kanë ardhur me postë nga Serbia, gjë që dëshmon se kjo mënyrë nuk është e pamundshme për t’u realizuar.”

“Mënyra e deritanishme është treguar joefikase meqë po kemi deputetë të zgjedhur nga vullneti i individëve që punojnë në ditën e zgjedhjeve në vendvotime."

Florent Spahija, këshilltar ligjor në Institutin Kosovar për Demokraci (KDI)

Kësisoj, sipas tij, prioritet i qeverisjes së re duhet të jetë inicimi i reformës zgjedhore ku, pos këtij problemi të rëndësishëm, do të përfshiheshin edhe çështje të tjera, siç mund të jenë listat e kandidatëve për deputetë ose zonat zgjedhore.

Nevojiten reforma zgjedhore

Florent Spahija, këshilltar ligjor në Institutin Kosovar për Demokraci (KDI), poashtu e thekson nevojën për një reformë zgjedhore.

“Krejt kjo që ka ndodhur na çon në kërkesën për subjektet politike që ta fillojnë reformën zgjedhore, përfshirë edhe mënyrën e numërimit të votave – nëse duhet të numërohen krejt votat në klasë, nëse duhet të numërohen krejt votat në QNR apo nëse votat e subjekteve duhen numëruar në klasë, gjersa ato të kandidatëve në QNR,” thotë ai, duke shtuar se mundësia e votimit elektronik, shqyrtimi i numrit të votave preferenciale, etj. janë disa nga temat e tjera që do të duhej të shqyrtoheshin.

“Mënyra e deritanishme është treguar joefikase meqë po kemi deputetë të zgjedhur nga vullneti i individëve që punojnë në ditën e zgjedhjeve në vendvotime,” vlerëson Spahija.

Sa i përket panoramës së pëgjithshme, ai thotë se fushata kishte filluar dhe ishte myllur e qetë. Si dukuri shqetësuese Spahija i përmend shpenzimet e mëdha të subjekteve para fillimit të fushatës, si dhe thotë se ka pasur incidente të vogla, por që nuk e kanë dëmtuar procesin.

“Dita e zgjedhjeve ka qenë e qetë dhe me pjesëmarrje të madhe të qytetarëve. Përjashto disa probleme të vogla teknike, përgjithësisht procesi i votimit ka shkuar në rregull. Ajo që ka ndodhur më pas është që gjatë procesit të numërimit ka pasur gabime, ka pasur gabime të qëllimshme që do të mund t’i quanim edhe vepra penale të kryera nga komisionerët në shërbim të manipulimit të rezultateve për kandidatë,” thotë Spahija, duke theksuar se si rrjedhojë, KQZ-ja kishte vendosur që të rinumërohen shumë vendvotime pasi që ka bërë skenim shumë të mirë dhe, aty ku ka gjetur gabime, i ka hapur kutitë.

Por, sipas Florent Spahisë, në krejt këtë mes, Prokuroria e Shtetit ka shumë punë. Ai thotë se për kutitë që janë hapur për t’u rinumëruar duhet të procedohen lëndët në prokurori dhe për secilin komisioner që ka qenë atë ditë në prokurori duhet të ketë kallëzim penal.

“Ata komisionerë duhet të ndiqen penalisht për gabimet që i kanë bërë – e para, për vonesën që e kanë shkaktuar dhe e dyta, për koston e madhe që e kanë rritur për zgjedhje.”

Se numërimi ka qenë nyja gordiane e thotë edhe Mushkolaj.

“Për shkak që zgjedhjet po mbahen shpesh, edhe stafi fillon ta kuptojë procedurën më mirë."

Florent Spahija, këshilltar ligjor në Institutin Kosovar për Demokraci (KDI)

“Në bazë të informacioneve të mija, kemi politikanë që për dy vite i mbajnë finaciarisht këta komisionerë që gjatë numërimit ua kthejnë borxhin duke i ndihmuar në vjedhjen e votave. Prandaj, është e rëndësishme që këta njerëz mos ta kenë hapësirën për të manipuluar,” thotë ai, duke shtuar se ky manipulim ndodhë në marrëveshje me të gjitha palët sepse nuk ndodhë vetëm te njëra parti politike.

“Prandaj, do të duhej të rishqyrtohej rikthimi i numërimit në QNR, por me kusht që të rriteshin kriteret për pranimin në punë të individëve në QNR dhe që të rritej kualiteti i trajnimeve të tyre.”

Spahija, nga ana tjetër, teksa e thekson se herën e kaluar i kemi pasur diku 600 kuti të rinumëruara, pra kemi një trend rritjeje, thotë se tani edhe KQZ-ja është bërë më profesionale.

“Për shkak që zgjedhjet po mbahen shpesh, edhe stafi fillon ta kuptojë procedurën më mirë. Poashtu, më herët Prokuroria — por edhe gjithë shoqëria — më shumë është fokusuar në vjedhjet që ndodhin mes subjekteve politike dhe fokusi nuk ka qenë brenda listave. Tani që ka dalë kjo si problem, tani fokusi duhet të jetë tek vjedhja e votave që ndodhë brenda listave të subjekteve politike,” thotë ai, duke shtuar se tani Prokuroria duhet të veprojë si më parë, duke i dërguar përgjegjësit para gjykatave dhe duke kërkuar dënime maksimale për ta, ndërsa gjykatat duhet të japin dënime me burg dhe jo me gjobë. K

Foto kryesore: Arrita Katona / K2.0.