S`fundmi | Politika

Fuqizimi politik i grave prek gurin e kufirit

Nga - 14.02.2020

Kandidatja për deputete nuk ia del mbanë — sepse është grua.

Disa ditë pas formimit të qeverisë së re të Kosovës, Jeta Xharra mblodhi shtatë gratë udhëheqëse të reja në emisionin e njohur “Jeta në Kosovë,” i cili u transmetua të enjten e kaluar.

Kjo erdhi në vlugun e entuziazmit pasi, për herë të parë, Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti do t’i ketë 30% të pozitave të zëna nga gratë; prej 15 ministrive, pesë do të udhëhiqen nga gratë. Për më shumë, një grua — Vjosa Osmani — është zgjedhur kryeparlamentare për herë të parë, dhe një grua tjetër — Arbërie Nagavci — është zëvendës kryeparlamentare.

Para emisionit, një fotografi e këtyre grave u ripostua nga Ambasada e ShBA-së në Prishtinë me përshkrimin “Fytyrat e lidershipit të ri të Kosovës”. Fotoja u shpërnda mijëra herë, dhe segmente të ndryshme të shoqërisë e quajtën të fuqishme, frymëzuese dhe fuqizuese. 

Kurti gati siguroi një ulëse në Kuvend — po mos të ishte për pengesat që paraqiti Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Imazhi i grave politikane veshur me komplete serioze me prapavijë perdesh të zeza simbolizon një epokë të re të përfaqësimit të grave në institucionet e larta të shtetit. Kjo është posaçërisht e qartë kur krahasohet me shpërndarjen e pushtetit në qeverinë e kaluar — kryeministri i mëparshëm, Ramush Haradinaj, kreu mandatin me vetëm një grua në kabinetin e tij prej 21 ministrash.

Gati në të njëjtën kohë, kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) certifikoi emrat e deputetëve të rinj që do t’i zëvendësonin ata që ishin vendosur në pozita ministrore, u bë rikujtimi i zymtë se diskutimit për diskriminimin gjinor ende s’i shihet fundi.

Tinka Kurti, një aktiviste politike e Vetëvendosjes (VV), ishte personi i 33-të më i votuar në listën e partisë së saj. Meqë VV-ja fitoi 29 ulëse, dhe pesë deputetë të zgjedhur nga kjo parti morën pozita ministrore, Kurti gati siguroi një ulëse në Kuvend — po mos të ishte për pengesat që paraqiti Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Dispozitat e këtij ligji, të ngjashme me ato të Ligjit për Zgjedhjet Lokale, përcaktojnë që zyrtarët e zgjedhur të cilët më pas marrin pozita në ekzekutiv duhet të zëvendësohen prej kandidatëve t të radhës të gjinisë së njëjtë. Për këtë arsye, Emin Rrahmani (me 7,044 vota) dhe Fitim Haziri (me 7,542 vota) i zëvendësuan burrat deputetë që u emëruan ministra, ani pse kanë më pak vota se Tinka Kurti (7,655 sosh).

Vetëm kuota minimale

Më 7 shkurt, Kurti shprehu në Facebook zhgënjimin për diskriminimin që e mundësojnë dispozitat e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

“Nuk do ta kisha besuar ndonjëherë që mund ta fitoj mandatin me vota e të mos e marr postin vetëm sepse jam grua”, shkroi ajo. “Nuk do ta kisha besuar për cilëndo punë e ironikisht po ndodhë në Kuvend të Republikës”.

Një kuotë minimale, e cila siguron që 30% e deputetëve të zgjedhur të jenë gra — e paraparë në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Ligjin për Zgjedhjet Lokale — shihet si garancë për pjesëmarrjen e grave në politikë. Kjo u ka ndihmuar shumë kandidatëve të rinj dhe të panjohur që kanë kandiduar për herë të parë, të cilët më  vonë janë rizgjedhur pa pasur nevojë të mbështeten në këtë dispozitë. Në zgjedhjet e kaluara, vetëm 13 prej 39 grave të zgjedhura deputete janë mbështetur në kuotë.

Megjithatë, ekspertja e çështjeve gjinore, Merita Limani, shpjegoi për K2.0 se ligjet e Kosovës që lidhen me zgjedhjet i mbështesin gratë vetëm deri kur mbushet kuota minimale për to.

“Mendoj që ky nen duhet të rishikohet në mënyrë që në rastin e zëvendësimit të gjinisë së nën-përfaqësuar të mos ketë veprim diskriminues”.

Merita Limani, eksperte e çështjeve gjinore

Ajo flet për Nenin 112.2 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili saktëson metodën për zëvendësimin e kandidatëve në Kuvendin e Kosovës. 

“Në rastin konkret, duket që ky nen është zbatuar konform interpretimit që i jep ligji, por që në realitet kundërshton frymën afirmative të po këtij ligji, e që është inkurajimi i grave dhe avancimi i pjesëmarrjes së tyre në politikbërje përmes kuotave, etj.”, thotë ajo.

Mendoj që ky nen duhet të rishikohet në mënyrë që në rastin e zëvendësimit të gjinisë së nën-përfaqësuar në rastin e Kosovës gratë ende vazhdojnë të jenë gjinia e nën-përfaqësuar të mos ketë veprim diskriminues”.

Tinka Kurti thotë se ligji është i vjetruar dhe i pamjaftueshëm, duke theksuar se po i jep krah dominimit të burrave.

“Nga minimumi 30%, ajo është bërë maksimumi 30%”, tha ajo për K2.0. “Nga vendosja e drejtësisë për një grup të pabarabartë, që të arrihet të paktën përfshirja e pjesëmarrja e 30% të deputeteve në parlament, ligji na doli të jetë për ruajtjen e 70 përqindëshit”.

Në ditën kur u certifikuan emrat e rinj, kolegu i Kurtit nga VV-ja, Sami Kurteshi, i cili së voni u zgjodh anëtar i KQZ-së, ngriti çështjen e padrejtësisë për kandidatet sikur Kurti te kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka.

“Ne si KQZ jemi të lidhur me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe e kemi dispozitën shumë të qartë, dhe nuk lë vend për ndonjë interpretim tjetër”, iu përgjigj Daka.

Ligji me të meta

Kurti është gruaja e parë që është marrë publikisht me dispozitat e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, pasi KQZ-ja ka thënë për K2.0 se kurrë nuk kanë pranuar ankesa zyrtare prej kandidatëve pas certifikimit të deputetëve të rinj.

Pas postimit të saj në Facebook, kishte fjalë se në të kaluarën ka pasur raste të ngjashme kur gratë kanë humbur ulëset për shkak të kushtit që kandidatët duhet të jenë të të njëjtës gjini. 

“Për mua është i rëndësishëm fillimisht vetëdijësimi për këtë sikurse edhe për çdo padrejtësi që u ndodhë grave”, thotë Kurti. “Duhet të kuptohet se ç’po ndodhë”.

Ajo përmend shprehjen e shumëpërdorur: “Ligjet i kemi të mira por nuk po zbatohen”.

“E vërtetë që ligjet shpesh nuk zbatohen, por po ashtu qëndron fakti se disa ligje janë me defekte, kundërthënës ose jo të drejtë. Ky është një rast i përjashtimit me ligj përkundër frymës e ligjërimit mbi barazinë e drejtësinë që mbizotëron në Kosovë”.

Ajo thotë se do të marrë masa ligjore kundër këtij vendimi.

Në ndërkohë, zyrtaret e larta nga partia e saj, Arbërie Nagavci dhe Fatmire Mulhaxha Kollçaku, zëvendëskryetare e VV-së, kanë mbështetur deklaratat e Kurtit dhe kanë bërë thirrje për ndryshime në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme. Sidoqoftë, deri më sot as VV-ja e as partnerët qeverisës LDK-ja nuk kanë dalë me një qëndrim zyrtar për marrjen e masave që të ndryshohet legjislacioni.

Diskriminimi gjinor i institucionalizuar

Drejtoresha ekzekutive e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, Luljeta Demolli, thotë se KQZ-ja duhet të fillojë të mendojë ndryshe për legjislacionin dhe kuotën. Ajo thotë se e gjithë politika e kuotës është rrjedhojë e shtypjes dhe keqpërfaqësimit sistematik të grave.

“Nuk thotë se vetëm 30% e Kuvendit duhet të jetë i përbërë prej grave. Thotë se një minimum prej 30% të grave duhet të renditen në listat zgjedhore”, thotë ajo. “Rasti i Tinkës jep porosinë që gratë në Kuvend kurrë nuk do të jenë më shumë se 30%. Në këtë mënyrë, KQZ-ja bëhet barrë për barazinë gjinore”.

Ngjarjet e lidhura me Kurtin kanë sjellë vështrime hetuese ndaj KQZ-së, i cili është institucion me histori të diskriminimit gjinor. Pak kohë më parë u prezantuan anëtarët e saj të rinj — të gjithë burra.

Megjithatë, KQZ-ja ka marrë kritika në veçanti për mosobligimin e partive politike që t’i kenë më shumë se 30% gra në listat e tyre zgjedhore, kështu duke i dhënë prioritet Ligjit të Zgjedhjeve të Përgjithshme para Ligjit për Barazi Gjinore. E funda kërkon pjesëmarrje të barabartë të grave në secilin nivel të vendimmarrjes dhe përfaqësimit në institucionet e Kosovës, qëndrim të cilit po i jepet zë nga aktivistët dhe aktivistet për të drejtat e grave.

Është e rrallë që një parti politike apo koalicion parazgjedhor të ketë më shumë kandidate gra se minimumin prej 30% në listën zgjedhore.

Kjo kërkesë është theksuar po ashtu nga Avokati i Popullit, i cili vjet kërkoi që partitë politike të obligohen t’u japin grave dhe burrave mundësi të barabarta në listat zgjedhore, sipas Ligjit për Barazi Gjinore.

Vjeshtën e kaluar, para zgjedhjeve të përgjithshme, Avokati i Popullit i kërkoi gjykatës që të zbatojë masa të përkohshme ndaj KQZ-së, duke bërë përpjekje për të siguruar që Ligji për Barazi Gjinore të respektohet. Por, kërkesa u hodh poshtë pas disa ditësh kur Gjykata Themelore në Prishtinë konstatoi se nuk janë ofruar dëshmitë e nevojshme. Pas kësaj, kreu i institucionit të Avokatit të Popullit tha për K2.0 se gjykata “kishte harruar” që sipas Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, barra e dëshmisë i vihet të paditurit, e jo paditësit.

Përveç KQZ-së, aktivistët po ashtu theksuan se partitë politike po ashtu duhet ta pranojnë fajin që u takon për mosrespektimin e një përfaqësimi më të barabartë gjinor.

Është e rrallë që një parti politike apo koalicion parazgjedhor të ketë më shumë kandidate gra se minimumin prej 30% në listën zgjedhore. Edhe VV-ja, kandidatet gra të së cilës u zgjodhën të gjithat pa nevojën e kuotës, përfshiu vetëm 34 gra në listën prej 110 kandidatëve për deputetë.

“Nuk do të duhet të mburreshim me 30 përqindëshin në shekullin e 21-të”, thotë Demolli. “Sikur me KQZ-në, as liderët politikë nuk duhet të mburren me të. Është e vjetruar edhe për partitë politike”.  

Përtej përfaqësimit të thjeshtë

Kur u zbulua kabineti i ri, Rrjeti i Grave të Kosovës deklaroi se lidershipi duhet ta ketë cak përfaqësimin e barabartë gjinor. Edhe pse emrat e shumë këshilltarëve dhe zëvendësministrave ende nuk janë bërë të ditur, deri më sot vetëm burrat janë emëruar si zëvendësministra.

Veç nevojës për të pasur më shumë përfaqësim politik, aktivistët në Kosovë dhe rajon nënvizojnë se lufta për barazi nuk duhet të kufizohet vetëm brenda kuadrit të përfaqësimit.

Aktivistja tiranase, Liri Kuçi, thotë se pavarësisht renditjes së lartë sa i përket baraspeshës gjinore në pozita të rëndësishme, shumë shtete prapëseprapë njihen për shkelje të të drejtave të njeriut dhe kushte të tmerrshme dhe shtypëse të punës. 

“Në të tilla raste, kuota e përfaqësimit gjinor, sa mund të ndihmojë në thyerjen e hegjemonisë mashkullore në postet drejtuese dhe publike, po aq dhe ekziston mundësia që ky tregues të mos përkthehet në rezultate e politika që përmirësojnë a favorizojnë jetën dhe veprimtarinë e grave në tërësi”, thotë ajo.

Shqipëria, për shembull, është shteti i vetëm në rajon që ka përfaqësim më të mirë gjinor në pozita udhëheqëse sesa Kosova — 50% të pozitave qeverisëse zihen nga gratë. 

“Pozitat e grave në pushtet i kanë ‘shitur’ si fitore në lidhje me përfaqësimin gjinor, por që në fund të ditës i kanë shërbyer vetëm imazhit të partisë në pushtet".

Liri Kuçi, aktiviste nga Tirana

Sipas Kuçit, përfaqësimi i barabartë i grave në qeverinë e Shqipërisë nuk ka sjellë nisma të rëndësishme që do t’i sfidonin kushtet shoqërore e ekonomike të grave në shtet. Ajo thotë se pa një sistem politik që e bën qëllim luftimin e pabarazive dhe padrejtësive shoqërore, bëhet e vështirë për gratë politikane ta sfidojnë statuskuonë vetëm përmes pozitave të tyre.

“Sisteme të tilla politike si në Shqipëri, ka rezultuar se pozitat e grave në pushtet i kanë ‘shitur’ si fitore në lidhje me përfaqësimin gjinor, por që në fund të ditës i kanë shërbyer vetëm imazhit të partisë në pushtet”, thotë ajo.

“Andaj, vazhdojmë që në Shqipëri të kemi pjesë të bilanceve gra të vrara, të dhunuara, të përdhunuara, të seksualizuara, të nëpërkëmbura, të nënçmuara dhe të shtypura përditë — në familje, shkollë, punë, rrugë, emisione televizive dhe rrjete sociale vazhdimisht. U bë kohë që nuk i dëgjoj gratë përfaqësuese të parlamentit tim ta nisin fjalinë ‘Gratë në vendin tonë…’”.

Pavarësisht këtyre të metave, Kuçi thotë se në fund të fundit është më mirë për gratë të përfaqësohen në politikë dhe jetë publike.

“E drejta e votës së grave e më pas përfaqësimi në parlament, sollën ndryshime në shoqëritë ku u luftua fort për to”, thotë ajo. “Dhe erdhën si pasojë e prapavijës së fortë ndërgjegjësuese”.K

Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0.