S`fundmi | Kulturë

Brenda skenës së rokut shqiptar në Jugosllavi

Nga - 11.03.2020

Ruajtja e trashëgimisë së Festivalit BOOM në 208 faqe.

Sokol Gashi ende kujton kur u ftua në skenë bashkë me rok-bendin e tij, Fisnikët. Nën dritat e skenës, gishtat e gitaristit nisën të dridheshin — për një çast, ai u shtang nga grumbulli i madh i fytyrave të entuziazmuara që ia ngulnin sytë.

Por, trazimi i brendshëm u çlirua dhe u bë katalizë për performancë. Ishte viti 1982 dhe edicioni i parë i Festivalit BOOM, i cili u mbajt brenda kompleksit Boro-Ramizi, i pagëzuar pas dyshes partizane serbe-shqiptare për ta promovuar parimin e “vllaznim-bashkimit” të Federatës komuniste.

Me ardhjen e viteve të 80-ta, sistemi socialist i Jugosllavisë kishte nisur të shembej. Në mesin e krizave politike dhe ekonomike të shoqëruara me acarime ndëretnike, këto kohëra të paqartësisë panë një fuqizim të rebelizmit rinor. Ndërsa artistët e rinj përpiqeshin të krijonin hapësirë për shprehjen artistike përmes muzikës (dhe për t’u dëfryer), skenat e muzikës pop dhe rok lulëzuan ndër rininë kosovare.

Gashi, tash 56 vjeç, ishte zhvendosur në Njujork në fillim të viteve të 90-ta, por rinia e kaluar në Prishtinë vazhdon të gjallojë në kujtesën e tij. Ai kujton me nostalgji vështirësitë e të qenit muzikant në atë kohë.

“Atëherë në Kosovë ishte e vështirë t’i kishe mjetet për incizim, lëre më për turne, por ishin disa bende që e mbështesnim njëri tjetrin, dhe rrinim së bashku në lokalin Komiteti, i cili do të bëhej një rok-bar”, thotë ai. “Donim t’u ofronim njerëzve diçka të re, diçka që ishte e pafajshme por provokuese”. 

Është ky zeitgeist që Lura Limani dhe Rina Krasniqi mëtuan ta përjetësojnë në një zinë (revistë e vogël) që e emërtuan sipas festivalit — BOOM.

Pas një viti hulumtimesh, zina u promovua në një mbrëmje marsi në hollin e Kino Armatës — një relikt tjetër i epokës jugosllave, i cili është rikthyer vitet e fundit si pjesë e vlefshme e hapësirës kulturore. Duket e përshtatshme që festivali më i madh i rokut në Kosovë, i cili u mbajt çdo vit mes 1982 dhe 1987, të promovohet në një kinema publike të asaj kohe që u mbyll pas trazirave politike të vitit 1988 me rritjen e tensioneve në Kosovë.

Zina BOOM u promovua në Kino Armata më 9 mars.

Njerëzit nisën të shfaqen në Armatë rreth orës 20. Ndërsa disa pinin duhan jashtë portës, të tjerët kërcenin me hitet e viteve të 80-ta në holl ose çlodhesin në ulëset e kinemasë së zbrazët. Kur muzika nisi të qetësohej, turma u mblodh rreth Limanit, e cila foli shkurtimisht për zinën.

“Ky festival, në mënyrë modeste, mund të quhet Vudstoku i Kosovës”, tha ajo, që u prit me nënqeshje të çiltra. 

Rikthimi i tingujve

Duke e dëgjuar shpesh rokun shqiptar të viteve të 80-ta, dyshes i ra në mend sa pak botime ekzistojnë për këtë skenë të muzikës.

Pasi hasën në një afishe të vjetër të Festivalit BOOM, ato vendosën të shkojnë më thellë dhe mblodhën materiale prej gazetave dhe revistave të moçme sikur Rilindja, Zëri i Rinisë, Bota e Re, Kosovarja, Jedinstvo dhe Novi Svet. Ato nisën bashkëpunimin me Brilant Pirevën për hulumtimin arkivor, e më vonë e shoqëruan atë me arkivat vetjake të fotografive të mbledhura nga ish-pjesëtarët e bendeve muzikore, familjet dhe dashamirët.

“Ky trekëndëzim ishte shumë i rëndësishëm, meqenëse në shumë raste kujtesa e njerëzve u falsifikua dhe u përpoqëm të jemi sa më të saktë që është e mundur për ta rikrijuar atë kohë,” thotë redaktorja dhe hulumtuesja e zinës, Lura Limani.

Përmes dizajnit të Bardh Halitit, zina BOOM është nderim ndaj kohës së artë të skenës së rokut në Kosovë dhe pasqyrim i karakterit të saj politik, i paraqitur edhe në tekst me analiza të këngëve dhe tingujve.

Bendet nuk e kritikonin haptas sistemin politik por përdornin tema dhe motive, nëntekstet e të cilave kuptoheshin nga ata që vuanin nga e njëjta mungesë e lirisë.

“Shumica ishin këngë dashurie, përçonin tekste moderne të frymëzuara nga skena e muzikës perëndimore, të cilat më pas përshtateshin me ritmin e këngëve popullore shqipe”, thotë Krasniqi, njëra nga ideatoret dhe hulumtueset e projektit.

Ky kombinim vërehet në këngën e Minatorit “Mihane”, e cila është ripërpunim i “Susanne” të Adriano Çelentanos.

Megjithatë, këngët politike ishin po ashtu të përhapura në atë kohë — njëra nga to ishte kënga “Mikrofoni” e Gjurmëve, e cila shprehte kritikën ndaj sistemit të vëzhgimit dhe kontrollit ideologjik të shqiptarëve pas demonstatave studentore të vitit 1981. Është e shënueshme që bendet nuk e kritikonin haptas sistemin politik por përdornin tema dhe motive, nëntekstet e të cilave kuptoheshin nga ata që vuanin nga e njëjta mungesë e lirisë.

Cenzura në vitet e 80-ta ishte e hollë por e pranishme; Radio Televizioni i Prishtinës ishte studioja e vetme për incizime, dhe ndalohej incizimi i këngëve që shiheshin si moralisht të degjeneruara apo iu ndryshoheshin tekstet nga autoritetet.

“Edhe pse motivi ynë ishte të shprehnim çfarë ndjenim, ta ndanim përditshmërinë e jetës sonë, ne duhej të ruheshim kur i zgjidhnim fjalët, pra gjithmonë kishim dikë në ekip që e kontrollonte fjalorin para se të kërkonim ta përdornim studion”, thotë Gashi dhe e përmend këngën e tyre “Ujku Plak”, e cila, me fjalët e tij, është shprehje e nevojës së rinisë “për ta gjetur vetminë në mesin e problemeve me të cilat përballeshin njerëzit e Kosovës në vitet e 80-ta”.

Karakteri politik i muzikës i prodhuar në Kosovë ishte pjesë e një skenë më të madhe kundërkulturore panjugosllave. Bendet e rokut dhe popit në Bosnjë, Serbi dhe Maqedoni të Veriut frymëzoheshin nga idhujt perëndimorë, duke i kombinuar ritmet e tyre me temat  vendore, të cilat shpeshherë lidheshin me kushtet e vështira ekonomike dhe politike.

“Kishte bashkëpunim mes muzikantëve shqiptarë të rokut nga Kosova me ata të rajoneve të tjera të Jugosllavisë si akt përbashkimi, i cili s’kishte të bënte aq me etninë, sa me bashkësinë brenda vrullit për të qenë pjesë e një tërësie më të madhe, skenës ndërkombëtare të rokut, por secili bend ruante tiparet unike vendore”, thotë Limani, duke shtuar që Festivali BOOM po ashtu ftonte bende nga Sarajeva, sikur Zabranjeno Pušenje, dhe nga Beogradi, sikur Piloti.

Vështrim drejt kulturës rinore

Edhe pse muzika pop dhe rok e Kosovës ofroi kontribut origjinal për atë skenë, ajo shpeshherë lihet jashtë dokumentimit të muzikës jugosllave. “Nuk kemi pasur qasje në kurrfarë informatash për skenën, jo vetëm për bendet performuese, por as për kulturën rinore”, tha Lura Limani në fjalën e saj në Armatë.

“Prej intervistave që i kemi bërë me muzikantët e kohës, dhe prej literaturës së paktë mbi muzikën rok në Kosovë, ne e dinim që BOOM-i ka qenë festival i rëndësishëm ku të gjithë kanë dashur të performojnë, por na mungonin informatat e tjera”, shtoi ajo. “Për këtë arsye, ne e pamë [këtë projekt] si mundësi, si deriçkë për ta parë skenën e muzikës rok të Kosovës, dhe njëkohësisht si deriçkë për ta parë kulturën rinore të asaj kohe”.

Për Lura Limanin, rizbulimi i historisë së qytetit është pjesa më e rëndësishme e projektit hulumtues. Photo: Atdhe Mulla / K2.0.

Ndërsa shumica e bendeve jugosllave frymëzoheshin prej idhujve perëndimorë, roku shqiptar në Kosovë ishte nënkulturë që u shfaq si rrjedhojë e paragjykimeve rajonale që i quanin kosovarët si prapanikë dhe pamjaftueshëm modernë për të qenë pjesë e kulturës së rokut të metropoleve jugosllave.

Duke i ndjekur me vëmendje këto dinamika, zina BOOM pëfshin rrëfimin kur bendi 403, i cili ishte ftuar të performonte në festivalin kroat Jugovizija në Opatijë, u ishte nënshtruar talljeve prej muzikantëve të tjerë, gjë që pasqyron stereotipizimin ndaj kosovarëve pavarësisht qëllimeve që roku revolucionar panjugosllav t’u shmangej ndasive etnike.

Edhe pse ishte jetëshkurtër, skena e rokut kosovar shkaktoi ndryshime të mëdha në jetën kulturore dhe shoqërore të kosovarëve, duke qenë edhe revoltë ndaj regjimit socialist, edhe rebelim ndaj aparatit propagandues ndaj shqiptarëve. Përderisa disa muzikantë donin veç ta luanin muzikën që u pëlqente, arti i tyre është pjesë e historisë jugosllave që u jep nuanca dinamikave shoqërore-politike të asaj kohe.

Zina, e pasur me rrëfime, imazhe dhe copëza gazetash, mund të blihet në librarinë Dukagjini në Prishtinë.K

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.