Përderisa shkalla relativisht e ulët e vdekshmërisë nga COVID-19 krahasuar me shumicën e pandemive të ngjashme nga e kaluara është shpresëdhënëse, pasiguritë e shumta rreth saj e bëjnë më shqetësuese. Një ndër pasiguritë është efekti që mund ta ketë në ekonomi.
Ajo që nuk mund të thuhet tani është shkalla e ndikimit, e ajo që mund të thuhet është se pritshmëritë për të ardhmen nuk janë aspak të mira. Shkurt: jemi në prag të një recesioni të madh global.
Para se të analizohen lidhjet mes COVID-19 dhe krizës së mundshme ekonomike, duhet kuptuar se krizat në kapitalizëm janë të qenësishme. Në të kaluarën kanë ndodhur thuajse periodikisht dhe aktualiteti para shfaqjes së virusit nuk përbënte ndonjë përjashtim. Prandaj, në vend të një korelacioni të drejtë shkak-pasojë mes virusit dhe krizës, duhet parë virusin si shkëndijë e cila i përshpejton turbinat që e shkundin sistemin.
Ndezja e kësaj shkëndije është duke ndodhur me shmangien e kontaktit si masë parandaluese e përhapjes së virusit. Përveç shmangies së përhapjes, synohet të shmanget edhe kolapsimi i sistemeve të kujdesit shëndetësor, të cilat edhe në vendet më të zhvilluara nuk kanë kapacitete për ta kuruar tërë popullsinë në të njëjtën kohë.
Rrjedhimisht, miliona njerëz në mbarë botën janë vetizoluar, rajone të mëdha në Kinë e shtete si Italia kanë vendosur karantinë, fluturimet janë anuluar, sheshet janë zbrazur, kufijtë, shkollat, universitetet e bizneset janë mbyllur, duke e krijuar një situatë që ngjason me ato para-apokaliptike të ndonjë filmi fantashkencë.
Natyrisht se masa të tilla janë të domosdoshme dhe se asnjë indikator ekonomik s’duhet vënë para shëndetit. Megjithatë, ndonëse e pamjaftueshme për ta parashikuar shkallën e dëmeve që COVID-19 mund t’i ketë në ekonomi, kjo pikënisje është e mjaftueshme për t’i paramenduar efektet zinxhirore.
Efekti i menjëhershëm i gjithë këtyre kufizimeve është rënia e aktiviteteve ekonomike, gjë që rezulton në rënien e prodhimit dhe rritjen e çmimeve.
Por, zymtësia që del nga analiza ekonomike nuk bën të na eklipsojë horizontin. Na duhet një hap prapa për të parë se mes krizave në të tashmen dhe pasigurive për të ardhmen lindin mundësi që mund ta ndryshojnë botën.
Pritshmëritë përkundër pasigurive — shoku negativ në ofertë dhe kërkesë
Përkundër shumë pasigurive, mund të ndërtojmë një sërë pritshmërish për efektin e COVID-19 në ekonominë globale në bazë të teorive ekonomike, duke iu referuar trendeve nga e kaluara, dhe duke qenë dëshmitarë të rasteve të hershme si Kina.
Efekti i menjëhershëm i gjithë këtyre kufizimeve është rënia e aktiviteteve ekonomike, gjë që rezulton në rënien e prodhimit dhe rritjen e çmimeve. Varësisht prej kohëzgjatjes, kjo mund të rezultojë në humbjen e shumë vendeve të punës dhe mbylljen e shumë bizneseve. Humbja do të jetë e pabarabartë: do të pësojnë më shumë punëtorët që kryejnë punë të cilat vlerësohen më pak dhe bizneset e vogla.
Ky problem bëhet edhe më serioz kur dihet se plagët nga Recesioni i Madh i 2008-ës ende nuk janë shëruar plotësisht në Bashkimin Evropian e më gjerë. Rritja e borxheve publike, rritja e pabarazive ekonomike, investimet e pamjaftueshme në aktivitete që krijojnë vende pune, rritja e rrezikut të varfërisë te të punësuarit dhe papunësia e të rinjve janë disa nga trashëgimitë e tij në Evropë.
Në Kosovë, si vendi me papunësinë më të lartë në Evropë, efekti i një krize të ardhshme mund të ketë përmasa edhe më të rrezikshme. Por, këtu nuk përfundon i tërë problemi.
Pritshmëritë për të ardhmen janë ndër faktorët kryesorë që shpjegojnë veprimet e agjentëve në ekonomi, ndërsa pasiguritë për të ardhmen përbëjnë pengesën më të madhe për pritshmëritë. Rrjedhimisht, në kohë të pasigurta veprimet më të parrezikshme bëhen zbrapsja dhe pritja.
Pra, COVID-19, si ngjarje e rastësishme dhe paparishkueshme, do të jetë shok negativ në ofertë. Dhe, duke shtuar pasiguritë për të ardhmen, shoku ndikon në zbrapsjen e investitorëve dhe rënien e investimeve.
Qeveritë do ta kenë barrën kryesore për stabilizim — që nga marrja e vendimeve që ndikojnë drejtpërdrejtë në sistemet shëndetësore e deri te krijimi i rrjeteve të sigurisë për të dëmtuarit.
Në Eurozonë, niveli i investimeve në aktivitete që hapin vende pune dhe ndikojnë në zhvillim ekonomik ka qenë i ulët edhe para përhapjes së COVID-19. Gjithashtu, përveç problemit me rënien dhe përbërjen e investimeve të huaja direkte në Kosovë, edhe investimet e brendshme private pritet të zvogëlohen si pasojë e pasigurisë.
COVID-19 do të jetë shok negativ edhe në kërkesë. Ndonëse aktualisht vërshimi i supermarketeve nga paniku mund të mos e shpalosë një gjë të tillë, me vazhdimin e izolimit do të ndihet rënia e kërkesës. Edhe nëse bizneset nuk mbyllen, frika nga virusi do të bëjë që më pak njerëz t’i frekuentojnë restorantet, kinematë, shtëpitë e mallrave, etj. Gjithashtu, me rënien e punësimit bien edhe të ardhurat. Kështu, shoku negativ në kërkesë bëhet i paevitueshëm.
Në krejt këto zhvillime, qeveritë do ta kenë barrën kryesore për stabilizim — që nga marrja e vendimeve që ndikojnë drejtpërdrejtë në sistemet shëndetësore e deri te krijimi i rrjeteve të sigurisë për të dëmtuarit. Megjithatë, ato do të përballen me sfida të shumta meqë do të gjenerojnë më pak të hyra nga tatimet dhe do të detyrohen të marrin vendime të shpejta të cilat s’mund t’i plotësojnë të gjitha kërkesat që u drejtohen.
Masat para dhe gjatë krizës — politikat monetare
Shenjat e para se jemi para një recesioni të madh global tashmë po i shohim. Frika nga efektet e COVID-19 në ekonomi dhe rënia e çmimeve të naftës si pasojë e një lufte çmimesh mes Arabisë Saudite dhe Rusisë kanë bërë që çmimet në tregjet ndërkombëtare të aksioneve të shënojnë rënie historike. Paniku i krijuar nga pasiguria për të ardhmen ka përshpejtuar shitjen e aksioneve dhe rritjen e humbjeve, gjë që po vazhdon.
Ky duhet të jetë një sinjal shqetësues edhe për Kosovën, duke e ditur se rreth 1.5 miliardë euro apo ¾ e fondit pensional janë të investuara në tregjet ndërkombëtare. Humbjet në këto investime mund të jenë efektet e para direkte të recesionit global për Kosovën.
Ajo që e bën krizën edhe më shqetësuese është pasiguria rreth efektivitetit të politikave monetare nga bankat qendrore. Siç shihet më lart, një problem i madh që rezulton nga shoku negativ në ofertë dhe kërkesë është rënia e aktiviteteve ekonomike, gjë që përkthehet në rënie të qarkullimit të parave, e sidomos keshit. Këtu bëhet thelbësor roli i bankave qendrore.
Në Recesionin e Madh të 2008-ës, bankat qendrore kanë pasur rol kyç në ringjalljen e tregjeve financiare, duke siguruar likuiditet për to. Dhe, në veçanti, injektimi i parave nga Rezerva Federale (Banka Qendrore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA-së)) te bankat tjera qendrore, si ajo e BE-së, Anglisë, Japonisë, etj., ka qenë thelbësore për funksionim.
Tani janë dy komplikime.
E para, më 15 mars Rezerva Federale i uli normat e interesit gati në zero, e ngjashëm veproi edhe Banka e Anglisë. Ndërsa ka disa vite që shumë banka qendrore në Evropë kanë norma negative të interesit. Këto masa kanë për qëllim të stimulojnë shpenzimet, me ç’rast do të rritej konsumi dhe investimet. Rezultati? Vetëm një dekadë pas Recesionit të Madh, investimet në Evropë e kanë arritur nivelin e para krizës.
Ndërsa në ShBA, më 16 mars Wall Street shënoi humbjet ditore më të larta që nga viti 1987. Edhe në bursën e Londrës kanë vazhduar humbjet. Kjo sepse gjithandej po formohet përshtypja se bankave qendrore iu është harxhuar municioni meqë as normat e interesit afër zeros, madje as ato negative, nuk do ta rrisin besueshmërinë e investitorëve që situata të përmirësohet shpejt.
Banka Qendrore e Kosovës ende nuk e ka marrë hapin për t’i ulur normat e interesit.
E dyta, administrata e ShBA-së ka ndryshuar, me ç’rast ka ndryshuar edhe politika e jashtme. Fokusi kah çështjet e brendshme dhe tendenca për tërheqje nga bashkëpunimi ndërkombëtar e vë në pikëpyetje vullnetin politik për ndihmë financiare nga Rezerva Federale drejt bankave të tjera në rast të një krize financiare.
Por edhe nëse kjo ndodh dhe bankat qendrore gjithandej arrijnë të jenë likuide, pra të kenë në dispozicion para kesh dhe asete lehtësisht të konvertueshme në kesh për të operuar normalisht, do të jetë pikëpyetje se sa prej parave do të përdoren në aktivitete që e ringjallin ekonominë e sa prej tyre do të përdoren thjesht për ta paguar borxhin publik e privat të akumuluar para dhe gjatë krizës.
Banka Qendrore e Kosovës ende nuk e ka marrë hapin për t’i ulur normat e interesit. Ndonëse kjo do të jetë e nevojshme, nuk do të jetë e mjaftueshme. Megjithatë, ajo duhet të sigurohet që të ketë likuiditet, gjë që mund të jetë problem serioz gjatë krizës. Në Kosovë e kudo, paniku mund t’i shtyejë njerëzit t’i tërheqin paratë nga llogaritë rrjedhëse dhe kursimet, dhe kjo pastaj e hap kutinë e Pandorës.
Masat para dhe gjatë krizës — politikat fiskale
Pasiguritë rreth efektivitetit të politikave monetare dhe fakti që ato marrin më shumë kohë për të pasur ndikim, e kthejnë vëmendjen kah politikat fiskale. Edhe pse qeveritë do të përballen me zvogëlim të të hyrave për shkak të ngadalësimit të aktiviteteve ekonomike, ato kanë në dorë armën më efektive për këtë kohë — financat publike.
Ndarja e fondeve të veçanta për menaxhimin e pandemisë, shtyerja e afateve të deklarimit të tatimit dhe kthimit të kredive (në bashkëpunim me bankat qendrore), krijimi i skemave për kompenzimin e punëtorëve, mundësia për transferimin direkt të parave te qytetarët — këto janë disa nga masat që janë ndërmarrë apo po shqyrtohen nga qeveritë në mbarë botën. Politikat fiskale janë përcaktuese — mund t’i zbusin dëmet e krizës apo mund t’i përkeqësojnë ato.
Sado e pakuptimtë që mund të tingëllojë në këtë kohë paniku e pasigurie, që tash duhet të fillojmë të reflektojmë.
Qeveritë që orientohen drejt zbutjes së dëmeve ndaj shumicës do të arrijnë të dalin më mirë nga kriza. Fillimisht duhet të ndërtojnë rrjete të sigurisë shoqërore (e.g. skema sociale) përmes së cilave do të mbrohen qytetarët që e humbin punën dhe u zvogëlohen të ardhurat. Për financimin e tyre do të nevojiten pako stimuluese fiskale, të cilat mund të financohen pjesërisht nga mjetet e ofruara nga organizata financiare si Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Dhe, përgjatë procesit, duhet të punojnë në stimulim të kërkesës, gjë që do të marrë më shumë kohë. Duket se ky recesion do të duket më shumë si U se sa si V: rënie e shpejtë dhe rimëkëmbje që nuk ndodh shpejtë por pas një kohe.
Qeveritë që orientohen drejt shpëtimit të pasagjerëve të klasës së parë duhet të bëhen gati për turbulencë që do të jehojë gjatë. Prioritizimi i korporatave të mëdha dhe të pasurve do të sigurojë vetëm kushtet në të cilat prodhohen krizat; pra një gjë do të mbetet e sigurt: krizat nuk do të përfundojnë. Këtë e kemi parë së fundi në rastin e Recesionit të Madh, dhe ja tek flasim sot për krizën e radhës.
Mësimet që mund t’i nxjerrim — sistemi, jo virusi
Sado e pakuptimtë që mund të tingëllojë në këtë kohë paniku e pasigurie, që tash duhet të fillojmë të reflektojmë. Përderisa duhet ndërmarrë të gjitha masat për tejkalimin e pandemisë me sa më pak dëme, duhet kuptuar që përtej saj kemi të bëjmë me një sistem me shumë të meta, të cilat nuk kryhen me përfundimin e pandemisë. Prandaj, duhet që sa më parë të nxjerrim mësime, disa prej të cilave përfshijnë:
Limitet e kapitalizmit e pamundësojnë përgjigjen adekuate ndaj katastrofave si kjo pandemi. Ngarendja pas përfitimit lë shumë zbrazëtira që krizat si pandemia COVID-19 i shpërfaqin, duke nisur nga mungesa e prodhimit të testeve të nevojshme, mosinteresimi i industrive farmaceutike për të investuar në vaksina që shpëtojnë jetë por që nuk sjellin përfitime, e deri te mungesa e mobilizimit nga institucionet shëndetësore private. Këto e shumë të tjera flasin për një sistem që nuk stimulon ndërtimin e kapaciteteve për t’iu përgjigjur nevojave të shumicës.
Shteti mbetet i domosdoshëm. Kjo është antiteza e dogmës së ekonomisë së parregulluar apo e tregut vetërregullues. Tregu nuk ka aftësi për t’i rregulluar shumë çështje që ndodhin brenda tij, e aq më pak shumë çështje që janë jashtë tij. Dora e shtetit vërehet që nga mobilizimi i sistemeve shëndetësore publike për parandalim e shërim, e deri te masat që kërkohet të merren nga qeveritë për kompenzimin e dëmeve e daljen nga kriza.
Të pasurit ushtrojnë ndikim shumë më të madh në politikat e qeverive, prandaj masat e marra për rimëkëmbje nga kriza mund të mos jenë të barabarta për të gjithë.
Ndonëse i domosdoshëm, shteti është i pamjaftueshëm. Iluzioni se kufijtë e muret janë mbrojtëse të vendeve bien në ujë pasiqë virusi nuk pyet për to. Për këtë arsye, bashkëpunimi rajonal e ndërkombëtar është domosdoshmëri e pashmangshme. Pra, shpërfaqet nevoja për solidarizim e jo thjesht për konkurrencë, gjë që theksohet si virtyt i globalizmit ekonomik. Gama e bashkëpunimit ndërshtetëror zgjerohet prej shkëmbimit të informacionit dhe të dhënave si masa parandaluese, e deri te furnizimi me ndihma si masa tejkaluese.
Klasa mbetet përcaktuese. Pandemia na rikujton se shtresëzimi klasor mund të përdoret si indikator për gjasën e mbijetesës. Ndonëse në shikim të parë duket se virusi nuk njeh klasë sepse të gjithë janë të rrezikuar, gjasat e mbijetesës dhe mundësia për trajtim e përmbys atë.
Të varfërit e paushqyer apo të kequshqyer kanë imunitet më të dobët, kështu që tek ata rreziku për fatalitet mund të jetë shumë më i madh. Gjithashtu, të pasurit ushtrojnë ndikim shumë më të madh në politikat e qeverive, prandaj masat e marra për rimëkëmbje nga kriza mund të mos jenë të barabarta për të gjithë. Kjo i thellon pabarazitë, e zgjat krizën aktuale, dhe i siguron kushtet në të cilat lindin krizat e radhës.
Rrugët pas krizës
Mësimi i fundit lidhet me dy probleme tejet serioze që përvidhen gjatë dhe pas çdo pandemie: keqpërdorimet nga tregtarët dhe shfrytëzimi i situatës nga elitat. Përderisa të parët e bëjnë me qëllim të qartë përfitimi, të dytët edhe për qëllim parandalimi. Shok doktrina, siç e quan Naomi Klein, përdoret për t’i penguar mundësitë për ndryshime paradigmatike që lindin nga kriza.
Ngjashëm, i motivuar nga Recesioni i Madh dhe duke iu referuar krizave të kaluara, Philip Milowski tregon për aftësinë që elitat ekonomike e politike e kanë për të mos i lënë krizat e mëdha t’u shkojnë huq. A do të ndodhë kështu edhe me krizën e ardhshme? Mundet, por kjo nuk është rruga e vetme.
Ta zëmë, si përgjigje ndaj Depresionit të Madh, që njihet si kriza më e madhe ekonomike në historinë e vendeve të zhvilluara, SHBA-ja nxori Marrëveshjen e Re, e cila përmbante programe, projekte e reforma që synonin ta ulnin papunësinë, t’i përmirësonin kushtet e prodhimit në bujqësi e industri, dhe ta rregullonin sistemin financiar për të parandaluar përsëritjen e krizës.
Ngjashëm vepruan edhe shumë vende evropiane, të cilat si përgjigje ndaj Depresionit të Madh dhe dy luftërave botërore krijuan skema sociale, aplikuan tatimin progresiv në të ardhura, dhe përmirësuan kushtet e punës e rritën të drejtat e punëtorëve. Pra, krizat hapin edhe horizonte e krijojnë mundësi të reja.
Puna e përpilimit të alternativave është e vazhdueshme — nga propozime specifike rreth luftimit të pabarazisë e deri te manifeste gjithëpërfshirëse rreth demokratizimit e transformimit të Evropës.
Sado kundërthënës që mund të duket citimi i Milton Friedman këtu, duke ia ditur bindjet ekonomike si fundamentalist i tregut, kjo thënie e tij më së miri i përshkruan horizontet e reja që mund të hapen pas krizës:
“Vetëm një krizë – e vërtetë apo e perceptuar – prodhon ndryshim të vërtetë. Kur ndodh kriza, veprimet që merren varen nga idetë që shtrohen përreth. Ky, besoj unë, është funksioni ynë bazik: të zhvillojmë alternativa ndaj politikave ekzistuese, t’i mbajmë ato gjallë dhe të gatshme deri kur ajo që është politikisht e pamundur bëhet politikisht e paevitueshme”.
Dhe, natyrisht se pyetja që pason është: cilat janë alternativat? Duhet kuptuar se ndërtimi i tyre është sfidë e vazhdueshme, por që veçse ka prodhuar rezultate. Të motivuar nga arritjet e Marrëveshjes së Re, dhe duke e pasur parasysh rrezikun e lartë nga kriza klimatike, Marrëveshje të Reja të Gjelbra për ShBA-në dhe Evropën tashmë janë platforma politike. Natyrisht se këto nuk janë të vetmet dhe as zgjidhjet përfundimtare.
Puna e përpilimit të alternativave është e vazhdueshme — nga propozime specifike rreth luftimit të pabarazisë në pasuri e deri te manifeste gjithëpërfshirëse rreth demokratizimit e transformimit të Evropës. Këto e shumë të tjera janë vetëm disa nga projektet që tregojnë se nuk është e thënë që pas krizës të mirëmbahen kushtet të cilat e krijuan atë.
Se a do të gjejnë hapësirë aplikimi këto apo alternativa të ngjashme do ta tregojë koha. Ajo që tashmë është e qartë është se bota s’do të dalë nga kjo krizë njëjtë siç është futur. Çështja është nëse do të nxjerrim mësime e ndryshojmë kurse, apo do të shpresojmë për rezultate të tjera teksa përdorim formulën e vjetër.
Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.