Disa javë para shpërtimit të pandemisë së COVID-19 lindi diskutimi publik për atë se a duhet të jetë e diela ditë pushimi për punëtorët në sektorin privat të Kosovës. Në atë kohë, menova se ishte e rëndësishme të kontribohet në këtë diskutim nga këndvështrimi i ekonomisë së punës.
Megjithatë, meqë situata po ndryshon kaq shpejt me përhapjen e pandemisë, është e rëndësishme të cekim se ky shkrim mund të jetë relevant vetëm në afat të gjatë, pasi të jemi rimëkëmbur nga kriza e pashembullt ekonomike me të cilën do të ballafaqohemi.
Duke pasur parasysh këtë, çështja e të dielës si ditë pushimi nuk është asgjë përveç një pyetje në përpjekjet për ta përcaktuar javën normale të punës. Pa dyshim, përgjigja nuk do të mund t’i shmanget sferës ku shtrihen interesat antagoniste të kapitalistit dhe punëtorit.
Përgjatë historisë, “normalja” është përkufizuar ndryshe. Por në thelb, më e rëndësishmja ka qenë të gjendet pika optimale për t’u larguar nga qasja që i redukton punëtorët në fuqi të thjeshtë punëtore, e në vend të kësaj t’u mundësohet një jetë dinjitoze me balancë të mirë ndërmjet punës dhe kohës së lirë.
Ndonëse fillimisht mund të duket si diskutim i qartë ku qëndrimi yt varet prej asaj se nga anon, në fakt është më i ndërlikuar. Çfarë e bën më të ndërlikuar është fërkimi i interesave antagoniste që ndodh në një kontekst ku papunësia është në nivelin më të lartë në Evropë, sindikatat janë të dobëta dhe me drejtues të paaftë, dhe kapacitetet e qeverisë për monitorim dhe rregullim të tregut të punës kanë qenë të pamjaftueshme.
Pavarësisht këtyre pengesave, nuk është e shkruar që këto përpjekje të dështojnë. Çelsi i suksesit është të mësojmë prej rrugëtimeve të shteteve të tjera. Historia tregon se fillimisht punëtorët duhet të organizohen, dhe punëdhënësit duhet të përshtaten pasi të rishqyrtojnë se çfarë mund ta ndihmojë — apo ta dëmtojë — prodhimin.
Sa janë të gjata oraret e punës tani?
Mjafton vetëm një diskutim i shkurtër me ndonjë punëtor rasti për të kuptuar se ata punojnë me orare të zgjatura; shpesh pa kontrata të punës, pa sigurim shëndetësor, pa kontribute të pensionit, ose pa ditë pushimi të paguara. Ndonëse të gjitha këto çështje janë të ndërlidhura dhe meritojnë shyqrtim të mirëfilltë, fokusi këtu është kryesisht në orarin e punës. Pra, sa e rëndë është situata?
Anketa e fundit (2018) e Fuqisë Punëtore nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) tregon që më pak se 11% të punëtorëve me orar të plotë, si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat, punojnë më pak se 40 orë në javë, që do të thotë se pjesa tjetër — 89% — punojnë 40 orë apo më shumë. Sigurisht, prej atyre që punojnë më shumë se 40 orë në javë, 68% punojnë 40-48 orë, 8.4% punojnë 49-59 orë, dhe 12.9% punojnë 60 orë apo më shumë.
Në përgjithësi, në sektorin publik, burrat dhe gratë punojnë mesatarisht 39 orë në javë, dhe në ndërmarrje shtetërore burrat punojnë mesatarisht 40 orë në javë, ndërsa gratë 37 orë.
Sektori privat është krejt ndryshe — aty punohet mesatarisht 48 orë në javë (burrat 49 orë, gratë 44 orë). Për shkak të dallimeve të mëdha ndërmjet orareve të punës në këta dy sektorë, mund të supozojmë me siguri që një përqindje e madhe e atyre që punojnë 40+ orë në javë janë në sektorin privat.
Sa gjatë punojnë punëtorët në rajon?
Pasi që e diskutuam kohëzgjatjen e javëve të punës në sektorin privat dhe publik në Kosovë, ta krahasojmë atë me rajonin. Ndonëse nuk është e mundur të bëjmë një krahasim të drejtpërdrejtë pasi që ASK-ja nuk ka dhënë një mesatare të përgjithshme të orareve javore të punës për të dy sektorët, në grafikën më poshtë mund ta shohim një krahasim ndërmjet gjashtë shteteve të Ballkanit Perendimor (BP), ku statistikat e Kosovës për dy sektorët përdoren ndaras.
Ndonëse sektori publik i Kosovës është nën mesataren javore të orareve të punës në Ballkanin Perendimor, sektori privat është mjaft mbi të. Mesatarisht në një jave sektori privat i Kosovës punon 3.8 orë më shumë se ai në Mal të Zi, 4.5 orë më shumë se në Shqipëri, 5.2 orë më shumë se në Serbi, dhe 6 orë më shumë se në Maqedoninë e Veriut.
Kur e analizojmë më tej krahasimin, e shohim se situata e punëtorëve të sektorit privat kosovar nuk duket më e mirë as kur krahasohet me atë të punëtorëve në shtetet anëtare të BE-së. Grafika më poshtë tregon oraret mesatare të punës për javë në vitin 2018 për 28 shtete të BE-së, duke përfshirë edhe Mbretërinë e Bashkuar (MB).
Në vitin 2018 në BE punëtorët punuan mesatarisht 40.2 orë në javë — Danimarka kishte oraret më të shkurtra me një mesatare pre 37.8 orësh, dhe MB i kishte më të gjata me 42 orë. Kjo do të thotë se çdo javë punëtorët e sektorit privat të Kosovës punojnë mesatarisht 6 orë më shumë se punëtorët në MB, 7.8 më shumë se mesatarja e BE-së, dhe 10.2 orë më shumë se punëtorët në Danimarkë.
Është e rëndësishme ta përmendim përsëri se këto nuk janë krahasime të drejtpërdrejta, duke pasur parasysh faktin se mesataret për shtetet e tjera i paraqesin bashkërisht sektorët privatë dhe publikë. Pavarësisht kësaj, ato shërbejnë si përfaqësime (proxies) që tregojnë një krahasim të përafërt të kohëzgjatjes së javëve të punës në rajon.
Por sidoqoftë, problemi nuk është thjesht që në Kosovë punëtorët në sektorin privat po punojnë shumë më gjatë se ata në sektorin publik. dhe më gjatë se punëtorët në 6 shtetet e BP-së dhe 28 shtetet e BE-së, sepse Ligji i Punës e lejon këtë në rrethana të caktuara. Problemi është se shumë shpesh punëtorët nuk kompensohen kur punojnë gjatë – ndonjëherë për shkak se nuk kanë kontrata të punës, por edhe kur kanë, punëdhënësit nuk iu përmbahen atyre.
Çka ndikon që të tejkalohet java normale e punës?
Faktori i parë që ndikon në zgjatjen e javës 40 orëshe të punës në Kosovë është papunësia.
Për arsye të ndryshme, përfshirë këtu mospërputhjen ndërmjet sistemit të arsimit dhe ekonomisë, fuqia punëtore e tejkalon kërkesën për punëtorë në tregun e punës — si rrjedhojë e kësaj, Kosova vazhdon ta ketë nivelin më të lartë të papunësisë në Evropë. Në një treg me konkurrencë kaq të madhe, ata që punojnë ndihen të rrezikuar sepse mund të zëvendësohen lehtë, dhe çfarëdo përpjekje për të kërkuar kushte më të mira të punës përballet me rrezikun e qartë që punëdhënësit e tyre mund t’i largojnë nga puna nëse duan.
Ajo që e mundëson mbizotërimin e kësaj lehtësie të zëvendësueshmërisë është hiseja e sektorit privat në punëdhënie dhe perceptimi i përgjithshëm i aftësive të kërkuara. Në vitin 2018, katër sektorët kryesor për punësim ishin sektori i shitjes me shumicë dhe pakicë me 17%, sektori i ndërtimit me 11.9%, sektori i arsimit me 10.3% dhe ai i prodhimit me 10.3%.