“Prej xhelozisë e ke” dhe “në profil të shkruan se je feministe, por ja sa i mbështet gratë e tjera!” — këto komente më drejtohen mjaft shpesh sa herë që flas për ndonjë sjellje problematike të grave në përgjithësi. Është e vërtetë: unë identifikohem me etiketën “feministe kryqëzore”, dhe po, pa dyshim jam plotësisht për mbështetjen e grave tjera, por nuk do të thotë që thjesht të qenët grua të liron nga llogaridhënia.
Kur je feministe nuk do të thotë që duhet t’i mbështetësh të gjitha gratë pa marrë parasysh idetë dhe veprimet e tyre, sidomos kur ato ide dhe veprime i margjinalizojnë më tej gratë e grupeve që tashmë janë të margjinalizuara. Përvetësimi i kulturës së dikujt tjetër është një prej atyre gjërave që mund t’i margjinalizojë më tej njerëzit — dhe unë besoj se është koha për ta pasur një bisedë të hapur dhe të sinqertë për atë se si ne shqiptarët kemi përvetësuar kultura që nuk janë tonat.
Ndonëse ky problem sigurisht që nuk është i veçantë për gratë (shqiptare) — dhe ky artikull do të merret edhe kontributin e këngëtarë, edhe me atë të këngëtareve — e vërejta një reagim më të ashpër kur bëra përpjekje për t’i diskutuar sjelljet problematike të këngëtareve shqiptare.
Para se t’i hyjmë historisë së përvetësimit kulturor nga ana e shqiptarëve, është mirë të shpjegojmë se si përkufizohet përvetësimi kulturor, pasi ka po ashtu mënyra për ta vlerësuar kulturën. Për shembull, vlerësimi tregohet duke i shijuar ushqimet e një kulture të caktuar apo duke marrë pjesë në ngjarje të rëndësishme kulturore atëherë kur je i ftuar nga grupi i shtypur. Ta marrim për shembull Cliqme, këngëtarin zvicëran i cili e mësoi gjuhën shqipe dhe kombinon zhanrin afrobeat me këngët e tij që i këndon në gjuhën shqipe.
Ndryshe, kemi të bëjmë me përvetësim kulturor atëherë kur dikush nga një grup dominues dhe shtypës merr elemente nga një kulturë e njerëzve të cilët i kanë shtypur në mënyrë sistematike dhe/ose institucionale. Në një botë ideale, të gjithë do të kënaqeshin me kulturat e huaja pa u shqetësuar për pasojat.
Por ne nuk jetojmë në një botë ideale: ne jetojmë në një botë ku njerëzit e bardhë vazhdimisht janë munduar t’i përqeshin — dhe ndonjëherë t’i mënjanojnë — kulturat e huaja nëpërmjet kolonializmit dhe strukturave shtypëse.
Nuk është krejt bardh e zi, ka shumë pjesë të hirta ndërmjet, e prandaj është shumë e rëndësishme ta ndëgjojmë grupin e shtypur: grupi dominues nuk vendos nëse e ka vlerësuar kulturën e njerëzve të cilët i kanë shtypur, këtë e bën grupi i shtypur.
Të shtypurit si shtypës
Herën e parë që u bëra e vetëdijshme se shqiptarët po përvetësojnë kulturën e tjetrit — pa e njohur këtë “dukuri” — ishte kur e dëgjova një këngë “shqipe” me një ritëm që definitivisht nuk ishte shqip. Supozova që ishte turk, kështu që e pyeta babin tim pse zgjodhën muzikë turke para muzikës tradicionale shqiptare. Babi më tha që nuk ishte turke, por ishte muzikë rome.
U hutova fort: shqiptarët në përgjithësi nuk i donin njerëzit romë, këtë e kisha të qartë edhe para se ta vizitoja Kosovën (kur isha 10 vjeçe, dhe shkela në këtë vend për herë të parë), kështu që mendoja pse e kishin zgjedhur muzikën rome nëse ne, si popull, nuk i duam ata. Ja shtrova këtë pyetje babit, dhe përsëri, ai thjesht më tha: “Duan të duken interesantë, mendojnë që tingëllon cool dhe që kjo është mënyra për t’u bërë të njohur”.
Përdorimi i muzikës së një kulture të cilën vazhdojmë ta shtypim edhe sot, në përpjekje për t’u dukur “cool”, “interesantë”, e çkado tjetër, nuk është hiç në rregull.
Duke menduar për këtë bisedë, me të gjitha njohuritë që i kam sot si 25 vjeçare, më duket interesante se si babi, pa dijeninë e tij, ma shpjegoi pjesërisht përvetësimin kulturor. Sa kam qenë duke u rritur, nuk më kujtohet që i kam parë njerëzit romë duke u përfaqësuar në industrinë e muzikës, më shumë kam parë se si muzika e tyre është përvetësuar.
Ata artistë që i kam parë janë aq të “pranuar” nga komuniteti i shqiptarëve, saqë ashtu qysh edhe na përshtatet, ne harrojmë që ata i përkasin një pakice dhe thjesht i etiketojmë si shqiptarë. Ma kujton se si shteti në të cilin jam rritur, Holanda, na njeh neve emigrantëve si “holandezë” vetëm atëherë kur bëjmë diçka “të mirë”, por e marrim etiketën “emigrantë” sa herë i thyejmë rregullat. Përdorimi i muzikës së një kulture të cilën e kemi shtypur dhe vazhdojmë ta shtypim edhe sot, në përpjekje për t’u dukur “cool”, “interesantë”, e çkado tjetër, nuk është hiç në rregull.
Në vitet e fundit i kemi përvetësuar kulturat e tjerëve në mënyra dhe forma të ndryshme. Hera e parë që dëgjova një shqiptar duke kënduar këngë rep në gjuhën angleze — Lyrical Son në “Thong a thong” — supozova që thjesht ashtu tingëllon një shqiptar kur këndon anglisht. Por më vonë e kuptova dallimin ndërmjet anglishtës dhe anglishtës xhamaikane kur i dëgjova artistët xhamaikanë Shaggy dhe Sean Paul — për pak fillova ta dyshoja origjinën e këtyre këngëtarëve shqiptarë.
Përvetësimi i gjuhës së një shteti kaq të largët, jo vetëm gjeografikisht por edhe kulturalisht, lëre që është e pakëndshme dhe e turpshme, por është edhe e çuditshme dhe krejtësisht e panevojshme. Pse të përvetësosh diçka që llogaritet si dialekt e njëkohësisht ta përdorësh gramatikën në mënyrë të pasaktë? Është me të vërtetë ashtu siç tha babi — për të tingëlluar interesant, ndryshe, dhe për t’u bërë të njohur e për të fituar shumë para, e gjithë kjo duke përfituar nga kulturat e popujve të tjerë.
Industria e muzikës shqipe ka mjaft konkurrencë, dhe meqë artistë të ri shtohen çdo ditë, e kuptoj nevojën e madhe për të qenë origjinal dhe autentik. Prapëseprapë, përvetësimi i kulturave në rrugën drejt suksesit nuk është mënyra e duhur —edhe nëse vetëm për arsyen që është larg nga origjinaliteti dhe autenciteti.
Një tjetër mënyrë në të cilën i kemi përvetësuar kulturat është nëpërmjet frizurave dhe estetikës së përgjithshme. Më kujtohen bisedat me shqiptarë për artistë të zinj dhe shpesh ka rënë fjala për frizurat. Nuk është se nuk u dëgjua etiketimi i stileve të folkëve, të janë të rëndësishme historikisht për njerëzit e zinj nëpër botë, si “të fëlliqura”, “joprofesionale” e madje edhe “geto”. Përsëri, pasi jam rritur në Holandë, kam qenë dëshmitare e këtyre mendimeve kundër zezakëve.
Tek kur hyri në industrinë e muzikës Era Istrefi — e cila, sipas njohurive të mia, ishte këngëtarja e parë shqiptare e cila ka mbajtur dreadlocks — filluan të paraqiteshin më shumë stile flokësh të zezakëve në skenën e muzikës shqipe. Ishte gjithashtu hera e parë që fillova të dëgjoja gjëra të mira për dreadlocks. Papritmas, nuk ishin më “të fëlliqura” apo “joprofesionale” — përkundrazi, perceptoheshin si “interesant” dhe “cool”.
E udhës është të shqyrtohen privilegjet
Pikërisht këtu është problemi: kur një person nga një grup i shtypur praktikon diçka që është e qenësishme për kulturën e vet, njerëzit shpeshherë tallen me të, e përqeshin, apo thjesht e urrejnë — e kjo mund të çojë deri te shuarja e një kulture të tërë. Kur njerëzit nga grupi dominues dhe shtypës e kopjojnë kulturën me të cilën janë tallur dhe të cilën e kanë përqeshur, ata lëvdohen për këtë dhe papritmas bëhet trend, bëhet pjesë e skenës kryesore — dhe të gjithë e duan. Shumë shpesh as nuk u japin merita atyre, thuajse e kanë zbuluar vet.
Sigurisht, shqiptarët vetë nuk kanë histori të shtypjes së zezakëve, por njerëzit e bardhë në përgjithësi — të cilëve u përkasim edhe ne shqiptarët — kanë një histori të tillë dhe ne duhet t’i pranojmë mënyrat se si sjelljet tona, qofshin të qëllimshme apo të paqëllimshme, i dëmtojnë komunitetet të cilat kemi mundësi t’i shtypim.
Siç kam argumentuar në blogun tim të fundit, nuk duhet t’i shtypësh njerëzit në mënyrë aktive për të qenë shtypës. Gjithashtu, muzika jonë po arrin gjithnjë më shumë në shtete të ndryshme të botës, kështu që nuk është ide e keqe të jemi të vetëdijshëm për privilegjet tona dhe mënyrat se si veprimet tona — qofshin me apo pa qëllim — i ofendojnë grupet e margjinalizuara.
Ta marrim për shembull Era Istrefin: ajo këndon — apo së paku përpiqet të këndojë — në anglishtën xhamaikane ndërsa mban frizurë të zezakëve, e gjithashtu herë pas herë e përdorë fjalën ofenduese me shkronjën ‘N’ në këngët e saj — definitivisht nuk është diçka e mirë. Kur u bë e njohur ndërkombëtarisht me këngën e saj “BonBon”, kompania muzikore ndërkombëtare që lidhi kontratë me të u detyrua ta postonte përsëri këngën dhe ta censuronte fjalën me ‘N’. Ajo kërkoi falje që e përdori këtë fjalë në Instagram, por jo për përvetësimin e frizurave të zezakëve — mund të argumentojmë se kjo është diçka që i ndihmoi të bëhet shumë e njohur, pasi që ajo filloi të mbante dreadlocks që nga muajt e parë kur hyri në këtë biznes.
Edhe më interesante është që nuk ka mbajtur frizura të zezakëve prej që ka lidhur marrëveshje me kompaninë ndërkombëtare. Mendoj që asaj ja bënë me dije për sjelljet e dëmshme të saj dhe ajo vendosi që është më mirë të ndalet, megjithatë, është për të ardhur shumë keq që ajo nuk e shfrytëzoi mundësinë ta përdorë platformën e madhe të saj për t’i edukuar admiruesit e saj, dhe njerëzit në përgjithësi, mbi temën e përvetësimit kulturor.
Sot shohim gjithnjë më shumë artistë shqiptarë etnikë dhe njerëz “të rëndomtë” që i përvetësojnë frizurat e zezakëve me zero njohuri për historinë e frizurave të ndryshme që i përvetësojnë.
Por Era Istrefi definitivisht nuk ishte e para: e kemi parë edhe Ledri Vulën dhe Skivin me këso frizurash në videoklipin “Ah femnat”; Gjiko paturpësisht e thotë me ‘N’ disa herë në këngën e tij “My bro” që e ka bashkë me Butën; Tayna e përvetëson frizurën e zezakëve në këngën e saj “Aje” që e ka bashkë me Ledrin (ku edhe duket shumë më e zezë se zakonisht), dhe e përdor fjalën me ‘N’ në kangën e saj “Pasite” që e ka më MC Kreshën dhe Lyrical Son. Dhe vitin e kaluar, Kida doli në kryetituj pasi e postoi një fotografi të vetës me gërsheta, me ten shumë të zi dhe jonatyral, ku në përshkrimin të fotos (të cilin më pas e kishte fshirë) e kishte shkruar “Africana”.
Pak më parë e shikova Zach Fox — një shkrimtar, reper dhe komedian amerikan — duke reaguar ndaj këngës së fundit të Loredanës “Kein wort” me këngëtarin gjerman Juju. Në video klip shihet Loredana duke mbajtur durag, një kësulë që mbahet tradicionalisht nga zezakët për t’i mbrojtur flokët e procesuara të tyre sa janë në gjumë, dhe që u bë simbol i kulturës së zezakëve urban në vitet e 90-ta. Pasi e dëgjon një pjesë, ai thotë: “Më pëlqen të imagjinojë që këta janë thjesht dy Jenner dhe i thonë njëri tjetrit: “Çfarë po bëjmë? E di çfarë të bëjmë, po bëhemi të zinj, kështu ju tregojmë atyre”.
Sot shohim gjithnjë më shumë artistë shqiptarë etnikë dhe njerëz “të rëndomtë” që i përvetësojnë frizurat e zezakëve me zero njohuri për historinë e frizurave të ndryshme që i përvetësojnë — si dreadlocks, bishtalecat, gërshetat, flokët e përdredhura — por edhe për estetikën e zezakëve në përgjithësi, dhe gjithnjë tregohen haptas racistë dhe e përdorin fjalën me ‘N’ nëpër çdo të dytën këngë.
Disa prej tyre kanë ten aq falso sa që është e paqartë se cilës etni i përkasin, si dhe i hynë procedurave për t’i rritur buzët, kukat dhe gjinjtë. Është një pikturë e kompletuar: me apo pa dashje, ne po e përvetësojmë gjithë estetikën e gruas së zezë në përpjekje për t’u dukur “më cool”, “më të bukra”, “më ndryshe”. Ndërkohë, tallemi me zezakët dhe madhësinë e buzëve dhe këllqeve të tyre, dhe mundohemi t’i shtyejmë ta urrejnë lëkurën e vet duke iu referuar si “të fëlliqur” dhe “të shëmtuar”.
Qartësimi i situatës
Po më duket që po ju shoh disa prej juve që po e tundni kokën dhe po mendoni që po e teproj. “Nëse zezakët e përdorin fjalën me ‘N’, pse s’mundem unë?” Sepse fjala me N nuk është përdorur kundër nesh — shqiptarët dhe njerëzit jo të zinj në përgjithësi — për të na çnjerëzuar, kurrë, në asnjë moment në histori.
Shpresoj që mund të pajtohemi që fjalët janë të fuqishme dhe rimarrja e fjalëve që shtypësi jonë i ka përdorur kundër neve është edhe më e fuqishme. Rimarrja e fjalëve ja merr fuqinë shtypësit. Megjithatë, fjala me ‘N’ nuk na përket neve dhe prandaj nuk mund të rimerret prej nesh. E vetmja sharje që ne si shqiptarë mund ta rimarrim është “Šiptar” pasi që ka qenë e vetmja fjalë për të cilën jam e vetëdijshme që është përdorur për të na çnjerëzuar (nëse ka fjalë tjera për të cilat nuk jam e vetëdijshme, lirisht më shkruani mesazh).
Nuk është në rregull të përdorësh produkte për ta nxirë lëkurën deri në atë pikë sa të dukesh që i përket dy racave.
Disa argumentojnë që nëse fjala me ‘N’ është me të vërtetë aq ofenduese, nuk duhet të përdoret nga askush, përfshirë edhe zezakët. Megjithatë, ky është diskutim për komunitetin e zi dhe vetëm komunitetin e zi – mendimi jonë për këtë është poaq relevant sa mendimi i dikujt që nuk është shqiptar për peshën e fjalës “Šiptar”: Pra nuk është relevant.
“Nuk ka asgjë të keqe te teni. Edhe unë rrezitem shumë gjatë verës. A më duhet tash të rri larg diellit?!” — nuk ka asgjë të keqe te teni natyral, kështu që absolutisht nuk ka nevojë të rrini larg Rivierës Shqiptare gjatë verës. Por ka të keqe te përdorimi i produkteve për ta nxirë lëkurën deri në atë pikë sa të dukesh që i përket dy racave.
Gazetarja Wanna Thomper e shpiku termin blackfish, një praktikë që përdoret për ta përkufizuar procesin e “ndryshimit kozmetik të pamjes nëpërmjet kozmetikës dhe frizurave për t’u dukur se ke prejardhje të zezë”. Ajo e vë në dyshim motivin prapa përdorimit të tepërt të produkteve për ten: “A mendoj që secili person që përdorë produkte për ten dëshiron të jetë i zi? Jo domosdoshmërisht, por mendoj për nevojën për ta bërë vetën të dukesh disa nuanca më e zezë. Kë po mundohesh ta imitosh?” Unë mendoj se këto janë pyetje të rëndësishme që këngëtaret shqiptare duhet t’ia bëjnë vetës.
Nuk ka asgjë të keqe as te operacionet plastike — nuk mund të jem kurrë kundër plastikës në përgjithësi edhe nëse vetëm për shkak se njerëzit trans meritojnë të kryejnë çfarëdo procedure që e kanë të nevojshme që të ndihen më rehat në lëkurën e tyre. Por kjo nuk është për këtë: ajo që i bën këto veprime problematike është kombinimi i të gjitha gjërave të lartpërmendura — nga frizurat, te teni fals, te buzët e fryra — për të cilat vazhdimisht i kemi përqeshur zezakët dhe madje vazhdojmë ta bëjmë edhe sot.
“E gratë e zeza që i drejtojnë flokët dhe mbajnë paruke bjonde apo edhe e zbardhin lëkurën?” — po ju kuptoj. Megjithatë, ka zezakë që nga natyra kanë flokë të drejta dhe/ose të verdha — flokët e drejta dhe të verdha nuk janë të lidhura me ndonjë kulturë të caktuar.
Askush nuk duhet të krenohet me këtë. Është koha të ndalemi duke i heshtur njerëzit që flasin për përvetësimin kulturor nën maskën e “feminizmit” duke thënë “gratë nuk duhet t’i sulmojnë gratë e tjera” sepse kjo është larg sulmit: është një përpjekje për ta nisur një bisedë rreth një teme të rëndësishme prej të cilës mund të përfitojmë të gjithë si shoqëri.
Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0
Shënimi i redaktorit: Vegëza dhe shpjegime janë shtuar për t’i qartësuar disa pika rreth kulturës së zezakëve në tekstin origjinal.