Në mesin e qarqeve kulturore dhe artistike në Kosovë e përtej, Sezgin Boynik njihet për prirjen e tij në gjetjen e përpjekjeve artistike pak të hulumtuara. Gjuetia e tij e thesarit fillon me tërheqje në rastësi që rrëshqasin në shkakësi duke pasur parasysh kompleksitetin e marrëdhënieve njerëzore, lëvizjeve artistike në histori dhe në të tashmen që shkojnë përtej kombeve, projekteve imperialiste, përtej stigmës.
Falë interesimit të tij të thellë në avangardën ruse apo futurizmin rus, Boynik bëri zbulimin e rrallë të dramës “Yanko, Mbreti Shqiptar” të botuar nga Ilya Zdanevich më 1916. Një shkrimtar dhe artist gjeorgjian i cili u rebelua kundër aspiratave imperialiste pansllave ruse ndaj Shqipërisë, e trazoi vështrimin racist mbi shqiptarët në atë kohë duke bërë nderime të zëshme ndaj luftës shqiptare për liri, edhe pse në një gjuhë jo lehtë të kuptueshme nga të tjerët. Është e shkruar në Zaum, një gjuhë artificiale. Shkrimtarët avangardë u përpoqën të krijonin një gjuhë që kundërshtonte gjuhën e borgjezisë, një gjuhë që shkon përtej mënyrave konformiste të të menduarit të kuptimit vetëm përmes “kulturës së civilizuar dhe artikuluar”.
Duke ngjallur trashëgiminë e kolonializmit antifashist të ndërthurur në forma abstrakte të artit, Boynik filloi përkthimin e parë të “Yanko, Mbreti Shqiptar” ashtu që një audiencë më e gjerë të kuptojë se ekzistonte një bashkësi jokonformiste në Luftën e Parë Botërore. Lufta e Parë Botërore, një kohë kur edhe fshatarët e padalë dinin për qytetet si Durrësi si një vend në diell që duhej të pushtohej e kontrollohej dhe për shqiptarët “barbarë” që duhej të “civilizoheshin”.
Projekti është pjesë e Pykë/Shuplak-Shuplak Press, një platformë hulumtimi me bazë në Prizren, e themeluar nga Boynik bashkë me Tevfik Radën dhe Vernon Shukriun. Libri do të botohet nga Rab-Rab Press, me shpresë në pranverën e vitit 2021.
Pas prezantimit në janar në Kino Armata, të organizuar nga CHwB Kosova, Kosovo 2.0 u ul për një bisedë me Sezgin Boynik rreth avangardës ruse, jetës misterioze të Ilya Zdanevich, përfaqësimit të shqiptarëve dhe kërcënimit të pacipë por të dhunshëm të imperializmit në pragun e shqiptarëve.
K2.0: Kush ishte Ilya Zdanevich?
Sezgin Boynik: Ilya Zdanevich u lind më 1894 në Tbilisi, kryeqyteti i Gjeorgjisë, ku jetoi pjesë të jetës së tij duke lëvizur në mes të Tbilisit, Shën Petersburgut dhe Parisit. Ai ishte shkrimtar, tipograf dhe artist. Gjatë pjesës më të madhe të jetës së tij, jetesën e fitoi duke bërë punë dizajni për Coco Chanel dhe duke dizajnuar libra të veçantë arti për artistë të mirënjohur si Pikaso dhe Max Ernst. Por më e rëndësishmja, ai ishte pjesë e asaj që u bë e njohur si skena dadaiste ruse në Paris, avangarda ruse, dhe veçanërisht futurizmi rus.
Epoka e avangardës nisi në fillim të shekullit XX, me artistë dhe shkrimtarë që thyenin normat morale e estetike, trazonin standardet e shijes, skandalizonin me veprime jashtë normave dhe flisnin nga margjinat e shoqërisë. A mund të shtjelloni shkurtimisht avangardën ruse dhe futuristët rusë?
Në historinë e avangardës është e rëndësishme të bëhet dallimi nga avangarda perëndimore. Avangarda ruse shkoi në skajshmërinë e abstraksionit të gjërave, kundër objektivizmit, kundër normave që ndryshonin nga avangarda perëndimore. Ishte njëherësh dhe në vazhdimësi e teorizuar.
Siç thotë Eric Hobsbawn, lufta e parë ishte një mësim gjeografie. Tingëllon e çuditshme por ky ishte shpirti i asaj kohe.
A ishin po ashtu më të qartë në konotacionin e tyre politik?
Jo në fillim. Nuk kishte konotacion të qartë politik, jo. Nëse kishte diçka të përbashkët për futuristët ishte se urrenin borgjezinë. Ata përçmonin normat borgjeze, utilitarizmin e tyre, gjuhën e thjeshtë të shoqërisë në pushtet, të mirat e një shoqërie që ishte kryesisht klasë borgjeze mediokre e klasës së mesme dhe të lartë. Kishte futuristë që humbën rrugën dhe u bënë të djathtë e fashistë duke mbështetur luftën dhe militarizmin, sikurse futuristi italian Marinetti që më pas përkrahu Musolinin. Por futurizmi rus ishte de fakto kundër luftës, kundër ushtrisë, dhe e shihte luftën si regres që vetëm i pasuron elitat.
Pra, Ilya Zdanevich ishte pjesë e një rrjeti të futuristëve rusë, të cilët me shkrimet dhe përpjekjet e tyre artistike kundërshtonin imperializmin dhe shtypjen. Duke iu kthyer personalitetit të tij, si ndikoi puna me artistë të njohur dhe grupe dizajni sikurse Coco Chanel në arritjet e tij?
Kjo është pjesa interesante për Ilya Zdanevich-in; ai kishte lidhje dhe ishte i njohur për artistët më të vlerësuar por gjithmonë ishte i dhënë pas hulumtimit të margjinave të shoqërisë. Ai qëndroi në margjina për pjesën më të madhe të jetës së tij dhe bëri të gjitha llojet e gjërave, hulumtoi për figurat misterioze të poetëve, astronomëve dhe alkimistëve të shekullit XVIII. Të gjitha llojet e temave të çuditshme, të pahulumtuara. Ishte bizantologjist po ashtu dhe shkroi ese filozofike, zbuloi forma të reja të poezisë si “poema pamore”. Prandaj, në mesin e skenës së tij dhe të hulumtuesve të sotëm, Zdanevich njihet si figurë që ndikoi shumë në rrethin e tij. Në këtë kuptim, “Yanko, Mbreti Shqiptar” është gjithashtu dramë e njohur.
Është përmes këtij konteksti ndoshta që ai interesohet në luftën shqiptare për pavarësi, një temë e pahulumtuar dhe e lënë mënjanë gjatë periudhës së fuqive perandorake.
Po, ashtu është. Më duhet të them se Shqipëria ishte shumë e rëndësishme për Rusinë në Luftën e Parë Botërore sepse Rusia po luftonte me Gjermaninë, si pjesë e Aleancës së Antantës, pjesë e së cilës ishin Franca dhe Serbia. Rusia me Serbinë e kishin idenë pansllave për ta arritur Shqipërinë, Durrësin, një vend në diell. Përmes projekteve të tyre imperialiste, njerëz të thjeshtë në Rusi, edhe fshatarë që kurrë nuk kishin udhëtuar jashtë fshatrave të tyre, dinin për Shqipërinë falë fantazive imperialiste. Siç thotë Eric Hobsbawn, lufta e parë ishte një mësim gjeografie. Tingëllon e çuditshme por ky ishte shpirti i asaj kohe.
Megjithatë drama “Yanko, Mbreti Shqiptar” ishte nga margjinat?
Ishte një dramë që kundërshtonte racizmin kundër shqiptarëve që mbizotëronte në atë kohë. Regjimi carist i Rusisë propagandoi që Shqipëria ishte një tokë barbare e cila duhej të kontrollohej, të përfshihej nën rusët dhe serbët, të civilizohej, të udhëhiqej, të administrohej. Prandaj “Yanko, Mbreti Shqiptar” nuk është dramë që analizon Shqipërinë, është kritikë e pikëpamjes ruse ndaj shqiptarëve.
Zbulimi i dramës “Yanko, Mbreti Shqiptar” u prezantua në Kino Armata në janar nga Sezgin Boynik. Imazhet nga “Yanko” janë pamje të bëra bashkë në një video nga CHwB Kosova.
Gjatë asaj kohe, fantazitë imperialiste të Rusisë shënjestruan edhe grupe të tjera; si u bë që Zdanevich, një shkrimtar gjeorgjian, u interesua veçanërisht për shqiptarët?
E gjitha nisi me udhëtimin e tij në Shën Petersburg, në fund të 1916-tës, para Revolucionit të Tetorit. Ai u takua me një grup dadaist dhe futurist që botonte një revistë anarkiste avangardë të quajtur “Bloodless Murder” (“Vrasje Pa Gjak”). Në kulmin e regjimit shtypës carist dhe Luftës së Parë Botërore ata publikuan disa edicione — një lëvizje e guximshme për atë kohë.
Brenda kësaj nënkulture, Zdanevich u lidh me Olga Leshkova-n, e cila i tregoi një edicion të një reviste dedikuar tërësisht Shqipërisë. Jo duke analizuar Shqipërinë, por duke kritikuar racizmin ndaj shqiptarëve.
A kishte ndonjë arsye të veçantë që ata të shkruanin këtë edicion në atë kohë?
Çfarë ndodhi ishte se një simpatizues i futurizmit të majtë rus, Yanko Lavrin, i cili ishte i lindur në Slloveni, ndërroi anët në mënyrë radikale. U bë konservativ e më pas nacionalist. Në atë kohë, gjatë punës si shkrimtar në revista promonarkiste siç ishte “New Times” (“Kohët e Reja”), Lavrin ishte caktuar të bënte një reportazh për Serbinë, Jugsllavinë dhe Shqipërinë. Dhe reportazhi doli tmerrësisht racist. Kjo u përcoll nga libri “Albania, Land of Eternal War” (“Shqipëria, Tokë e Luftës së Përjetshme”), një vështrim i tmerrshëm kolonial mbi Shqipërinë që portretizonte njerëzit si të egër, përtej çdo nocioni të kulturës, duke folur për ta në termat më të tmerrshëm. Pas këtij publikimi, futuristët rusë, përfshirë edhe “Bloodless Murder” (“Vrasje Pa Gjak”), e bënë atë armik të tyre. Ata i kushtuan një edicion të tërë special të revistës së tyre kritikës së pikëpamjeve të Lavrin-it.
A vjen emri i shfaqjes nga kjo?
Po, kur Zdanevich e lexoi edicionin dhe foli me botuesit, u prek nga ky brutalitet dhe ishte i zemëruar me të. Prandaj vendosi të shkruante një dramë, një tallje me Yanko Lavrin, të kthyer në personazh fiktiv në “Yanko, Mbreti i Shqiptarëve”.
Tani mendoj se është momenti i duhur të lëshohemi më thellë në narrativën e dramës. Çfarë dëshiron Yanko, a është hero, antihero, cili është konflikti në dramë?
Yanko dëshiron të bëhet mbret i Shqipërisë, por është i frikësuar. Drama fillon me një grindje vallëzimi mes një grupi banditësh shqiptarë dhe Yankos. Banditët pyesin: “Prej nga e marrim mbretin?” Në atë moment Yanko është duke luajtur me një plesht. Banditët e kapin Yankon dhe i kërkojnë të bëhet mbreti i tyre. Ai ka një monolog të shkëlqyeshëm si mbret. Por banditët dhe njerëzit shqiptarë e thërrasin Yankon gomar. Prenk Bib Doda (një personazh dyshues) e lyen fronin me ngjitës. Yanko provon të shkoqet me ndihmën e një doktori gjerman. Por Yanko nuk mund të largohet dhe mbetet i mbërthyer për froni. Në fund, banditët e vrasin Yankon.
Nuk kishte huti rreth faktit se drama e Zdanevich-it ishte në kundërshtim me sistemin në pushtet.
Kjo në të vërtetë tingëllon si një dramë absurdi. Në shikim të parë, janë prapë shqiptarët që marrin rolin e të qenit barbarë të dhunshëm të vetorganizuar. Si mund ta përcaktoni se ishte subversive dhe përkrahte luftën e shqiptarëve kundër imperializmit pansllav?
Gjëja e parë që duhet thënë është se e gjithë drama është shumë dadaiste, eksperimentale për të thënë. Nuk mund të kuptosh shumë nga analiza e tij sociale dhe konteksti historik. Por një gjë kuptohet qartë, se ai ishte absolutisht kundër synimeve imperialiste, raciste, nacionaliste, pansllave, panruse.
Si?
Drama është tallje me Yankon e vërtetë, i cili në dramë paraqitet përmes figurës së një “do-të-jetë” mbreti që sidoqoftë është i dobët, e i cili vuan nga kompleksi i pacipë i superioritetit. Dhe pastaj ke banditët që e kundërshtojnë atë, duke e rrëzuar mbretin. Drama ka një mikpritës të bazuar në Zdanevich-in, i cili prezanton kontekstin e dramës në një formë të intervenimit brehtian duke e vendosur atë në kontekst.
Drama përdor teknikat e absurdit për të kundërshtuar racizmin antishqiptar dhe fantazitë imperialiste. Imazhet nga “Yanko” janë pamje të bëra bashkë në një video nga CHwB Kosova.
Pra mund të kuptojmë më shumë për dramën kur shikojmë përtej narrativës, drejt mjeteve stilistike dhe formës?
Po, drama është përzierje e kabaresë, operës, absurdit. Kishte një lloj çmendurie të përfshirë në tonet e dramës, një kritikë e luftës që sidoqoftë nuk ishte plotësisht aty. Duhet të dihet që kur Zdanevich deshi ta botonte dramën më 1917, ai u censurua nga carizmi rus për shkak të vargjeve të paturpshme dhe talljes me zyrtarët dhe mbretërinë. Nuk kishte huti rreth faktit se drama e Zdanevich-it ishte në kundërshtim me sistemin në pushtet.
Siç lexova, drama u shkrua në Zaum, një gjuhë alternative e shpikur nga futuristët rusë, duke përdorur fonetikën dhe fjalët abstrakte nga gjuhët për të formuar estetikisht një antigjuhë?
Zaum u zbulua nga futuristët rusë jo domosdoshmërisht si antigjuhë, por si gjuhë në vetvete. Një gjuhë që shkon përtej mënyrave tona të parafabrikuara të gjetjes së kuptimit. Teoria e tyre e Zaumit u bazua në këtë ide, të zbulohet çfarë është përbërja e vërtetë e gjuhës si materiale. Sepse kur shkruan poezi, përdor të njëjtën gjuhë si rusishten apo shqipen — fjalë të përbashkëta që tashmë kanë një jetë. Në poetikë, gjuha është ndryshe, gjuha transformohet. Më vonë, teatri futurist rus përdorte Zaumin në dramat e tyre, me Zdanevich-in si pionier. Yanko ishte drama e tij e parë Zaum, më vonë të quajtura drama “Dra”.
Drama do të botohet në verën e vitit 2021. Imazhet nga “Yanko” janë pamje të bëra bashkë në një video nga CHwB Kosova.
Çfarë ishte Zaum, si u përdor në “Yanko, Mbreti Shqiptar” dhe çka i dha dramës që na ndihmon të kuptojmë mesazhin e saj sot?
Zaum zbulon elementaren, thelbin që tregon analizën e tyre sociale dhe politike. Për shembull, ata e kundërshtuan gjuhën konvencionale si gjuhë borgjeze, kuptimi i tyre i holluar i asaj çfarë arti është dhe çfarë duhet të bëjë. Abstraktja dhe çlirimi nga normat ishte mënyra e tyre për t’iu qasur gjërave. Në gjuhë ata zbuluan një gjuhë që shkoi përtej gjuhëve kombëtare, që më pas u quajt Zaum.
Duke përdorur fonetikën e nxjerrë nga rusishtja dhe gjuhët e tjera, Zaum është një gjuhë e enkriptuar me fjalë të shpikura, disa të shqiptueshme disa jo, disa më të gjata disa vetëm zhurmë. Kështu që tingujt janë shumë të rëndësishëm për këtë dramë. Është e shkruar dhe e performuar në Zaum me disa fjalë të kuptueshme në gjuhë të zakonshme, kryesisht rusisht.
Si duket gjuha Zaum? Këta janë rreshtat që hapin "Zaum, Mbreti Shqiptar":
deer sitizens heer iz ðe akt janko kiŋ of albejnja baj fejmas
albejnjen poet brbr birzhofka hiro dedikejted to ol
ga ljashkova heer ðej du not speek albejnjen and bladle
ss merdr produses akt alas wiðaut translejshn
bekoz albejnjen lengweg livs alongsaid inglish stems from yt ju
maj obzerv werds whitsh rizembl inglish satsh az ass klatz
gamshu and sou forth bekoz words in albejnjen hav
non inglish meening satsh az ass meening (ai omit meening
thru nou folt of majn) and sou on whitsh iz whai dount worri
remembr satsh iz ðe albejnjen lengweg
—Ky është një përthim i Zaum në anglisht dhe pastaj drama vazhdon me mjete të qarta humoristike dhe infantilizim.
A mund ta jepni një shembull të ndërlidhur me përfaqësimin e shqiptarëve në dramë?
Po, sigurisht. Për shembull në dramë togfjalëshi “terpentinë e lirë” përmendet në vazhdimësi, që është rusishte e abstraktuar për “shqiptar i lirë” duke u referuar shqiptarëve, një element i fuqishëm që nuk mund të përfshihet në gjuhën e zakonshme, konvencionale, civilizuese, por është përtej-kuptimore.
Këtu përfaqësimi i shqiptarëve dekonstruktohet përmes një gjuhe që u perceptua si më e përparuar se gjuha normative e civilizimit perëndimor, në këtë gjuhë flitet për shqiptarët. Është përtej gjuhës kulturore. Është avangarde, është Zaum dhe de fakto e pranon kërkesën për një Shqipëri të lirë e të pavarur.
Por a nuk është joemancipuese të mos përdorësh gjuhën e një grupi të shtypur?
Duhet të kuptohet që për futuristët rusë Zaumi shkonte përtej strukturimit të gjuhëve në kultura dhe nacionalizma, ishte përtej nocionit të civilizimit, më e mirë se sa gjuhët normative, prandaj dhënia e kësaj të folure shqiptarëve në dramë ishte emancipuese. Në të njëjtën kohë, doktori gjerman e flet një parodi të gjermanishtes gjë që e bën të duket budalla. Por banditët janë të fuqishëm, si një proletariat i revoltuar. Shqiptarët flasin dhe këndojnë shumicën e kohës, fjalë të shqiptueshme dhe të pashqiptueshme, të shkëputura nga ndonjë alfabet, të thëna me qëllime të ndryshme. Duhet të kuptohet që Zaum është sikurse një rebus; mund të ketë shumë shtresa, ka shumë linja të rrëfimit, është shumë komplekse.
Pra, Zaum i komunikon tensionet përmes ritmit dhe tingujve?
Po. Futuristët rusë zbuluan se është kryesisht ritmi që u jep më shumë dimension fjalëve. Logjikisht e pyetën veten nëse përbërësi kryesor i gjuhës është tingulli, a kemi në të vërtetë nevojë për fjalë të lexueshme? A mund të bëjmë një fjalim, një poezi, duke përdorur vetëm tingullin dhe ritmin? Dhe këtu vjen Zaum, që është përtej-kuptimore. Sepse ideja e tyre ishte se kur lexon një tekst me fjalë, fillon e nënvetëdijshmja dhe disi i detektohen ritmet. Kjo është historia e Zaum — filloi rreth 1913 dhe 1914 dhe ishte e ndikuar nga një përpjekje e përgjithshme avangarde për abstraksion dhe përfaqësim jo-objektiv.
Në përgjithësi, “Yanko” është vepër legjendare për të gjithë ata që ishin pjesë e avangardizmit.
Ku dhe kur e zbuluat shfaqjen fillimisht?
Unë hasa në punën e tij kur isha i ftuar në një rezidencë arti në Tbilisi, Gjeorgji, më 2014. Në atë kohë isha i interesuar në atë se çfarë ndodhi me futuristët ruse që lanë Bashkimin Sovjetik pas revolucionit të Tetorit dhe shkuan në Gjeorgji. Nga 1918 deri më 1921 kur Gjeorgjia u pushtua prej bolshevikëve nga Rusia, ishte udhëhequr si shtet në një eksperiment socialist. Ishte e majtë socialiste por për dallim nga bolshevikët, ideja e një Republike Socialiste Demokratike të Gjeorgjisë po krijohej.
Dhe ishte pikërisht kjo kohë kur Ilya Zdanevich po jetonte aty në mesin e poetëve të tjerë avangardë rusë sikurse Alexei Kruchonykh i cili themeloi shtëpinë botuese “41 Gradë”.
Yanko ishte pjesë e trashëgimisë nëntokësore dhe e kontekstualizoi atë. Si ishte pritja që iu bë dramës?
Ishte shumë e mirë. Edhe pse Zdanevich bëri edhe katër drama të tjera në gjuhën Zaum, të cilat ishin shumë më të komplikuara në dizajn dhe më të avancuara në përdorimin e gjuhës, ai u duk se kishte një përkushtim të veçantë për dramën e tij të parë “Yanko”. Po ashtu, grupi i tij i gjerë i artistëve të njohur avangardë e konsideruan “Yankon” si një “Zaum klasik”. Alexei Kruchonykh gjithmonë i është referuar “Yankos” si shembulli më i mirë i Zaumit që na mundëson të kuptojmë aspektin social dhe politik të gjuhës avangarde.
Kur ishte premiera e dramës? A kishte më shumë se një inskenim?
Premiera u dha në Shën Petersburg në 1916. Rikrijimi i performancës së parë duket të jetë festuar me vallëzime gazmore më pas. Performimi i dramës ishte mjaft i guximshëm në atë kohë, në kulmin e Luftës së Parë Botërore. Më vonë, më 1922, Zdanevich u ftua nga Viktor Shklovsky në Berlin. Berlini ishte epiqendra e avangardës ruse dhe Shklovsky ishte formalist rus dhe shkrimtar shumë i rëndësishëm.
Edhe pse Zdanevich u admirua për dramat e tij më të përparuara “Zaum”, ai e performoi “Yanko, Mbreti Shqiptar” përpara personaliteteve të njohura. Një vit më vonë, gjatë një ligjërate në Paris, Zdanevich shpjegoi se Berlini ishte bërë “kiç”, duke e popullarizuar avangardën; me “Yankon” u ndje se performonte një punë origjinale të sinqertë margjinale. Në përgjithësi, “Yanko” është vepër legjendare për të gjithë ata që ishin pjesë e avangardizmit.
“Yanko” është vepër e veçantë nga lëvizja e futurizmit rus. Foto nga Brilant Pireva.
A shpresoni të gjeni audiencë në Kosovë dhe Shqipëri gjithashtu? Pse mendoni që sot është e rëndësishme të kthehemi prapa te kultura avangarde dhe futurizmi rus?
Mendimi im për format e artit eksperimental është shumë i qartë. Le të themi se mënyra si e prezantojmë historinë ndonjëherë duket lineare dhe paralele, por qasjet avangarde, eksperimentale dhe mjetet artistike e kanë potencialin për ta shumëfishuar historinë. Historia është shumë dialektike, ka kondensim, boshllëk; nuk mund ta tregoni historinë si rrugë të shkurtuar.
Prandaj mendoj se format avangarde mund ta përfaqësojnë këtë më mirë se ngjarjet historike tradicionale. Ka shumë më shumë detaje se një aspekt. Vetëm kur shikojmë në Kosovën dhe Shqipërinë e 1916-tës, gjejmë gjurmë të Rusisë, Jugosllavisë, Serbisë, Francës, politikës dhe ekonomisë që flasin për dinamikat e pushtetit. Prandaj më tregoni cilën nga këto e hulumtoni të parën, cilën e përjashtoni, cilës i jepni përparësi?
Sa më shumë që di, aq më pak mund të përjashtosh.
Pikërisht. Por mund të kesh një ide se çka është e rëndësishme, apo të fokusesh në një mjet dhe t’i sillesh përreth. Është një ftesë për të hulumtuar këto dilema, për të rrëmuar në elemente. Prandaj është kaq e rëndësishme. Tingëllon si klishe, por këtë më së miri e përshkruan studimi i Walter Benjamin-it i shekullit XIX ku ai inicion një projekt hulumtues fragmentar duke na shtyrë që të zgjohemi nga “ëndrra e shekullit XIX”. Zdanevich është pjesë e kësaj, ai do të flasë nga margjinat përmes përdorimit të elementeve dhe formave të shtrembëruara dhe jokonvencionale. Shpresoj që të gjithë njerëzit të jenë të interesuar në këtë, dhe normalisht jo vetëm në Shqipëri dhe Kosovë. Mund t’i japë shumë gjithsecilit, pavarësisht se nga vijnë.
A mendoni se nëse njerëzit do të merreshin më shumë me avangardën, do t’u ndihmonte për të kuptuar historinë në një mënyrë që është më pak e ndikuar nga ideologjia perëndimore?
Po, ideologjia perëndimore dhe më pak nga ideologjia nacionaliste kur është shumë ë thjeshtësuar. Duhet të mësohemi të sqarojmë historinë e shekullit XX që demaskon shabllonet.K
Imazhi i ballinës: Majlinda Hoxha / K2.0.