Pikëpamje | COVID-19

Rizbulimi i Beogradit në vlugun e pandemisë

Nga - 11.08.2020

Një virus mund të të dëftojë se ku ke dëshirë të jesh.

Mars

Disa ditë pasi mbërrita në Beograd, Serbia mbylli kufijtë e saj.

Ma merrte mendja se kjo mund të ndodhë kur vendosa të udhëtoja. Por, pasi bëra hesap çdo gjë, mendova se do të ishte më mirë të mbyllesha brenda Serbisë sesa të mbetesha jashtë. Gjatë dy javëve paraprake isha e fiksuar në lajme sikur shikoja ardhjen e një dallge gjigante. Çastet sikur ky qartësojnë ndjenjën e përkatësisë dhe të rrëfejnë se ku ke më së shumti dëshirë të jesh — ai vend doli të jetë Beogradi.

Kam kaluar shumë kohë në këtë qytet gjatë 20 viteve të kaluara. Edhe pse kam lindur në Mbretërinë e Bashkuar, familja ime është serbe. Miqtë dhe të afërmit e mi jetojnë këtu. Pas Londrës, Beogradi është mbase qyteti që njoh më së miri. Por para kësaj here, unë kisha vija këtu vetëm për një ose dy javë në çdo udhëtim, si kalimtare e përhershme.

Shteti u kyç. Ora policore u vendos nga ora 8 e mbrëmjes në fillim, por më vonë u zgjerua nga ora 5 e mbrëmjes deri në 5 të mëngjesit. Pleqtë mbi moshën 65 vjeçe këshillohen të rrinë brenda gjatë gjithë kohës dhe lejohen të dalin vetëm një herë në jave për të shkuar në dyqan mes orës 4 deri në 7 të mëngjesit.

Policia e armatosur shihet duke patrulluar rrugët ndërsa fillojnë ta ndërtojnë një spital të përkohshëm në Panairin e Beogradit.

Presidenti Aleksandar Vučić del në televizor me dridhma që të flet për nevojën e mbrojtjes së baba-s (gjyshes) dhe deda-s (gjyshit), gjë që tërbon nënën time. Nuk jam gjyshe bre dreqi e hëngërt, murmuriti ajo.

Rruga ku jeton, e cila dikur ishte plot kakofoni, me burra që rrapëllonin në motoçikletat e tyre dhe me vozitës që u binin sirenave të veturave, papritmas u bë çuditërisht e qetë. Një mëngjes u zgjova për të parë se kishte borë mbi çatitë e shtëpive. Bëra shaka se më ishte turbulluar koncepti i kohës. Thosha, sa muaj ka që jemi mbyllur brenda? Cili vit është? Nënës sime nuk i qeshej me këtë.

Policia e armatosur shihet duke patrulluar rrugët ndërsa fillojnë ta ndërtojnë një spital të përkohshëm në Panairin e Beogradit. Pas ditëve të para, njerëzit fillojnë të dalin në ballkonet e tyre në orën 8 të mbrëmjes për të duartrokitur në shenjë solidariteti për punëtorët shëndetësorë të Serbisë. Është e qartë se do të jem këtu për mjaft kohë.

Prill

Përgjatë javëve që kalojnë, ndërtoj një intimitet dhe familjarizim me rutinën e personit që jeton në banesën mbi mua, stërvitjet e mëngjesit dhe ushtrimet e pasdites me piano.

Gjatë fundjavëve, kur nuk lejohemi të dalim fare nga banesa, gjej veten pranë dritares duke shikuar njerëzit në ndërtesën përballë që enden vërdallë në tarracën e tyre të vogël në çati. Pa paralajmërim, mikut i zgjatet periudha dyjavore e karantinimit në një muaj, 28 ditë të mbyllur.

Foto: Natasha Tripney.

Gjatë javës, sidoqoftë, mund të dalë për shëtitje të shkurtra përreth bllokut, por kur dal jashtë ndihem tejet e ankthshme, e tmerruar se mund të bëhem pahiri bartëse e virusit. Çlirohem kur kthehem në banesë. Frika është po aq ngjitëse sa çdo virus.

Në fundjavën e Pashkëve Ortodokse vendoset ora policore për tri ditë e gjysmë. Fqinja jonë, e cila nuk ka dalë nga banesa e saj për më shumë se një muaj, thotë se i kujtohen vitet e 90-ta.

Një natë dëgjojmë fishkëllima dhe kërcëllima nga nga një ndërtesë jo fort larg nga ne. Natën e radhës, zhurma bëhet më e madhe dhe më e rregullt. Saktësisht në orën 8:05 të mbrëmjes, pas duartrokitjeve të përditshme për punëtorët shëndetësore, rrahjet e duarve dhe brohoritjet shndërrohen në “bukom protiv diktatura” (zhurma kundër diktaturës), një shprehje karnivaleske e frustrimit ndaj taktikave vrazhda të Vučić-it.

Dikush që banon në lagjen tonë nxjerr altoparlantët në ballkon dhe lëshon këngë të Goran Bregović-it. Siç pritej, dikush rroku kitarën dhe këndoi Bella Ciao. Një mbrëmje, pasi kishte përjetuar këto ngjarje për disa net, një grua e vjetër dhe e sertë përballë ndërtesës sonë nxori një tigan dhe e godiste me gusto.

Disa thonë se protestat janë të kota dhe paçka se ndikimi i tyre është minimal, ka diçka të fuqishme në aktin e zhurmimit të përbashkët. Gjatë kësaj periudhe të paqartësisë dhe të izolimit fizik, psikologjik e shoqëror, kjo orkestër spontane e ballkoneve jep një ndjenjë çlirimi dhe na përkujton se, pavarësisht nga fakti se jemi të mbyllur brenda, askush nuk është vetëm.

Disa ditë pas kësaj fillojnë kundërprotestat. Pishtarët digjen në çati, me flakë të kuqe kundrejt natës së errët. Ende pritet që zgjedhjet të mbahen në qershor.

Maj

Të nesërmen e ditës së Shën Gjergjit u hoq ora policore. Baret dhe restorantet nisën të rihapeshin, kurse kamerierët mbanin maska dhe mburoja fytyre. Kafenë e parë që pimë jashtë banesës, duke e mbajtur me duar të njomura nga dezinfektuesi, na vjen jashtëzakonisht ëmbël dhe na duket pakëz ilegale.

Miladin Ševarlić është deputeti i parë që mban grevë urie në shenjë proteste kundër “dështimit të qeverisë për ta zbatuar Rezolutën 1244” për Kosovën, të cilin e quan shkelje të integritetit territorial të Serbisë. Drejtuesi i partisë nacionaliste Dveri Boško Obradović bashkohet në protestë, duke kërkuar që të shtyhen zgjedhjet. Më pas, dy anëtarë të Partisë Progresive Serbe nga pozita nisin protestat e tyre. Prit pak ta kap këtë, i them nënës; po bëjnë protestë kundër protestës së tyre? Ashtu duket, thotë ajo.

Përhapet ndjenja që Serbia ka mundur pandeminë, të cilën qeveria jo vetëm që nuk e kundërshton, por e nxit.

Ševarlić shpejt heq dorë, i bezidsur që akti i tij u vë në hije, por Obradović ngul këmbë. Kur eca pranë Kuvendit Kombëtar disa ditë më vonë, e pashë tek rrinte i vetmuar në një hijesirë të vogël në shkallët e ndërtesës; pranë tij s’ishte askush, nuk kishte audiencë.

Dalëngadalë, njerëzit nisin të relaksohen. Shumë e më shumë njerëz vënë maskat në gushë si rroba të varura dhe përhapet ndjenja që Serbia ka mundur pandeminë, të cilën qeveria jo vetëm që nuk e kundërshton, por e nxit.

Druri që shihet nga dritarja ime, i cili ishte i zhveshur kur kisha ardhur, është mbuluar me gjethe të reja.

Qershor

I gjithë muaji kalon herë me shi, herë me pa të. Ka rrebeshe të papritura dhe vetëtima që degëzohen nëpër qiell. Në Serbinë perëndimore ka vërshime. Gjatë netëve rrimë në ballkon dhe shikojmë shiun duke reshur ndërsa merr trajtë një lumë në rrugën poshtë.

Në ditët e thata bëj shëtitje të gjata duke i shijuar tingujt dhe kundërmimet e njohura të qytetit dhe kërkoj copëzat e Beogradit që nëna ime do t’i njihte si vajzë e re. Një mëngjes hyj në një kthesë dhe gati bie në një gropë. I gjithë trotuari ishte gërmuar nga punëtorët, dhe kjo shërben si rikujtim që në Beograd nuk duhet kurrë ta marrësh për të mirëqenë tokën nën këmbët e tua.

Foto: Natasha Tripney.

Më 7 qershor, 4,000 njerëz që kishin dalë pozitivë me virusin u shpallën të shëruar, duke e zvogëluar tepër numrin e të infektuarve aktivë. Më 10 qershor, afro 25,000 njerëz mblidhen për ta parë Partizanin duke ngadhënjyer në Derbin e Beogradit. Jetët e miqve të mi në Mbretërinë e Bashkuar janë ende në fashë, por këtu dita duket mjaft normale. Vëmendja e partisë në pushtet është e përqendruar në fushatë meqenëse zgjedhjet po afrohen.

Ato ndodhën sipas planit më 21 qershor. Pavarësisht nga thirrjet për bojkot dhe nga dalja e ulët, Partia Progresive fitoi me një shumicë të madhe.

Mandej gjërat nisën të ndryshojnë. BIRN-i publikon një raport të bazuar në sistemin e të dhënave shtetërore për COVID-19, i cili tregon se Serbia ka zvogëluar shifrat e infektimeve dhe të vdekjeve me COVID-19 — në të vërtetë, numrat e infektimeve në periudhën para zgjedhjeve kishin qenë në rritje. Novak Đoković del pozitiv. Disa figura kyçe të qeverisë — përfshirë Ministrin e Mbrojtjes Aleksandar Vulin — po ashtu dalin pozitivë, pasi nisin të qarkullojnë foto të tyre krahë për krahë gjatë një feste paszgjedhore.

Kryeministrja Ana Brnabić dhe Ministri i Shëndetësisë Zlatibor Lončar fyhen nga protestuesit në Novi-Pazar, një qytezë që është goditur rëndë nga kriza. Brnabić ua lë fajin “lajmeve të rreme” për përgjigjen e tyre.

Pas një muaji të vrënjtur plot me shi, del dielli.

Korrik

Numri i të infektuarve vazhdon të rritet. Një varg performancash të jashtme në stadiumin Tasmajdan, të organizuara nga teatrot e qytetit, anulohen. 

Faji për rritjen e infektimeve u lihet studentëve dhe detyrohet mbyllja e konvikteve. Studentët bëhen bashkë para Kuvendit Kombëtar për të shpjeguar se dërgimi i tyre në shtëpi te familjet vetëm do ta rriste përhapjen. Vendimi përmbyset shpejt.

Pastaj, më 7 korrik, Vučić njofton për një orë të re policore gjatë fundjavëve, një rikthim te masat tepër kufizuese të marsit dhe prillit, gjë që për disa është thjesht tejkalim. Protestuesit grumbullohen pranë Kuvendit Kombëtar; disa prej tyre madje ia dalin të hyjnë brenda.

Një i ri i merakosur tregon me trishtim se babai i kishte vdekur nga COVID-19. Nuk kishte pasur mjaft ventilatorë. Baba, kjo është për ty, thotë ai. Gazi lotsjellës hidhet lirshëm. Shkopinjtë mbahen nga duart e policëve. Njerëzit rrihen.

Photo: Natasha Tripney.

Edhe pse sytë i janë bërë të kuq si gjaku, gazetarja e N1 Jelena Zorić nuk ndalon së raportuari nga zemra e protestës. E shikojmë deri pas mesnatës. Ndërkaq, transmetuesi publik i Serbisë RTS shfaq një film me aktorin Jackie Chan.

Qarkullon një video ku goditen nga policia tre burra që rrinë në një stol. Qarkullon një video tjetër e një burri të kruspulluar tek rrihet nga disa policë në rrugë. Pasditen tjetër shoh një numër të madh policësh me pajisje të veçanta, disa prej tyre me kuaj, të mbedhur prapa Kuvendit Kombëtar duke u përgatitur për performancën e mbrëmjes.

Nata e dytë e protestave ka edhe më shumë përplasje dhe ndeshje sesa e para. Gaz lotsjellës. Shkopinj. Sulmohen disa gazetarë. Kur dalim në ballkon, prej disa rrugë më larg na djegin grykët dhe hyjmë sërish brenda.

Në natën e tretë, diçka ndryshon. Të rinjtë me vullnet për ta marrë kontrollin e protestë, përdorin teknika paqësore për ta qetësuar dhe për ta rimarrë situatën. Ata ulen në tokë dhe ngulin këmbë që të tjerët t’iu bashkohen. Ka përqafime dhe këngë. Kur shfaqet një grup protestuesish belaxhinj, të ulurit i heshin. Është një çast shprese.

Por kjo nuk zgjat shumë.

Në ditën e katërt shoh një burrë që shet bilbila, shami dhe maska si të filmit “V for Vendetta” afër Parkut të Pionierëve. Këtë herë, policët qëndrojnë në formacion të rreptë dhe me mburoja para ndërtesës ndërsa një grup i vogël i burrave shtatmëdhenj u hedhin gjësende në mënyrë që ata të reagojnë. Pjesa tjetër e protestuesve vëzhgon me merak. Ndjenja e rezistencës dhe optimizmit nga nata e mbrëmshme është shpartalluar.

Frika është ngjitëse, por e tillë është edhe shpresa.

Gjatë ditëve në vazhdim, protestat ripërqendrohen për lirimin e të arrestuarve. Maskat bëhen të detyrueshme. Vendosen kufizime për numrin e njerëzve që mund të marrin pjesë në tubime. Vučić njofton se do të përgatitet për t’u bërë trajner basketbolli. Thotë se Serbia do ta ketë vaksinën nga fundi i vitit, para shteteve të tjera.

Rrëmuja e zakonshme e Beogradit mbytet. Gjatë muajve të kaluar, harta ime mendore e Beogradit ka evoluar, fjalori im është zgjeruar dhe lidhja e dashuria ime për këtë vend është thelluar në shumë mënyra, pavarësisht nga ndjenja e çorientimit dhe lodhjes që të mbërthen pas një kohe.

Shtrembërimi i vazhdueshëm i së vërtetës është rraskapitës, por kundërshtohet nga njenja e qartë e njerëzve që duan diçka më të mirë. Frika është ngjitëse, por e tillë është edhe shpresa. 

Atë natë qëndroj në ballkon dhe shikoj një stuhi të heshtur nga largësia. Shkreptimat e dritës mbushin qiellin, por shiu s’mbërrin kurrë.

Imazhi i ballinës: Natasha Tripney.