Blogbox | Rinia2020

Bonbonat e Bajramit

Nga - 01.09.2020

Të luftosh pabarazinë duke ngritur zërin kundër saj.

Nga koha kur isha refugjate gjatë luftës si foshnjë katërmuajshe, sot nuk mbaj mend asgjë pos historive të nanës me të cilat jam rritë. Por, pasojat e luftës më kanë përcjellë tërë fëmijërinë, ashtu siç i kanë përcjellë edhe shumë moshatarë të mi. Në vend të përrallave, gjumi na zinte duke i dëgju të rriturit e familjes që flisnin për vështirësitë financiare me të cilat përballeshim çdo ditë. 

Në katunin ku jam rritë — që fill mbi krye, njashtu si rojë, kishte Malet e Moknës — koha me diell në mëngjes nuk të siguronte që në mesditë s’kish me pasë reshje shiu, as në muajt e verës verës. E në dimër nuk ka si të mos më kujtohen ato ditët e fundit të dhjetorit, të ftohtit e të cilit na shoqëronte gjatë kthimit nga shkolla e na i mbërthente gishtat e vegjël sa herë që hiqnim dorëzat për të nxjerrë vaktin tonë nga çanta, sapo kalonim oborrin e xhamisë së re të fshatit që njëkohësisht shënonte edhe daljen prej tij. 

Të thurura prej nanës, dorëzat e mia për nga ngjyra i përngjanin reçelit me të cilin lyeja copën e bukës që e merrja me vete në shkollë çdo ditë, siç bënin edhe shoqet e shokët e mi. Për disa të paktë ndër ne, familjarët e të cilëve jetonin jashtë vendit, në atë copë të bukës së përditshme kishte mish në vend të reçelit. 

***

Ishte bërë një dekadë prej që kishte përfundu lufta, e ne jetonim ende në bashkësi familjare. Në dhomën që e ndaja bashkë me prindërit, në dollapin e vjetër prej druri aty në qoshe pas një grumbulli rrobash, fshihej tërë pasuria ime. Një qese e bardhë e barnave, e mbushur plot bonbona të lirë. Bonbona të Bajramit.

Çdo festë, si karvan, bashkë me fëmijët e lagjes ua mësynim fshatrave përreth. Kilometra të tërë na prisnin me i përshku në këmbë gjatë atij shtegtimi për sheqerosje. Vatër më vatër, thirrjen “Me fat ju koftë Bajrami’’ e fillonim prej jashtë oborrit e nguteshim kush prej nesh po mbërrin së pari te dera e shtëpisë. 

Nuk kishte gëzim më të madh se kur dilte ndonjë i afërm i imi e më jepte më shumë bonbona se fëmijëve tjerë. Më mbërthente një ndjenjë e epërsisë karshi tyre, që zakonisht shprehej me një buzëqeshje të madhe dhe skuqje të fytyrës. Kjo e fundit jo pse kishte diçka prej së cilës duhej me më ardhë marre, por ngase deri në atë moment të vetmet gjëra që bënin dallimin mes meje e të tjerëve ishin rrobat: jo krejt kishim ble rroba të reja për festë. 

Aty-këtu, dilte dikush e na ofronte edhe ujë e ëmbëlsira. Vazhdonim te shtëpia tjetër, e pastaj te tjetra, derisa dielli niste me ikë — bashkë me të niseshim edhe ne, për me vazhdu njëjtë ditëve tjera, në fshatra të tjerë. 

Pasi kryhej festa e ktheheshim në shkollë, çdo ditë të lume kur binte zilja e pushimit të gjatë e nxënësit vraponin të zinin rend në shitoren pranë shkollës, unë ulesha te një dritare dhe e nxirrja prej çantës vaktin tim: dy bonbona të Bajramit. 

Meqë ishim rrëzë bjeshkëve, pamja prej dritares nuk kishte si të ishte më e mirë. E njëjta nuk vlen edhe për vaktin tim. Shpesh, kur zorrët fillonin të bënin zhurmë për arsye që natën e mbrëmshme nuk kisha ngrënë darkë sa duhet, detyrohesha që njërin bonbon me e nxjerrë para pushimit të gjatë, e tjetrin me e rujtë për më vonë. 

Secilën ditë, e njëjta rutinë. E me ikjen e ditëve, grumbulli i bonbonave në qesen time të bardhë të barnave zvogëlohej. Fillova edhe unë me e zvogëlu sasinë që e merrja me vete në shkollë: nga dy bonbona në një.

***

Sot, 21 vite pas luftës, ajo foshnja refugjate që është rritë duke e parë të bardhën e të zezën, po krijon vetë ylberin e saj. Botë me ngjyra meritojnë të kenë edhe fëmijët që në vend të shfletimit të librave i shohim tek mbledhin kanaçe, apo tek pastrojnë xhamat e veturave në kolonat që s’iu shihet fundi. Burimi i historive të tilla, për fat të keq, nuk duket se do të shterrojë së shpejti. 

Mund të rritet numri i fëmijëve që ulen të uritur pranë dritareve e i shikojnë bashkëmoshatarët e tyre tek vrapojnë të zënë rend te shitorja pranë shkollës.

Për vajzën që takoj herë pas here gjatë shëtitjeve në park, po e quaj Hana, libreza me pesëshe që e ka mbyllur në sirtar bashkë me ëndrrën për t’u bërë mjeke, është dëshmi që pabarazia mes shtresave të shoqërisë është aq e madhe sa edhe fort pak e trajtuar, të paktën prej atyre që kanë mekanizmat e edhe fuqinë për ta bërë atë. 

Ëndrra të mbetura në gjysmë si ajo e Hanës do të vazhdojë të ketë, madje do të shumëfishohen, nëse bazohemi në publikimet e fundit të Bankës Botërore mbi ndikimet e pandemisë COVID-19. Një simulim sugjeron se 57,000 deri në 148,000 njerëz në Kosovë mund të bien në varfëri, ndërsa klasa e mesme mund të tkurret me rreth 100,000 njerëz. Si rrjedhojë mund të rritet edhe numri i fëmijëve që ulen të uritur pranë dritareve e i shikojnë bashkëmoshatarët e tyre tek vrapojnë të zënë rend te shitorja pranë shkollës.

Unë këtë Bajram e bleva një qese të madhe me bonbona, ani pse e dija sigurt që thirrja e rregullt “Me fat ju koftë Bajrami’’ nuk ka me u dëgju, ashtu qysh nuk u dëgju as në Bajramin para tij. 

Gjatë një ecjeje nëpër fshat, pashë aty-këtu ndonjë 10-vjeçare (si unë atëbotë), ama fëmijë pak pashë. Lagjen time të vogël kurrë nuk e kisha parë më të qetë në ditë feste. Rrugicat e saj që janë mësu me u rrehë prej këmbëve të vogla e lëndina me ushtu prej urimeve të panumërta, këtë Bajram ishin thuajse të zbrazëta. 

Në shtëpinë e prindërve të mi, në dollapin e vjetër prej druri aty në qoshe pas një grumbulli rrobash, nuk fshihet më qesja e bardhë e barnave, e mbushur plot bonbona të lirë. Unë vazhdoj me i mbajtë ata në çantë e me i hangër kohë pas kohe, me ia kujtu vetes që muret e gjithçkaje që jam unë sot janë ndërtu mbi ata bonbona si themel. 

Fëmijët si unë dikur, sot janë ngado që e kthejmë kokën — madje shpesh janë cak i ngacmimeve për shkak të asaj që janë e asaj që nuk e kanë. Tregime si i imi ka shumëfish më shumë, e shumëherë më të dhimbshme. Tregime që s’duan asgjë më shumë se një vesh me i dëgju. 

Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0.