Dialogu Kosovë-Serbi rifilloi furishëm. Bashkë me të u rishfaqën edhe kompleksitetet dhe paqartësitë që e shoqërojnë atë. Edhe partitë politike shumë shpejt u betonuan në pozicionet e tyre se ky proces nuk duhet të jetë teknik. Kjo nënkuptoi se nuk duhet të ketë proces të arritjes së marrëveshjeve individuale për çështje të caktuara, siç ka ndodhur në të kaluarën, por se duhet të ketë një marrëveshje “të madhe” që përmban një sërë çështjesh.
Por çfarë mbeti pa u thënë është se qasja e lehtësuesit të dialogut, BE-së, do të mbetet po e njëjta — “metoda evropiane” e bazuar në filozofinë e Komunitetit të Çelikut dhe Qymyrit. Sipas kësaj filozofie, përmes diskutimit të çështjeve teknike synohet të ndërtohet besimi dhe të kalohet gradualisht drejt çështjeve më të ndjeshme të procesit. Kjo metodë e njohur dhe si “qasje inkrementale” e aplikuar gjatë procesit të arritjes së marrëveshjeve në vitet 2011-2015 është duke vazhduar edhe gjatë kësaj faze. Ndryshimi qëndron në faktin që tani duhet dakordim për të gjitha çështjet njëherësh për të pasur marrëveshje ndërmjet palëve.
Kosova dhe Serbia kanë filluar diskutimet rreth temave të cilat u konsideruan si më pak konfrontuese, siç është në këtë rast çështja e personave të pagjetur për shoqërinë e Kosovës dhe ajo e personave të zhvendosur për palën tjetër. Pas rezultatit të arritur në këto tema, siç u raportua nga zyrtarët e BE-së, tani është koha për të lëvizur drejt çështjeve më komplekse — të drejtat pronësore dhe financiare si dhe çështja e të drejtave të komuniteteve jo shumicë.
Kjo qasje rezultoi e suksesshme në rastin e Evropës së pas Luftës së Dytë Botërore, pasi krimet nuk u mohuan dhe përgjegjësia për to u mor, kërkimfalja ndodhi dhe gjenerata të tëra dënuan kryerësit e krimeve njëzëri. Në rastin e Kosovës dhe Serbisë, po duket që kjo metodë po rezulton në ngecje të shumta. Ajo çfarë u arrit në Evropë nuk u arrit asnjëherë pas luftërave të ish-Jugosllavisë në përgjithësi, dhe as në rastin e luftës së Kosovës në veçanti.
Me këtë realitet në sfond, dialogu Kosovë-Serbi hyri në fazën finale të tij dhe po synohet të arrihet marrëveshja gjithëpërfshirëse me lehtësimin e emisarit të ri të posaçëm të BE-së Miroslav Lajčák.
Ai mori këtë mandat me mbështetjen e plotë që i erdhi jo vetëm nga Këshilli i cili e emëroi, por edhe nga Gjermania dhe Franca, të cilat u siguruan që gjatë Samitit virtual të Parisit palëve t’ua përçonin mesazhin për mbështetjen e shteteve anëtare ndaj emisarit të tyre në këtë proces. Kjo mbështetje i duhej Lajčák-ut, pasi autoritetet kosovare nuk e pranuan aq lehtë emërimin e tij në këtë pozitë duke e ditur të kaluarën e tij si Ministër i Jashtëm i Sllovakisë — shtet që s’e njeh Kosovën — që kishte votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.
Rikthim në disonancë
Vrulli me të cilin duket se Lajčák mori përsipër të shtynte këtë proces përpara, pas deklaratave se tashmë kishte dakordim të palëve mbi kornizën e procesit dhe elementet e tij, krijoi përshtypjen e realiteteve që nuk janë në përputhje të plotë me njëri-tjetrin. Ndonëse nuk mund të pritet që procesi të ecë përpara pa ngecje dhe vështirësi, në situatën konkrete duket që vështirësitë shkojnë përtej. Gatishmëria e nevojshme e palëve për të ecur drejt “finales së madhe” vërehet që është duke munguar, pavarësisht deklaratave të tyre që thonë të kundërtën.
Në anën e Kosovës ekziston një mungesë e theksuar e unitetit të brendshëm politik rreth këtij procesi dhe ndaj pozicionit që Kosova duhet të ketë në të. Qeveria aktuale nuk e ka shumicën e nevojshme për ta shtyrë këtë proces përpara, ndërsa legjitimiteti i saj është i cunguar.
Në anën e Serbisë, regjimi autoritar i presidentit serb Aleksandar Vučić mbetet peng i së njëjtës mendësi të kohës kur i shërbente ish-shefit të tij Slobodan Milošević dhe vetëm se është kamufluar mjaftueshëm sa të jetë i pranueshëm për BE-në. Ai nuk është i interesuar për marrëveshje të shpejtë pa e pasur të sigurt që do të marrë atë që kërkon “në këmbim”.
Ndërkohë, raportet mes palëve mbeten shumë të largëta dhe të acaruara. Kjo u dëshmua dhe nga deklaratat e fundjavës së kaluar kur Ministri i Mbrojtjes i Serbisë Aleksandar Vulin përdori në vazhdimësi terme derroguese ndaj shqiptarëve të Kosovës duke shkuar deri në pikën e insistimit në “të drejtën” e tij për ta bërë një gjë të tillë. Apo dhe deklaratat e Ministrit të Jashtëm të Serbisë Ivica Dačić, i cili shprehu shqetësimin për serbët “budallenj” që ua tregojnë shqiptarëve vendndodhjen e varrezave masive të shkaktuara nga regjimi në të cilin ai vetë shërbeu si zëdhënës.
E gjithë kjo vetëm pak javë pasi BE kishte deklaruar për suksesin e palëve në adresimin e temave të para, ndër to edhe çështja e të pagjeturve.
Vrullin e Lajčák-ut mund ta ngjasojmë dhe me të Ambasadorit Grenell por pa fuqinë politike të tij – të Shtëpisë së Bardhë, e cila në këtë kontekst edhe ajo dëshmoi limitet e saj në gatishmërinë për t’i shtyrë palët drejt zgjidhjes finale, duke preferuar në vend të saj “normalizimin ekonomik”. Fuqia politike e Lajčák-ut operon brenda limiteve të Emisarit Special, i cili nuk mund t’u premtojë palëve më shumë sesa ofrimin e tryezës së vullnetit të mirë të BE-së por që gjithsesi mbart dhe premtimin për perspektivën evropiane.
Dhe këtu është sfida e vërtetë e karrotave që BE-ja ka në dispozicion për ta shtyrë procesin drejt marrëveshjes finale. Në mungesë të perspektivës reale evropiane për Kosovën, të cilën pesë shtete anëtare ende nuk e njohin si shtet, BE-ja ka vetëm liberalizimin e vizave në dispozicion. Kjo karrotë — e ofruar për një kohë të gjatë tashmë — është e pamjaftueshme për marrëveshjen e madhe.
Ndërsa Serbia është ende larg përmbushjes së kritereve për anëtarësim; ajo ende nuk i ka hapur të gjitha kapitujt e acquis së BE-së, duke e bërë datën më të afërt të anëtarësimit vitin 2025. Deri atëherë, interesimi i saj është i vakët për të arritur dakordim me Kosovën, duke shpresuar e punuar në drejtimin që procesi të shkojë gjithmonë e më shumë në avantazh të saj.
Etapë e re, probleme të vjetra
Përtej këtyre sfidave, bartja e problemeve të fazave të mëhershme mund të pengojë progresin e fazës së tanishme të dialogut.
Me Lajčák-un në krye, normalizimi vazhdon të mbetet term me interpretime të shumta, i hapur për t’iu përshtatur preferencave të secilës palë, ndërsa epilogu i procesit mbetet i papërcaktuar. Në takime të mbyllura dhe jopublike, përfaqësues të BE-së — përfshirë dhe ata të nivelit më të lartë — pranojnë që në këtë proces do të flitet për njohje të Kosovës nga ana e Serbisë dhe se ky është synimi, por publikisht kjo nuk është bërë asnjëherë. As Serbia publikisht nuk e pranon këtë.
Mungesa e transparencës dhe sinqeritetit mbeten ende atitude të procesit.
Ndërsa shumë pak dihet rreth tij, mbi ato elemente të cekura nga Lajčák. Procesit për fat të keq është duke i munguar gjithashtu dhe sinqeriteti nga të gjitha palët e përfshira në të. Zbatimi i Marrëveshjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe është një ndër ato çështje që vënë në pah këtë element.
Kosova ka pranuar të flasë për të drejtat e komuniteteve jo shumicë në kuadër të këtij procesi në kohën kur ai udhëhiqej nga Presidenti Thaçi; këtë e bën të qartë dokumenti të cilin zyra e tij kishte ndarë në Janar 2019 me delegacionin shtetëror të formuar asokohe. Por ende nuk është e qartë nëse Kryeministri Hoti ka pranuar të diskutojë për këtë temë në Bruksel. Ndërsa vetë Parimet e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, të hartuara në 2015, përcaktojnë që statuti i Asociacionit i hartuar nga Ekipi Menaxhues do të prezantohet në dialogun e nivelit të lartë.
Nga ana e Serbisë, deklaratat se duan zbatim të marrëveshjeve të arritura në 2013 dhe 2015, ku janë përvijuar kompetencat e Asociacionit, janë të rreme. Në marrëveshjen e vitit 2015, në pikën 2 dhe 21 flitet për rolin e Gjykatës Kushtetuese në interpretimin e dekretit të Asociacionit ku thuhet: “Qeveria e Kosovës do të miratojë një dekret të aplikueshëm drejtpërdrejtë, i cili do të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese” dhe se “Statuti do të konfirmohet me dekret”. Por Serbia nuk kërkon as versionin e Marrëveshjes së vitit 2013, sepse asnjëra nuk mund t’ia plotësojë apetitet që ka ndaj Kosovës, të cilat fillojnë nga kërkesa për autonomi të komunave me shumicë serbe deri tek ambiciet territoriale.
Nga ana tjetër, BE-ja thotë se i mbetet Kosovës të propozojë se si ta formojë Asociacionin dhe të zbatojë marrëveshjet që i ka arritur për t’u dukur palë serioze dhe kredibile në proces. Ajo çfarë në realitet synohet nuk është zbatimi i marrëveshjes, por rinegocimi i saj. Edhe Lajčák e di se marrëveshja e negociuar prej vetë BE-së ka lënë hapësirë për interpretime të ndryshme. Ai gjithashtu e di se versioni i bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese nuk i shkon për shtati Serbisë dhe se aranzhimet për komunitetin serb në Kosovë mund të jenë çelësi drejt arritjes së vet marrëveshjes finale.
Ndërsa sfidat do të mbesin të shumta dhe procesi mund të pritet të jetë i gjatë, evitimi i problemeve të së kaluarës duhet të shërbejë si udhëzues fillestar në procesin e dialogut drejt marrëveshjes finale.
Imazhi i ballinës nga Twitter i Miroslav Lajčák.